Sundimi i njeriut të lig

Agron Demi Agron Demi 21 gusht 2017 08:11

Sikur Kushtetuta e Kosovës t’i përshtatej realitetit qeverisës

Kapja pas pushtetit ka eklipsuar në tërësi interesin shtetëror. Në shumicën e shteteve, keqqeverisja nuk është rrezik për vetë ekzistencën e shtetit. Somalia, Siria apo Sudani janë shtete të dështuara sa i përket qeverisjes së brendshme, por askush nuk e konteston sovranitetin e tyre. Në rastin e Kosovës, shtet i cili ende nuk është njohur nga të gjitha shtetet dhe nuk është anëtar i OKB-së, keqqeverisja rrezikon edhe vetë ekzistencën e shtetit.

Në një republikë, siç pretendon të jetë Kosova, të zgjedhurit do të duhej të viheshin në shërbim të qytetarëve, duke garantuar një shtet ligjor, i cili trajton të gjithë njësoj para ligjit. Por realiteti është ndryshe. Nëse Kushtetuta e Kosovës do t‘i përshtatej realitetit qeverisës në këto 17 vjet të vetëqeverisjes, ajo do të duhej të shkruhej kështu:

Ne, Pushtetarët e Kosovës,

Të vendosur për të ndërtuar një ardhmëri të begatë për veten, bashkë-partiakët dhe familjet tona, në një atdhe i cili na takon vetëm neve dhe askujt tjetër;

Të përkushtuar për krijimin e një shteti të qytetarëve të pabarabartë, i cili garanton të drejta dhe liri vetëm për pushtetarë, dhe i vendos ata mbi ligjin;

Të zotuar që Kosova të jetë shtet i mirëqenies ekonomike dhe i prosperitetit social për ne dhe familjet tona;

Të sigurt që qeverisja jonë do ta mbajë Kosovën të izoluar nga rajoni dhe mbarë Evropa, duke krijuar marrëdhënie të nënshtrimit ekonomik e politik me të gjitha shtetet fqinje;

Në mënyrë solemne, miratojmë Kushtetutën e Kakistokracisë së Kosovës:

Kakistokracia do të jetë forma e qeverisjes në Shtetin e Kapur të Kosovës, e cila garanton që njerëzit më të lig, më pak të kualifikuar e më të paskrupullt do të udhëheqin me shtetin.

Kosova nuk ka pretendime territoriale ndaj asnjë shteti ose pjese të ndonjë shteti. Madje Kosova nuk ka pretendime territoriale as ndaj një pjese të territorit të saj.

Sovraniteti dhe integriteti territorial i Shtetit të Kapur të Kosovës është i cenueshëm, i tjetërsueshëm dhe i ndashëm, dhe rrezikohet për interesa të ulëta biznesore e politike.

Kosova është kakistokraci e bazuar në parimin e kapjes së pushteteve, dhe kontrolli e balancimi i pushtetit në mes të anëtarëve të partisë ose koalicionit qeverisës;

Kuvendi i Shtetit të Kapur të Kosovës ushtron funksione tregtare, ku deputetët e shkëmbejnë votën e tyre për terminale, poste ambasadorësh, mbyllje të proceseve gjyqësore. Ligjet, vendimet dhe aktet e tjera bllokohen në Kuvend me tekat e shumicës së deputetëve.

Presidenti i Kosovës zgjidhet nga Kuvendi në shkëmbim të favoreve. Presidenti përfaqëson unitetin e Partisë Demokratike të Kosovës, është garantues i bllokadës dhe kapjes së institucioneve brenda vendit, dhe person non-grata jashtë vendit.

Gjykatat gjykojnë në bazë të ligjit të më të fortit e më të kamurit.

Gjykata Kushtetuese është institucion më i lartë për interpretimin e Kushtetutës sipas nevojave të partisë apo koalicionit në pushtet.

Autoriteti qendror bankar i Kosovës është i kapur nga partia dhe siguron monopolin dhe keqpërdorimet nga kompanitë private të sigurimeve, të cilat drejtohen nga vëllezërit e pushtetarëve.

Kakistokracia e Kosovës ka institucionet e veta për shkeljen e rendit kushtetues, integritetit territorial dhe rrezikimin e sigurisë publike për mbrojtjen e sigurisë personale të pushtetarëve.

Gjuhë zyrtare në Kakistokracinë e Kosovës është gjuha e më të fortit.

Korrupsioni, haraçi e krimi janë simbolet shtetërore të Kosovës të cilat pasqyrojnë karakterin e pushtetarëve të saj.

Rendi kushtetues në Kosovë bazohet në shantazh, keqpërdorim të parasë publike, shkelje të të drejtave dhe lirive të qytetarëve, uzurpim të pronës, degradim të mjedisit, padrejtësi sociale, kapje të pushtetit shtetëror dhe ekonomi fisnore.

Kakistokracia e Kosovës garanton degradimin e trashëgimisë kulturore dhe prishjen e harmonisë fetare.

Ekonomia e haraçit, monopolet dhe uzurpimi i pronës shoqërore janë baza e rregullimit ekonomik.

Në Kakistokracinë e Kosovës si mjet i vlefshëm pagese përdoret vota.

Dinjiteti i njeriut në Kosovë është i cenueshëm. Të gjithë janë të pabarabartë para ligjit, kurse pushtetarët janë mbi ligjin. Askujt nuk i garantohet integriteti fizik e psikik.

Trafikimi me qenie njerëzore është i ndaluar, përveç në rastet kur trafikimi ka të bëjë me sigurimin e votave dhe pushtetit në Kuvend.

Askush nuk mund të privohet nga jeta, me përjashtim të rasteve kur dikush është dëshmitar i mbrojtur në proceset gjyqësore kundër pushtetarëve.

Çdo kujt mund t’i cenohet prona, jeta private dhe familjare, t’i përgjohen bisedat telefonike e komunikimet elektronike, t’i publikohen rëntgenet spitalore.

Dokumentet që mbajnë institucionet publike dhe organet shtetërore janë sekrete, sidomos shpenzimet për dreka zyrtare, udhëtime jashtë vendit, shpenzimet nga kredit kartelat, kontratat e autostradave.

Çdo shtetas i Kakistokracisë së Kosovës që ka arritur moshën 18 vjeç, gëzon të drejtën që të zgjedhë dhe të zgjidhet, por pushteti i takon vetëm Partisë Demokratike të Kosovës. Vota është e shitshme, familjare dhe klanore.

Secili person gëzon të drejtën e shkollimit themelor pa pagesë në institucionet arsimore, të mbushura me militantë partish, ku matematika ligjërohet nga sociologët, e ku pranimi që nga çerdhet e deri tek testi i maturës bëhet përmes procedurave korruptuese.

Çdokush gëzon të drejtën që të vdesë në institucionet shëndetësore të Kosovës, kurse kujdesi shëndetësor ofrohet në vendet fqinje.

Secili person është i lirë të zgjedhë profesionin dhe t’i bashkohet radhës së të papunëve me diploma.

Çdokush e ka lirinë e shprehjes dhe lartësimit të pushtetarëve. Ata që kritikojnë do të blihen, ata që nuk blihen do të rrahën.

Televizioni i Kakistokracisë është mediumi zyrtar, një ndër detyrat e të cilit është shpërndarja e barabartë e përgjegjësive tek të gjithë qytetarët e Kosovës për krimet e kryera nga pushtetarët. Në Kakistokraci askush nuk duhet të jetë i ndershëm.

Liria e lëvizjes brenda një pjese të territorit të Kosovës është e garantuar.

Kushtetuta e Kakistokracisë së Kosovës është në fuqi që nga qershori 1999.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Gjina Zeqiri23/08/2017 08:51

Artikull i perkryer per ata qe marrin vesh. Dhe s'ka nevoje asgje t'i shtohet.

Shto koment

Tjera nga Agron Demi