Buxheti pa histori

Elmaz Isufi Elmaz Isufi 23 korrik 2017 08:00

Pse Singapori i pari në testin e PISA-s e Kosova e fundit?

Sa herë përmendet Fabrika e ujit në Shkabaj më bie ndërmend Singapori, e sa herë përmendet ky qytet-shtet më kujtohen edhe uji e edhe rezultatet e fundit të testit PISA.

Në hapësirën prej 720 kilometrash katrorë të këtij ishulli jetojnë mbi 5.5 milionë banorë, dhe nuk gjendet asnjë pikë ujë për pije nga burimet natyrore. Drejtuesit e tij për të përballuar mungesën, shumë vjet më parë kanë lidhur marrëveshje me Malajzinë për furnizim me ujë nëpërmjet tubacioneve që çajnë detin. Uji që vjen përpunohet. Pjesa e tepërt e ujit të përpunuar i kthehet Malajzisë, por si mall që përkthehet në para.

Por as këtu nuk përfundon sfida dhe shteti ka një plan B. Nëse Malajzia vendos ta prishë njëanshëm marrëveshjen, Singapori, duke qenë tash vendi me ekspertë dhe teknologji më të përparuar në botë, ka krijuar mundësitë e përpunimit të ujërave të zeza dhe ujit të detit, si dhe shndërrimin e tyre në ujë të pijshëm.

Rrëfimi për këtë ishull është përtej imagjinatës së shtetbërjes dhe drejtimit të tij në shumë vende në zhvillim të botës.

Qeveria e Singaporit ka njoftuar vitin e kaluar se për periudhën deri më 2020 do t’i shpenzojë 13.2 miliardë dollarë amerikanë në R&D (Research & Devlopment - Kërkim dhe Zhvillim). Ky investime nuk është quajtur historik si buxheti i Kosovës me 2 miliardë, e as GDP-ja që ka mbërritur në 277 miliardë euro.

Pjesa më e madhe e shpenzimeve, 21% e buxhetit, më 2016 ka shkuar për shëndetin dhe bioshkencat. Kjo do të ndihmojë në adresimin e një prej çështjeve më urgjente të Singaporit: plotësimin e nevojave të një popullsie që po plaket shpejt. Populli ka jetëgjatësi me një mesatare prej 82.8 vjetësh dhe shkalla e fertilitetit është vetëm 1.25, shumë më e ulët se shkalla e kërkuar prej 2.1 për zëvendësimin e popullsisë.

Një tjetër përparësi e madhe e buxhetit janë teknologjitë e avancuara të prodhimit, meqë Singapori po planifikon ta ketë një avantazh konkurrues kundrejt Kinës dhe Indisë. Theksi do të jetë në përforcimin e sektorëve të hapësirës ajrore, elektronikës, sektorëve kimikë, farmaceutikë, dhe sektorëve detarë, si dhe në zhvillimin e teknologjive ndërdisiplinore në robotikë. Janë në top listën e vendeve me të ardhura më të larta për frymë.

“Çdo gjë në atë vend lëviz më shpejt se kudo tjetër. Edhe shkallët elektrike e ashensorët lëvizin me tjetër shpejtësi”, rrëfen ish-ambasadori i Shqipërisë në këtë shtet, Hajdar Muneka.

Historia e re 50-vjeçare e Singaporit është e lidhur ngushtë me presidenti Lee Kuan Yew, i cili ka vdekur më 2015 në moshën 91-vjeçare. Ai kishte prirje autokrate të bazuara në “vlerat konfuciane të udhëheqjes”, me kufizime të lirisë së shprehjes, por me meritën që vendi i tij edhe mund të vazhdojë kështu, apo në një të ardhme të ndryshojë konceptin e qeverisjes.

Ishte shkolluar në Cambridge, ndërsa u tregua i aftë për ta drejtuar shtetin, nga një vend që ishte më shumë port marinarësh e tregtarësh mashtrues, drejt një vendi përrallash.

Singapori deri në pavarësimin e tij, më 1959, ishte koloni e Britanisë së Madhe. Por britanikët, ashtu si në vendet e tjera nuk e lanë shkret. Vendi atëbotë kishte më pak se 1.5 milionë banorë.

Për t’i mbijetuar vitet e para të vështira, Singapori më 1963, pasi fitoi pavarësinë, kishte bërë një kontratë bashkimi me Malajzinë, që kishte shumë potencial ekonomik dhe njerëzor. Kushtetuta e Malajzisë që favorizonte popullsinë myslimane dhe shpërfillte banorët me origjinë kineze, nuk i pëlqeu liderit Lee. Duke rritur presionin qytetar, Lee arriti t’i bindë drejtuesit e shtetit të Malajzisë që të pranonin ndarjen. Singapori u përjashtua nga bashkësia dy vjet më vonë.

Singapori sot është ndër qendrat më të mëdha financiare botërore. Të ardhurat për kokë banori janë më të lartat në botë, ndërsa niveli i shkencës ua kalon vendeve të Evropës.

Por jo gjithçka është për t’u marrë shembull. Liria ekonomike në Singapor nuk ndiqet nga liria demokratike. Është vendi me nivelin e ulët të lirisë së shtypit, praktikon ndëshkimet e rënda për vepra penale e deri te ato me vdekje. Por deri në vitin 2050 pritet të shndërrohet në “Zvicër aziatike”, duke u bërë shteti më i pasur në botë. Dhe banorët e Singaporit kanë mjaft për çfarë ta kujtojnë reformatorin Lee, nëpërmjet filozofisë udhëheqëse të të cilit u bënë hapat gjigantë.

Por për çfarë do t’i mbajmë mend liderët tanë.

Nuk janë vetëm spektaklet e fundit mediatike me Fabrikën e ujit në Shkabaj, me autobusët e Prishtinës, me rrezikun që vendi me rezervat më të mëdha të qymyrit në Evropë pas një muaji të futet në kolaps energjetik, apo edhe me problemet e shfaqura në buxhetin 2-miliardësh të shtetit të Kosovës, që e bëjnë ekonominë e Singaporit paradoksal në sytë tanë. Më shumë se të gjitha të tjerat diferencën mes dy vendeve e përcakton niveli i edukimit dhe arsimit. E dëshmon testi vlerësues ndërkombëtar i njohur si PISA, ku Singapori doli i pari në nivel bote, e Kosova në fund të po së njëjtës listë.

Singapori ka pasur një lider që është shquar ndër kuadrot më të mira të Fitzwilliam College të Cambridge, e ku më vonë u pranua anëtar nderi i saj. E liderët tanë me grada të larta shkencore kanë problem me interpretimin e çështjeve elementare politike e ekonomike.

Për Lee nuk e dimë nëse para emrit ka pasur tituj “dr.” “mr.” “prof.” apo siç është bërë zakon që liderët tanë, me më shumë se 20 vjet aktivitet politik e asnjë ditë veprimtari shkencore të avancohen në “akademik”. Por e dimë se ai dhe të tjerët rreth tij kanë krijuar një praktikë respekti dhe vlerësimi institucional për arsimin dhe shkencën. Singapori ndan miliarda për hulumtime e inovacion, deri në teknologji robotike, e në Kosovë buxheti për shkencë është simbolik, sillet në diku qindra mijëra euro, të cilat përfundojnë në xhepat e atyre, jo që bëjnë shkencë, por bëjnë “punime” dhe i lexojnë ato në ndonjërin nga tubimet që mbahen në restorantet e qyteteve turistike shqiptare, që krahas flisë, kosit e pulave të pjekura kanë edhe nga një sallë të vogël “konferencash”.

Në Singapor nuk e projektojnë furnizimin me ujë duke shpresuar në fondet ndërkombëtare apo se Malajzia nuk do t’ua ndalë kurrë çezmën. Ata kanë një plan rezervë. Nuk e bëjnë studimin e ndërmarrjeve publike dhe të resurseve natyrore duke angazhuar ekspertë të huaj, e as nuk marrin këshilla të vazhdueshme nga Fondi Monetar Ndërkombëtar për hartimin e një dokumenti të zakonshëm e të përvitshëm, siç është Ligji për buxhetin, ndërkohë që vetëm Kryeministria numëron afro 600 të punësuar e Ministria e Financave me institucionet vartëse afro 2000 të tjerë. Nuk u dalin llogaritë keq, me apo pa rishikim buxheti, me apo pa zgjedhje të parakohshme.

Atje nuk bëhen gjërat me tahmin. Nuk kontraktojnë projekte të ngjashme si autostrada, dhe të mos dinë se çfarë duhet bërë nëse komplikohet procedura juridike për sigurimin e parave.

Singapori nuk vuan nga analfabetizmi kolektiv dhe nuk e quan buxhetin 2 miliardësh, buxhet historik.

Ish-ambasadori i Shqipërisë, Muneka, i impresionuar nga bumi ekonomik në Singapor dhe nga “zemra e plastë” për gjendjen në Shqipëri, ka nxjerrë një përfundim se “më mirë një diktaturë e mirë sesa një demokraci e keqe”. Mbase pas perdes së demokratëve në Shqipëri, ashtu si edhe në Kosovë, ai ka identifikuar diktatorë të këqij dhe të padijshëm. Pas lirisë së shprehjes ka parë tendencë të degjenerimit kulturor e social, e pas sundimit të rendit e ligjit ka parë krim e korrupsion endemik, siç është quajtur disa herë në raportet e Departamentit Amerikan të Shtetit.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Tjera nga Elmaz Isufi