Interpretimi kushtetues i ‘Naimfrashër Hajdarit’

Agron Demi Agron Demi 14 gusht 2017 08:03

Përse është i nevojshëm plotësimi i Kushtetutës, me qëllim që interpretimi i saj të mos lihet në arbitraritetin e vendimmarrësve?

Në vitet e ‘90, kur e vetmja formë argëtimi ishin video kasetat, një ndër shfaqjet më të mira të komedisë ishte (dhe mbetet) “Profesor, jam talent se jo mahi”, të cilat përgatiteshin nga aktorët e teatrit Dodona, nën mbikëqyrjen e profesorit Faruk Begolli. Në vazhdimin e dytë të kësaj komedie teatrale, personazhi fiktiv Naimfrashër Hajdari nga Hajvalia, i luajtur nga aktori Shkumbin Istrefi, si pjesë të testit për t’u pranuar në shkollën e aktrimit, kishte përgatitur një monolog nga Hamleti. Pasi mori aprovimin e profesorit, Naimfashër Hajdari fillon me monologun: “Oh, sa shpirtrob e sa i humbur jam!/ Nuk është për çudi që ky aktor/Në përrallë vetëm, n’ëndërr pasioni,/E shtrëngoi shpirtin aq fort pas frymës/Sa prej saj iu verdh e tërë faqja./Iu përlot syri, iu hutua pamja/....Po në vend se me shku me i thanë mixhës tem, bre qen ku vrahet vëllai, me ja pas lyp gruan ndoshta ta kish dhanë, e jo me shku me vra, se deri sa të vrasim njëri-tjetrin kurrë shtet nuk kemi me u ba”. I “befasuar” më përmbajtjen e monologut të Hamletit, Faruk Begolli pyet se kush e ka shkruar? “E ka shkru William Shakespeare, por një faqe më ka humb dhe e vazhdova vet”, përgjigjet Naimfrashër Hajdari. Tragjedia e Hamletit ishte plotësuar me tragjedinë e viteve të ’90 nëpër të cilat po kalonin shqiptarët.

***

Kushtetuta e Kosovës nuk është kryevepër si “Tragjedia e Hamletit”, e as autorët e saj nuk janë si Shakespeare. Por sa herë shfaqen bllokadat institucionale dhe kërkohet interpretimi i Kushtetueses ose zgjidhja lihet në dorë të politikanëve, boshllëku mbushet ashtu siç ishte plotësuar faqja e humbur e tragjedisë së Hamletit. Andaj, në frymën e Naimfrashër Hajdarit, ata japin interpretime sipas tekave të tyre. Në seancën e parë konstitutive javën e kaluar, pasi që nuk kaloi kërkesa e PAN-it për shtyrjen e seancës për dy orë, nënkryetari i PDK-së Enver Hoxhaj, deklaroi se e drejta për nominimin e kryetarit të Kuvendit u takon atyre si koalicion fitues, dhe këtë do ta bëjnë kurdo që ata janë të gatshëm për një gjë të tillë. “Seancën e caktoj kur të ma merr mendja mua”, ishte përgjigja e kryesuesit të përkohshëm të Kuvendit, komedianit Adem Mikullovci, pas pyetjes së gazetarëve për datën e vazhdimit të seancës konstitutive. “Krejt varet prej vullnetit qysh e kam atë ditë”, ishte përgjigja e deputetit të ri nga koalicioni LAA, këngëtarit Labinot Tahiri, i pyetur se si do të votojë për kryetarin e Kuvendit dhe kryeministrin. Në këtë frymë ishte edhe qëndrimi i presidentit Thaçi, sa herë pyetej përse nuk ka thirrur seancën konstitutive menjëherë pas certifikimit të rezultateve nga KQZ-ja.

***

Sipas Comparative Constitution Project, një projekt elektronik i cili mundëson krahasim të kushtetutave, me 19.782 fjalë Kushtetuta e Kosovës radhitet e 77-ta në mesin e 190 kushtetutave sa i përket numrit të fjalëve që përmban. Kushtetuta e Kosovës është më voluminoze se ajo e Kanadasë, Spanjës, Rusisë, Maqedonisë, Shqipërisë, e shumicës së vendeve të Evropës. Po ashtu, Kushtetuta e Kosovës radhitet e 38-ta sa i përket temave që mbulon.

Por si duket kjo nuk është e mjaftueshme për Gjykatën Kushtetuese dhe vendimmarrësit. Polarizimi i madh i partive politike e ka bërë të pamundur gjetjen e zgjidhjeve politike. Përvoja e gjertanishme ka treguar se vendimmarrësit e humbin rrugën sa herë nuk shkruhet diçka qartë në Kushtetutë. Shumë vite më parë, Faik Konica kishte vërejtur të njëjtin problem në administratën shtetërore të Shqipërisë. Sipas Konicës, “pazotësia për të gjykuar vetë e për të marrë masa të duhura pa pyetur, është kryeshenja e nëpunësve të Shqipërisë. Prandaj është përhapur një sëmundje e çuditshme për rregulla. Roboti, i lënë i lirë të veprojë, mbetet në vend palëvizur, ose bën lëvizje pa ndonjë kuptim fare”.

***

Me aktgjykimin e vitit 2014 të Gjykatës Kushtetuese, i cili ishte “prerë” enkas për nevojat momentale të Partisë Demokratike të Kosovës, janë shkelur parimet themelore të sistemit parlamentar të qeverisjes. Në një demokraci të mirëfilltë parlamentare, e drejta për të formuar Qeverinë, i njihet subjektit politik apo koalicionit që ka shumicën e ulëseve në Kuvend, pa marrë parasysh cili subjekt politik ka fituar numrin më të madh të votave në zgjedhje. Ashtu siç argumenton gjyqtari Robert Carolan në mendimin e tij mospajtues për aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2014, “hartuesit e Kushtetutës jo rastësisht e kanë specifikuar se presidenti duhet të konsultohet me partinë ose koalicionin që ka fituar shumicën e nevojshme për krijimin e Qeverisë, pra duke vënë theksin te nocioni “shumicë e nevojshme”. Të vetëdijshëm se në sistemet shumëpartiake siç është rasti në Kosovë, një subjekt i vetëm shumë vështirë mund të fitojë 61 ulëse në Kuvend, hartuesit e Kushtetutës kanë paraparë konsultimet me atë koalicion që siguron numrin e nevojshëm për formimin e Qeverisë, jo partinë apo koalicionin që del i pari në zgjedhje. Andaj, mohimi i të drejtës së shumicës, në radhë të parë është jodemokratik, sepse pamundëson realizimin e vullnetit të shumicës dhe imponon vullnetin e pakicës.

Ngjashëm, në vend se të përqendrohet në interpretimin e dispozitave të Kushtetutës, në përpjekje për të zgjidhur një problem që për nga natyra ishte politik, Gjykata Kushtetuese u lëshua në interpretimin e Ligjit për zgjedhjet kur përcaktoi se kur dhe si konstituohen grupet parlamentare, duke krijuar një mekanizëm absurd për zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit. Gjithashtu, ky aktgjykim kishte efekt kolateral edhe në sistemin partiak, ngase të shtrënguara për t’iu përshtatur rregullave të reja të përcaktuara nga Gjykata, partitë politike u detyruan të hyjnë në koalicione parazgjedhore të panatyrshme, të cilat krijuan pakënaqësi në strukturat partiake dhe konfuzion te votuesit.

***

Andaj, me qëllim të dhënies së instruksioneve për “njerëzit-makina”, dhe shmangies së krizave në krijimin e institucioneve është i domosdoshëm ndryshimi i menjëhershëm i Kushtetutës. Si alternativë për tejkalimin e bllokadës aktuale, me asistim të faktorit ndërkombëtar, partitë politike duhet të arrijnë një marrëveshje dhe të pajtohen në zgjidhjen e një kryetari konsensual të Kuvendit, dhe ngrirjen e procesit të krijimit të Qeverisë së re. Pas konstitutimit të Kuvendit, pikë e vetme e rendit të ditës duhet të jenë dy amendamente kushtetuese. Njëra për nenin 67, që ka të bëjë me zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, dhe tjetra për nenin 95, që përcakton mënyrën e caktimit të mandatarit dhe formimin e Qeverisë.

Ndryshimet duhet të parashohin që në vend të grupit më të madh parlamentar, të drejtën për të propozuar kandidatin për kryetar të Kuvendit ta kenë një numër i caktuar i deputetëve. Mjafton të shikojmë nga Shqipëria, ku Kushtetuta përcakton se kandidati për kryetar të Kuvendit propozohet nga të paktën 15 deputetë, dhe zgjidhet me shumicën e votave, në prani të gjysmës së të gjithë anëtarëve të Kuvendit. Ngjashëm, në frymën e parimeve bazë të parlamentarizmit, në nenin 95 të Kushtetutës termi “fituar” të zëvendësohet me termin “siguruar” shumicën e nevojshme për formimin e Qeverisë dhe, meqë deri tani kemi dëshmuar pazotësi për të gjykuar drejt, mund të shtohet edhe fjalia “duke dorëzuar listën me 61 nënshkrime te presidenti”.

Këto ndryshime kushtetuese do të arrinin së paku katër efekte. E para, do të shfuqizonin aktgjykimin e vitit 2014. E dyta, partitë politike nuk do të ishin të shtrënguara të hyjnë në koalicione parazgjedhore, meqë partia që del e para nuk mund të imponojë veten në formimin e Qeverisë. E treta, nuk do të ketë bllokada në zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit dhe, e fundit, presidenti do ta ketë shumë më të lehtë përcaktimin e mandatarit për formimin e Qeverisë, pa drojën se mund të bëjë shkelje kushtetuese.

Pasi të kenë marrë dritën e gjelbër nga Gjykata Kushtetuese se amendamentet nuk prekin kapitullin II, Kuvendi të miratojë amendamentet kushtetuese dhe pastaj me 2/3 të votojë për shpërndarjen e Kuvendit. Presidenti të shpërndajë Kuvendin me dekret dhe të shpallen zgjedhjet e reja parlamentare. Pa këto ndryshime kushtetuese, sistemi politik aktual mund të funksionojë vetëm në rastet kur një parti apo koalicion fiton 50% të votave. Nëse përfundojmë në zgjedhje pa këto ndryshime kushtetuese, “njerëzit-makina” në institucionet vendimmarrëse të cilët kanë mbetur pa komandë, do të vazhdojnë të sillen në rreth, dhe të bëjnë interpretime të Kushtetutës e aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese në stilin e plotësimit të “Tragjedisë së Hamletit” nga Naimfrashër Hajdari nga Hajvalia.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Tjera nga Agron Demi