OpEd

Pazaret e kafehaneve

Me gjasë do të gjendet edhe një Teuta Rugovë tjetër, dhe PAN-i do t’i ketë numrat me gjithë minoritetet për ta krijuar Qeverinë. Ajo që nuk dihet është se në çfarë kafehanesh janë duke u takuar panistët me Lista Srpskan dhe cili është pazari që po u ofrohet. Cili do të jetë çmimi të cilin do ta paguajë Kosova për të vazhduar të udhëhiqet nga një Qeveri fragjile, nga njerëzit që e kanë bërë llom këtë vend dhe nga ata që janë mësuar të notojnë mirë në krizat që i shkaktojnë vetë

Se sa shtet joserioz jemi e tregon fakti se formimi a prishja e ndonjë qeverie te ne ndodh në ndonjë kafehane të qytetit. Së paku krejt negociatat dhe taktikat e përpunimit të ideve se si të sigurohen numrat bluhen nëpër kafehane – ditën, natën, mbas mesnatës – fare e parëndësishme. E rëndësishme është që këto takime nuk fshihen dhe bëhen qëllimisht publike, ashtu që populli të konsumojë informata të sakta apo të shtrembëruara (krejt njësoj) dhe kështu të shtohen presioni dhe nervozizmi, e që dikush dikur më në fund të thyhet.

Buxheti, çmim i vogël

Zgjedhjet ka një muaj e gjysmë që u mbajtën, rezultatet ka dy javë që janë certifikuar. Në kushtet kur për shkak të zgjedhjeve Kuvendi nuk mundi të merrej me rishikimin e buxhetit, Kosova u ballafaqua me një problem shumë serioz: me mungesë të parasë së kalkuluar për t’i mbuluar zërat buxhetorë, kryesisht të natyrës sociale. Pa rishikimin e buxhetit, paratë e mbledhura në AKP nuk mund të derdhen në të. Pa paratë e AKP-së nuk mund të paguhen pensionet e veteranëve, e nuk mund të paguhet as e shtrenjta autostradë për në Shkup. Përderisa veteranët edhe detyrohen të presin se opsion tjetër s’kanë, te asfalti Bechteli mund ta zbatojë penalizimin për secilën vonesë, të cilën e përmban kontrata. Natyrisht, problemi është se ne as nuk kemi parë kontratë, as nuk ia dimë vlerën, e për pasojë nuk e dimë as penalizimin. Por në secilin variant, humbës dalim taksapaguesit e Kosovës: papërgjegjësinë e kreut të shtetit do ta kompensojmë ne, që i paguajmë tatimet rregullisht.

Indiferenca e kryetarit të shtetit në lidhje me një problem kaq serioz nuk befason. Tashmë jemi mësuar me faktin se atij më së paku i intereson jeta normale në këtë vend. Sundimi i tij shumëvjeçar derisa ka qenë kryeministër ka dëshmuar se ai më së miri funksionon kur ka kaos e krizë – për shkak se vetë i krijon. E ka dëshmuar aftësinë e manipulimit me ambicien e njerëzve dhe shndërrimit të kësaj në sukses politik. Sa herë është gjetur në situatë të palakmueshme e ka nxjerrë një atu nga mënga: ndonjë njeri të vetin në ndonjë post të caktuar për të ndalur procedura ose për të dhënë interpretime absurde juridike.

Më pas i ka joshur të eturit për pushtet, duke përsëritur pa pra se “miqtë ndërkombëtarë” janë përkrahës të qasjes së tij politike, dhe ka krijuar lëmsh të atillë saqë nuk i ka dhembur asnjë grimë nëse një krizë politike do të mundë të zgjaste gjashtë muaj apo dy vjet. Me rëndësi në këtë rrëfim është se ai ishte rehat: në krizën qeveritare vazhdonte të ishte kryeministër, të cilit i ecte taksimetri; në krizën e legjislativit me rëndësi e kishte të zgjidhej kryetar me blerjen e votës në këmbim të ndonjë posti diplomatik – të cilët i ka menaxhuar vetë, si në pazar, sepse ka qenë shef i dikasterit të politikës së jashtme. Diplomacisë së akraballëkut dhe nepotizmit.

Sabah pazari

Ka dy javë që nuk prononcohet për punën e institucioneve. I lë këshilltarët e vet të flasin e të tregojnë se si gjithçka do të shkojë brenda suazave të asaj që e përcakton Kushtetuta. Pra, se do ta thërrasë seancën konstituive në afatin prej 30 ditësh. I kanë mbetur edhe 16 ditë për një punë të këtillë.

Por çka nëse nuk e thërret sesionin? Kushtetuta thotë se nëse kryetari nuk mundet (nuk thotë nëse nuk do) ta thërrasë, mbledhjen e thërrasin deputetët. Porse nuk tregon se çka është ajo aq e rëndësishme që do të mundë ta ndalte që ta thërriste seancën. Pra, nëse nuk e thërret, sepse “nuk mundet”, a bëhet se Kushtetuesja do të duhej ta vlerësonte në mos është duke e shkelur Kushtetutën. A thua do të rrezikonte një procedurë të këtillë, veç pse do që ta shterë deri në fund këtë afat? Me gjasë jo, prandaj s’është larg mendsh që seanca të thirret më 7 gusht – bash në ditën e fundit.

Ndërkohë, derisa të mundet, aktivizohen takimet nëpër kafehane. Së pari me Haradinajn në një restorant në Prishtinë. Po të ishin shokë, vërtet do të besohej se kanë dalë për një takim miqsh. E se takimi ka qenë politik e vërtetoi vetë Haradinaj me të dalë nga restoranti. Sepse e shprehu besimin se seanca do të thirrej “brenda javës”. Gjë që, natyrisht, nuk ndodhi.

Më pas u pa në një kafehane i ulur rreth një tavoline me Kadri Veselin, Sami Lushtakun dhe Rrahim Pacollin, shef i Shtabit Zgjedhor të AKR-së. U tha kafe në mes miqsh. Ndoshta. Por më parë oferta për t’i siguruar votat për Veselin kryeparlamentar, vulosur nga prezenca e Lushtakut – tashmë të njohur për nga aftësia për t’i bindur deputetët që të votojnë, ani që ky nuk është kuvendar. Dhe, natyrisht, mosfshehja e takimit – përkundrazi. Me qëllimin e nisjes së porosisë se “Ra Pacolli, tash i kemi numrat”. Atë që nuk e dimë është se cili është pazari që po bëhet.

A do të mundë të thuhej se këto takime janë kundërkushtetuese? Në fakt jo – është punë e secilit që të pijë kafe me kë të dojë e ku të dojë. Porse fakti se kafetë pihen vetëm me anëtarët e njërit koalicion, e bën qasjen e kryetarit krejt të anshme. Në vend të simbolit të unitetit të popullit, sërish e merr rolin e unifikuesit të partisë prej së cilës formalisht është tërhequr para se të zgjidhej kryetar. Nëse së shpejti nuk pi kafe edhe me përfaqësuesit e partive të tjera, jashtë takimit konsultativ që e ka caktuar për datën 24 ( të cilin me gjasë LAA dhe VV do ta bojkotojnë), atëherë do të ishte interesante që të shpallej shkelës i Kushtetutës për shkak të pirjes selektive të kafesë.

Por pazari publik nuk përfundon me kaq. Përpjekje maksimale vazhdon të bëjë Haradinaj. Duke u takuar individualisht me deputetë (kështu e thotë). Së paku me një deputete me mbiemër “historik”.

Më në fund “foli”

“Nuk është e drejta jonë të injorojmë votën e qytetarit, por nuk është as e drejta jonë të injorojmë bashkëpunimin e ngushtë të babait tim, presidentit historik Dr. Ibrahim Rugova, me Ramush Haradinajn. Unë ju siguroj se babai im, presidenti historik Dr. Ibrahim Rugova, në situatën e sotme kurrsesi nuk do të kishte udhëhequr LDK-në në asi mënyre që t’i bllokojë proceset dhe t’i injorojë rekomandimet e miqve tanë të përhershëm, SHBA-së dhe BE-së”, kishte shkruar Rugova në FB pas takimit të Haradinajt me familjen e saj.

Tri gjëra veçohen nga ky takim historik, në shtëpinë historike të familjes me mbiemër historik: e para, që Haradinaj e viziton familjen Rugova për ta kërkuar dhe marrë përkrahjen e saj për zgjedhjen e tij kryeministër. Familja Rugova nuk është anëtare e Kuvendit. Teuta është. Ajo është pothuajse 27 vjeçe, pra, sipas ligjit, e aftë për t’i marrë vendimet vetë. E ka fituar mandatin që lidhet për të e jo për partinë, dhe supozohet se duhet të ketë autonomi të plotë për të vendosur si dhe çka do të bëjë në seancën konstitutive. Pse pra qasja kanunore në këtë takim? Kush është kryeplaku që vendos se si do të votojë një deputete, dhe a nuk është kjo shkelje e ligjit dhe e Kushtetutës? Pa paragjykuar, një person që ka folur një herë të vetme në legjislaturën e kaluar – duke e lexuar me shumë gabime një tekst, me gjasë nuk do të votonte sipas ndërgjegjes, por sipas interesit. Ajo që nuk dihet është se sa do të kushtojë kjo votë, nëse jepet për Haradinajn.

E dyta, vetë formulimi i këtij paragrafi, që mbase e ka shkruar vetë ajo, tregon se formulimi është tipik i fushatës dhe se në vete përmban një problem qenësor: po të ishte gjallë Rugova, dhe po të ishte kryetar shteti, nuk do të mundë të ishte edhe lider i LDK-së. Si i tillë, nuk do të mundë ta udhëzonte, nga pozita e unifikuesit të shtetit, ish-partinë e tij që ta votonte një kandidat të caktuar.

E treta, deklarata e saj tashmë dëshmon për paralajmërimin e bllokadës nga ana e PAN-it: po s’u votua Haradinaj në rundin e parë, me gjasë do t’i jepet mandati edhe në rundin e dytë, për shkak se deputeti nuk bën “...t’i injorojë rekomandimet e miqve tanë të përhershëm, SHBA-së dhe BE-së”. Dhe rekomandimet e miqve tanë të përhershëm do të jenë “gogoli” që sërish do të paraqitet për t’u bërë Qeveria dosido me Haradinajn në krye. Për shkak se ndryshe shkojmë në zgjedhje të parakohshme.

* * *

Teuta Rugova u përpoq ta demantonte veten me një postim të mëvonshëm – ku kishte thënë se do të votonte sipas disiplinës partiake. Ky mund të jetë mashtrim, për shkak se vota e secilit është individuale, pra edhe kjo mund të ndërrojë mendje në seancë. Pra, është e drejtë e saj, të cilën ia ka dhënë vetë partia e saj, edhe pse e ka ditur se performanca jashtëzakonisht e dobët e saj në legjislaturën e kaluar, më tepër se emër e bën numër. Dhe nëse LDK-ja nuk do të mundë t’ia ndërrojë mendimin e parë, ky do të jetë gabim kryekëput i LDK-së që fut si kandidate një emër për numra, e jo për dije.

Me gjasë do të gjendet edhe një Teuta Rugovë tjetër, dhe PAN-i do t’i ketë numrat me gjithë minoritetet për ta krijuar Qeverinë. Ajo që nuk dihet është se në çfarë kafehanesh janë duke u takuar panistët me Lista Srpskan dhe cili është pazari, që po u ofrohet. Cili do të jetë çmimi të cilin do ta paguajë Kosova për të vazhduar të udhëhiqet nga një Qeveri fragjile, nga njerëzit që e kanë bërë llom këtë vend dhe nga ata që janë mësuar të notojnë mirë në krizat që i shkaktojnë vetë.

Me 61 vota, kjo Qeveri nuk do të jetë në gjendje ta kalojë asnjë marrëveshje ndërkombëtare dhe nuk do të jetë në gjendje madje as të kalojë ligje, po qe se opozita i bojkoton seancat e ndonjëri nga deputetët e 61-t nuk merr pjesë në seancë. Nuk do të jetë në gjendje të dalë nga kriza, për shkak se kjo po i konvenon PDK-së më së shumti.

Po qe se gjenden dy deputetë që do t’i votojnë Veselin e Haradinajn, i “bajshim me shnet” zgjedhjet e ardhshme mbas 100 ditësh. Dhe nëse vërtetohet se ky është qëllimi përfundimtar i PDK-së, pazaret e kafehaneve nuk do të ndalen edhe pasi të kenë shkuar bashkatdhetarët që kanë ardhur për verë, e pa të cilët ky vend kishte mbaruar moti.

flaka@koha.net