Ja kush jeni ju

Flaka Surroi Flaka Surroi 22 gusht 2017 07:52

Zgjedhjet e shkuara na treguan se Kosova do ta ketë perspektivën shumë të zymtë, që në çastin kur tyxhari do ta shesë votën e tij për një post ministror e ca kontrata. E tyxhari, i cili tashmë u dogj së paku dy herë, mbase nuk po do që të kuptojë se do ta djegin sërish – dhe se gjithë kjo aventurë do të mbarojë shpejt. Për aq sa do t’u nevojitet shefave të Klanit Pronto!

“Lum” Kosova për politikanët që i ka. “Lum” ne për ata që me mish e me shpirt po përpiqen me “na shpëtu” duke ia zgjatur vetes jetën në pushtet. E kështu të vazhdojnë të na fundosin edhe më shumë, sepse po get kjo fundosje skaj nuk paska. Të “lumtë” ne që personazhet kryesore që po e bëjnë të pamundurën “për interesin e popullit”, e që mbajnë mbledhje nëpër kafehane, janë dy komandanta, një kryespiun dhe një i akuzuar për krim të organizuar. Këtyre, së fundi, u është bashkuar edhe një tyxhar.

Për të siguruar kohë që të vazhdojnë ta maltretojnë një popull të tërë, kujdesen “gojëmblit” Enver Hoxhaj, Pal Lekaj dhe Bilall Sherifi – që përherë kanë diçka për të thënë në “mbledhjet konsultuese” dhe që kundërargumenteve u përgjigjen me “kush jeni ju, për të vënë në pyetje këtë apo atë”.

“Kush jeni ju?” i bie “kush ju ka dhënë të drejtë që të flisni?”. Ata që e kundërshtuan PAN-in atë ditë në Kuvend, mandatin e kanë marrë nga votuesit për të folur. Unë, që po dua t’i them disa fjalë për ju që pyetni “kush jeni ju?”, jam votuese dhe pjesëtare e popullit të Kosovës, të cilit ia keni lodhur kokën (mirësjellja nuk më lejon të përdor term tjetër) me shkatërrimin sistematik të nervave që po na e bëni.

Para se t’ia mohoni kujtdo të drejtën për t’ju quajtur gënjeshtarë dhe pjesëtarë klanesh, ndaluni të mendoni se kush jeni ju, dhe pse duhet të shkoni, për të na lënë të marrim frymë lirshëm.

Ju, PAN-ista (me gjithë 500 partitë që i keni marrë bisht në koalicion) jeni ata që:

  1. E falët “Ferronikelin” dhe na detyruat, qytetarët, që t’ia subvencionojmë rrymën privatizuesit të fabrikës;
  2. Na detyruat, pa na pyetur, që ta paguajmë rrymën që serbët e shpenzojnë, e të cilën nuk e paguajnë që nga paslufta;
  3. E imponuat decentralizimin dhe i krijuat madje 10 komuna me shumicë serbe, duke ia cunguar Kosovës mundësinë e organizimit normal territorial;
  4. Na bëtë të paguajmë madje 15 milionë për rehabilitimin e objektit të “Rilindjes”, për nevojat e krekosjes suaj, kur me ato pare pesë ndërtesa ishin ndërtuar;
  5. Kurrë nuk u lodhët të uleni e ta përpiloni një raport gjithëpërfshirës mbi të cilin do të kërkonit reparacionet e luftës nga Serbia, se nuk patët vakt duke vrapuar pas pasurimit personal;
  6. Lejuat që një OJQ nga Beogradi të ketë evidencë më të qartë për të vrarët në Kosovë sesa institucionet që do të duhej të merreshin me këtë çështje;
  7. Kurrë nuk e ngritët çështjen e të pagjeturve aty ku është dashur dhe kurrë nuk u dhatë mjete të mjaftueshme ekipeve të forenzikës për t’i përpunuar mbetjet mortore;
  8. Injoruat me vite të tëra nevojën e trajtimit të dhunimeve të luftës, dhe madje refuzuat me vite të tëra ta kaloni Ligjin për viktimat e kësaj kategorie;
  9. Rrejtët për numrin e veteranëve të luftës, dhe kështu ua paguat favoret atyre që do të kenë vjedhur vota për ju;
  10. Lejuat shitjen e të gjitha aseteve që kishte Kosova për nja një miliard euro, përderisa i kurdisët privatizimet ashtu që me ato asete të bëheshin njerëzit të cilëve ua patë hairin financiar;
  11. Mundësuat shkatërrimin e natyrës, të lumenjve; shndërrimin e tokave bujqësore në toka ndërtimore; lejuat ndërtimin pa leje aty ku duhej shpronësuar toka për të ndërtuar autostrada e hapur mihje;
  12. Na sëmurët tërësisht si popull, duke e ngritur nivelin e ndotjes në hava – ndaç nga termocentrali, ndaç nga importimi i veturave që shtetet perëndimore i hedhin në bërllok;
  13. Mundësuat krimin e organizuar në institucionet shëndetësore, ku barnat gjenden vetëm në të zezën, kurse zemrave të pacientëve u futen stenta pa pasur nevojë, ose nuk u futen fare, por u faturohen;
  14. I “humbët” 16 milionë euro të telefonisë së dytë mobile dhe shpëtuat pa therrë në këmbë dhe mbase me ndonjë kundërshpërblim që natyrisht kurrë nuk u bë publik;
  15. Na i fshehët kontratat më të shtrenjtat në historinë e ndërtimit të rrugëve dhe lejuat që rrugët të ndërtoheshin pa mbikëqyrje – ani që rruga u shemb e që ka një vit e kusur nuk rregullohet në dalje të Prishtinës;
  16. E futët politikën aq thellë në Universitetin e Prishtinës, saqë e shkatërruat një institucion që u ndërtua me shumë mund, dhe çuditërisht, jo nga ju. E nuk ju doli boll, po i hapët edhe gjashtë universitete, veç për të treguar se Kosova nuk ka aq shumë papunësi, sepse edhe kjo është vetëm një perceptim. Ah, edhe rrugës e punësuat akraballëkun e dostllëkun – se gjynah, ata s’bën me mbet pa punë;
  17. Zyrtarisht bëtë që të shpalleshim popull analfabet, duke u renditur nga fundi në testin PISA;
  18. Lejuat dhe ndihmuat evazionin masiv fiskal prej afro 500 milionë eurosh në vit, përderisa krekoseshit që Kosova ka rritjen ekonomike më të madhe në rajon, pa pasur guximin për të thënë se po të mos ishte diaspora, moti kishim mbaruar;
  19. Bëtë të mundur që vetëm një përqindje e vogël e naftës që futet në shtet të kontrollohet për cilësi dhe nuk bëtë shumë përpjekje që pompat e benzinës të pajisen me arka fiskale, për shkak se është sekret publik se kush i kontrollon cilat pompa në cilin rajon;
  20. Mundësuat shpëlarjen e parave kur i mblidhnit mjetet për mbrojtjen juridike të shefave tuaj; krijuat fond të veçantë për mbrojtjen e shefave tuaj, nëse pa hiri dikush i çon në Specialen e Hagës;
  21. E falët Distribucionin e rrymës për dy kilometra asfalt, e ia mundësuat blerësit që për më pak se tre vjet ta nxjerrë katërfishin e investimeve;
  22. E lejuat lidhjen e një kontrate për PTK-në me një firmë që as emrin nuk ia mbani në mend, dhe e bëtë asisoj që gjithë neve na dhatë një autogol, se tash duhet paguar dënime në arbitrazh;
  23. U futët në muhabete madje për privatizimin e një hoteli, që pasoi me (vetë)vrasjen e shefit të privatizimit, dhe së fundi me shkarkimin e avokatit të shtetit, për shkak se pati guximin të fliste hapur edhe për një arbitrazh;
  24. E fshehët tekstin e Kushtetutës derisa përpilohej dhe shisnit mend qysh ky dokument është vepër arti, përderisa në fund na doli vepër shoshe, të cilën e shpon kush do sa herë që të dojë për t’jua bërë juve të mundur ta mbani shtetin në duar;
  25. I pranuat me duartrokitje gjashtë pikat e Ban Ki-moonit dhe e përkrahët gjithashtu me duartrokitje edhe futjen e Fusnotës e edhe Marrëveshjen “historike” të Brukselit për autonominë e serbëve me të cilën na e bllokuat jetën;
  26. E politizuat skajshmërisht Gjykatën Kushtetuese, të cilën e bëtë mashë tuajën; i infiltruat njerëzit tuaj në polici, gjykata, prokurori, dhe na bëtë shtet pa ligj e pa rend;
  27. Lejuat që nëpër burgje të vdesin të burgosurit e që të mos kuptohet kurrë se as për çka u morën e as çka kanë pasur të thonë;
  28. Lejuat që për faj tuajin të dalë një Raport Marty dhe që për shkak të atij raporti Kosova të kriminalizohet; sepse nuk e patët guximin që të ballafaqoheni me të këqijat që dikush i ka bërë gjatë luftës, për më tepër lejuat që dëshmitarët të zhdukeshin;
  29. Lejuat vjedhjen e dhomave të dëshmive në Polici dhe kaluat nëpër këtë punë, thuajse kjo punë është gjë normale që ndodh gjithkund;
  30. Financuat pandërprerë transmetuesin publik dhe e mbajtët nën kontroll politikën redaktuese, përderisa njëkohësisht e mbushët me njerëz partiakë e familjarë, patën a nuk patën punë;
  31. Nuk u brengosët asnjë grimë që për më pak se tre muaj Kosovën e braktisën 100 mijë njerëz. I përdorët si arsyetim për dështimet tuaja politike, sepse nuk ishit në gjendje t’u ofroni jetë të dinjitetshme – se s’kishit kohë të merreshit me popullin, por me interesat tuaja të ngushta;
  32. Rrejtët për liberalizimin e vizave dhe vazhdoni të rreni, për shkak se vetes ia keni bërë sherrin kur e keni pranuar demarkacionin si kusht, kurse korrupsionin nuk mund ta luftoni, ngase është palidhje ta luftosh veten;
  33. E bëtë demarkacionin ashtu siç ia bën shqiptari kur e pyesin a di ta pilotojë aeroplanin, pa ditur as çka është ky objekt që quhet edhe fluturake;
  34. I rrëzuat Qeveritë sa herë kjo u konvenoi shefave dhe krijuat koalicione “stabile” po aq herë që kjo u konvenoi shefave dhe suitës së tyre. E pse e shkatërruat Kosovën, kjo është punë e parëndësishme për ju;
  35. Pranuat që Kosova të ketë regjistrim të mangët të popullatës dhe që vit pas viti të na dalin më shumë votues sesa banorë – porse kjo natyrisht ju ka konvenuar, se manipulimet në mjegull mbesin të pazbuluara;
  36. Pranuat që paratë e pasaportave t’ua vjedhë një grua (në emër të kush e di kujt) e që për atë punë askush të mos japë përgjegjësi politike;
  37. E emëruat shefin e Policisë në kundërshtim me ligjin dhe emëruat për shef të krimeve ekonomike dikë të akuzuar për marrje ryshfeti për mbylljen e rasteve në Polici;
  38. Formuat Qeveritë me nga njëzet ministri; harxhuat para pa kurrfarë kontrolli; përdorni veturat zyrtare për të shkuar nëpër pushime dhe kurrë nuk jepni llogari se sa para i mblidhni nga mëditjet kur shkoni në udhëtime të kota zyrtare;
  39. Krijuat kushtet që mbi 300 veta të shkojnë e të luftojnë në Siri e Irak, për ta mbrojtur fenë; dhe në vend se ta ndalni depërtimin e rrymave të rrezikshme fetare ju i dhatë shtytje para, edhe duke ia njohur statusin e veteranit shefit të BIK-ut;
  40. Riparuat nga dy a tri herë stadiumet e futbollit dhe kurrë nuk u ndalët së kërkuari para shtesë, se kurrë nuk ju mjaftuan për të nisur e bitisur një punë si duhet;
  41. E krijuat Klanin Pronto, kurse tash vetëm sa jeni duke e zgjeruar – se prej një po shtohen edhe disa subjekte me mentalitet dhe me synime të njëjta...

Këto janë vetëm disa nga ato çka keni arritur të bëni në vitet e pasluftës. Ka edhe shumë të tjera që madje më vjen turp t’i listoj, sepse kurrë nuk më ka shkuar në mendje se populli im mund të ketë kësi njerëzish që më parë e shesin shtetin sesa të pranojnë se janë të paaftë për të kryer punë shtetërore. Se mund të ketë njerëz që janë thellë të bindur se populli u ka borxh, sepse këta kanë luftuar (kush sa ka luftuar, këtë me gjasë nuk do ta marrim vesh kurrë) e ne tjerët paskemi ndenjur qetë duke pirë kafe. Se mund të ketë njerëz që nuk duan të kuptojnë se shteti mund të udhëhiqet edhe pa ta, dhe se diktaturat, sado që zgjasin, dikur mbarojnë.

Zgjedhjet e shkuara na treguan se Kosova do ta ketë perspektivën shumë të zymtë, që në çastin kur tyxhari do ta shesë votën e tij për një post ministror e ca kontrata. E tyxhari, i cili tashmë u dogj së paku dy herë, mbase nuk po do që të kuptojë se do ta djegin sërish – dhe se gjithë kjo aventurë do të mbarojë shpejt. Për aq sa do t’u nevojitet shefave të Klanit Pronto!

flaka@koha.net

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Prenga25/08/2017 10:04

Kta hiena, janë ne zingjirin e krimit ballkanik. po thojne e ndertuam Kosoven/po me pare t'mixhes dhe me pare te krimit. Edhe diqka po du me thanë: Dikur kur ishim nen pushtimin Milloshevian thonim kushdo le te vjen veç Milloshin le ta largojnë. Anologjikisht i bie kushdo tani le te vjen veq kriminelat te largohen e te persekutohen

Ari24/08/2017 10:39

Provone edhe jetoni spaku 1 vjet diku ne evrope edhe e shihni me te vertete qka dmth shtet, jam i sigurt qe kur kthehuni jo me protestu po i kallni te gjithe keta qe lujne me kosove si me kan prone e tyne, kurgja spo ban vetvendosja qka kishin ba ktu ne perendim me kan ne vend tyne, kqyrne ne rumani qka ju bajn sojit tynve..

Rexhep Murtezi - Gjilan23/08/2017 14:03

E nderuara Flaka,me kurreshtje e lexova artikullin tëndënë lidhje me matrapazët tan.Kam diqka të plotësoi: Po cili politikan i joni i kërkoi politikanve shkie që jeni për dialog porse së pari kërkim falja e shtetit tuaj ndaj Kososvës dhe vazhdiojm.Po cili politikan shqiptar i kërkoi llogari shkive për helemimin e 7000 nxënësve kosovar.Po cioli politikan shqiptar i kërkoi shkive që informatat për të pa gjeturit tan i ka armata e shkive.Më fal por e pash të arsyeshme me i cek këto gjëra!

Dita23/08/2017 11:33

E nderuara Flake! Jam lexuese e rregullt e Kohes ditore dhe e shkrimeve tuaja, si gjithmone je e sakte dhe e prere ne fjalet tuaja Te kisha lutur, qe shkrimet e rradhes t'ia adresosh popullit te verber,te shurdhur e frikacak, qe po lejon qe keta te poshter te bejne çfare te duan me Kosoven. Kur do t'a kuptoj ky popull se me ndryshime ne politike e ndryshon edhe te ardhmen e tij e te femijeve te tij, kur do t'a kuptoj forcen qe e ka per te ndryshuar per te mire Kosoven? Gerdia e prishja e nervave ndaj politikaneve duhet kunderpergjigjur me votim masiv e reagime publike, e jo me sharje nga shtepia. Humbja e moralit individual, familjar e shoqereror, humbja e dinjitetit, e ftyres, negativiteti qe mbreteron, problemet familjare, varferia, shkaterrimi i rinise dhe ardhmerise se tij me jopunesim, jo angazhim e pasivitet, nervoza, interesi material e shume e shume gjera tjera negative jane "Merite" e ketyre te poshterve qe shkaterruan çdo vlere qe ky popull kishte. Te pershendes

Buki23/08/2017 08:51

Shkrim me vend por qe nuk do te qendroje gjate ne memorjen e peshkut te shqiptareve. Sidocofte, te tjeret vetem se nuk kane qasje ne gjahun ndaj 'shtetit te Kosoves' perndryshe njejte do te vepronin. Fatkeqesisht hajnia eshte e ndjellur ne gjenet e shqiptareve me shekuj.

Edona22/08/2017 15:31

Shkrim me te qelluar moti skam lexu. E nderuar Flaka, keto qeveri ( pa perjashtim) te shendoshin e semurin ne spital, Qendra Klinike Universitare eshte pa medikamentet e nevojshme -jetiket,nanat shkojne me lind me nje qese plot ( gaza, jod besa edhe penje, kush sbeson shkoni para salles lindjes edhe ishihni), kta jane ata qe krijuan Agjencione te "pavarura)", kta jane ata qe ne forma te ndryshme pe zhvatin shtetin permes OJQ permes programeve te kosulences, kjo qeveri e barabart me qeverin e Kines e cila eshte e mbipupulluar ka nevoj per konsulenc shtes- se duhet miqve, jaranave, kusherive me ja kthy diqysh nderen e votes.Kete shtet , polici, ushtri, Bqk,Atk ta udheheqin dajt, mixhallart, tezet , jarania, INTERESI.

LATO22/08/2017 14:26

Te lumtE Flaka , t"lumshin duart dhe mendja , une pyes veten time , deri kur do te duroj ky popull kaq shum i masakruar ,plackitur e neperkembur ti shkelet cdo gje me vlere se bashku me dinjitetin?

Urim22/08/2017 11:05

Flaka t' lumt per ket kolumn.Por pasket harru edhe Bik-un e Ternaves sidhe afer 500 rraketat m falni xhamijat e turkarabve.

Dritani22/08/2017 11:06

Shkrim me vend, e nderuara Flaka Surroi. Keta maskarenj jane aq te pafytyre, pa ndjenja njerezore, pa parime, pa kurriz dhe pa moral, saqe gjuhetaret duhet te gjejne fjale te reja per t´i pershkruar ata. Nje pjese e madhe e popullit mjerisht jane sikur ata, perndryshe ata nuk do ishin ku jane sot. Nuk eshte rastesi gjendja ku jemi sot. Popujt me arsimim dhe edukim te ulet i nenshtrohen maskarenjeve dhe shteteve armike. Ne diten e votimeve i zgjedhin ata qe i kane share per kater vite. I gezofshin per shume mot!

Driloni22/08/2017 11:06

Me se shumti me ka zhgenjy vet populli yne, nese mund t'i themi popull. Ne nuk jemi ata qe jemi shitur, nje popull i nderit, i fjales, i beses. Jo, ne jemi (te pakten nje pjese e madhe e jona) njerez te pamoralshem, te pakarakter, te PAEDUKUAR, Te prisht ne zemer, ne gjak. Po cfare njeri bre duhet me qene e me i votu keta shkatrrimtare?!?!?!

Naim Maloku22/08/2017 11:06

Shqiptarit i mungon "gjeni" i përgjegjësisë andaj hajnave ju këndon këngë!

Mehmet krasniqi22/08/2017 11:06

Me vend e ke shkruar,por edhe populli esht njefar pismileti qe i viton keta matrapaz

Shto koment

Tjera nga Flaka Surroi