OpEd

Sikur të zbatoheshin ligjet

Moszbatimi i ligjeve është shkelje edhe më e madhe sesa mosaprovimi i tyre

Një qeveri e re nuk duhet të “shpikë ujin e nxehtë”, por të zbatojë ligjet që janë në fuqi tani e shumë vjet. Vetëm duke i zbatuar ligjet jeta e gjithsecilit prej nesh do të ishte shumë më e mirë:

Sikur të zbatohej Ligji për sigurimet shëndetësore, qytetarët e Kosovës do të kishin sigurim shëndetësor së paku në dy vjetët e fundit. Ligji për sigurimet shëndetësore është miratuar në prill të vitit 2014 dhe tani e tre vjet qëndron aty, në letër, kurse kosovarët janë të vetmit në Evropë pa sigurim shëndetësor të detyrueshëm.

*

Sikur të zbatohej Ligji për duhanin, që nga viti 2006, në hapësirat e mbyllura nuk do të pihej duhani dhe nuk do të dëmtohej shëndeti i atyre qytetarëve, të cilët nuk konsumojnë duhan. Edhe pas tri ndryshim-plotësimeve të ligjit, edhe më tej nuk ka thuajse asnjë dënim për personat fizikë dhe bizneset për mosrespektim të Ligjit për duhanin.

*

Sikur të zbatohej Ligji për mbrojtjen nga zhurma, që nga viti 2008, qytetarët e këtij vendi do të duhej të flinin të qetë, pa u penguar nga zhurma e pakontrolluar e lokaleve, apo pa u terrorizuar nga zhurma e mjeteve motorike. Sipas këtij ligji, asnjë veturë e cila shkakton zhurmë nuk mund të regjistrohet në Kosovë. Sot, edhe pas nëntë vjetëve nga hyrja e këtij ligji në fuqi, në qendër të qyteteve lëvizin motorë sportivë në gjysmë të natës (motorcross), lëvizja nëpër qytet e të cilëve është e ndaluar në shumë vende të botës, për shkak të zhurmës së lartë që lëshojnë. Kurse në qendër të Prishtinës lejohen edhe gara me mjete sportive, zhurma e të cilave trazon lagje të tëra.

*

Sikur të zbatohej Ligji për mbrojtjen e ajrit nga ndotja, që nga viti 2003, shëndeti i qytetarëve të Prishtinës, Fushë-Kosovës, Obiliqit, Drenasit, Mitrovicës, Hanit të Elezit e pjesëve të tjera të Kosovës, nuk do të rrezikohej nga ndotësit enormë që lëshohen nga veturat e vjetra, aktiviteti i termocentraleve, mbetjet industriale, fabrika e “Ferronikelit” dhe ajo e çimentos. Matësit e ajrit të vendosur nga Komuna e Prishtinës dhe Ambasada e SHBA-së na treguan një pasqyrë tmerruese për nivelet e ndotësve në ajër gjatë dimrit që lamë pas, ndotje e cila disa herë kalonte edhe nivelin e ndotjes së Pekinit – i cili konsiderohet si qyteti më i ndotur në botë.

*

Sikur të zbatohej Ligji i punës, së paku që nga viti 2011, orari i rregullt i punës për secilin punëtor do të ishte 40 orë në javë. Sipas të dhënave të ASK-së, 84% e punëtorëve punojnë rregullisht më shumë se 40 orë në javë, 18% prej të cilëve punojnë edhe të shtunave dhe të dielave, nga 12 orë në ditë. Sikur të zbatohej ky ligj, të gjithë punëtorët do të ishin me kontrata, do të kishin kontributet pensionale të paguara dhe do të kishin siguri në punë.

*

Sikur të zbatohej Ligji për shëndetësinë, që nga viti 2004, qytetarëve do t’u mundësohej përdorimi i barnave esenciale, në secilin spital, qendër të mjekësisë familjare apo ambulancë. Tani e 13 vjet, përveç që qendrat mjekësore nuk janë furnizuar kurrë rregullisht me barna esenciale, qytetarët detyrohen të blejnë edhe vaksinat e fëmijëve, e shumë nga ta duhet t’i sjellin nga shtëpia edhe mbulesat e shtretërve në spital.

*

Sikur të zbatohej Ligji për mbrojtjen e konsumatorit, që nga viti 2004, qytetarët do të mundë të informoheshin në gjuhën e tyre për çdo produkt që e blejnë. Edhe pas 13 vjetëve nga hyrja e ligjit në fuqi, barnat shiten në gjuhë të huaja, madje në shumë raste në alfabet cirilik. Po të zbatohej ky ligj, bizneset nuk do të mundë të shisnin mall me afat të skaduar, apo produkte ushqimore, cilësia e të cilave nuk kontrollohet asnjëherë.

*

Sikur të zbatohej Ligji për inspektoratin sanitar, që nga viti 2003 e këndej, së paku nxënësit do të mbroheshin nga kushtet e tmerrshme sanitare që mbizotërojnë në tualetet e shkollave. Nga zbatimi i këtij ligji, tani e 14 vjet qytetarëve të Kosovës do të duhej t’u garantohej një standard minimal i pastërtisë në çdo objekt spitalor, në çdo restorant që ushqehen, në çdo objekt publik që hyjnë.

*

Sikur të zbatohej Ligji për ushqimin, së paku që nga viti 2009, qytetarët do të siguroheshin që po konsumojnë miell e jo krunde, ose do të siguroheshim se mishi që importojmë nga Brazili është i sigurt për t’u konsumuar. Ditë më parë Shqipëria ktheu mbrapsht 26 tonë të mishit të ardhur nga Brazili, me dyshimin se kishte virusin salmonela. Kurse tek ne nuk lejohet të hyjë gjithçka. Zbatimi i këtij ligji nuk do të lejonte shitjen e pijeve energjike në shishe dylitërshe për konsum masiv familjar, që konsumohen më së shumti nga fëmijët.

*

Sikur të zbatohej Ligji për mbrojtjen e të dhënave personale, që nga viti 2009, të dhënat tona do të ishin të sigurta, nuk do të lejohej që numrat tanë të telefonit të përdoreshin prej bizneseve për reklama, e as politikanët nuk do të na dërgonin mesazhe masive për të dalë dhe për të votuar për ta. Nga moszbatimi i këtij ligji, sot qytetarëve u publikohen në media edhe fotografimet e rëntgenit.

*

Sikur të zbatohej Ligji për ndërtimin, që nga viti 2004, çdo ndërtim, kudo në Kosovë, do të shoqërohej me rrethojat e sigurisë dhe shënjimet e rrezikut. Nga moszbatimi i këtij ligji, sot ndërtesat shumëkatëshe ndërtohen mbi kokat e kalimtarëve, pa asnjë masë sigurie.

*

Sikur të zbatohej Ligji për rrugët, që nga viti 2003, çdo punë në rrugët e Kosovës do të shënjohej dhe kompanitë punëkryerëse nuk do të toleroheshin të hapnin gropa në rrugë lokale e rajonale dhe t’i lënë të pambushura me javë e muaj të tërë. Nga moszbatimi i këtij ligji, çdo vit veturat dëmtohen nga gropat e hapura në rrugë.

*

Zbatimi i këtyre ligjeve nuk do të ulte papunësinë dhe nuk do të rriste të ardhurat e qytetarëve, por do të rriste dukshëm mirëqenien e të gjithëve. Zhurma, rreziku në rrugë, kushtet jo të mira sanitare në shkolla dhe spitale, rreziku në vendin e punës, ndotja e mjedisit, ndikojnë dukshëm në kualitetin e jetës së qytetarëve. Në pesë legjislaturat e gjertanishme, nga viti 2001 deri më 2017, mesatarisht janë aprovuar 140 ligje në çdo legjislaturë. Shumica nga ligjet e aprovuara janë plotësim-ndryshime të ligjeve në fuqi.

Problemi nuk është në ligjet që aprovohen apo në kualitetin e tyre, problem mbetet zbatimi. Administrata publike është e mbingarkuar me punonjës. Kosova ndan më së shumti buxhet për paga të shërbyesve publikë, si përqindje e buxhetit total, në krahasim me çdo vend tjetër të Evropës Juglindore. Po ashtu, pagat janë dyfishuar në vitet e fundit, duke bërë që punonjësit në sektorin publik të paguhen dukshëm më mirë se ata në sektorin privat. Andaj, krejt çka duhet është përkushtimi më i madh i institucioneve në zbatimin e ligjeve në fuqi. Moszbatimi i ligjeve është shkelje edhe më e madhe sesa mosaprovimi i tyre. Legjislatura dhe ekzekutivi i ri, më shumë sesa të fokusohen në aprovimin e ligjeve të reja dhe ndryshimin e këtyre ekzistueseve, duhet të fokusohen në zbatimin e ligjeve të aprovuara nga viti 2001 e këndej.