Përtej fuqisë që njohim

Valbona Mehmeti Valbona Mehmeti 16 korrik 2017 08:00

Nga momenti i marrjes së lajmit të pakëndshëm për shfaqjen e sëmundjes thyhen të gjitha ëndrrat. Por në ato momente i prekuri nga kanceri dhe familjarët e tij e njohin edhe fuqinë e vet. E dinë se i pret betejë gjigante kundër një sëmundjeje që gërryen fshehtas dhe ashpër

“Duhet patjetër të operohesh”, më tha prerazi dhe i uli sytë mbi letrat që kishte në tavolinë. Mbeta e shtangur dhe e hutuar. Nuk mund të besoja çfarë po dëgjoja. Ftohtësia dhe ashpërsia me të cilën ma kumtoi lajmin më la pa fjalë. Nuk kisha as pyetje e as zë më. E urreja shumë mjekun për fjalët që më tha.

Shkova për të bërë një kontroll vetëm sa për të hequr dyshimin për një gjëndër që e kisha vërejtur rastësisht, dhe tani duhej të kthehesha në shtëpi me një lajm tronditës për prindërit e mi.

Isha në moshë shumë të re dhe deri atëherë nuk kisha pasur ndonjë telash të theksuar shëndetësor. Ishte hera e parë që po e ndieja jetën time në rrezik. Nënën e kurseva nga lajmi, ndërsa babait duhej patjetër t’i tregoja.

Iu nënshtrova ndërhyrjes kirurgjike që mjeku gjakftohtë e kreu në mënyrë shumë profesionale. Gjëndra u mënjanua dhe u dërgua në një laborator privat për analizë patologjike. Tri javë prita për rezultatin. Do të kenë qenë ato tri javët më të rënda në jetën time, që e “lehtësuan” për afro pesë kilogramë trupin tim të imët.

Zarfin me rezultatin e analizës e pata hapur me duart duke u dridhur. Tumor beninj. Gjithçka përreth ndriçonte.

Miliona njerëz në botë kanë kaluar e kalojnë situatë të ngjashme me timen. Për shumë sish nga zarfet nuk dalin lajme të mira. Nga momenti i marrjes së lajmit të pakëndshëm thyhen të gjitha ëndrrat. Por në ato momente e njohin edhe fuqinë e vet. E dinë se i pret një betejë gjigante kundër një sëmundjeje që gërryen fshehtas dhe ashpër trupa të njomë e të moshuar. Ndërhyrje kirurgjike, kimioterapi, radioterapi, tableta, dhimbje të forta fizike, plogështi, shmangie nga ushqimet e preferuara, izolim nga shoqëria, puna e kënaqësitë e jetës, shpenzime marramendëse materiale. Mbi të gjitha, shembje emocionale dhe psikike për goditjen që u dha jeta duke i përballur me sëmundjen për të cilën ka dekada që nuk po shpiket një kurë efektive për ta çrrënjosur përgjithmonë.

Lajme të mira nga zarfi nuk morën edhe disa miq e të afërm të mi. Disa ia dolën ta mundin, sepse e zbuluan në stad të hershëm dhe ia ndalën hovin me terapitë adekuate dhe me kujdesin maksimal. Te ta vëreja një vullnet të pathyeshëm të mosdorëzimit. E fshihnin dhimbjen, nuk ankoheshin, e madje i qetësonin dhe inkurajonin edhe më të dashurit e tyre me një sens humori në llogari të sëmundjes.

Ata që e zbuluan vonë qelizën shkatërruese në trupin e tyre nuk mundën t’i përballonin agresivitetit të saj. I shihja se si humbte trajtë qenia e tyre, se si treteshin ngadalë nga pesha e dhimbjeve të papërshkrueshme që nuk ua pakësonte asnjë ilaç.

Pothuajse nuk ka familje në Kosovë një anëtar i së cilës nuk është prekur nga sëmundja e kancerit. Shifrat vetëm po shkojnë duke u rritur. 800 raste të reja janë zbuluar vetëm në gjashtëmujorin e parë të këtij viti.

Luftimi i kancerit është i vështirë edhe në vendet me shëndetësi të përparuar. Në Kosovë është shumëfish më i vështirë. Qoftë shkaku i mungesës së barnave, i mungesës së aparaturave për diagnostikim, qoftë edhe i mungesës së trajtimit adekuat nga personeli shëndetësor. Klinika e Onkologjisë në Prishtinë nuk ka buxhet e as kapacitete të mjaftueshme për trajtimin e pacientëve me kancer, thonë udhëheqësit e saj. Shpesh pacientët detyrohen t’i blejnë vetë barnat me çmime astronomike dhe të paguajnë shuma të mëdha për diagnostikim në aparaturat e klinikave private. Edhe sikur pacientët të kenë kushte të mira materiale nuk mund të bëjnë trajtim të sëmundjes sipas standardeve të larta mjekësore, sepse Kosova ende nuk e ka të rregulluar protokollin kombëtar të trajtimit të kancerit, por as të sëmundjeve të tjera.

Si pasojë, secilit mjek i jepet mundësia ta trajtojë sëmundjen, të aplikojë terapi kurdo që i duket e arsyeshme, dhe në fund fare e gjithë kjo të mos regjistrohet askund.

Por mungesa që duhet të përmbushet sa më shpejt, sipas onkologëve, është sigurimi i kushteve për trajtim paliativ të pacientëve, të cilët arrijnë në fazën preliminare. Në këtë fazë të prekurit me kancer nuk e kanë as kujdesin minimal të shtetit, sepse as Klinika e Onkologjisë e as spitalet nuk kanë hapësirë as personel të mjaftueshëm. Trajtimi paliativ përfshin kujdesin gjithëpërfshirës 24–orësh mjekësor, psikologjik, social dhe shpirtëror për pacientët me kancer.

Në mungesë të këtij kujdesi kur gjendja përkeqësohet mjekët u sugjerojnë familjarëve t’i marrin në shtëpi. Në momentin kur i dëgjojnë këto fjalë zbehen të gjitha shpresat. Atëherë fillon faza më e vështirë e përballjes me sëmundjen, një luftë e rëndë fizike dhe psikologjike e anëtarëve të familjes për t’ia zgjatur në çdo mënyrë jetën njeriut të dashur. Vuajtjet nëpër të cilat kalon i sëmuri kthehen në ankth për familjarin, i cili aty e njeh fuqinë dhe pafuqinë e vetë. Vdes pak nga pak çdo ditë gjersa sheh të afërmin duke iu tretur para syve.

Ndjenja e fajësisë se nuk kanë bërë sa duhet për ta mbajtur në jetë mbetet vragë në shpirtin e tyre. “Nuk ia falë vetes që nuk kam bërë më shumë për t’ia zgjatur vetëm edhe pak jetën”, thoshte një shoqe për të afërmin që nuk kishte arritur të mbijetonte sëmundjen.

Për shuarjen e jetëve të prekura nga kanceri faji mbetet jetim. Por që në momentet e fundit t’u lehtësohen dhimbjet dhe t’u ofrohet përkujdesje dinjitoze është obligim dhe borxh i institucioneve shëndetësore.

valbona@koha.net

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Tjera nga Valbona Mehmeti