Ritmi i vjetër i krizës

Flaka Surroi Flaka Surroi 01 gusht 2017 07:59

Prej votimit do të varet nëse po i futemi një krize edhe më të thellë, sepse PDK-ja nuk do që ta humbë kontrollin dhe se Haradinaj ka postin e kryeministrit ambicie jetësore. Prej votimit do të varet nëse do të jemi dëshmitarë të çuarjes së mandatit deri në fund – me gjithë faktin se LDK-ja ka shumë faj për jetën që kemi. Dhe me gjithë faktin se Qeverinë e re mund ta kryesojë një parti që nuk ka përvojë qeverisëse, porse që mund ta fitojë shansin për të dëshmuar se qeverisja në këtë shtet mund të jetë ndryshe

Po kalon edhe, mbase, korriku më i nxehtë i shumë vjetëve të fundit dhe ne ende po merremi me numrat që janë e nuk janë.

Saldoja e këtij muaji ishte e keqe sa u përket aksidenteve rrugore dhe detare – praktikisht nuk ka pasur ditë në të cilën nuk u shënua një vdekje këtu apo atje. Sinqerisht, më me qejf do të doja të lexoja vetëm lajme për budallallëqet politike, me kusht që nuk do të lexoja asnjë nga kronika e zezë. Porse sivjet rrethanat duket të kenë qenë të pamëshirshme – nga të sillesh sheh gri. Bile-bile zi.

“Parimësia” e Thaçit

Mbledhja e kotë e thirrur nga kryetari për konsultime rreth seancës konstitutive u mbajt me mungesën e opozitës dhe të Lista Srpskas. Asaj i parapriu një deklaratë shumë indikative e Thaçit sipas të cilit, po e parafrazoj, “ata që kanë ushtruar dhunë për motive politike, nuk mund të bëhen me pushtetin në Kosovë”.

Përderisa bëhet pak a shumë e qartë se shigjetën me këtë ia drejton VV-së, me të gjithashtu vërtetohet mungesa absolute e parimësisë së “unifikuesit”. Thaçi duket të ketë memorie selektive dhe kur nuk do të mbajë mend, “rotllave” u bie ashtu si i konvenon. Nëse vërtet e ka seriozisht se nuk mund ta marrë pushtetin ai që ka ushtruar dhunë (lexo hedhur gaz lotsjellës në Kuvend), atëherë del se mandatin nuk do të duhej t’ia jepte as Haradinajt, i cili ka qenë pjesë bajagi aktive e “serialit lotsjellës”. Do të kujtojmë se gjatë njërit prej diskutimeve të tij akuzuese kundër Veselit kishte përgatitur terrenin që gazi të hidhej, ndërkohë që ai ishte akuzuar se në vend të ujit po pinte raki në seancë plenare.

Tash, po të ishte parimor, Thaçi nuk do të duhej t’ia jepte mandatin as Veselit, për shkak se ky është kryetar i partisë që me dhunën e vjedhjes së votave ia doli ta merrte pushtetin në kohën kur vetë Thaçi ishte bërë kryeministër. Për më tepër, nuk do të duhej t’ia jepte mandatin për shkak se është kryetar i asaj partie që dhunshëm, nëpërmjet Babës, e mori interpretimin që i duhej për t’u bërë me pushtetin edhe më 2014-n.

Por, meqë tashmë jemi mësuar të mos shohim parim në veprimet e Thaçit, do të mundë të ndiejmë punën në prapavijë që do ta realizojë vetëm e vetëm që PAN-i të bëhet me Qeverinë, pavarësisht se duhet paguar çmim të lartë Lista Srpskas. Por, para asaj, që të bëjë të pamundurën që Veseli të bëhet kryeparlamentar – i cili insistim do të mund të shpjerë deri te nisja e krizës së re politike që do të mund të zgjaste sa t’i dojë zemra.

PAN-i prioritet

Pra një krizë ekonomike-buxhetore jemi duke e përjetuar qysh tash. Pa fije nevoje u stërzgjat thirrja e seancës konstitutive për të enjten e ardhshme (3 gusht). Paralajmërimit që kisha bërë para një jave – se buxheti i bllokuar do të na sjellë probleme të të gjitha llojeve, iu bashkua një vendim i FMN-së, së cilës iu bashkua edhe një vendim i BE-së – sipas të cilëve Kosova i humb shumë miliona euro në të cilat kishte llogaritur Buxheti i Kosovës. Por nuk ka kush më mirë se Agron Demi për ta shpjeguar këtë situatë: “Derisa ata i bëjnë numrat, Kosova po i humb miliona euro. Dhe përgjegjësia për këtë bie mbi presidentin. Zvarritja e thirrjes së seancës dhe moskrijimi i institucioneve bëri që të ndërpritet programi me FMN-në dhe të bllokohen 16 milionë euro kredi. Ndërprerja e programit me FMN-në nënkupton mosmarrjen e fondeve të BE-së, të cilat me programin e nënshkruar në dhjetor të 2016-s kapin shumën e 70.5 milionë eurove. Shto kësaj edhe 7 milionë euro, të cilat u anuluan në Mitrovicë, mbi 4 milionë të të cilave ishin destinuar për ndërtimin e Universitetit të Mitrovicës.

Por, çka janë 80 milionë euro për Thaçin. Më 2010, ai kishte ndërprerë marrëveshjen 120 milionë eurosh me FMN-në, ngase për mbijetesën e tij politike më e rëndësishme ishte me i rrit pagat në sektorin publik para zgjedhjeve”.

Pra, logjika e njëjtë na përcjell: më me rëndësi është mbijetesa politike e klanit “Pronto”, sesa mbarëvajtja e jetës kosovare në përgjithësi. Madje edhe i vetmi segment që na ka dhënë një gëzim të madh, sporti, e në veçanti xhudoja, vuan për shkak të hallakamës së qëllimshme politike. Edhe këtu, kush më mirë se Toni Kuka ka për ta sqaruar situatën: “A di kush çka po ndodh me sportin e shtetit tonë; a po bëjnë hajgare vetëm me federatën tonë që s’ka rezultate aspak, vetëm medalje të artë olimpike, apo me krejt !!!? Çka po ndodh me obligimet ndaj federatave? Ku është Ministria e Financave, se në Ministrinë e Sportit na thanë që aty është problemi. A keni njohuri që prej marsit e keni bllokuar Federatën e Xhudos!!!!!!

Tmerr, kurrë s’e kam imagjinuar që kjo mund të na ndodhë edhe pas medaljes së artë olimpike!!!!!

Tash janë kryer zgjedhjet e punët me interes për shtetin s’janë interesant më. Me siguri rrogat vetes ia qitni me rregull, apo jo?”

Dhe jo vetëm rrogat, do të shtoja, por edhe mëditjet për udhëtime zyrtare, e edhe shpenzimet e shfrytëzimit të të gjitha mjeteve e pajisjeve që ua ofron fakti se janë Qeveri në detyrë. Me buxhet të bllokuar, e gjithë kjo do të bëhet edhe më zi në javët në vijim. E besa edhe muaj, po qe se PAN-i do të insistojë që Veseli të zgjidhet kryeparlamentar me çdo kusht si hap të parin drejt krizës së shtuar politike. E mandej edhe me insistimin për zgjedhjen e Haradinajt kryeministër, deri në çastin kur PAN-i do t’ia dalë ta thyejë vullnetin e dikujt me ndonjë ofertë joshëse që nuk mund të refuzohet.

Çka do të sjellë seanca e 3 gushtit?

Tri ditët e fundit u kanë shërbyer deputetëve që të regjistrohen. Tash vijon mbajtja e mbledhjes në të cilën deputetët do ta japin betimin dhe ku do të duhej të zgjidheshin kryetari dhe nënkryetarët. Leximi më i kujdesshëm i Rregullores së Kuvendit, së cilës do t’i gjenden po aq mangësi e zbrazëti sa edhe Kushtetutës, tregon se seanca konstitutive nuk përfundon pa zgjedhjen e Kryesisë. Dhe, sipas kësaj logjike del se, nëse dështon zgjedhja e Kryesisë, Kuvendi nuk mund të marrë asnjë vendim tjetër. Pra, rishikimi i buxhetit duhet të presë për aq sa do t’i nevojitet Kuvendit për t’u bërë me kryesi.

Porse Rregullorja nuk ka paraparë çka nëse kandidati i propozuar për kryetar nuk kalon. Nuk përcakton afate kur duhet të zgjidhet Kryesia. Dhe nuk e definon me saktësi nëse Kuvendi mund të quhet i konstituuar edhe nëse nuk ka kryesi të zgjedhur. Nëse është kështu pra, 3 gushti do të shënojë fillimin e një seance maratonike konstitutive përderisa PAN-i, përkatësisht PDK-ja të insistojë që kandidati i saj të jetë Kadri Veseli, kundër zgjedhjes së të cilit tashmë janë deklaruar VV-ja dhe LAA-ja.

Po qe se PAN-i e ka seriozisht se do që ta marrë pushtetin që shpejt ta krijojë Qeverinë “për t’u marrë me gjërat madhore”, dhe nëse nuk i ka siguruar edhe dy vota të tjera që i nevojiten për ta arritur 61-in, atëherë do të duhej menduar ta gjejë një kandidat që do të ishte i “pranueshëm” për krahun opozitar. Po qe se veprojnë kështu, do ta kapërcejnë pengesën e parë që mund të shkaktojë bllokimin, ashtu që Thaçi t’ia japë mandatin Haradinajt për krijimin e Qeverisë. Kjo, natyrisht, nëse Veseli pajtohet dhe nuk vendos ta prishë koalicionin për shkak se do të mbetej thjesht një prej 120 deputetëve sa numëron Kuvendi.

Po edhe me supozimin se numrat janë, se Veseli po zgjidhet e pas tij edhe Haradinaj – ajo që dihet me siguri janë dy momente: një, se kjo Qeveri do të varet shumë, shumë nga disponimi i Beogradit dhe do të detyrohet t’u nënshtrohet kërkesave të serbëve. Faktorizimi i sërishëm i Lista Srpskas është puna më e keqe që mund ta bëjë PAN-i – dhe ky koalicion nuk do të që të jetë i vetëdijshëm se vetes do t’ia lidhë duart edhe këmbët me këtë veprim dhe se në fund mbijetesa e kësaj Qeverie nuk do të varet madje nga të 9 deputetët serbë.

Dy, dhe duke vazhduar me supozimin se do ta kenë fuqinë “numërore” për ta krijuar Qeverinë, PAN-i së bashku me krejt minoritetet nuk do ta ketë fuqinë ta kalojë asnjë vendim që do t’i kërkojë dy të tretat e votave. Kështu, demarkacioni i premtuar dhe Zajednica nuk kanë shans të kalojnë – sepse nuk ka kush t’i votojë.

* * *

Ndërkombëtarët vazhdojnë të jenë të heshtur. Dihet se aktiviteti partiak ka qenë i ngjeshur këto ditë. Flitet për kërkesat që i bën koalicioni fitues që të huajt të ushtrojnë trysni mbi LAA-në që t’i bashkohet PAN-it për krijimin e institucioneve. Gjithashtu flitet edhe për dilemat e mëdha që i kanë ndërkombëtarët për diskursin e ri të VV-së dhe qasjen më pragmatike që ky subjekt ka zgjedhur për këto zgjedhje.

Ka shumë pyetje të cilave nuk do t’u jepet përgjigjja derisa të mos shkohet në votim. Prej votimit do të varet nëse po i futemi një krize edhe më të thellë, për shkak se PDK-ja nuk është e gatshme ta humbë kontrollin dhe për shkak të insistimit të pabesueshëm të Haradinajt për t’u bërë kryeministër pavarësisht pasojave. Prej votimit do të varet nëse do të jemi dëshmitarë të zgjedhjes së institucioneve të reja që kanë gjasa më të mira që ta çojnë mandatin deri në fund – me gjithë problemin që paraqet fakti se LDK-ja bart përgjegjësi shumë më të madhe për kaosin në të cilin jetojmë. Dhe me gjithë faktin se Qeverinë e re mund ta kryesojë një parti që nuk ka përvojë qeverisëse, porse që mund ta fitojë shansin për të dëshmuar se qeverisja në këtë shtet mund të jetë ndryshe.

Duke qenë dëshmitare e ambicies së paskrupullt të PDK-së në dekadën e fundit, jam e prirë të besoj se kriza parlamentare do të futet thellë në vjeshtë – atëherë kur mbase Gjykata Speciale do ta japë zgjidhjen se kush mund e kush nuk mund të kandidohet për Kryesinë e Kuvendit.

Do të doja të besoja se mrekullia është e mundur: se pas gjithë këtyre vjetëve do ta kemi më në fund PDK-në dhe Lista Srpskan në opozitë. Porse kjo do të varet shumë nga ndërgjegjja e deputetëve, të cilët mbase do të dinë të kuptojnë se bota nuk sillet rreth tyre dhe se Kosova nuk do të mundë të ecë përpara sipas ritmit të vjetër. Me ritmin e krizës së cilës kurrë nuk iu shmangëm.

flaka@koha.net

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Tjera nga Flaka Surroi