Edhe një plaçkitje e parasë publike

Agron Bajrami Agron Bajrami 06 gusht 2017 08:00

Mbajtja e një numri kaq të madh të këshilltarëve politikë (vetëm presidenti i ka 12 këshilltarë, kryetari i Kuvendit 11, e kryeministri 10), që në shumicën e rasteve nuk kryejnë asnjë punë të dobishme për shtetin, ndërsa marrin kompensim monetar - disa jashtëzakonisht të lartë - si dhe benefite të shumta nga shteti, është më shumë se një keqpërdorim. Është krim

Këshilltarët politikë!

Ata supozohet se janë ekspertë për t’i këshilluar liderët dhe vendimmarrësit, ashtu që vendimet, të mëdha apo të vogla, të jenë sa më të peshuara dhe të menduara.

Supozohet, po ashtu, se meqë paguhen nga shteti dhe janë të punësuar në institucione të shtetit, edhe këshillat i japin me interesin e shtetit në mendje.

Dhe, supozohet që, si ekspertë të fushave specifike që duhet të jenë, janë edhe njerëz prej integriteti profesional, gjë që do të duhej të nënkuptonte se më parë do të dorëhiqeshin sesa të shërbenin si mbulesë për politika dhe vendime të dyshimta e të dëmshme.

Në një demokraci të zhvilluar, pra, supozohet se një këshilltar politik është njeri që i shërben kreut të institucionit si përkrahje e ndërgjegjshme dhe profesionale në arritjen e një vendimi në dobi të vendit. Apo, së paku, një vendimi që minimizon sa është e mundur dëmin për vendin.

* * *

Por, jo edhe në Kosovë.

Në Kosovë, fatkeqësisht, këshilltari është një luajalist i politikanit.

Paguhet prej shtetit, por nuk punon për shtetin.

U shërben ekskluzivisht aspiratave të shefit të tij, edhe kur ato janë në dëm apo kundër interesave të vendit.

Si ushtar besnik i politikanit që e ka punësuar, punon kryesisht sipas agjendës së interesave partiake, e në momente të veçanta për interesa edhe më të ngushta se kaq.

Përfiton mirë për këtë shërbim, si nga paga e madhe ashtu edhe me beneficione të tjera, që përfshijnë udhëtime nëpër botë dhe mëditje që shpesh shumëfish e tejkalojnë shumën e pensionit apo pagës minimale në Kosovë.

Jo rrallë, ka nga dy-tri vende pune që paguhen prej buxhetit, ndërsa numri i madh i këshilltarëve politikë i kanë edhe familjarët e sistemuar nëpër poste qeveritare apo publike, që po ashtu paguhen prej shtetit.

Janë shumë, jashtëzakonisht shumë në numër, aq shumë saqë një qeveri e tërë mund të krijohet e të funksionojë vetëm prej tyre.

E gjithë kjo, natyrisht, nënkupton se në zgjedhjen e një këshilltari politik në institucionet e Kosovës, faktorët kryesorë që luajnë rol nuk kanë të bëjnë me integritetin dhe kredibilitetin profesional. Është e kundërta - këto tipare, madje, nuk janë të preferuara fare.

Ajo që kërkohet për një këshilltar “të mirë” është përkatësia e duhur partiake, ose së paku afërsia familjare me dikë të lartë në politikë. Si dhe aftësia për të shërbyer si surrogat politik. Dhe mungesa totale e ndërgjegjes dhe përgjegjësisë për të mirën publike. Gatishmëria për të mbrojtur “figurën dhe veprën” e shefit.

Më shumë u ngjajnë, pra, funksionarëve partiakë të stilit të aparatçikëve sovjetikë, sesa profesionistëve të dalluar, që punë e kanë dhënien e këshillave për vendimmarrësin politik.

Për më tepër, në shumicën e rasteve këta që vendosin as nuk i kërkojnë, as nuk i dëgjojnë këshillat e këshilltarëve, andaj dhe pjesë dërrmuese e orarit të punës së një këshilltari tipik politik kosovar duket të jetë shpenzimi i kohës dhe buxhetit shtetëror nëpër udhëtime zyrtare dhe restorante e kafene lokale, e në disa raste ngarkesë shtesë është edhe angazhimi në luftën speciale mes pushtetit dhe opozitës, që po zhvillohet 24 orë në ditë nëpër rrjete sociale.

Dhe, për këtë disa prej tyre kanë ndër pagat më të larta në vend.

Aty-këtu mund të gjendet ndonjë përjashtim, që mbase edhe shkruan ndonjë fjalim të mirë për kreun e institucionit, të cilin e këshillon, ani pse leximi i fjalimeve, në shumicën e rasteve, ia humb kuptimin fjalëve të shkruara, meqë ai që i lexon shpeshherë as nuk e di çka lexon, as nuk e kupton atë që e ka lexuar pasi e lexon.

Po, edhe prej këtyre përjashtimeve më shpesh ndodh që bëhet fjalë për ndonjë këshilltar të angazhuar me donacione të huaja, ndërsa rrëfim në vete përbëjnë këshilltarët politikë ndërkombëtarë, të cilët për punën në institucionet tona zakonisht paguhen nga shtete të tjera, dhe punojnë në projekte që përkrahen apo kanë rëndësi për shtetet që ua paguajnë pagën. Këta shef nuk e kanë kreun e institucionit kosovar ku punojnë, por donatorin që e paguan. Dhe interesi për të cilin punojnë nuk është ai i shtetit të Kosovës, por i shtetit që e ka angazhuar dhe ndodh që këto dy interesa të përputhen, por ndodh edhe që nuk përputhen edhe aq.

Por, si t’i akuzojmë për lojalitete të dyshimta shtetasit e huaj, kur kemi shtetas kosovarë që nuk janë luajalistë të shtetit, por të partisë në pushtet, apo - edhe më keq – të individit në pushtet?!

* * *

Andaj, na duhet të merremi, para së gjithash, me këta këshilltarët “tanë” politikë.

Mbajtja e një numri kaq të madh të këshilltarëve politikë (vetëm presidenti i ka 12 këshilltarë, kryetari i Kuvendit 11, e kryeministri 10), që në shumicën e rasteve nuk kryejnë asnjë punë të dobishme për shtetin, ndërsa marrin kompensim monetar - disa jashtëzakonisht të lartë - si dhe benefite të shumta nga shteti, është më shumë se një keqpërdorim. Është krim.

Është pjesë e asaj që rëndom quhet “kapje” e shtetit. Është shenja e dukshme e një strukture paralele qeverisëse brenda institucioneve, e cila përveçse e dobëson administratën edhe ashtu të politizuar civile, njëkohësisht i jep pushtet, por edhe mandat përfaqësues njerëzve që nuk janë zgjedhur as në procese demokratike (zgjedhjet) as në procese ligjore (konkurs).

Natyrisht, kjo nuk do të thotë se duhet ndaluar angazhimin e këshilltarëve politikë. Por, reduktimi i numrit të tyre është i domosdoshëm. Ndoshta jo më shumë se dy për presidentin, kryeministrin dhe kryetarin e Kuvendit. Dhe nga një për secilin ministër.

Çdo gjë tjetër do të ishte vazhdim i plaçkitjes së buxhetit dhe dëmtimit të shtetit.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Nysreti08/08/2017 13:20

As Donald Trump , nuk ka këshilltar sa 1/2 shteti i mjeruar i kosovës....

LIND07/08/2017 16:02

NO COMENT

Shto koment

Tjera nga Agron Bajrami