OpEd

Ballkani ka nevojë për vendosmëri të BE-së e jo për riciklim të ideve të vjetra

Atë që dëgjuam në Samitin e Triestes është e njëjtë me atë që kemi dëgjuar para 18 vjetësh në Samitin e Kolnit, para 17 vjetësh në atë të Zagrebit, para 14 vjetësh në atë të Selanikut, para 3 vjetësh në atë të Berlinit. Thuhet se “dyert e BE-së mbesin të hapura për vendet e Ballkanit” dhe riciklohen idetë e vjetra për bashkëpunim rajonal, për treg të përbashkët. Nëse do të dëshmojë vërtet se këtë pjesë do ta integrojnë, BE-ja duhet të marrë veprime konkrete, si nisja e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë, dhënia e statusit të kandidatit Bosnjë-Hercegovinës, sinjali Kosovës se mund të shkojë drejt statusit të kandidatit. “Perspektiva evropiane” nuk do të sigurohet përmes riciklimit të ideve të vjetra

Rruga e vendeve të Ballkanit Perëndimor drejt integrimit në BE është aq e ngadaltë, aq e pasigurt, saqë të gjithë gëzohen sa herë që disa nga liderët kryesorë evropianë përsërisin se “mbesin të përkushtuar për rrugën evropiane të Ballkanit” dhe se “dyert e BE-së mbesin të hapura”. Kështu ndodhi edhe pas samitit të fundit në Trieste të Italisë. Por përsëritja e kohëpaskohshme e këtyre fjalëve dhe porositë se ky rajon nuk është harruar nga BE-ja, nuk e ndryshojnë shumë situatën në realitet. Shpeshherë këto pohime duken aq të ngjashme me atë që thoshin para gati 20 vjetësh disa liderë të tjerë evropianë, saqë fitohet përshtypja se pothuajse asgjë nuk ka lëvizur.

Atë që dëgjuam në Samitin e Triestes është e njëjtë me atë që kemi dëgjuar para 18 vjetësh në Samitin e Kolnit, para 17 vjetësh në atë të Zagrebit, para 14 vjetësh në atë të Selanikut, para 3 vjetësh në atë të Berlinit. Thuhet se “dyert e BE-së mbesin të hapura për vendet e Ballkanit” dhe riciklohen idetë e vjetra për bashkëpunim rajonal, për treg të përbashkët. Nëse do të dëshmojë vërtet se këtë pjesë do ta integrojë, BE-ja duhet të marrë veprime konkrete, si nisja e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë, dhënia e statusit të kandidatit Bosnjë-Hercegovinës, sinjali Kosovës se mund të shkojë drejt statusit të kandidatit. “Perspektiva evropiane” nuk do të sigurohet përmes riciklimit të ideve të vjetra.

Në BE, nëse ua rikujtoni se atë që thonë sot e kanë thënë shumë paraardhës të tjerë të tyre para 17 apo 14 vjetësh, do të kundërshtojnë një pohim të tillë duke thënë se “të gjitha vendet e rajonit kanë lëvizur”, se “Ballkani sot është i qetë” dhe se “procesi i integrimeve në BE varet nga përparimi i vendeve kandidate dhe nga kandidatët potencialë”. Nëse hasni në ndonjë zyrtar që vërtet di shumë për procesin e zgjerimit, e të tillë këto ditë në BE nuk ka shumë, do të rikujtojnë se tash Kroacia ka hyrë në BE, se Mali i Zi dhe Serbia janë duke zhvilluar negociatat e anëtarësimit, se Shqipëria dhe Mali i Zi kanë statusin e vendit kandidat, se Bosnjë-Hercegovina është në procedurë për të marrë statusin e kandidatit, dhe se Kosova ka një Marrëveshje Stabilizim-Asociimi çfarë kanë të gjitha vendet e tjera të rajonit dhe me të do të rregullojnë raportet me BE-në deri në momentin kur të bëhen anëtar të BE-së. Po ashtu, do të rikujtojnë se, me përjashtim të Kosovës, të gjitha vendet e rajonit kanë liberalizim vizash dhe qytetarët e tyre janë të mirëseardhur për vizita në vendet e BE-së dhe në disa vende të tjera të zonës së lëvizjes së lirë pa pasur nevojë për viza.

Vërtet e gjithë ajo është arritur. Por prej luftës në Kosovë kanë kaluar 18 vjet. Prej Samitit të Zagrebit kanë kaluar 17 vjet. Prej Samitit të Selanikut, ku u premtua perspektivë evropiane, kanë kaluar 14 vjet. Krahasuar me kohën që ka kaluar prej kur është përmendur perspektiva e anëtarësimit në BE dhe niveli i avancimit në këtë proces i vendeve të rajonit, gjithsesi duket se është arritur tepër pak për një kohë shumë të gjatë.

Kësaj duhet shtuar edhe shumë çështje ende të pazgjidhura në rajon; situatën e paqartë në Bosnjë-Hercegovinë, ku entiteti serb gjithmonë kërcënon me ndarje nga ky shtet, pretendimet e hapura dhe zyrtare territoriale të Serbisë ndaj territorit të Kosovës, tensionet në Maqedoni dhe mosgatishmërinë e Serbisë që vërtet të përballet me të kaluarën e saj.

Madje edhe nëse marrim si shembull të mirë Kroacinë, i vetmi shtet i rajonit që arriti përmes Procesit të Stabilizimit deri te anëtarësimi në BE, duhet thënë se ky proces në rastin e Kroacisë ka zgjatur 13 vjet, shumë më tepër sesa për kandidatët e tjerë që hynë në BE para saj. Dhe tash, ata që vijnë pas Kroacisë mund ta kenë këtë rrugë vetëm më të gjatë dhe më të vështirë e jo më të shpejtë dhe më të lehtë.

Nëse BE-ja vërtet do ta bëjë më të dukshme perspektivën e integrimit, ta bëjë atë më të besueshme për qytetarët dhe politikanët e rajonit, atëherë duhet të ndryshojë diçka. Dhe nëse dikush mund ta bëjë këtë ndryshim janë liderët e BE-së të cilët u takuan në Trieste të Italisë.

Dhe janë krijuar kushtet që edhe BE-ja të jetë më e qartë, më e vendosur dhe më direkte në veprime. Një gjë e tillë nuk mund të pritet nga zyrtarët e institucioneve të BE-së në Bruksel, si përfaqësuesja e lartë Mogherini dhe komisari Hahn. Ata janë aty vetëm për të zbatuar agjendën politike të vendeve anëtare të BE-së.

Ata as nuk mundohen të shtyjnë procesin, me përjashtim aty-këtu kur lobojnë për Serbinë, e edhe kur duan nuk e kanë atë fuqi. Për shembull, asnjëri prej tyre asnjëherë nuk ka provuar të kërkojë që të gjitha vendet e BE-së të flasin me një zë për Kosovën dhe statusin e saj, por ndasitë rreth statusit të Kosovës, në vend se t’i kuptojnë si dobësi, i konsiderojnë si përparësi të Bashkimit Evropian, për shkak të rolit që ka në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë. Por fuqinë gjithsesi e kanë kancelarja gjermane, Angela Merkel, dhe presidenti i Francës, Emanuel Macron.

Nëse këtyre të dyve ia shtojmë edhe Italinë, e cila kësaj radhe ishte mikpritëse e Samitit të Triestes, atëherë kemi tri vendet më të mëdha të BE-së. Këtu më nuk po llogarisim në Britaninë e Madhe, e cila ka vendosur të dalë nga BE-ja, dhe përkundër vullnetit të tyre për të organizuar vitin e ardhshëm një samit në Londër, për të dëshmuar përkushtimin ndaj Ballkanit edhe pas daljes nga BE-ja. Një gjë e tillë nuk ka shumë kuptim. Nuk tingëllon bindshëm që nga një shtet, sado miqësor dhe i rëndësishëm, të dëgjosh mbështetje për integrim në BE kur ai shtet është në procesin e largimit nga BE-ja. Krahas tri shteteve kryesore të BE-së, pjesë e “Procesit të Berlinit” janë edhe tri shtete direkt të interesuara për zgjerim, sepse kanë interesa direkte, si Austria, Sllovenia dhe Kroacia.

Nëse këta liderë duan që zgjerimi përsëri të bëhet prioritet i BE-së, kjo edhe do të ndodhë. Pikërisht ashtu siç u hoq ky proces nga prioritetet, sepse dy shtetet kryesore, si Gjermania dhe Franca, nuk donin të dëgjonin për një kohë për zgjerim, ashtu edhe me kërkesë të këtyre dy shteteve ky proces përsëri mund të bëhet prioritet. Nëse bëhet prioritet, gjërat do të lëvizin dhe BE-ja do të veprojë në mënyrë më konkrete edhe në Ballkan, do të kërkojë vërtet luftë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit e jo ta bëjë këtë vetëm me fjalë e në të njëjtën kohë të mbështetë politikanë të korruptuar në rajon.

Rajoni i Ballkanit ka një tregti pothuajse të lirë përmes CEFTA-s. Ka disa nisma të bashkëpunimit rajonal, prej Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal, Nismës së Bashkëpunimit të Evropës Juglindore, Strategjisë Rajonale të Adriatik-Jonit, apo të Danubit, Procesit Brdo-Brioni e deri te ky “Procesi i Berlinit”.

Nga takimet e këtyre nismave, nga fotot e liderëve të rajonit me liderë evropianë nuk do të lëvizin gjërat, por nga vendimet konkrete në BE për të vazhduar procesin. Do të ishte mirë që Gjermania, Franca dhe Italia të marrin përsipër që t’i bindin të gjitha shtetet për të nisur negociatat me Maqedoninë. Ky shtet tash e 8 vjet i përmbush kushtet për këtë, e ka konfirmuar këtë edhe Komisioni Evropian, por për shkak të kundërshtimit të Greqisë nuk jepet data për nisjen e negociatave.

Kjo vetvetiu dëshmon se sa e pasaktë është thënia e zyrtarëve të BE-së se “gjithçka varet nga vetë vendi kandidat”. Duhet për zgjedhjet e fundit t’i jepet data për nisjen e negociatave edhe Shqipërisë. Kur të nisin këto negociata, BE-ja do të ketë edhe më shumë mundësi për të detyruar këto shtete që të dëshmojnë rezultate në reforma dhe në luftë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Duhet t’u thonë qartë edhe Serbisë, edhe 5 vendeve të BE-së se, e mirë apo e keqe, Kosova është shtet dhe nuk ka kthim prapa.

Kjo do t’i ndihmonte Serbisë ta heqë një barrë të rëndë dhe vërtet të avancojë në procesin e integrimeve evropiane, ndërsa edhe Kosovës do t’i mundësonte që të merrej me problemet e saj madhore, nga katastrofa e sistemit të shkollimit dhe shëndetësisë, e deri tek luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit e jo të jetë gjithçka e dominuar nga dialogu me Serbinë. Vjeshta që vjen do të jetë një rast i mirë për të parë se sa do të avancojë pas Samitit të Triestes rajoni drejt BE-së, apo vetëm do të pritet që të njëjtat premtime të përsëriten edhe në një samit të ngjashëm vitin që vjen, pastaj 2019 e kështu me radhë.

Tash punët në BE janë duke shkuar mirë. Të gjitha shtetet kanë dalë nga recesioni dhe në të gjitha ka rritje ekonomike. Në të gjitha vendet e BE-së është duke u zvogëluar papunësia dhe duke u rritur numri i vendeve të punës. Ekzistenca dhe mbijetesa e BE-së më nuk vihen në pyetje. Avancimi i procesit të zgjerimit do të dëshmojë se BE-ja jo vetëm se është ende gjallë dhe do të mbetet e tillë, por edhe do të vazhdojë të zgjerohet.