OpEd

A vdiq për hiçgjë Liu Xiaobo?

Duke e ditur prapavijën aktuale në Kinë, duket qartë se larg nga të qenit një sinjal i fuqisë, keqtrajtimi që regjimi i bëri Liut është një indikacion i dobësisë, pasigurisë dhe frikës. Në njëfarë pike, mbase brenda dy dekadave të ardhshme, kombinimi i prishjes së brendshme dhe presionit të jashtëm nga një popullatë që kërkon liri, do ta zhbëjë sundimin njëpartiak në Kinë dhe ta zëvendësojnë atë, siç shpresohet, me një lloj shoqërie të hapur, për të cilën Liu luftoi gjatë gjithë jetës së tij

Hong Kong – Vdekja relativisht e papritur e Liu Xiaobos, disidentit të burgosur kinez dhe laureatit të çmimit Nobel për Paqe, përbën një humbje të madhe. Ajo dërgon, po ashtu, një mesazh të fuqishëm: Lidershipi i Partisë Komuniste Kineze (CCP) është i përkushtuar në mbrojtjen e monopolit të vet politik pa marrë parasysh mjetet apo koston.

61-vjeçari Liu, ish-kritik i letërsisë dhe mbrojtës i shquar i të drejtave njerëzore dhe rezistencës paqësore, kaloi tetë vjetët e fundit të jetës prapa grilave, nën akuzat e rreme për “përmbysje”. Shkelja që ai vërtet bëri ishte thirrja e tij për demokraci në Kinë. Edhe para burgosjes, ai ishte përballur me vëzhgim të vazhdueshëm policor dhe keqtrajtime. Kur iu nda çmimi Nobel më 2010, autoritetet kineze jo vetëm se ia ndaluan familjes së tij udhëtimin në Oslo për ta pranuar çmimin, por edhe e vendosën bashkëshorten e tij në arrest shtëpiak.

Fyerja më e madhe që Qeveria kineze i bëri Lius ishte ajo e muajit të shkuar, kur ia refuzuan kërkesa për t’iu nënshtruar një trajtimi shëndetësor për kancerin e mëlçisë në stad të avancuar. Ishte ky një akt mizorie që çoi në vdekjen e Lius, nën arrest policor, mezi një muaj pas diagnostikimit. Hera e fundit që një laureat i Nobelit pësoi fat të tillë ishte më 1938, kur pacifisti gjerman, Carl von Ossietzky, vdiq nën arrest gjerman.

Mund të duket i pashpjegueshëm fakti pse Kina, shtet ky që ka shpenzuar një pasuri të tërë gjatë viteve të fundit për të projektuar “pushtetin e butë” jashtë kufijve të vet, ka qenë e gatshme ta vë veten në një pozitë të tillë. Mirëpo, po aq sa aspirojnë për një rol prijës në skenën botërore, liderët e Kinës duan ta shtypin disidencën. Dhe ata mbase kanë pritur reagime të pakta nga demokracitë perëndimore, shumica e të cilave tani janë zhytur në rrëmuja.

Deri më tani, ky kalkulim duket të ketë qenë i saktë. Keqtrajtimi i një mbrojtësi të nderuar të të drejtave njerëzore dhe demokracisë nga ana e autoriteteve ka shkaktuar ca murmuritje në kryeqytetet perëndimore, me liderët si kancelarja gjermane, Angela Merkel, që e dënuan vdekjen e një “luftëtari të guximshëm”. Mirëpo, asnjë lider i madh perëndimor nuk e denoncoi publikisht veprimin e Qeverisë kineze.

Për më tepër, me t’ia mohuar Lius dëshirën e fundit për t’i jetuar ditët e fundit të jetës në liri jashtë vendit, Qeveria e mënjanoi një spektakël turpërues: funeralin publik të Lius, në të cilin do të merrnin pjesë me dhjetëra e mijëra mbështetës dhe admirues të tij. Varri i Lius do të shndërrohej në një monument politik, në simbol të përjetshëm të mosbindjes ndaj sundimit autokratik. Ndërkohë, censuruesit e Kinës janë angazhuar kaherë për të siguruar që vdekja e Liut të mos shndërrohet në një ngjarje madhore.

Regjimi kinez mund ta ketë përballuar një turpërim të tillë, njësoj siç mund ta mbijetonte edhe zhurmën ndërkombëtare. Ama CCP-ja mbetet një monstër politike, me pothuajse 90 milionë anëtarë, dhe me kapacitetin marramendës për ta mbrojtur pushtetin e vet. Dekadat e ngritjes së standardeve jetësore e kanë zgjeruar legjitimitetin e CCP-së deri në atë masë sa shumë pak njerëz mund ta merrnin me mend më 1989, kur Liu fillimisht u ngrit në mbrojtje të protestave në Sheshin Tiananmen.

Mirëpo regjimi i CCP-së nuk është i pamposhtur. Përkundrazi, ai vuan nga disa dobësi fondamentale – duke nisur nga niveli më i lartë i qeverisjes.

Nën presidentin Xi Jinping, “lidershipi kolektiv” që mbizotëroi që prej vdekjes së Mao Zedongut është zëvendësuar gjithnjë e më shumë nga sundimi i një burrështetasi. Spastrimi politik i Xi-së, i ndërmarrë si pjesë e një fushate antikorrupsion, së fundmi është rishikuar, duke i bërë rangjet dhe dosjet e partisë-shtet të demoralizuara nga zhdukja e përfitimeve të tyre dhe frika e shndërrimit në cak të radhës. Derisa uniteti i elitës politike po venitet, regjimi po bëhet gjithnjë e më i brishtë.

Rritja e ngadalësuar e të ardhurave po e rrezikon edhe më shumë regjimin. Premtimi për rritjen e prosperitetit material përbën themelin e pretendimit të CCP-së për legjitimitet. Megjithatë, modeli i rritjes i bazuar në investime, i cili është mundësuar nga mrekullia ekonomike e Kinës gjatë 30 vjetëve të fundit, e ka vazhduar shtegun e vet.

Reagimi i ashpër kundër globalizimit të viteve të fundit, i reflektuar nga Brexiti dhe zgjedhja e Donald Trumpit për president të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ka instaluar një element shtesë të paqartësisë për të ardhmen ekonomike të Kinës. Liderët e Kinës mund të tentojnë të kthejnë vëmendjen nga rritja e brendshme e nxitur nga konsumi, mirëpo është realitet fakti se ekonomia e vendit mbetet skajshmërisht e varur prej eksporteve. Nëse proteksionizmi i merr nën kontroll tregjet kryesore kineze përtej detit, atëherë gjasat ekonomike të shtetit – dhe kësisoj edhe vetë legjitimiteti i CCP-së – mund të shënojnë rënie të shpejtë.

Në mënyrë ironike, pasi dekadat e rritjes ekonomike e forcuan pozitën e CCP-së, ngritja e nivelit të mirëqenies, po ashtu, ka krijuar kushte të favorshme strukturore për transicion demokratik. Në fakt, Kina tanimë e ka mbërritur atë nivel të të ardhurave për kokë banori, i cili ka rezultuar me rrëzimin nga pushteti të pothuajse të gjitha autokracive në shtetet joprodhuese të naftës.

Natyrisht, kur rritja ekonomike ligështohet, siç po ndodh tani, CCP-ja mund t’i kthehet represionit të pamëshirshëm dhe thirrjeve nacionaliste për shmangien e sfidave që i dalin përpara pushtetit të saj. Mirëpo, efikasiteti i një afrimi të tillë është i kufizuar. Kostot ekonomike dhe morale të përshkallëzimit të represionit në fund të fundit shpënë drejt trazirave të brendshme, të cilat as shteti më i fuqishëm njëpartiak në botë nuk mund t’i fshehë.

Me një prapavijë të tillë, duket qartë se, larg nga të qenit një sinjal i fuqisë, keqtrajtimi që regjimi kinez i bëri Liut përbën një indikacion të dobësisë, pasigurisë dhe frikës. Në një pikë, mbase brenda dy dekadave të ardhshme, kombinimi i prishjes së brendshme dhe presionit të jashtëm nga një popullatë që kërkon liri do ta zhbëjë sundimin njëpartiak në Kinë dhe të zëvendësojë atë, siç shpresohet, me një lloj shoqërie të hapur, për të cilën Liu luftoi gjatë gjithë jetës së tij.

(Minxin Pei është profesor i qeverisjes në kolegjin “Claremont McKenna” dhe autor i librit: “Miku kapitalist i Kinës”. Ky vështrim është shkruar ekskluzivisht për rrjetin e gazetarisë hulumtuese “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”)