Një njeri i bindjeve dhe i baraspeshës

Veton Surroi Veton Surroi 25 gusht 2017 08:11

Bajram Rexhepi qe figurë kompromisi: një, që PDK-ja ta ketë kryeministrin e që kryeministri megjithatë të jetë i ndershëm

1.

Në fakt jo, nuk ishte kryeministër i mirë dhe as politikan i tillë; as vizionar e as figurë që do të mbahet mend si pjesë e shtyllave të pavarësisë së Kosovës. I këtillë nuk ishte Bajram Rexhepi, që tashmë i vdekur dhe i varrosur po fillon jetën e tij mitike.

U bë kryeministër i vendit, sepse Ibrahim Rugova, që në krye të LDK-së kishte fituar zgjedhjet e vitit 2001 nuk e donte këtë post. Dr. Rugova kishte filluar ta quante veten president në vitin 1992, pasi kështu kishin filluar ta quanin badigardët, shoferët, sekretarët e pastaj edhe të gjithë të tjerët në vitin 1990, dhe kur i fitoi zgjedhjet më 2001 nuk donte t'ia ndërronte vetes titullin, me gjithë faktin se levat e shtetit ishin, sipas Kornizës Kushtetuese, në duart e kryeministrit.

Kryeministri rrjedhimisht duhej t'i takonte partisë apo partive në koalicion, dhe i takoi PDK-së. Kosova hyri, prej atëherë, në bllokadë politike, sepse u krijua një ndeshje mes interesave të Hashim Thaçit dhe të gjithë të tjerëve. Thaçi donte të bëhej kryeministër dhe të gjithë të tjerët nuk donin që kjo të ndodhte, duke filluar nga Ambasada Amerikane. Fituan të gjithë të tjerët, të prirë nga Ambasada (atëherë Zyra) Amerikane, dhe në mesin e fituesve qe Bajram Rexhepi.

Bajram Rexhepi qe zgjidhje kompromisi: një, që PDK-ja të ketë një kryeministër e që Kosova për kryeministër ta ketë një njeri të ndershëm.

2.

Ndershmërinë e tij Bajram Rexhepi nuk bënte përpjekje për ta fshehur. Që në ditët e para të funksionit më tha se as që i kishte shkuar mendja për këtë post. Në fakt, tha, një shok ma ka lidhur kravatën dhe tash e heq prej kokës ashtu të lidhur në mbrëmje, sepse nuk di ta lidh nyjën prapë.

Kravata e Bajram Rexhepit ishte pak a shumë metaforë e tërë Qeverisë së parë. Ishte një Qeveri me “L”, shenjë se timonin në duar e kanë shoferët e rinj. Përderisa kryeministri i vendit mësonte se çka ishte Qeveria, këtë e bënin edhe partitë në koalicion. Çdonjëra prej tyre mësoi shpejt se Qeveria është vendi ku duhet punësuar militantët e vet, ku duhet krijuar prani fizike - është një Kala që duhet pushtuar nga brenda. Qytetarët e Prishtinës nuk kishin nevojë për analizë empirike të këtij fenomeni; mjaftonte t'i shihnin autobusët që sillnin çdo mëngjes dhe çonin çdo pasdite militantët nga Drenica, Deçani, gjithandej Kosova, me kualifikimin më të nevojshëm, atë të qenit anëtar i njërës prej partive në pushtet.

Dhe përderisa Bajram Rexhepi mësonte se çka është Qeveria, shumë palë sy e vështronin Bajram Rexhepin. Ato të bashkësisë ndërkombëtare masnin se sa janë kosovarët të përgatitur për qeverisje. Sytë e Gjarprit, me anë të këshilltarëve që ia dërgoi, do të vëzhgonin në çdo moment se a i përmbahej rolit të përcaktuar, ta ruajë vendin e kryeministrit e mos ta mbushë atë me përmbajtje. (Njërin prej tyre B.Rexhepi do ta përjashtonte më vonë, me cilësimin mjekësor “skizofren”, cilësim që nuk i pengoi që edhe sot e kësaj dite të jetë nënkryetar i PDK-së).

3.

Prej ditës së parë të punës i duhej të gjente kompromis. Të ishte kryeministër i Kosovës, por jo më i madh se kryetari i PDK-së. Të ishte njeri i PDK-së, por të vendosë korrektësi marrëdhëniesh me ata që nga kjo parti shiheshin si armiq, madje deri në ekzekutim - pra me LDK-në, gjegjësisht dr. Rugovën. Të ishte nacionalist shqiptar, por të respektonte përfaqësuesit e serbëve të Kosovës. Të ishte kryeministër i Kosovës, për shqiptarët, e për UNMIK-un, “kryesues i institucioneve vetëqeverisëse”, apo një emër të ngjashëm asnjanës.

Po, gjithashtu të ishte në politikë e të ruante virtytet e tij. Njërin prej tyre, trimërinë, që e kishte manifestuar në luftë, si kirurg në Zonën Operative të Shalës, nuk mund t'ia merrte kush.

Që në fillim të mandatit u krijua presion i madh ndërkombëtar që edhe ai të jetë pjesë e një procesi fillestar negociator me Serbinë në Vjenë. Ndonëse pa shumë përvojë në këto gjëra, vendosi të rezistonte (disa të tjerë, si kryetari i atëhershëm i Kuvendit, mezi pritën të hipnin në avion) dhe arriti të ruante mendimin e tij deri në fund, që mos t'i hyhej një aventure që ishte grackë për Kosovën.

Trimëria e tij u bë fizikisht e dukshme gjatë trazirave të marsit të vitit 2004. Në një skenë që duhet të mbahet mend për shumëçka (posaçërisht për kapacitetin e pashtershëm të vetëshkatërrimit që ka kjo shoqëri), Bajram Rexhepi do t'u prijë anëtarëve të tjerë të Qeverisë për t'u vërë mes turmës shqiptare që ishte nisur për të djegur Çagllavicën serbe dhe trupat e KFOR-it, që ishin mobilizuar për të penguar edhe një konflikt ndëretnik.

Bajram Rexhepi ishte figura e vetme politike që tregoi përgjegjësinë e prijësit, duke e vënë edhe trupin e tij si pengesë për një tragjedi më të madhe.

4.

Qe pjesë e një organizate që merrej edhe me politikë. Në perceptimin e shumë njerëzve, raporteve të inteligjencës së shteteve të NATO-s, e së fundmi edhe të Prokurorisë së Gjykatës Speciale, një pjesë e prijësve të organizatës së cilës i përkiste merrej me “zap’imin” e shtetit. Ndërsa Bajram Rexhepi e kundronte Qeverinë si instrument të ndërtimit të shtetit, prijësit e tij politikë e shihnin si sportel tërheqjesh parash. Kur u arrestua Fatmir Limaj dhe u dërgua në Hagë, prej kryeministrit u kërkua nga shefi i tij që të prodhojë një milion euro në cash. “Nuk kuptojnë që arka e Qeverisë nuk është kasafortë”, më tha.

Kur ai dilte të pengonte me trup djegien e Çagllavicës, disa të tjerë të organizatës së cilës i përkiste e shihnin Çagllavicën si patundshmëri, me çmim gjithnjë e më të lirë nga shkaku i frikës së serbëve.

Dhe duke qenë pjesë e kësaj organizate, sfida më e madhe e Bajram Rexhepit qe ruajtja e personalitetit vetjak. Dëshironte të ishte i pavarur, qoftë në pushtet apo pa të. I nurshëm, kishte mbajtur komunikimin pa marrë parasysh dallime politike. Andaj, në fotografitë e tij zyrtare do të jetë vështirë të gjenden truprojat. Jo rrallë, si kryeministër, i hipte vetë makinës dhe shkonte në Mitrovicë, duke dëgjuar “Rolling Stones” dhe “Pink Floyd” me zë të lartë, aq sa të befasonte patrullat e policisë që e ndalnin për tejkalim shpejtësie. Dhe shpesh, deri në përditshmëri, do të ecte vetë, pa kurrfarë përcjelljeje prej zyrës së tij prej ministri të Brendshëm për në palestrën “Boro e Ramizi” për të bërë ushtrime të fitnesit, në veçanti pasi e fitoi betejën kundër kancerit.

Dje u përcoll në varreza të Mitrovicës, siç i ka hije Republikës, me nderime shtetërore. Shumëkush e përcolli edhe me nderime personale, përkundër bindjeve të tjera a të kundërta politike. Apo mu për shkak të bindjeve të tjera duke respektuar përpjekjen e tij që në kohë e shoqëri të këqija ta ruajë integritetin personal.

Kur mbërriti në fund të rrugëtimit të tij jetësor u shndërrua, pa dashur, në një metaforë për këtë vend, që gëzohet se mund ta quajë të ndershëm një njeri që qe anëtar i Partisë që aq dëm i bëri Kosovës, dhe që jetën e tij përpiqet ta veçojë nga Partia.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

bujari25/08/2017 16:11

E gjithë kjo hallakame ne Kosove eshte tragues se ku po shkon ky vend. Nuk duhet te perfundoni fakultetin per me qene I edukuar.I edukuar eshte ai apo ajo qe ka fytuyre.Per tu bere intelektual perfundimi I fakultetit eshte I deshirueshem. Individet te pakualifikuar kanë "iluzionin te superioritetit", duke u renditur aftësinë e tyre mbi mesataren, shumë më tepër se ajo në fakt qe është. Në anën tjetër, shumë të aftët priren të nënvlerësojnë veten dhe aftësitë e tyre vuajnë nga "iluzioni inferioriteti". Në fund, ne kemi një situatë ku njerëzit më pak kompetentë rendisin aftësitë e tyre mbi kompetencën. Çfarë do të thotë kjo? Kjo do të thotë se ka një numër te madh te njerëzve qe kanë tendencë për të mbivlerësuar njohuritë dhe aftësitë e tyre, ata janë të bindur se vetem ata janë kompetent në disa fushë në të cilën ata ne te vertete jane te padishem dhe analfabet. Shkurt ... Problemi I se sotmes me kosoven eshte se njerezit te menqur jane plot me dyshime, ndersa ata kokoboshe jane plot vetebesim. Tinguj të njohur ... A ju kujton dikend? Nga televizioni, interneti, lagja, basketbolli apo puna? Prandaj, duhet te jemi modestë dhe realiste dhe te pranojme se sa pak jemi te dishem.

Merita.25/08/2017 13:07

Ju lumte zoteri Veton per kete pershkrim aq dinjitoz per figuren e te madhit Dr Bajram Rexhepi, te cilin e njoftova ne mbledhjet e Mjekeve te Mitrovices, te cilat I mbanim me frige nga policia serbe viteve 90-ta. Ai ishte person me karakter te jashtezakonshem , trim me nje inteligjence te larte. Do mbahet ne mend si I tille pergjithmone. I qofte I lehte dheu.

Gazmendi25/08/2017 13:08

Ju lumt per artikullin! Meqenese e kam njohur personalisht Bajramin dhe familjen e tij, kjo qe eshte shkruar plotesisht perputhet me karakterin dhe bindjet e Bajramit. Fatkeqsisht ne fund "shoket" e tij ia kthyen shpinen, por ne anen tjeter iu kthye profesionit te cilen me se shumti e donte,profesionit te mjekut-kirurgut. Po te mos hynte ne politike ,po te merej me punen e tij si mjek, ndoshta do te perjetone shume me pak strese dhe sot do te ishte gjalle. Sidoqofte do ta kujtojme si nje politikan " me ndryshe ",njeri te qete, bemires dhe kirurg te shkelqyeshem.

Shto koment

Tjera nga Veton Surroi