Këta, ata dhe ne

Flaka Surroi Flaka Surroi 29 gusht 2017 07:40

Përfundimi i vetëm që doli i qartë edhe nga kjo copë e seancës, është se asnjëri subjekt politik i ulur në këtë Kuvend nuk është i interesuar t’i formojë institucionet sa më shpejt. Secili prej tyre e ka nga një agjendë të fshehur prapa “parimeve” – secili e ka një plan B që do të duhej t’ua siguronte fushëveprimin e lirë për angazhim në zgjedhjet lokale, e që në bazë të tyre më pas të bëhen kalkulimet për zgjedhjet e reja eventuale parlamentare

Ndodhi ndodhia dhe u mbajt vazhdimi i seancës konstitutive të Kuvendit të Kosovës. Dhe në të merrnin pjesë 94 deputetë, të mjaftueshëm për të zgjedhur kryetarin dhe Kryesinë e Kuvendit. Kësaj radhe kishin ardhur edhe deputetët e PAN-it – përkatësisht “këta”, që të tjerëve u thonë kush jeni ju me ngre dyshime për veprimet e PAN-istëve – përkatësisht “ata”. Dhe para ekraneve televizive ishim “ne” – të neveritur deri në skaj me shfaqjen ”qirkuziane”, të cilën na detyruan ta përcillnim.

Pas këmbimeve të kota, që nuk çonin askund, përfundimi i vetëm që doli i qartë edhe nga kjo copë e seancës është se asnjëri subjekt politik i ulur në këtë Kuvend nuk është i interesuar t’i formojë institucionet sa më shpejt. Secili prej tyre e ka nga një agjendë të fshehur prapa “parimeve” – secili e ka një plan B që do të duhej t’ua siguronte fushëveprimin e lirë për angazhim në zgjedhjet lokale, e që në bazë të tyre më pas të bëhen kalkulimet për zgjedhjet e reja eventuale parlamentare.

Këta

Javën e kaluar, kur kisha numëruar 42 përshkrimet që i përshtateshin PAN-it, isha e vetëdijshme se nuk kisha arritur t’i përfshija të gjitha: sa për shkak se nuk do të më kujtoheshin në atë çast, e sa të tjera se nuk kisha hapësirë të mjaftueshme në kolumne. E di që po qe se sërish nisi t’i rendis edhe karakteristikat e tjera, do të më ndodhë e njëjta, prandaj kësaj radhe do të kufizohem në përshkrimin e vetëm ca çështjeve që nuk do të duhej lënë në harresë.

“Këta” kanë zgjedhur Enver Hoxhajn të flasë në Kuvend e të arsyetojë insistimin kokëfortë dhe, për ne irracional, që Kadri Veseli të zgjidhet kryetar Kuvendi e që Ramush Haradinaj të zgjidhet kryeministër. Mënyra se si tregon se kandidatin e kanë, porse votat nuk i kanë, në fakt e zbulon natyrën e të menduarit dhe të të vepruarit të PAN-it: gënjeshtrën dhe interesin e ngushtë. Hoxhaj është shembulli më i mirë se përse PAN-i nuk duhet të bëhet me Qeverinë: kur gazeta kishte zbuluar rrjetin e nepotizmit në lidhje me punësimin e personelit në MPJ, ky së bashku me këshilltarët e vet shtyu përgjigjet për më shumë se dy javë. Në fund foli e nuk tha asgjë. Tradita vazhdon, si në degradimin e shërbimit diplomatik ashtu edhe në komunikim me publikun.

Por përderisa Hoxhaj e ka njëfarë elegance, e cila tashmë po bëhet irrituese, kur flet, e njëjta gjë nuk mund të thuhet për Mr. Ktynë. Duke dashur të tingëllonte siprituoz, kohë pas kohe i qasej fjalës serbe “značka” (fjalori shqip e njeh fjalën “distinktiv”) – e tek e dëgjoja më kujtohej se gjatë luftës, në zonat operative të UÇK-së, përdorimi i fjalëve në serbishte ngrinte me vete shëtitjen deri te “bunari”, alias “qendër paraburgimi”. Po get kjo rregull nuk paska vlejtur për të, meqë nuk është hera e parë që u qaset termeve në serbishte për ta kamufluar shqipen e tij të vobektë.

Po nejse, kjo nuk është aq me rëndësi, sa është me rëndësi një deklaratë e tij që lidhej për rastin Dehari, e me të cilën gjë pa asnjë minutë vonese do të duhej të merrej Prokurori i Shtetit. Ai tekstualisht tha, duke iu referuar deputetit Frashër Krasniqi: “E ke sulmuar këtë Kuvend... E keni marrë në qafë Astrit Deharin, derisa kty i keni ata që e kanë ideu dhe e kanë sulmu (Kuvendin)...”. Nëse Veseli ka fakte që e dëshmojnë këtë që e thotë, prokuroria do të duhej ta merrte menjëherë në pyetje si dëshmitar. Nëse i ka pasur këto fakte më herët, nuk është dashur të priste një vit për t’i thënë, dhe madje në Kuvend. Por nëse këto fakte mungojnë, atëherë a do të duhej të përgjigjej për përzierje në kompetencat e gjyqësorit, meqë po insiston në fajësinë e dikujt që është duke u gjykuar. Për më tepër, nga ngjarjet e regjistruara dje në gjykatore, po del se dëshmitë mund të kenë qenë të kurdisura. Dëshmitarët për këtë fajin ia lënë policisë. E po qe se dëshmitë janë të fabrikuara dhe këto kanë shërbyer për paraburgimin edhe të Astrit Deharit, atëherë kush do të japë përgjegjësi për vdekjen e tij në institucionin shtetëror? Sepse përgjegjësia këtu është edhe politike.

Nga ana tjetër, i fundit që pretendon të bëhet i pari në mesin e PAN-istave është Haradinaj. Tingëllon shumë jobindës kur flet për krijimin e një qeverie gjithëpërfshirëse kur është shumë evidente që nuk po mund t’i mbledhë as 61 vota për ta zgjedhur veten kryeministër. Insistimi që me çdo kusht ta marrë Qeverinë duke ditur se ajo do të varet kryekëput nga Lista Srpska, me të vërtetë nuk ka kurrfarë logjike, pos e interesit të tij personal. Arsyetimi se përfaqësimi i serbëve në institucione është kategori kushtetuese, nuk do të thotë asgjë tjetër pos edhe një përpjekje për ta lajthitur opinionin: sepse ka dallim shumë të madh ndërmjet zgjedhjes së dy serbëve për ministra dhe krijimit të Qeverisë që varet nga dhjetë serbë.

“Këta” kanë kërkuar edhe dy javë kohë. Një deputete e bën për vete – si dhe pse, e dinë “këta”, porse edhe akuzat që vijnë nga ana e LDK-së për këtë punë do të duhej të merreshin parasysh nga prokuroria. Se ku ka detyrim dhe shitblerje ilegale, duhet të veprojë ligji.

Ata

“Ata” në këtë çast nuk po dëshmohen të jenë alternativë qeverisëse. Të bërë bashkë në letra, i kanë 60 vota, sepse një u iku. Porse të bërë bashkë për veprim, nuk po duket se kanë mbërritur kudo. Për më tepër, po u ngjasojnë vajzave të vogla që prishen prej inatit se kush e ka kukullën apo fustanin më të bukur.

Fakti se LAA-ja dhe VV-ja nuk takohen që nga fillimi i muajit, tregon se bile njëra palë nuk do që të ketë bashkëpunim fare, dhe se më parë vendos të mbetet në opozitë dhe me e “djegë lojën”, sesa me u përpjekë për ndonjë ndryshim. Deklaratat e LDK-së për kërkimfaljen që e duan nga VV-ja për 70 rastet e pretenduara të korrupsionit gjatë mandatit të Mustafës si kryetar i Prishtinës, apo sulmit të shtëpisë së tij dhe gazit lotsjellës në Parlament, duket më parë të jenë arsyetime sesa argumente të qëndrueshme. Fillimisht, Mustafa është individ dhe kryetar i partisë, e jo vetë LDK-ja. Për rastet eventuale të korrupsionit fjalën e ka prokuroria dhe gjyqi eventualisht – por assesi ujdia që kallëzimet penale tash të fshihen për shkak se mund të arrihet një marrëveshje politike. Te sulmi i shtëpisë së Musfatës – edhe këtu kanë punë prokuroria dhe gjyqi – dhe nëse përgjegjësia është individuale, kërkimfalja duhet të jetë individuale. Hedhja e gazit në Parlament nuk ka qenë çështje personale as e Musfatës e as partiake e LDK-së. Ka qenë bllokim i dyanshëm i institucioneve nga i cili më së shumti ka pësuar Kosova, e së cilës të gjitha partitë politike duhet t’i kërkojnë falje.

Moskomunikimi normal ndërmjet këtyre dy subjekteve fsheh pas vetes me gjasë edhe taktizime – dhe një fitim kohe edhe nga kjo anë. LDK-ja e luan rolin e të hidhëruarës – që e humbi Qeverinë edhe falë votave të Vetëvendosjes, ani që gabimin më të madh e bëri kur ia zgjati jetën PDK-së dhe e zgjodhi Thaçin për kryetar pas zgjedhjeve të shkuara.

Partia, e dobësuar mjaft për shkak të këtij fakti, nuk mund të arrijë të konsolidohet dhe të përtërihet me tri a katër prurje të reja. Ka nevojë për reformë të thellë të brendshme – dhe kjo logjikisht do të duhej të ndodhte pas zgjedhjeve lokale, në të cilat, me gjasë mund të pësojë edhe më keq sesa në zgjedhjet qendrore.

Nga ana tjetër, Vetëvendosja, nëse nuk e bën ndonjë gafë në javët në vijim, po e përgatit terrenin për ta fituar mbase pushtetin edhe në disa komuna pos Prishtinës, sepse e ka bindjen se po pati zgjedhje parlamentare së shpejti, mund të rritet edhe më shumë. Dhe kjo, vetëm për shkak të faktit se nuk janë sprovuar në udhëheqjen e institucioneve qendrore dhe se populli nuk mund t’i akuzojë për asnjë vendim të cilin e kanë marrë PDK-LDK-AAK në gjithë këta vjet të udhëheqjes së institucioneve që nga paslufta.

Subjekti i vogël që mund ta bëjë ndryshimin e balancës në favor të PAN-it mbetet AKR-ja me tri nga katër votat sa i ka – mjaftueshëm për ta votuar edhe Veselin, edhe Haradinajn. Ajo që po shihet qartazi është se Pacolli është thellësisht i interesuar për pushtet personal (pallavra janë ato që i thotë për interesin e Kosovës, se njëherë u dogj me të njëjtën filozofi), pra edhe do të negociojë maksimumin në të dy taborët. Prandaj, kush do t’ia japë ofertën më të mirë, aty do të shkojnë votat e tij.

E që votat e Pacollit të mos jenë vendimtare, dhe nëse e kanë seriozisht VV-LAA se e duan PAN-in në opozitë, atëherë çelësin duhet kërkuar te minoritetet joserbe. Ata duhet të përfshihen në këtë muhabet, ndryshe nuk do të ketë zhbllokim derisa të mos ndodhë shitblerja e re e votës.

Ne

Ne jemi populli i çuditshëm i kësaj Kosove, dhe nuk kemi zë. As nuk kemi ide, e as nuk kemi veprime me të cilat do ta dëshmojmë pakënaqësinë tonë me situatën që e jetojmë. Jemi shoqëri pa shoqëri civile: nuk na mbet gati asnjë njeri nga OJQ-të që nuk e provoi veten në politikë. Bile nga java e shkuar edhe udhëheqësja e koalicionit të OJQ-ve, pra një person që do të duhej të kishte animuar shoqërinë civile për veprime shumë më proaktive, kaloi në PDK, për t’u kandiduar për kryetare të qytetit të Mitrovicës.

Jemi popull që prej vitesh duron të poshtërohet në të gjitha format e mundshme nga përfaqësuesit politikë që e kanë bërë shtetin lodër të veten. Jemi ata që heshtim edhe kur deputetët e këtij Kuvendi tashmë i kanë arkëtuar mbi 170 mijë euro për mospunën e dy muajve të fundit. Ata do të thonë ligji kështu e parasheh, e ne do të pajtohemi se disa ligje bën të zbatohen e disa të tjera jo.

Ne jemi ata që këtyre ua kemi dhënë votën për të na përfaqësuar, e që pos reagimeve në FB nuk bëjmë asgjë tjetër për t’ua treguar vendin. Po na thonë se votën e kemi të vetmen armë për t’i ndëshkuar, e as atë nuk po dimë ta mbrojmë. E mandej po ankohemi se pse po jetojmë kështu si po jetojmë, se pse e kemi papunësinë më të lartë ndër të rinjtë në Evropë a botë; se pse jemi analfabetë, se pse jemi të varfër. E nuk po e kuptojmë se fajet i kemi vetë ne – për shkak se po lejojmë të na hipin në qafë njerëz inatçi, arrogantë, të padijshëm, gënjeshtarë, mashtrues e tyxharë.

Pa u zgjuar ne, ky vend do të vazhdojë të vendnumërojë. Dhe për këtë, nuk kemi kë tjetër ta fajësojmë pos vetes.

flaka@koha.net

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Tjera nga Flaka Surroi