Justifikimi moral i komandantëve

Agron Demi Agron Demi 28 gusht 2017 08:24

Dy modelet ushtarake, dy rrugë drejt pasurimit dhe koncepti i “justifikimit moral”

Çdo qytetar izraelit, i cili arrin moshën 18-vjeçare, është i obliguar që t’i bashkëngjitet ushtrisë për një periudhë 24 muajsh për gratë dhe 36 muaj për burra. Por, në të njëjtën kohë, pjesëtarët e ushtrisë izraelite përgatiten edhe për profesione civile pas kryerjes së shërbimit ushtarak. Sipas Dan Senor dhe Saul Singer, autorët e librit “Start-up Nation: The Story of Israel Economic Miracle”, në Izrael përgatitja akademike është më pak e rëndësishme sesa e kaluara ushtarake. Ekuivalenti izraelit për universitetet amerikane, si Harvard, Princeton e Yale, janë njësitë elite ushtarake. Më e njohura nga këto njësi elitare është njësia Talpiot. E themeluar rreth dyzet vjet më parë, me qëllim të modernizimit të ushtrisë izraelite, rekrutët e njësisë Talpiot u shndërruan një ndër themeluesit më të mëdhenj të kompanive teknologjike. Për dallim nga njësitë e tjera, ushtarët e Talpiot duhet të shërbejnë së paku gjashtë vjet.

Rekrutët e Talpiot ndihmuan ushtrinë izraelite në avancimin e teknologjisë ushtarake, duke ridizajnuar aeroplanët ushtarakë, apo duke rritur shpejtësinë dhe saktësinë e raketave. Por, me zhvillimin e hovshëm të internetit pas viteve ’90, rekrutët e Talpiot filluan gjithnjë e më shumë të përdorin aftësitë e tyre të fituara në ushtri për të ngritur ‘start-up” të suksesshëm. ‘NICE Systems’, kompani globale e cila përdoret në sistemet monitoruese të 85% të kompanive të ‘Forbes 100’, është themeluar nga një ekip i ushtarakëve të ushtrisë izraelite. ‘Campugen’, kompani lidere në dekodomin e gjenomit njerëzor dhe zhvillimin e medikamenteve, po ashtu është kompani e themeluar nga ushtarakët izraelitë. Ashtu siç është edhe ‘Metacafe’, platformë e cila lejon shpërndarjen e videove në internet. Shumica e kompanive izraelite, të cilat tregtohen në bursa, janë themeluar nga ish-pjesëtarë të ushtrisë izraelite. Me vetëm shtatë milionë banorë, Izraeli renditet i dyti pas SHBA-së për numrin e kompanive të listuara në indeksin e bursës NASDAQ. Vetëm për dy vjet kompanitë izraelite kishin përfituar rreth 2 miliardë dollarë kapital themelues.

***

Një formacion tjetër ushtarak, i cili ka nxjerrë “biznesmenë”, është edhe ai i UÇK-së. Mirëpo, ashtu siç janë të ndryshme formacionet ushtarake, rrënjësisht të ndryshme janë edhe format e pasurimit të ushtarëve izraelitë dhe ata të UÇK-së. Në bazë të listave të publikuara nga Komisioni për verifikimin e veteranëve të UÇK, janë 33 persona të cilët klasifikohen si veteranë dhe invalidë, si pjesëtarë të komandës së Shtabit të Përgjithshëm. Mbi gjysma e tyre janë aktivë në politikë. Njëkohësisht edhe ndër njerëzit më të pasur në Kosovë. Javën e kaluar, duke u bazuar në të dhënat nga deklarimi i pasurisë së zyrtarëve të lartë publikë në Agjencinë Kundër Korrupsionit, gazeta “Jeta në Kosovë” nxori se pasuria e deklaruar e 17 ish-komandantëve të UÇK është 12 milionë euro.

Për dallim nga ushtarakët izraelitë, pasuria e të cilëve buron nga themelimi i kompanive të suksesshme, të cilat listohen në bursat ndërkombëtare dhe krijojnë vlerë, pasuria e komandantëve të UÇK-së buron kryesisht nga sektori publik, nga pagat e deri tek tenderët e licencat. Edhe më tej ish-komandantët vozisin vetura të blinduara. Veturat civile të tyre janë vetura për terrene të vështira, ata vozisin Land Rover, Jeep e BMW XE e X6. Bizneset në pronësi të tyre përfitojnë tender publik, nga furnizimi i institucioneve publike me kompjuterë e deri tek tenderët për pajisje të Korporatës Energjetike të Kosovës. Ish-komandantët janë edhe pjesëmarrës në procesin e privatizimit, duke blerë prona e lokale me vlera milionëshe. Po ashtu, ata janë të pajisur edhe me licenca shtetërore, si për shembull për kontroll të automjeteve. Për dallim nga një familje mesatare kosovare, ata kanë në pronësi më shumë se dy banesa, lokale afariste e biznese.

***

Komandantët e luftës e të paqes nuk kanë dëshirë t’u përmendet pasuria e tyre. Pas fjalimit të deputetit të ri të Kuvendit të Kosovës, Frashër Krasniqi (VV), ku ndër të tjera përmendi edhe pasurinë e komandantëve-lider partish, plasi një debat i ashpër publik, ashtu siç janë të ashpra të gjitha diskutimet që kanë të bëjnë me komandantët. Ky debat kulmoi me sulmin fizik ndaj Parim Ollurit, drejtorit të gazetës “Insajderi”, i cili kishte shkruar për pasurinë e komandantëve të UÇK-së.

Sipas komandantëve, pasurimi i pajustifikueshëm dhe gjithë veprimet e tyre pas luftës janë të justifikuara moralisht nga pjesëmarrja e tyre në luftë. Në psikologjinë sociale njihet koncepti i justifikimit moral (ang.: moral licensing), sipas të cilit veprimet e mira në të kaluarën mund të hapin rrugën për veprime imorale dhe ilegale në të ardhmen. Thjesht, kur bëjmë diçka mirë, ia japim të drejtën vetes që të bëjmë edhe veprime të këqija. Shumë kohë para zgjedhjeve presidenciale në SHBA, autori Malcolm Gladwel parashikoi se votuesit e Barack Obamas në masë të madhe do të votonin për Donald Trumpin. Sipas Gladwell, justifikimi moral i atyre që do të votojnë për një kandidat, i cili jo rrallëherë ka shprehur qëndrime raciste, është se ata kanë votuar për një kandidat afrikano-amerikan në të kaluarën dhe kjo është dëshmi e mjaftueshme se “nuk janë racistë”.

Njësoj, pjesëmarrja në luftë u jep justifikim komandantëve politikanë që të hyjnë në marrëveshje të diskutueshme për shtetësinë e Kosovës. Marrëveshjet të cilat kanë rrezikuar seriozisht karakterin unitar të Kosovës janë nënshkruar nga Hashim Thaçi, apo aplikanti nr.000001 për statusin e veteranit të UÇK-së. Çdo akuzë të partive opozitare se po bën tradhti ndaj vendit ai i është kundërpërgjigjur me atë se “kur unë kam luftu, ju____(plotësojeni sipas dëshirës)”. Sa herë ngritën akuza për pasurim të pajustifikueshëm, komandantët e kthejnë me kundërakuza se si “vetë jeta jonë është pasuri, ngase mos të ishte për luftën e tyre askush nga ne nuk do të gëzonte këtë liri”.

***

Jo rrallëherë ushtarakët kanë qenë të suksesshëm edhe në ndërmarrësi. Por, për të arritur shkathtësi të cilat përgatisin një ushtarak për një karrierë të suksesshme në ndërmarrësi, një ushtar/e izraelit i njësisë Talpiot duhet të kalojë gjashtë vjet përgatitje ushtarake dhe universitare. Në anën tjetër, pasurimi i ish-komandantëve të UÇK-së nuk bazohet në asnjë përgatitje, qoftë universitare, ndërmarrësie, e madje as ushtarake. “Ndërmarrësia” e tyre nuk krijon vlerë, është shfrytëzuese. Pasurimi enorm i disa komandantëve është bërë në kurriz të shoqërisë, madje edhe në kurriz të ushtarëve të tyre, shumë nga të cilët jetojnë në kushte të vështira sociale. E përderisa për këtë pasurim të tyre komandantët kanë një justifikim moral të të qenit në luftë, një shtet i drejtë, me gjykata të pavarura, do të duhej të kërkonte vetëm justifikimin ligjor për pasurinë e pajustifikueshme të tyre.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Tjera nga Agron Demi