Këmbëngulja që na ka dalë për hundësh

Brikenda Rexhepi Brikenda Rexhepi 05 mars 2017 08:12

Brukseli e ka vënë në rend të parë demarkacionin, Kosova e ka vënë në rend të parë demarkacionin, kjo do të jetë pranvera e demarkacionit, por tjetër gjë do të lulëzojë. Edhe pse të dyja palëve kryeministri na ka siguruar që problemin e korrupsionit e ka zgjidhur, “Transparency International” na mban në top listë, e “Korporata Sfidat e Mijëvjeçarit” para dy muajsh na përjashtoi nga programi që ofronte mundësinë e thithjes së qindra milionë dollarëve brenda pesë vjetësh. Shkaku, thanë, është shkalla e lartë e korrupsionit

Është një pikë që bashkon korrupsionin, demarkacionin e edhe asociacionin dhe ajo kosovarëve u ka dalë për hundësh.

Kryeministri, si njeriu që ka marrë përsipër rehatimin e qytetarëve dhe të shtetit, ditë më parë, tha që me luftimin e korrupsionit ka kryer punë. Kanë mbetur demarkacioni, si kusht i drejtpërdrejtë dhe asociacioni si i tërthortë, që kosovarët më në fund ta shëtisin Evropën. Për demarkacionin ka fajësuar deputetët, e për asociacionin partnerin e vet qeveritar serb. Nëse arritjeve të kryeministrit i shtohet edhe rritja ekonomike e Kosovës, qytetarët e saj tash do të ishin duke e vështruar buzëqeshjen e Mona Lizës në Louvre të Parisit, duke u rrokullisur në “London Eye” apo duke lundruar nëpër kanalet e Venecias.

Megjithatë, nuk po ndodh kështu. Me gjithë përpjekjet e kryeministrit, qytetarët e tij kanë mbetur të izoluar dhe të varfër. Po t’i shijonin ata këto atraksione, do t’i ndihmonte edhe atij që ta çonte mandatin deri në fund. Sepse, nëse çdo gjë dështon dhe shkohet në zgjedhje, ai mund të pësojë për faj të të tjerëve. Të gjithë dhe gjithçka ka vepruar kundër tij. Së pari, ka qenë barrë e rëndë për supet e ngushta të kryeministrit Marrëveshja e vitit 2013, që paraardhësi i tij ka nënshkruar fillimisht për asociacionin, dhe po aq e rëndë Marrëveshja e vitit 2015, që ministri i Jashtëm dhe ai i Brendshëm kanë nënshkruar për demarkacionin. Pastaj dolën deputetët, të cilët nuk po e lejojnë kryeministrin ta shkarkojë barrën në Kuvend. Ka shumë të tillë që i takojnë partisë së tij, e edhe të asaj në pushtet. Ka thënë se të vetët do t’i përjashtojë nga partia, por edhe kjo nuk mjafton që Kosovës t’i hiqen vizat.

Nuk është vetëm kryeministri që i ka këto halle. Ai madje ka një më pak, meqë problemin e korrupsionit e ka zgjidhur. Demarkacioni e korrupsioni janë çështje që kosovarët nuk po i mbajnë vetëm të izoluar. Dëshira e tyre për të lëvizur të lirë po keqpërdoret. Presioni i Qeverisë dhe i Bashkimit Evropian është i ulët, derisa përpiqen ta shfrytëzojnë popullin si letër kushtëzimi për një proces që ka nisur shkel e shko, që nuk ka qenë gjithëpërfshirës, e rrjedhimisht as bindës. Madje, shoshitja aq e hollësishme e kritereve, e hartave, e parimeve nismëtare nga komisionet qeveritare dhe nga ekspertët e pavarur në debatet e pafundme, kanë bërë edhe njerëzit që s’kanë lidhje me gjeografi ta kuptojnë thelbin e këtij demarkacioni. Kjo vetëm sa ka bindur të izoluarit që kufijtë e Kosovës nuk janë të paçmueshëm për njerëzit e pushtetit, e protestat masive kundër demarkacionit disa muaj më parë kanë treguar që e njëjta nuk vlen edhe për qytetarët. Nuk janë vetëm deklaratat e stërpërsëritura të zyrtarëve të BE-së, për këtë kriter ekskluziv për Kosovën, por edhe trendi i refuzimit të vizave për fytyrat e njohura të kulturës e shoqërisë civile, si shkop për t’ua tërhequr vërejtjen kosovarëve që nuk po çohen kundër fajtorëve të kryeministrit. Të atyre që nuk po pranojnë që ai barrën e vet dhe të paraardhësit e tij ta shkarkojnë në Kuvend.

Me gjithë këtë këmbëngulje nuk është larg mendsh se edhe vendimi që njeriu, i cili ia hodhi hartat fytyrës shefit të Komisionit për demarkacionin, të mbahet i izoluar në Francë, duke e zvarritur procesin kundërthënës gjyqësor ndaj tij.

Këmbëngulja nuk ka kufi. Insistimi i Qeverisë që të mblidhen votat e domosdoshme për demarkacionin, e ka ngritur në një nivel tjetër faktorizimin e Listës Serbe, që kthimin në institucione e ka kushtëzuar me themelimin e asociacionit. Nëse do të ishte bërë një pazar i mirë me ta, eventualisht do ta shtonin numrin e votave dhe asociacioni do të bëhej kushti i tërthortë i liberalizimit të vizave. Numri do të afrohej, por puna mund të mbetet pisk për t’u arritur dy të tretat, ngase, përveç deputetëve të opozitës, rreziku e pasiguria vijnë nga disidentët e dy partive më të mëdha në pushtet. Nëse nga këta mund të ketë ndonjëri që ka dëshirë të bëhet ambasador apo ka ndonjë dëshirë tjetër të realizueshme, atëherë votat e serbëve do të hynin si pykë në planet e njerëzve që udhëheqin Kosovën. Natyrisht e tërë kjo nëse nuk do të ketë gaz lotsjellës e shishe uji që fluturojnë nga njëra anë e sallës plenare në tjetrën.

Brukseli e ka vënë në rend të parë demarkacionin, Kosova e ka vënë në rend të parë demarkacionin, kjo do të jetë pranvera e demarkacionit, por tjetër gjë do të lulëzojë. Edhe pse të dyja palëve kryeministri na ka siguruar që problemin e korrupsionit e ka zgjidhur, “Transparency International” na mban në top listë, e “Korporata Sfidat e Mijëvjeçarit” para dy muajsh na përjashtoi nga programi që ofronte mundësinë e thithjes së qindra milionë dollarëve brenda pesë vjetësh. Shkaku, thanë, është shkalla e lartë e korrupsionit.

Cilat kushte për liberalizimin e vizave? Të cilave viza? Kur stërzgjatet e teprohet, çdo gjë humb kuptim. Madje edhe Mona Liza.

brikenda@koha.net

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Tjera nga Brikenda Rexhepi