OpEd

Tyxharët dhe shpëtimtarët

Zhbllokimi është në duart e ndërkombëtarëve. E kjo realizohet nëse bllokuesve do t’u thuhej se nuk e kanë përkrahjen e tyre dhe se insistimi i tyre i pafund do të kishte pasoja direkte personale për ta: se do të mbeteshin pa viza e pa ftesa për të shkuar jashtë, e bile, bile do të mundë t’ua bllokonin llogaritë bankare që i kanë jashtë. E këtu nuk do t’u ndihmonte as fakti se bartin pasaporta të Shqipërisë

Qesharak qëndrimi i PAN-it për mbajtje të mbledhjeve konsultative për caktimin e vazhdimit të seancës konstitutive. Absurd deri në skaj dhe treguesi më i mirë i dy gjërave që tashmë krejt i dimë: një, që PAN-i nuk i ka numrat, dhe dy, që më me rëndësi në “Kosovën martire” është pozita politike e individëve sesa interesi i përgjithshëm i Kosovës. Se qejfi i individëve mund ta sjellë shtetin në bankrot teknik. Se ambicia e tyre e mbështjellë me petkun e “interesit të Kosovës” nuk rezulton me asgjë tjetër pos me varfërimin e mëtejmë të shtetit.

Zvarritja e pafund e konstituimit të Kuvendit, e cila ndodh për shkak se askujt nuk i ka shkuar në mendje ta fusë diku një afat që e kushtëzon zgjedhjen e kryeparlamentarit, sepse me gjasë askujt nuk i është dukur interesant me qenë i dyti në hierarkinë politike të Kosovës, më së miri tregon se përse Kosova është shtet i papërfunduar. E meqë është i papërfunduar, shndërrohet në oazën e përkryer që tyxharët t’i marrin dizginat në duar dhe që “për interesin e Kosovës” të blejnë e shesin poste thuajse shesin patate me shumicë.

Shitblerësi 1

Tashmë e kuptuam se Teuta Rugova iu shit PAN-it, por nuk e kuptuam dëmshpërblimin. Në një vend të vogël siç është Kosova, njeriu has në rrëfime të të gjitha llojeve: prej larjes së një kredie të majme e deri te mbyllja e rastit të të vëllait, të akuzuar për krim të organizuar. Në mungesë të provave, do të themi se Rugova e përdori të drejtën që ia jep mandati i deputetes të votojë ashtu siç ia merr mendja – sepse këtë mundësi ia dha partia që e kandidoi, vetëm për shkak se është e bija e Ibrahim Rugovës.

Atë që e kuptuam është se i dyti deputet ende nuk u shit apo nuk u ble, si të doni. Porse në situatën kur insistohet që të mbahen mbledhjet e pafund konsultative në kërkim të fitimit të kohës, lajmërohet xhokeri i quajtur Pacolli – një njeri që “nuk jep ultimatume”, ama që cakton afate dhe kushte: po s’u morën vesh VV-ja dhe LAA-ja, ky do të vendosë të veprojë në të mirën e Kosovës dhe ta zhbllokojë bllokadën me përkrahjen e PAN-it. Çmimi? Me gjasë Ministria e Punëve të Jashtme, e kush e di edhe çka tjetër.

Tash, për një njeri i cili në kohë të luftës ishte paraqitur si i dërguar i Jelcinit për ta “zgjidhur nyjën e Kosovës” ashtu që do t’i bënte bashkë Rugovën e Millosheviqin, për t’u marrë vesh për autonominë e Kosovës brenda ish-RFJ-së; për njeriun që shkoi te Gadafi me një delegacion njëqind e kusur anëtarësh për të “lobuar” për Kosovën dhe për ndonjë kontratë ndërtimi; për njeriun që i ftoi ca kontrata të majme për t’i rindërtuar objektet e Kuvendit dhe të Qeverisë, dhe që u bë jo me pak prona në procesin e privatizimit – nuk mund të themi gjë më shumë sesa që këtë situatë mund ta shfrytëzojë maksimalisht për vete sikur të ishte edhe një, në shumë bizneset që i ka.

Mund të themi se është njeri që ka interes edhe për një objekt që ka mbetur pezull e nuk i dihet pronësia, për të cilin u çua shumë pluhur dhe e cila çështje për një kohë u mbyll me (vetë)vrasjen e shefit të privatizimit. Mund të themi se është edhe njeri që nuk ka parime politike: nëse pranon t’i bashkohet PAN-it do t’i shkelë të gjitha premtimet që i ka bërë gjatë fushatës. Nuk do të ishte as i pari, e as i fundit në Kosovë. Porse me këtë do ta përsëriste gabimin e njëjtë që kishte bërë herën e kaluar. Atëbotë ia siguroi vetes postin afatshkurtër të kryetarit të shtetit, dhe PDK-ja ia mori, nëpërmjet filialit të saj, Gjykatës Kushtetuese. Tash mund t’ia sigurojë vetes Ministrinë e Jashtme, por edhe kjo do të jetë afatshkurtër, sepse një Qeveri të këtillë mund ta rrëzojë cilido anëtar i koalicionit – madje edhe katër deputetët e partisë së tij. Dhe çka në fund? Asgjë, dhe zgjedhje të reja.

Shitblerësi 1

Për herë të parë në opinion u dëgjua një zyrtar i lartë i PDK-së që doli të thoshte se nuk i kanë numrat. Xhavit Haliti deklaroi se në mungesë të numrave, PAN-i nuk po merr pjesë në seancën konstitutive. Dhe e thotë me lehtësinë më të madhe, për shkak se e di se këtu nuk pason asnjë sanksion. E meqë është kështu, e elaboron zgjidhjen më të përshtatshme për të dalë nga kriza e re (e vjetër) politike.

Sikurse do të bënte Komandant Remi më 2014-n, edhe Haliti doli me zgjidhjen e bllokadës: se për të mirën e Kosovës, PAN-i, (lexo PDK-ja) dhe LDK-ja do të duhej të bashkoheshin dhe ta formonin Qeverinë e re. Por nuk e shpjegoi se, nëse kjo qenka zgjidhja më e mirë, pse atëherë PDK-ja e rrëzoi Qeverinë paraprake, PDK-LDK-Srpska dhe pse nuk e lejoi ta përfundonte mandatin, por insistoi që të mbaheshin zgjedhjet, të cilat në fund në të vërtetë i humbi?

Kjo s’mund të shihet ndryshe pos si ofertë e hedhur në ajër jo aq për LDK-në, sa për bashkësinë ndërkombëtare që të bëjë sërish atë që kishte bërë në zgjedhjet e shkuara: që “për hir të stabilitetit” ta krijojë Qeverinë e koalicionit të madh “që do ta shtyjë agjendën përpara”. Agjenda e perëndimorëve qe një, dhe nuk u realizua. Agjenda e kosovarëve qe tjetër, dhe ajo u realizua – sa më shumë ngecje në të gjitha sferat, aq më shumë mjegull. Sa më shumë mjegull, aq më pak sundim ligji, aq më shumë probleme. E të cilat probleme mund t’i zgjidhin vetëm ata që i krijojnë. E për t’i zgjidhur kanë nevojë për kohë, e më shumë kohë – pra pushtet. E me pushtet problemet e vjetra do t’i zëvendësojnë me të rejat, dhe kështu deri në pafund.

Shpëtimtarët

Këtë skemë të PDK-së e kanë kuptuar, duket qëmoti, ndërkombëtarët. Për dallim nga hera e shkuar kur me ngulm e imponuan koalicionin e dështuar PDK-LDK-Srpska, kësaj radhe janë duke u mbajtur anash dhe duke përsëritur jo pak herë se kosovarët duhet t’i marrin punët në duart e veta.

Porse problemi me duart e kosovarëve është se ato janë të ngathëta. Apo më mirë thënë, ato duar i komandojnë trutë e atyre që deri tash bash na kanë plasë duke na thënë se e gëzojnë mbështetjen e miqve ndërkombëtarë për gjithçka që kanë bërë ose kanë thënë.

Gjatë javës pata një takim me një përfaqësuese të huaj, e cila më pyeti po qe se bllokada kishte zgjidhje. Dhe i thashë që kishte, porse që ajo të realizohej, do të duhej një shtytje nga komuniteti ndërkombëtar. Ajo ma ktheu duke më thënë se edhe unë personalisht e kisha kritikuar përfshirjen e ndërkombëtarëve herën e shkuar – dhe nuk e kuptonte ndryshimin e qëndrimit tim. Iu përgjigja se qëndrimin nuk e kisha ndryshuar, porse herën e shkuar ndërkombëtarët e kishin “lli punën” (siç do të thoshte ambasadorja Jacobson) duke na i lënë këmbët e arushës me atë far koalicioni dhe se na kishin bërë shumë dëm me të: na i kishin humbur tri vjet të jetës sonë duke na mbajtur aty ku ishim me 2014-n. E për shkak se e “kishin shkretu me ka krejt” – tash e kishin radhën që ta përmirësonin gabimin e herës së shkuar.

E ky gabim do të evitohej asisoj po qe se Veselit e PAN-istëve të tjerë do t’u thuhej se nuk e kanë përkrahjen e përfaqësive diplomatike dhe se insistimi i tyre për t’u zgjedhur me çdo kusht aty ku nuk i duan, do të kishte pasoja direkte personale për ta: një do të ishte mospajisja me viza për të udhëtuar jashtë vendit; tjetra, mosftesa për pjesëmarrje në ngjarje ndërkombëtare, e madje, madje, po qe se do të ishte e zbatueshme, edhe bllokimi i llogarive të tyre bankare jashtë shtetit. Do t’u thuhej se për të mirën e Kosovës, Veseli do të duhej ta propozonte një kandidat tjetër, që nuk ka probleme as me Gjykatë Speciale, as me SHIK, as me ligjin në Kosovë – e që në rastin më të mirë do të ishte një grua. Kështu do të konstituohej Kuvendi dhe urgjentisht do ta kalonte bile Ligjin e buxhetit.

Nga ana tjetër, Haradinajt do t’i thuhej se do të duhej ta shfrytëzonte të drejtën e tij kushtetuese për ta formuar Qeverinë, e Thaçit që nëse nuk ia jep mandatin partisë apo koalicionit që i ka numrat, pas dështimit të supozuar të Haradinajt, do t’i pësojë po të njëjtat sanksione. Për më tepër, do të shtonin se as pasaportat e Shqipërisë që i kanë nuk do t’ua mundësonin lëvizjen e lirë nëpër Evropë e botë.

A bëhet kështu?

Po qe se do të ushtronin kësi presioni, gjasat janë se mbase do të kishte lëvizje në formimin e Kuvendit të Kosovës. Për shkak se çelësi i bllokadës janë individët egoistë që mendojnë se ata e bëjnë qendrën e botës. Po qe se ia duan të mirën Kosovës, pas gjithë atyre miliardave të investuar këtu, të huajt do të duhej t’i bindin këta kryefortët e fortë se rruga e vetme për ndryshime në këtë vend nis me largimin e tyre.

Nga ana tjetër, nuk ka absolutisht asnjë garanci se një Qeveri eventuale VV-LAA-minoritetet joserbe do të jetë e suksesshme dhe se do të sjellë ndryshimin kaq shumë të kërkuar. Për shkak se mund të ketë mospajtime konceptuale e programore, e mund të ndodhë që njerëzit e zgjedhur të mos jenë të duhurit.

Porse paragjykimet duhet lënë anash dhe duhet dhënë rastin një rryme të re (përfshirë këtu patjetër edhe të rinjtë e LDK-së), ani që një pjesë e tyre mund të mos ketë përvojë udhëheqjeje. Për shkak se edhe këta që na “kanë kënaqur” në 18 vjetët e fundit nuk kanë pasur përvojë as politike e as kurrfare: do të kujtojmë se për shumicën e PDK-istëve puna në Kuvend dhe në Qeveri ka qenë përvoja e parë profesionale e punës. E për më keq, lëre që nuk kanë pasur përvojë, porse janë dëshmuar të palexuar dhe të padijshëm.

Nëse vërtet ndërkombëtarët duan që Kosova të ecë përpara, duhet ta lënë atë t’i marrë vendimet e veta, qofshin ato edhe të gabuara. Dhe kësaj radhe do ta bënin ashtu që do t’i zhbllokonin ata që me aq shumë vrull i kanë përkrahur në shumë vitet e shkuara huq – bllokuesit e gjithçkaje në Kosovë.

flaka@koha.net