OpEd

Skandalet e shkëlqesive

Si ndikon kultura politike e një vendi në sjelljet e diplomatëve të tij?

Nëse bazohemi në kohën e shkurtër të ekzistimit të shërbimit diplomatik, në numrin e vogël të ambasadave, konsullatave dhe në numrin e punonjësve në to, vështirë se mund të gjendet një shtet tjetër i cili ia kalon Kosovës për numrin e skandaleve në shërbimin diplomatik. Me vetëm 26 ambasada dhe me 27 konsullata, lista e shkeljeve në shërbimin diplomatik duket e pafund, pa llogaritur këtu shkeljet e shumta financiare për të cilat raporton Zyra e Auditorit të Përgjithshëm.

Ja disa prej tyre:

Disa vjet më parë, Urtak Hamiti, djali i ish-nënkryetarit të Kuvendit të Kosovës, në kohën kur po mbante postin e zëvendësambasadorit të Kosovës në Kroaci, voziti në gjendje të dehur, shkaktoi aksidente në rrugët e Zagrebit, u arrestua nga policia dhe u bë lajm kryesor në mediat kroate. Pas tërheqjes nga Kroacia, Hamiti shkaktoi një skandal tjetër në një takim të diplomatëve në Maqedoni, çfarë i shtyu disa shtete të dërgojnë notë proteste tek Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës, e cila e tërhoqi atë nga shërbimi diplomatik.

Po ashtu, para pak vjetësh, sekretarja në Ambasadën e Kosovës në Berlin, Fatmire Musliu, motra e deputetes Ganimete Musliu, u raportua se kishte kërcënuar ambasadorin. Në një rast tjetër ajo ishte kacafytur me një punonjëse tjetër të Ambasadës, pasi që punonjësja nuk kishte pranuar urdhrat e saj për të futur pa rend një të afërm të sekretares për t’u pajisur me pasaportë. E njëjta, duke marrë mësim nga ndërhyrjet politike në Radiotelevizionin e Kosovës, ia kishte dërguar një letër kërcënuese televizionit publik gjerman ZDF, duke kërkuar që ta largonin një kronikë për Kosovën.

Në një letër të hapur drejtuar ministrit Enver Hoxhaj, shoferi i ambasadorit të Kosovës në Bullgari kishte renditur një numër shkeljesh etike dhe financiare të bëra nga ambasadori. Javën e kaluar, konsulli i Kosovës në Bullgari u fotografua të mbante në dorë një mjet të fortë me të cilin i kërcënonte qytetarët të cilët po protestonin kundër ndërtimit të një hidrocentrali në Komunën e Dragashit, në të cilin konsulli ishte një nga aksionarët. Bashkatdhetarët me banim në Zvicër publikuan foto se si një zyrtare e Ambasadës së Kosovës në Cyrih i kishte vendosur këmbët mbi tavolinë, e të tjerë raportuan se si zyrtari i Ambasadës në Lubjanë kishte fyer bashkëkombësit me shprehjet “a keni ju tru”. E të shumta janë batutat me sjelljet e ish- ambasadorit Lladrovci në Tiranë.

Disa ditë më parë, në Nju-Jork u arrestua shoferi i Konsullatës. Ai po akuzohet nga Departamenti i Drejtësisë së ShBA-së për kontrabandë me armë, tregti me drogë dhe pastrim parash. Lirimi i tij me kusht u refuzua nga frika se ai do të shfrytëzonte lidhjet me shtetin e Kosovës për t’u pajisur me dokumente të rrejshme dhe ekziston rreziku se ai do të largohet nga ShBA-ja. Ish-konsulli i Kosovës në Nju-Jork e kishte raportuar shoferin e Ambasadës për mosrespektim të detyrave, por MPJ-ja nuk kishte marrë asnjëherë masa ndaj tij. Në shumicën e ambasadave dhe konsullatave të Kosovës në funksione të ndryshme shërbejnë familjarë të politikanëve. E sa e sa raste të tilla do të shënoheshin në rast se Kosova do të ishte pranuar nga të gjitha shtetet dhe organizatat ndërkombëtare?

***

Qeverisja e brendshme dhe kultura politike reflektohen edhe në sjelljen e korit diplomatik. Ky është përfundimi i një hulumtimi të ekonomistëve Raymond Fisman dhe Edward Miguel. Në një hulumtim të vitit 2006, ata gjetën lidhje të drejtpërdrejtë në mes të numrit të shkeljeve të rregullave të trafikut nga diplomatët në Nju-Jork, ku gjendet selia qendrore e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, dhe nivelit të korrupsionit të atij vendi sipas ranglistës së Transparency International. Sa më i korruptuar dhe i keqqeverisur një vend, aq më shumë shkelje të rregullave të trafikut. Për shkak të imunitetit diplomatik, tiketat për parkim të parregullt të diplomatëve nuk ekzekutohen. Kjo ua mundësoi studiuesve që të fokusohen vetëm në analizimin e normave kulturore dhe ndikimin e tyre në sjelljen e diplomatëve. Sipas ranglistës së tyre të shkeljeve për diplomatë, për periudhën 1997 – 2002, del se vendet e korruptuara dhe me regjime autoritare kanë numrin më të madh të shkeljeve. Kësisoj, Kuvajti renditej i pari, shoqëruar nga Egjipti, Çadi, Sudani, Bullgaria e kështu me radhë. Vendin e shtatë me shkeljet më të mëdha e nxinte Shqipëria, apo 84.5 shkelje për një diplomat. Vendet me shkeljet më të vogla ishin Japonia, Norvegjia, Suedia, Danimarka, Turqia.

***

Një vend i cili toleron shkeljet e rregullave të trafikut nga diplomatët e tij, toleron edhe korrupsionin në qeverisje. Andaj, diplomatët janë vetëm zgjatim jashtë vendit të keqqeverisjes brenda vendit. Natyrisht, jo të gjithë diplomatët e Kosovës kanë bërë shkelje të tilla. Por nepotizmi në shërbimin diplomatik dhe emërimi i personave jokompetentë dhe pa një standard minimal të sjelljeve etike ka vështirësuar tej mase funksionimin e mirë të ambasadave dhe të konsullatave në periudhën kur Kosovës i nevojitej më së shumti njohja ndërkombëtare.