Pesë yje horror hotel

Drenusha Zajmi-Hoxha Drenusha Zajmi-Hoxha 24 korrik 2017 12:04

Diçka nuk është në rregull sivjet. Njëfarë atmosfere bajate verore, pa shumë zhurmë e tollovi, ashtu si na e dëshiron zemra jonë e përvëluar patriotike shqiptare.

As nuk dëgjuam se dikush mori ndonjë nuse me helikopter, as me parashutë, as me balona fluturues e as me aeroplan privat. As nuk pamë pllakate me thirrje “popullore” për bankete, e qe besa nuk qenka kujtuar askush edhe për ndonjë dasmë në plazh! Karrige po, vend po, muzikë e dajre po, as pare për dolloma e fustane, krejt çka duhen janë brekët e larjes dhe shpirti sevdalli.

Mirë, edhe tash po heqin valle mileti ynë nëpër plazhet e Durrësit e Shën Gjinit, por merreni me mend sikur nusja të vinte në bikini me paraglajder. Më duhet ta fsheh këtë ide para se të ma vjedhin. Gjithçka për shpirtin garues.

Shën Gjini si Dubai

Ndoshta edhe është herët. Njerëzit janë befasuar nga nxehtësia në korrik, njësoj sikur i befason bora në janar. Kah dreqi erdhi gjithë kjo vapë se, ani bash tash! Midis korriku, pih! Plus po vazhdon!

Njerëzit nisen në kolona të gjata kah bregdeti ynë patriotik e sidomos në Shën Gjin e Durrës, këto tallava-Monakot tona, të mbushura krejt hotele me pesë a gjashtë yje, si për inat të Dubait apo ku ta di ndonjë Floride atje diku. Në këto hotele me “suita” qymezi, drita që shkojnë e vijnë, ashensorë horrorë dhe me muzikë të padurueshme në mbrëmje, ju megjithatë ndiheni si Sheherezade. Mjafton që e dini se hoteli i ka pesë yje dhe se krejt lirisht mund t’i përfshini në selfien tuaj për Facebook. Plasni hejtera.

Ditën piqeni në diell, sepse çadrat janë të gjitha të zëna e të mbështjella me peshqirë, që i bie njësoj sikur ato parullat famoze uzurpuese dikur: “Mos prek, UÇK”, ani pse juve ju takon t’i keni falas bashkë me çmimin e kripur të hotelit. Ndërsa natën piqeni po ashtu, sepse pronari ua ndal kondicionerin meqë, sipas tij, po harxhoni shumë rrymë dhe nuk është tekefundit ajër i shëndetshëm. Lëre pastaj sa i paharrueshëm është edhe ai shikimi indiferent i recepsionistes arrogante dhe shërbimi i kamerierit në stilin e kërmillit dhe breshkës, bashkë me buzëqeshjen cinike në skaj buze. Zakonisht jua pyet atë të zakonshmen “Si ja kaloni?”, ndërsa mendon “Thuaj porosinë se ma lodhët shpirtin”, ndërsa ti zakonisht ia kthen “Bukur, mrekulli”, ndërsa mendon “Më sjell drekën hajvan dhe hiqma atë surrat”. Krejt kjo për shkak të dashurisë së madhe shqiptaro-shqiptare.

Kurrsesi mos harroni ta vizitoni edhe parkun e plehrave, pardon, lodrave, ku do t’i argëtoni fëmijët tuaj tek një grumbull hekurishtesh, që dikur para Luftës së Dytë Botërore mbase ishin lodra nëpër Evropë.

Sidoqoftë ju ktheheni në shtëpi me zemrën plot dhe xhepat thatë, të sigurt se do të shkoni përsëri edhe verën tjetër, meqë ju ndiheni shqiptarë dhe e dini sa mirë është kur jeni shqiptar. Ok, ju nuk e dini pse dreqin është mirë të jesh shqiptar, por nuk bëni pyetje të tilla, sepse thjesht keni kokë shqiptari.

“Big Brother” pushimet

E si shqiptarë nuk keni shumë zgjedhje për pushime. Edhe po qe se keni, ju vendimin e sillni për pushime në bregdetin patriotik. Edhe bëni mirë. Bile, unë kam menduar edhe një ide tjetër për pushime ideale. “Big Brother”. Po pra! Pse të jetë ky projekt vetëm disa muaj dhe i rezervuar vetëm për njerëz të caktuar , kur mund të ekzistojë një agjenci ku do të nxirrnim biletat për të shkuar me pushime në “Big Brotherin” e njohur shqiptar.

Merreni me mend njerëz, pas një viti që keni duruar turinjtë e shefit tuaj, i cili ka vetëm shkollë fillore por bagazh militant partiak, ju do të mundë të shkonit diku, ku do të rrini shtrirë për tre muaj, do të laheni në pishinë sa herë të doni, të kërceni pothuajse të zhveshur, do të hani falas, muzikë falas, frizurë falas, bëni thashetheme, flini, çmendeni dhe bëni çfarëdo që keni qejf.

As keni nevojë të hiqeni i mençur apo, largqoftë, të flisni për rënien e ekonomisë botërore, urinë në Afrikë ose pasojat e Brexitit a kërcënimin nga terrorizmi.

Thjesht, mund t’ ia fusni kot çfarëdo që ju vjen ndërmend, mund të shani sa herë ju kap qejfi, ndërsa po patët sens për thashetheme e intriga, ju shtohen ditët falas akoma më shumë. A nuk është e mahnitshme?! Nuk ka dert nëse ju jeni tip aq injorant sa mendoni se fjollëzat e grurit - Musli dhe Musolini janë njësoj, apo se Che Guevara është markë mode. Përkundrazi, budallallëqet e juaja do t’i plasohen publikut të gjerë si filozofi jetësore. E mbase edhe fitoni çmime e para. Mjafton të rrini shtrirë me orë të tëra nëpër çarçafë, duke u përpjekur të propagandoni dembeli popullore dhe të maltretoni në mënyrë të vazhdueshme ata që këtë pushim alla BB e shohin vetëm edhe si një tentativë tonën, të skaduar tashmë nga bota, për t’u dukur sa më përparimtarë.

Sidoqoftë, ne nuk dorëzohemi. Jemi shqiptarë apo jo?! Verë ose dimër, pushime ose jo, asnjëherë nuk i harrojmë çështjet madhore të vendit tonë dhe mblidhemi e solidarizohemi sa herë na cenohen e drejta, dinjiteti dhe toka jonë e shenjtë pellazge.

Për shembull, jemi aq solidarë, saqë ende nuk na ka ardhur shpirti në vend nga frika e puçit turk të vitit të kaluar. Dalim në rrugë, në marsh solidarizimi e përkrahjeje. E mbështesim popullin vëlla turk. Nuk ka dert që një gjë të tillë nuk e bëjmë për shqiptarët e Luginës ose të Maqedonisë, e as për veten tonë, për më shumë siguri në det, në rrugë, në qytet, në shkolla. As nuk dalim e nuk protestojmë për viza - kundër izolimit tonë të paarsyeshëm qoftë para ambasadave, në rrugë ose sheshe. Jo bre, çfarëti. Boll mirë jemi. Çka kemi nevojë ta shohim botën? Hajt allahile! Që do bota të na shohë, hajde bujrëm, këtu jemi koturllaq.

Pastaj tutje, ne jemi në gjendje jo veç për protesta paqësore, por edhe t’i kapim armët për të tjerët, por ama nuk na ndihet zëri për Mitrovicën. Turremi e kacafytemi me njëri-tjetrin, shahemi me nënë, motra e vëlla, ia numërojmë robt’ e shtëpisë e i kërcënohemi me jetë sahat e dakik atij apo asaj, mendimi i të cilit nuk na pëlqen, qoftë fjala për Siri, Serbi, Amerikë, fe, komb, nanë, baba, parti apo politikë. Por, për Kosovën heshtim dhe vegjetojmë si bimë.

Liria si torturë

Tekefundit, e kuptueshme njerëz. Neve na pëlqen të jemi të sunduar dhe të nënshtruar. Ne jemi të mirë, sepse jemi të këqij. Talent është të jesh popull kaq smirëzi, injorant dhe xheloz. Nuk kemi faj. Bota ka faj.

Pastaj, nuk po dimë o vëlla si të sillemi në liri. Kjo liri po kërkon shumë përgjegjësi dhe punë, kështu që nuk po na pëlqen fort. Ne kishe çdo gjë hazër e falas, se për kështu kishim ditur edhe vetë.

Ndaj dhe thashë më lart, ne jo veç me pushime, por tërë kohën duhet të jemi si në “Big Brother”. Ne, populli dembel e i izoluar si lojtarë-pushues;, politikanët si organizatorë që pasurohen nga ne dhe bota si publiku i gjerë që na shikon e dëshpërohet me budallallëkun tonë të vazhdueshëm.

Përsëri, ne nuk mërzitemi fort. Ne “dimë” dhe japim mend pa kufij si duhet të jetë bota, njeriu, Zoti, religjioni, ky shtet, ai shtet, politika, qe besa, nëse mendojmë hollë e hollë, dimë edhe për hënë e yje.

Veç një gjë nuk po na e rrok e nuk po na e do.

Nuk kemi ditur asnjëherë dhe përsëri e përsëri nuk po dimë si ta bëjmë vendin tonë.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Tjera nga Drenusha Zajmi-Hoxha