OpEd

Turistët idealë janë ata që dërgojnë lekët dhe nuk vijnë fare!

Kosovarëve ka filluar t’u shkojë në nerva diaspora, sepse ua prish rutinën, në Shqipëri kosovarët nuk duken më “turistë të mirë”. Por “mikpritësit” e dinë se edhe Kosova jeton nga diaspora dhe një pjesë e Shqipërisë nga turistët. Ndoshta idenë më të mirë për “turistët” idealë e kanë zbuluar në bregdetin e Dalmacisë në Kroaci, ku tash e sa kohë si “turist ideal” konsiderohet ai, i cili i dërgon lekët dhe nuk vjen fare në pushim!

Para disa vjetësh isha në pushime në Makrarska të Kroacisë. Diku rreth orës 1 pas mesdite në një kafene të qytetit bisedoja me një koleg që jeton në atë qytet. A shkon në plazh? E pyeta. “A je ti normal. Kush lahet me turistët. Nuk jam idiot të futem në det tani, kur e kanë okupuar ata!” përgjigjet ai. Një kushëri i tij e ngushëllon duke thënë: “hajt se kalon edhe kjo e keqe e pastaj lahemi ne në det nga fundi i shtatorit!”.

Sikur në shumë vende të Dalmacisë edhe në këtë qytet për turistët flitet si për një të keqe të domosdoshme. E dinë se jetojnë nga turizmi. Dy muaj sezon, kur ata për vete edhe në garazhi flenë, u mjafton të jetojnë tërë vitin. Por për turistët asgjë të mirë nuk thonë. Ata janë sinonim për njerëz që “nuk din të ngasin veturat dhe për shkak se ata vozisin ngadalë krijohen tollovi në trafik!”. Pak ka rëndësi se shumë turistë vijnë nga Gjermania, Suedia dhe vende të tjera, kalojnë me mija kilometra dhe vështirë se do të kishin mbërritur gjallë sikur vërtet të ishin shoferë aq të këqij. Për turistët flasin se nuk dinë çka është ushqimi i kripë dhe në sezon mund t’iu shesësh gjithçka. “Ai është vetëm për turistët” është përshkrimi i ndonjë restoranti jo të mirë.

Në secilin vend në Dalmaci, secilin vit, në secilën situatë është jashtëzakonisht e lehtë të niset debati rreth turistëve. Dhe ata nga përvoja e tyre mendojnë se i dinë karakteristikat e të gjithëve. Kush janë turistë të mirë e kush jo. Të gjithë disi i duroj, por ku afrohet ‘feragosto’, periudhë pushimesh kolektive në Itali, më mirë të iku në mal sesa të rri këtu. Italianët nuk mund t’i duroj. Vijnë si kope. Flasin me zë, nuk e di se kur grinden e kur bëjnë shaka”, thotë njëri. Tjetri thotë se edhe me italianët është mësuar, por kurrsesi nuk i duron holandezët.

“A nuk ju mjaftojnë biçikletat në Holandë tërë vitin, por duhet t’i marrin me vete edhe kur vijnë këtu. Nuk mund të ecish normalisht prej tyre. Dhe gjithmonë kanë pyetje për gjithçka”, i përshkruan turistët nga Holanda. Por me gjithë se “janë ta padurueshëm” italianët dhe holandezët e kanë epitetin e “turistëve të mirë”, sepse shpenzojnë kur vijnë në pushime për dallim nga çekët. “Një familje vjen tek unë tash e sa vjet dhe marrin me vete ushqimin, blejnë vetëm bukë. Një herë kanë blerë edhe jogurt për ta lyer lëkurën kur i ka djegur dielli! Fillojnë përqeshjet për turistët nga Republika Çeke. Një tjetër thotë se më të dashur për të janë turistët nga Bosnjë-Hercegovina, ani pse “hanë shalqin në plazh dhe bëjnë zhurmë”.

“Ndodh që turistët nga Çekia vijnë për dy javë, por rrinë 20 ditë sepse u mbeten lekë të pashpenzuara. Nga Bosnja vinë për të qëndruar dhjetë ditë, por shkojnë pas gjashtë ditësh sepse i kanë shpenzuar të gjitha paratë. Ata së paku bëjnë qejf!”, shkon përvoja tjetër e një qiradhënësi në Dalmaci.

Për sllovenët vlen e njëjta gjë, sikur edhe për kroatët nga pjesa kontinentale. Ata më së shpeshti vijnë në pushimoret e tyre, ose tek miqtë apo kushërinjtë. Pak ka dobi prej tyre në bregdet. Pa dallim, të gjithë kanë fjalë të mira për gjermanët. Ata nuk bëjnë zhurmë, harxhojnë shumë dhe, pa marrë parasysh se nuk u ofrohet gjithmonë shërbimi sipas standardeve gjermane, kthehen prapë çdo vit.

Në vendin e parë si turistë të padëshiruar tash duket se kanë depërtuar anglezët, sidomos të rinjtë. “Ata janë aq të pa edukuar, aq arrogantë, aq problematikë saqë paratë e tyre nuk na duhen. Nuk ia vlen”, mendojnë për ta.

Debate që për turistët bëhen çdo verë në Kroaci tash dëgjohen shpesh edhe në Shqipëri, por edhe në Kosovë, ku turistë po thuajse nuk ka, nëse si të tillë nuk konsiderohen pjesëtarët e diasporës.

Në Shqipëri shpesh dëgjohet se si “kosovarët marrin ushqim me vete” ose se “bëjnë zhurmë dhe janë të parregulltë dhe vijnë sikur çergarët duke u zbarkuar vend e pavend”.

Pamë se si në Durrës autobusët nga Kosova nuk lejoheshin të hynin në zonën e plazhit e ata nga Bosnjë-Hercegovina po. Pa patetikë, pa kërkesë për solidaritet vëllazëror, një diskriminim i tillë nuk duhet të bëhet ndaj askujt. Ligji duhet të vlejë për të gjithë njësoj. Edhe në Shqipëri tash dëgjohet se si polakët dhe çekët duken turistë më të mirë sesa kosovarët.

E kosovarëve ka filluar t’u shkojë në nerva diaspora, sepse ua prish rutinën, ndërsa në Shqipëri kosovarët nuk duken më “turistë të mirë”. Por “mikpritësit” e dinë se edhe Kosova jeton nga diaspora, dhe një pjesë e Shqipërisë nga turistët. Ndoshta idenë më të mirë për “turistët” idealë e kanë zbuluar në bregdetin e Dalmacisë në Kroaci, ku tash e sa kohë si “turist ideal” konsiderohet ai, i cili i dërgon lekët dhe nuk vjen fare në pushim!

Turizmi është, po ashtu, një industri ku vlen rregulla e ofertës dhe e kërkesës. Nëse dikujt nuk i pëlqen, të mos vijë më. Nëse dikush mund t’u shesë gjithçka turistëve, le të vazhdojë dhe le t’ua rritë lirisht edhe çmimin. Nëse kosovarët nga diaspora mund të shkojnë në Spanjë për pushime me më pak para sesa që harxhojnë për të ardhur në Kosovë, le të shkojnë. Është çështje tjetër se kënd mund ta impresionojnë në Spanjë me veturën e tyre, a mund të gjejnë atje nuse për djalin, apo burrë për vajzën, a mund të shkojnë nëpër aq shumë dasma dhe zijafete dhe a mund të porosisin këngë për secilin qytet të trojeve etnike. Nëse lokalet në Kosovë mund të tërheqin klientë nga Amerika, Franca apo ndonjë vend tjetër le ta bëjnë këtë.

Në të gjitha këto debate në sipërfaqe del mendimi tepër pozitiv i secilit për veten.

Nëse kosovarët nuk ndihen mirë në Shqipëri, le të shkojnë diku tjetër. Pushimet, mes tjerash, janë çështje e zgjedhjes së lirë e jo detyrim. Turizmin duhet marrë si biznes, e jo më me patetizëm si atdhedashuri. E si biznes turizmi është ai që e mban gjallë Kroacinë sot, e cila do të shënojë rekord këtë vit me rreth 17 milionë turistë të huaj, nga të cilët do të fiton mbi 10 miliardë euro. Në të ardhmen turizmi do ta mbanë edhe Shqipërinë, sapo të mësojnë ta menaxhojnë më mirë këtë industri. Edhe Kosova, që është vendi më i varfër në Evropë, pa diasporën nuk do të mundë as të mbijetonte. Ideal apo jo, mysafirët, turistët, “bashkatdhetarët” siç quhen në Kosovë, kosovarët nga diaspora apo “refugjatët” siç kam dëgjuar t’u thonë në Shqipëri janë një e mirë që u ndodh këtyre dy shteteve, dhe atë duhet shfrytëzuar edhe si aset ekonomik. Kush e ka fatin apo fatkeqësinë që jeton jashtë apo brenda është një temë tjetër.