Bllokada 60:60

Flaka Surroi Flaka Surroi 08 gusht 2017 08:01

Në mungesë të vullnetit politik dhe të dëshirës që të dilet nga kjo krizë që po na e ha substancën, partitë do të na dërgojnë në zgjedhje të reja. Në jostabilitetin e panevojshëm që vetëm fqinjëve tanë veriorë do të mundë t’u shkonte për shtat, më shumë sesa klaneve në Kosovë

E besoj se secili prej nesh kur ka qenë fëmijë, ka luajtur me mocanikë që, kur nuk u kanë shkuar për shtat rregullat, i kanë shpikur të rejat, vetëm për të dalë fitimtarë. Kjo, natyrisht në rastin kur do të gjendej dikush shumë zemërgjerë apo më pak inatçi që do t’ua lëshonte rrugën. E, megjithatë, nuk kishte garanci të mjaftueshme se fitorja do të sigurohej.

E këtillë m’u duk edhe loja e PAN-it në ditën kur supozohej se duhej të konstituohej legjislatura e gjashtë e Kuvendit të Kosovës. Dhe e tillë u vërtetua me një deklaratë të Blerand Stavilecit, pas mosvazhdimit të seancës së nisur me një orë e gjysmë vonesë: “Qëndrimi jonë është jo, sepse nuk mundet dikush në mënyrë autoritare ta mbyllë e ta thërrasë seancën”. Memoria selektive e Stavilecit bën që ta harroj Flora Brovinën dhe fizkulturat e saj më 2014, kur si kryesuese e Kuvendit i përdori të gjitha mjetet në dispozicion, përfshirë edhe shkeljen e Rregullores, si dhe ndërprerjen e seancës sa herë kjo i duhej PDK-së. Bllokimin që ajo personalisht ia bëri Kuvendit, e la Kosovën pa Kuvend të konstituuar prej 17 korrikut deri në fund të gushtit të po atij viti (të kujtojmë që zgjedhjet atëbotë u mbajtën më 8 qershor). Zhbllokimi u bë pas interpretimit famoz nr. 1 të Kushtetueses që i detyroi deputetët që ta votojnë subjektin që kishte shumicën relative, që atëherë ishte PDK-ja.

Arroganca e PA, pa N

Shumicën relative kësaj radhe e ka PAN-i me 39 ulëse dhe, siç u dëshmua, me pamundësinë e sigurimit të shumicës së thjeshtë për ta votuar kandidatin e vet, që e mbajti të fshehtë deri një ditë para seancës.

Krejt nisi me një gjë që është trade-mark i ish-shefit të PDK-së, Thaçit: vonesa. Deputetët e PDK-së dhe të AAK-së nuk u paraqitën në seancë në orën 10:00, siç thoshte ftesa e Kuvendit. Ata të NISMA-s kishin ardhur me kohë. Teknikisht kishte kuorum që seanca të mbahej, por problemi ishte se dy partnerë të koalicionit nuk ishin aty për ta propozuar kandidatin për kryetar të Kuvendit dhe anëtarët e Kryesisë.

Një shpërfillje dhe përbuzje e elektoratit, e deputetëve dhe e korit diplomatik është shpërfaqje e arrogancës që e karakterizon sidomos PDK-në. Porse arsyeja kyç që shkaktoi vonesën qe një kafe e tejzgjatur në një lokal afër Kuvendit, që u mbajt i bllokuar gjatë nga pjesëtarët e sigurimit të afërt të Haradinajt e mbase edhe të dikujt të PDK-së – ngase në të po zhvillohej shitblerja e votës së Teuta Rugovës.

Nga ora 11:30 erdhën deputetët e PDK-së, pa e thënë asnjë fjalë të vetme. E fundit erdhi princesha Teutë, u ul në Kryesinë e punës (si deputetja më e re) dhe e votoi propozimin e PAN-it që seanca të shtyhej edhe dy orë, për “konsultime të mëtejme me partnerët e koalicionit”. Dy muaj nuk u dolën boll, u deshën edhe dy orë. Porse nuk treguan se në cilën kafe do ta kidnaponin deputetin e radhës që do ta kalonte balancën nga ana e PAN-it.

Kafeja me bisht

Rezultati i kafesë në katin e epërm të lokalit në qendër është se që prej së enjtes, LAA-VV, nëse bëhen bashkë nuk i kanë më 61 vota. Kalimi i Teuta Rugovës në krahun e PAN-it e sjell Kuvendin në një situatë që kurrë nuk e ka përjetuar – të ndarjes së votës bash në dysh. E cila gjë, megjithatë, mund të ndryshojë ose me blerjen edhe të një vote nga PAN-i, ose me kalimin e deputetëve minoritarë joserbë në anën e LAA-VV-së, po qe se u jepet shansi që të krijojnë Qeverinë.

Sido që të jetë – kafeja me bisht dëshmoi se PAN-i ka gënjyer që nga certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve se i ka numrat për të krijuar Qeverinë. Fakti se nuk mundën as ta propozojnë kandidatin e tyre për kryetar Kuvendi, sepse u mungonte edhe një votë, dëshmoi se tjerrja e caktimit të datës së seancës konstitutive kishte qenë punë e kurdisur në bashkëpunim me Thaçin, i cili edhe publikisht në mënyrë indirekte u pozicionua në favor të PAN-it.

Dy orët që i kërkoi Hoxhaj në emër të PAN-it për “konsulta shtesë” do të përfundonin me gjasë kështu siç përfundoi mbledhja: me shtyrjen e seancës, për shkak se PAN-i ka mundur të mos kthehej në seancë, dhe nuk do të kishte pasur kuorum; ose PAN-i kishte mundur të mos e propozonte kandidatin e vet, edhe me një kërkesë shtyrjeje. Penalin që e shkaktoi kryesuesi Mikullovci, me të deklaruar të mbyllur seancën, u shfrytëzua për mrekulli nga PAN-i, i cili fajin për shtyrje ia la atij dhe subjektit të tij politik. Por esenca mbeti e njëjta: nëse për dy muaj ditë nuk u ble edhe vota e dytë, vështirë se mund të sigurohej për dy orë, apo për aq sa e kanë pasur në plan ta zgjasin seancën me pauza maratonike.

Kush kryekuvendar?

Nëse PAN-i, pra, nuk e blen edhe një votë, nuk ka shans që ta zgjedhë Veselin për kryeparlamentar. Për pasojë, Kosova mbetet pa Kuvend të konstituuar dhe do të ballafaqohet me një bllokadë të kotë politike, që me gjasë do të kërkojë ndërhyrjen e dikujt nga jashtë për ta zgjidhur. Në këtë kontekst nuk do të ishte larg mendsh që ndërmjetësi të ishte, ta zëmë, kryeministri i Shqipërisë, Rama – apo edhe ndonjëri nga ambasadorët e Quintit në Prishtinë.

Është bllokadë e kotë, për shkak se krijohet për punë sedre e inati – imponimi i Veselit, që herën e kaluar kaloi falë votës së LDK-së dhe marrëveshjes që sa nuk e fundosi atë politikisht, ndodh në kushte të ndryshuara politike. E para, PDK-ja nuk është më partia më e votuar, dhe e dyta, lideri i saj nuk është deputeti më i votuar. Pra, po të mos kishte qenë koalicioni parazgjedhor dhe interpretimi i Kushtetueses, ky muhabet as që do të zhvillohej tash. Nga ana tjetër, Veseli nuk është mbajtur mend për udhëheqje parimore të Kuvendit në mandatin e shkuar. Vetë fakti se ardhja e tij në pozitën e dytë hierarkike politike të Kosovës u bë nga nëntoka e një shërbimi famëkeq informativ, nuk e bënte zgjedhjen e tij fitore të demokracisë. Përkundrazi, e shndërronte në figurën më të theksuar të klanit “Pronto” nga hija.

Veseli do të mundë të luante lojë me emra të ndryshëm, me po aq bagazh negativ sa ai, e t’i propozonte për kryetar Kuvendi. Por gjithë çka do të mundë të dëshmonte është se veprimet që i bën nuk janë në interes të përgjithshëm, por në interesin e ngushtë, të tijin personal dhe të klanit të cilit i përket. Vetë ideja se do të duhej të ulej në karrigen e deputetit të thjeshtë mbase do t’i dukej devalvim i figurës së tij, të cilën me zor u përpoq ta promovonte gjatë mandatit të shkuar. Atë që e arriti në këto zgjedhje ishte të mbetej aty prej nga doli: në hije, madje nën hijen e madhe të Thaçit.

E nëse përnjëmend e ka interesin e Kosovës në rend të parë, atëherë do të duhej lëshuar rrugë dikujt tjetër në parti e që mundësisht nuk është pjesëtar i SHIK-ut. Ai do të duhej të dinte më mirë se kush do të mundë të ishte ky person. Dhe, përfundimisht, mbase do të duhej të mendonte se ka ardhur radha që një grua të bëhej kryeparlamentare. Çelësin e ka ai në dorë.

Kush kryeministër?

Me supozimin se Kosova po bëhet me Kryesi Kuvendi, do t’i vinte radha Qeverisë. Po qe se PAN-i ia del ta blejë edhe votën e dytë, atëherë kryeministër i Kosovës do të zgjidhet Ramush Haradinaj. Porse tashmë këtë e kemi thënë aq shumë herë, kjo do të jetë fitore e Pirros – sepse mandati i tij do të varet nga vota e 10 deputetëve serbë që funksionojnë nën komandën e drejtpërdrejtë të Beogradit. Vuçiqi do të jetë ai i cili do t’i tërheqë penjtë dhe që do ta shantazhojë Haradinajn kurdo dhe për çfarëdo, sepse nuk do të mundë të llogarisë kurrë në votat e opozitës në Kuvend.

Haradinaj do të varet edhe nga NISMA dhe PDK-ja, që do të mundë t’ia kthejnë shpinën në çastin e parë që e konsiderojnë veten të anashkaluar për çfarëdo teme. Dhe për rrëzimin e Qeverisë, pa ndonjë dilemë të madhe, do ta kishin përkrahjen e opozitës, ashtu siç edhe ka ndodhur në të kaluarën.

Kalkulimi eventual se do të mundë të lidhej me LAA-VV për Qeveri, me automatizëm do t’ia humbte postin e kryeministrit: kalkulimi i tij parazgjedhor, aspak parimor, e ka degraduar në ligë të dytë, për shkak se është mbështetur kryekëput në aspiratën e tij për të qenë i pari i Qeverisë. Dhe, për ta realizuar këtë, nuk ka zgjedhur mjete, përkatësisht partinë e cila e ka zhytur Kosovën në krim e korrupsion.

Nëse Haradinaj nuk kalon, nuk do të ketë garanci as për një Qeveri LAA-VV-minoritete joserbe. Nëse duhet mbështetur mbi deklaratat e Agim Veliut, kjo nuk do të ndodhë. Se a është ky qëndrim zyrtar i LDK-së, nuk e di. Porse nëse është, atëherë Kosovën e presin zgjedhjet e reja. Nuk po e shoh VV-në duke krijuar Qeveri me AAK-në, NISMA-n dhe me të gjitha minoritetet, përderisa LDK-ja dhe PDK-ja mbesin në opozitë. Duke u nisur nga deklaratat dhe veprimet e VV-së, më parë do të shkohej në zgjedhje sesa të krijohet një Qeveri harmonikë që gjithashtu do të ishte e brishtë për shkak se edhe kjo do të varej nga Beogradi.

* * *

Bllokada 60:60 do të mundë të zgjidhej po qe se ka vullnet politik të punohet në favor të Kosovës, e jo të interesave të ngushta. PDK-ja do të duhej të dilte me një kandidat që do të kishte konsensus të gjerë që të zgjidhej kryeparlamentari pa blerjen e votës së dytë. Mandatarit të parë do të duhej dhënë shansin që të dështonte, e që më pas t’u jepej mandati 61 deputetëve që do të mundë ta zgjidhnin Qeverinë.

Në mungesë të vullnetit politik dhe të dëshirës që të dilet nga kjo krizë që po na e ha substancën, partitë do të na dërgojnë në zgjedhje të reja. Në jostabilitetin e panevojshëm që vetëm fqinjëve tanë veriorë do të mundë t’u shkonte për shtat, më shumë sesa klaneve në Kosovë.

flaka@koha.net

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Tjera nga Flaka Surroi