Pa njohje nuk mund të ketë normalizim

Augustin Palokaj Augustin Palokaj 02 gusht 2017 08:06

Kosova dhe Serbia, Beogradi e Prishtina, Brukseli e Berlini mund të provojnë formula të ndryshme për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, por asnjëra nuk do të mundësojë arritjen e normalizimit të raporteve pa njohjen e sovranitetit dhe të integritetit territorial dhe subjektivitetit shtetëror të Kosovës. Kosova nuk guxon të bjerë në kurthin e bisedave për “statusin e Kosovës”, sepse kjo çështje është kryer

Presidenti i ri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka nxitur mjaft reagime, dhe shumë prej tyre pozitive, me disa prononcime rreth normalizimit të raporteve mes, siç thotë ai, “serbëve dhe shqiptarëve” dhe për një pajtim të brendshëm të serbëve rreth Kosovës. Shumë analistë, zyrtarë dhe diplomatë e kanë parë këtë si një sinjal se njeriu kryesor në Beograd, presidenti i cili i kontrollon edhe qeverinë dhe po ashtu edhe shumicën parlamentare, është i gatshëm të lëvizë drejt “njohjes së realitetit” rreth Kosovës.

Vuçiq së pari nxiti kureshtjen me prononcimet në Bruksel pas një takimi me kolegun e tij nga Kosova, Hashim Thaçin kur tha se do një zgjidhje më afatgjate. Edhe Thaçi foli për “normalizimin e plotë të raporteve mes dy popujve dhe dy vendeve”, ndërsa ndërmjetësuesja e takimit të tyre, përfaqësuesja e lartë e BE-së për politikë të Jashtme dhe Siguri, Federika Mogherini, foli për “pajtimin e tyre që të punojnë në nisjen e një faze të re të dialogut mes Beogradit dhe Prishtinës për normalizimin e raporteve dhe pajtimit”.

Sipas presidentit të Kosovës, kjo fazë e re e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve dhe pajtimin mes popujve “do të mbyllë kapitullin e errët të së kaluarës dhe do të hapë një perspektivë të sigurt për të ardhmen evropiane të vendeve tona dhe të rajonit”

Ndërsa presidenti i Serbisë, Vuçiq, atëherë ishte shprehur se "nuk ka dyshim që bisedimet do të vazhdojnë në Bruksel, mirëpo jo vetëm për tema të caktuara, por do të bisedojnë për çështje thelbësore se si i shohim marrëdhëniet tona për një, dy apo pesë vjet. Kjo do të thotë se ne duhet të bisedojmë më seriozisht dhe më guximshëm brenda opinionit serb dhe brenda opinionit shqiptar dhe që të gjithë bashkërisht të bisedojmë më shpesh", "çështja dhe qëllimi janë që të bëjmë gjëra që janë më shumë sesa vetëm çështjet teknike”, pati thënë presidenti i Serbisë, Vuçiq pa sqaruar më shumë se çfarë mendon.

Nëse realizohen paralajmërimet që ishin dhënë pas takimit në Bruksel atëherë që në vjeshtë do të mundë të kishim një nisje të një faze të re të dialogut. Por për këtë ka disa pengesa. Kryesorja është realiteti i ndryshuar politik në Kosovë ku edhe nëse arrin të mbetet në pushtet, PDK dhe Thaçi e kanë dobësuar ndikimin e tyre në skenën politike të Kosovës. Për dallim nga Vuçiq, Thaçi do ta ketë vështirë që në emër të Kosovës të marrë obligime në raportet me Serbinë, qoftë edhe nëse ato arrihen me ndërmjetësimin e miqve ndërkombëtarë. Se ai nuk ka fuqi t’i zbatojë ato për të cilat ishte pajtuar në dialogun e Brukselit u pa në rastin e zbatimit të disa marrëveshjeve dhe ratifikimit, po ashtu, të Marrëveshjes për demarkacionin e kufirit me Malin e zi. Jo vetëm Thaçi, por asnjë politikan i Kosovës nuk do ta kishte fare problem të përfitonte mbështetjen e opinionin e popullit të Kosovës për njohje nga Serbia. Por kjo gjë nuk duket reale të ndodhë së shpejti. Dhe këtu duhet pasur kujdes me përshtypjet që mund të krijohen nga deklaratat e liderëve të Serbisë.

Serbia edhe më parë ka folur për “realitet”, për “kompromise të rënda” dhe e ka pasur të qartë se çka dëshiron të arrijë. Ka arritur pra përmes dialogut të mbaj status quon sa i përket statusit të Kosovës, të sigurojë që BE-ja të mbajë qëndrimin neutral e Serbia atë negativ ndaj statusit, e në të njëjtën kohë të avancojë dukshëm në procesin e integrimeve evropiane. Ndonëse me vonesa shumë të mëdha, sepse askujt në BE nuk i nxitohet në procesin e zgjerimit, Serbia ka arritur shumë, duke tejkaluar të gjitha vendet e rajonit me përjashtim të Malit të zi. Ka marrë statusin e kandidatit, ka nisur negociatat e anëtarësimit, dhe ka hapur në këtë proces një varg kapitujsh.

Edhe tash presidenti i Serbisë, sa here që flet për “vendime të guximshme rreth Kosovës” përmend edhe nevojën që Serbisë t’i përshpejtohet procesi i negociatave të anëtarësimit, dhe mundësisht t’i jepet dhe një datë e mundshme se kur Serbia mund të llogarisë për anëtarësim në BE.

Dhe këtu mund të ketë zhgënjime edhe në Beograd edhe në Kosovë. Edhe po ta njihte Serbia Kosovën në këtë moment, një gjë e tillë gjithsesi do të ndikonte në përshpejtimin e negociatave, por BE-ja nuk do të ishte në gjendje të garantonte ndonjë datë në procesin e integrimit. Sikur Serbia të ishte pajtuar me realitetin kur u publikua Pakoja e Ahtisaarit, apo kur Trojka me negociata shtesë erdhi tek i njëjti përfundim për pavarësinë nën mbikëqyrje ndërkombëtare, apo kur Kosova shpalli pavarësinë në vitin 2008, ndoshta Serbia sot do të ishte edhe anëtare e BE-së. Tash edhe po të ndodhë njohja, një gjë e tillë nuk do të ndodhë shpejt. Prandaj Vuçiq mund të mos ketë motiv të madh për të njohur realitetin nëse llogarit në ndonjë shpërblim të qartë nga Brukseli.

Në kohën kur Kosova duhet të krijojë institucionet e reja, apo të sqarohet disi skena shumë e komplikuar politike, duhet pritur ndoshta një konsensus gjithëkosovar rreth raporteve me Serbinë. Ndasitë që kanë ekzistuar në Kosovë rreth dialogut deri me tash i ka përdorur Beogradi për të penguar integrimin e serbëve të Kosovës në institucionet kosovare, për të vazhduar ndarjen de facto të veriut dhe për të rritur ndikimin në politikën e brendshme të Kosovës përmes një liste të Beogradit (Lista Srpska), nga e cila edhe mund të varet shumica parlamentare e gjithsesi marrja e disa vendimeve vitale për Kosovën. Edhe në Bruksel shpesh drejtojnë gishtin nga Prishtina kur flasin për moszbatimin e disa marrëveshjeve. Kjo duhet të tejkalohet urgjentisht në Kosovë.

Duhet të krijohet një unitet i ri që të mos bjerë Kosova në ndonjë grackë të fjalëve të mira nga Beogradi, të cilat mund ta impresionojnë Brukselin.

Kosova dhe Serbia, Beogradi e Prishtina, Brukseli e Berlini mund të provojnë formula të ndryshme për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, por asnjëra nuk do të mundësojë arritjen e normalizimit të raporteve pa njohjen e sovranitetit dhe integritetit territorial dhe subjektivitetit shtetërorë të Kosovës. Kosova nuk guxon të bjerë në kurthin e bisedave për “statusin e Kosovës”, sepse kjo çështje është kryer.

Nganjëherë fitohet përshtypja se edhe në Bruksel sillen sikur Kosova të mos jetë shtet i pavarur dhe sikur statusi i saj është ende çështje e hapur. Kosova një herë, përmes dialogut, ka pranuar që të hyjë në dialog për të dhënë më shumë sesa që parashikonte Pakoja e Ahtisaarit. Ka pranuar që Kosova të jetë e vetmja që e zbaton këtë pako edhe në pikat të cilat janë të vështira për Kosovën dhe e bëjnë funksionalizimin e saj si shtet shumë të vështirë dhe të komplikuar. Në anën tjetër edhe Beogradi edhe Brukseli e kanë injoruar pjesën e propozimit që flet për shtetësinë e Kosovës. Madje edhe nga disa diplomatë nga Washingtoni ishte dëgjuar para disa viteve se “duhet siguruar diçka më shumë se Ahtisaari e më pak se autonomi për veriun e Kosovës”.

Edhe insistimi i Beogradit për “normalizim të raporteve mes serbëve dhe shqiptarëve” duket si një lloj gracke që ka për qëllim injorimin e subjektivitetit shtetëror të Kosovës. Mes popujve nuk do të kishte më shumë irritime dhe probleme sikur të hiqej nga rendi i ditës statusi i Kosovës dhe njohja e kufijve të saj nga Serbia. Nuk ka probleme as teknike e as praktike e që nuk janë rezultat i dallimeve rreth statusit të Kosovës. Madje mund të thuhet edhe se nuk ka as sot nëse shikohen disa fakte, si për shembull dashuria e tregtarëve dhe konsumatorëve të Kosovës për prodhimet e Serbisë, qoftë për shkak se janë të lira apo të mira. Çfarëdo kërkimi i zgjidhjes, që nuk nënkupton njohjen e Kosovës, do të ishte vetëm blerje kohe dhe krijimi i një status quoje të re nuk do ta zgjidhte problemin, në mënyrën që ajo të mos u lihet gjeneratave të reja. Pos guximit në Beograd dhe në Prishtinë për normalizimin e plotë të raporteve gjithsesi duhet më shumë guxim edhe në Bruksel, e atë nuk po e shohin në këtë moment.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Tjera nga Augustin Palokaj