Qeverisje pa udhëheqje

Agron Bajrami Agron Bajrami 27 gusht 2017 08:00

Si qëndrojnë punët, Qeveria e ardhshme e Kosovës - kushdo që ta formojë dhe kurdo që të formohet - do të jetë një Qeveri e dobët në numra, pa shumicë të sigurt në Kuvend dhe e përbërë nga forca që kohë të gjatë ishin në konflikt njëra me tjetrën. Për një Qeveri të tillë, përballja e suksesshme me problemet si Demarkacioni dhe Asociacioni do të jetë pothuaj e pamundur

I.

Kushdo dhe kurdo që ta formojë Qeverinë e ardhshme të Kosovës, që në fillim të mandatit do të ballafaqohet me dy çështjet e lëna pezull nga Qeveria PDK-LDK në largim: procesin e përshkrimit të vijës kufitare me Malin e Zi dhe çështjen e krijimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, si boshtin qendror të dialogut të Brukselit.

Do të ketë presion edhe nga jashtë, edhe nga brenda për të adresuar këto çështje, në kohën kur polarizimi politik vetëm sa shtohet, ndërsa fuqia qeverisëse në të ardhmen duket se do të jetë edhe më e vogël se që ishte deri tani; kushdo dhe kurdo që ta formojë Qeverinë, do ta ketë një opozitë shumë më të fortë se që e kishte pasur Qeveria e deritanishme.

Një kontekst politik ky që nuk jep shumë arsye për optimizëm.

II.

Në rastin e parë, presioni është më shumë i brendshëm; liberalizimi i vizave nuk mund të ndodhë pa u ratifikuar në Kuvend Marrëveshja e demarkacionit me Malin e Zi. Qeveria e ardhshme - kushdo që ta bëjë atë dhe kurdo që të bëhet ajo - që nga dita e parë e saj do të ballafaqohet me një popullatë të lodhur nga izolimi dhe të mllefosur nga mashtrimet që i janë bërë nga qeveritarët që u premtonin lëvizje të lirë nëpër Evropë qysh para shtatë vjetësh.

Sigurisht, për heqjen e vizave do të mbetet edhe kushti tjetër i papërmbushur – sundimi i ligjit dhe luftimi domethënës i korrupsionit – dhe ratifikimi i demarkacionit nuk nënkupton me automatizëm lëvizjen e lirë në Zonën e Schengenit. Por, mbyllja e çështjes së kufirit me Podgoricën është kushti i prerë, meqë bëhet fjalë për një vendim që ose merret, ose nuk merret, derisa luftimi i korrupsionit është çështje vlerësimi që varet edhe nga disponimi politik.

Propozimi që dilemat rreth kufirit të hiqen duke e rihapur çështjen me Malin e Zi, për të arritur një marrëveshje të re, në teori mund të jetë i mundshëm, por në praktikë do të hapë derën për një proces të ri që mund të zgjasë me vite. Dhe madje vetëm nëse Podgorica zyrtare do të jetë e vullnetshme që ta rinegociojë një marrëveshje, të cilën vetë e ka ratifikuar në Kuvend.

III.

Në rastin e dytë, presioni do të jetë më shumë i jashtëm; Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës tashmë janë në pritje të formimit të Qeverisë së re të Kosovës – kushdo që ta formojë atë dhe kurdo që kjo të ndodhë – që të shohin kthimin e Kosovës në tavolinën e dialogut të Brukselit, ku çështja e Asociacionit të komunave serbe është çështja e madhe që kërkon përgjigje.

Fakti se Marrëveshja për Asociacionin është konstatuar se është në shpërputhje me Kushtetutën e Kosovës, nuk do të mundë të përdoret më si argument përballë Perëndimit, meqë ka më shumë se një vit e gjysmë prej aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese. Zvarritja që i bëri Qeveria e tanishme adresimit të problemeve që u evidentuan në aktgjykimin e Kushtetueses nga dhjetori i vitit 2015 nuk do të mundë të përdoret si arsyetim nga Qeveria e ardhshme – kushdo që ta formojë atë dhe kurdo që të jetë formuar ajo – meqë Kosovës nuk i ka faj askush pse qeveriset nga njerëz që nuk zgjidhin problem.

Këtij presioni ndërkombëtar do t’i shtohet edhe ai nga Serbia, e cila tani mbase ndihet në pozicion shumë më të favorshëm në dialog me Kosovën se që ishte në fillim, gjë që vërehet qartë edhe nga siguria me të cilën presidenti serb hapi dialogun e brendshëm për Kosovën, dhe ka nisur një ofensivë publike për të gjeneruar përkrahje perëndimore për rimodelimin e dialogut me Kosovën, në një që do të mundë të nënkuptojë rihapjen, ndoshta të pjesshme, të çështjes së statusit të Kosovës, apo, së paku, të çështjes së statusit të serbëve në Kosovë. Beogradi, tani, pa dyshim se do ta shfrytëzojë mundësinë që e ka që përmes Listës Serbe temën e Asociacionit ta imponojë si pjesë e çdo debati të brendshëm, prej krijimit të Qeverisë dhe miratimit të ligjeve dhe vendimeve të përditshme e deri tek ndryshimet kushtetuese, reformat sistemore dhe vendimet qenësore shtetërore, siç është krijimi i Forcave të Armatosura të Kosovës.

IV.

Si qëndrojnë punët, Qeveria e ardhshme e Kosovës - kushdo që ta formojë dhe kurdo që të formohet - do të jetë një Qeveri e dobët në numra, pa shumicë të sigurt në Kuvend dhe e përbërë nga forca që kohë të gjatë ishin në konflikt njëra me tjetrën.

Për një Qeveri të tillë, përballja e suksesshme me presionet e përshkruara më lart do të jetë pothuaj e pamundur.

Për më tepër, kushdo që ta bëjë Qeverinë e ardhshme dhe kurdo që të bëhet ajo, në të do të përfshihen njerëz që në dy vjetët e fundit ishin në anët e kundërta të barrikadës politike – ca që ishin pjesë e Qeverisë që nënshkroi marrëveshjet e kontestuara, e ca të tjerë që hidhnin gurë e gaz lotsjellës gjatë protestave kundër këtyre marrëveshjeve.

Rrjedhimisht, Qeveria e ardhshme, kushdo që ta formojë dhe kurdo që të formohet ajo, nuk do të jetë një që ka gjasa të mëdha për të adresuar suksesshëm çështjet e Demarkacionit dhe Asociacionit. Në rastin më të mirë, do të jetë menaxhuese e frustrimeve të një popullate të izoluar dhe presioneve të një bashkësie ndërkombëtare të dëshpëruar. Në rastin më të keq, do të jetë në detyrë në një vend ku kriza e thellë politike bartet në çdo fushë të shoqërisë, dhe nuk do të mundë të qeverisë vendin duke u dhënë argumente armiqve që thonë se Kosova është shtet i dështuar.

V.

Nuk është e thënë se duhet të jetë kështu.

Kosova, përkundër një klase politike të mësuar që të qeverisë përmes krizave, nuk është vend i krizës. Qytetarët e Kosovës, me gjithë problemet që kanë, po tregojnë një nivel të lartë të përgjegjshmërisë publike.

Telashet më të mëdha që ka vendi më pak janë pasojë e një popullate të pamësuar me demokraci dhe liri, e më shumë janë pasojë e një kaste politike që i mban peng edhe vendin, edhe qytetarët. Siç shihet qartë prej bllokadës së Kuvendit.

Kjo, në esencë, do të thotë se qytetarët e këtij vendi janë të gatshëm për hapat që duhet hedhur tutje, vetëm se nuk po ka kush t’i udhëheqë.

E udhëheqja nuk është thjesht qeverisje.

Është shumë më shumë se kaq.

agronb@kohaditore.com

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Tjera nga Agron Bajrami