“A e dini përse ju shikojmë si diktator, zoti Erdogan?”

Enver Robelli Enver Robelli 13 korrik 2017 08:16

Presidenti turk bërtet në një intervistë me gazetën gjermane «Die Zeit», por kryeredaktori i saj i jep një leksion mbi gazetarinë e pavarur.

Gjaknxehtë. Hatërmbetur. Shpërthyes. Të tillë e njohin presidentin turk bashkëkombësit e tij, por edhe mediat vendore dhe ndërkombëtare. Në intervista ai nuk flet me ton reflektues, por akuzues. Për Rexhep Taip Erdoganin fajtorë janë përherë të tjerët, ndërsa qeveria e tij totalisht dhe përherë e pagabueshme, në rrugë të drejtë, «në emër të Allahut». Në sytë e tij një organizatë terroriste, siç e quan ai Lëvizjen Gülen të ish-mikut të tij Fethullah Gülen, ka infiltruar njerëzit e vet në institucionet shtetërore dhe para një viti ka provuar të marrë pushtetin me dhunë: duke bërë puç.

Sipas Erdoganit, ky puç ka qenë «një dhuratë e Allahut», sepse do t'i mundësonte atij dhe vartësve të tij të pastrojnë armatën. Të quash dhuratë një përpjekje për puç, e cila u ka kushtuar me jetë gati 300 njerëzve, tregon jo vetëm për një marrëdhënie të çrregullt me gjuhën, por edhe një cinizëm të pashoq. Erdogan nuk shquhet për mendime të pjekura. Gjuha e tij shpesh më shumë i përngjan atmosferës së kafehaneve të lagjes “Kasëmpasha” të Stambollit, ku Erdogan është rritur duke ia hapur vetes rrugën edhe me grushta.

Përveç Gülenit dhe mbështetësve të tij, Erdogan ka zbuluar edhe disa armiq të tjerë: ata janë gazetarët. Secili prej tyre që shkruan për aferat e mundshme korruptive në rrethin e Erdoganit, secilit që përmend djemtë e tij, dhëndrin, fëmijët e (ish-)ministrave të tij për keqpërdorime, ai do të ballafaqohet me zjarrin retorik të Erdoganit dhe me pushtetin e tij të ashpër. Gënjeshtarë, shpifës, kriminelë, ju e keni vendin në burg, kështu disi argumenton Erdogan. Janë argumente pa bazë, të thëna nga zemërimi.

Javën që shkoi, në prag të Samitit G20, Erdogan i dha një intervistë gazetës së përjavshme gjermane «Die Zeit». Intervista është shembull i ballafaqimit të gazetarit, në këtë rast kryeredaktorit të «Die Zeit», Giovanni di Lorenzo, me Rexhep Taip Erdoganin. Që në përgjigjen e parë kryetari turk hidhet në sulm të pamëshirshëm dhe pa fakte. Ai thotë se mediat gjermane po zhvillojnë një fushatë të njollosjes kundër tij. «Pjesë e kësaj fushate janë edhe bisedat me terroristë». Në vijim të intervistës Erdogan thotë se nuk beson që ndokund në botë ka media të pavarura, rrjedhimisht as në Gjermani, edhe në këtë vend, shton presidenti turk, mediat shkruajnë e raportojnë nga të fryjnë era.

Erdogan me gjasë kishte llogaritur se gazetari do të gjunjëzohet për shkak se i paskësh bërë nder duke i dhënë intervistë. Pa ton polemik, por me gjuhë këmbëngulëse Giovanni di Lorenzo e demaskon presidentin turk. Për shembull, me këto pyetje: Çfarë kuptimi ka që mediat në Gjermani, të cilat janë të pavarura, të bëjnë propagandë kundër Turqisë? Çfarë interesi mund të kenë për këtë? Në Gjermani zakonisht asnjë botues apo politikan nuk u thotë redaktorëve të gazetës se çka duhet të shkruajë.

«A t'ju besoj?», pyet Erdogan duke qeshur. Giovanni di Lorenzo: «Jam qe 13 vjet kryeredaktor i “Die Zeit” dhe nuk kam përjetuar asnjëherë një intervenim, as nga një politikan, as nga botuesit e mi. Nëse kjo bën vaki, menjëherë do të largohesha, sepse nuk do të isha më i pavarur». Ndërkohë që përgjigjet e Erdoganit janë kundërthënëse, të paartikuluara, të thëna me plot mllef dhe shpesh vetëm në formë të pyetjeve, mrekullia e kësaj interviste janë pyetjet si kjo: «Ju po pyesni, përse në opinionin gjerman shikoheni si diktator? Sepse në asnjë vend tjetër të botës nuk ka aq shumë gazetarë të burgosur sa ka në Turqi, më shumë se 150. Sepse gazetarë gjermanë si Deniz Yücel apo Meşale Tolu gjenden në burg, ndërsa nuk dihen shkaqet. Yücel madje është vetëm në qeli. Sepse dhjetëra e mijëra njerëz i kanë humbur vendet e tyre të punës, pasi janë dyshuar si pjesëmarrës në puç. Sepse shërbimi juaj sekret i ka spiunuar parlamentarët në Gjermani. Këto janë disa nga shkaqet përse ju e keni këtë imazh».

Mënyra se si përgjigjet Erdogan është demaskuese: «Informatat që i merrni janë të pasakta. Dhe në bazë të këtyre informatave të pasakta zhvilloni supozime të gabuara». Erdogan e ka quajtur Deniz Yücelin terrorist dhe ka thënë se ai nuk do të dalë nga burgu derisa të jetë president. Faji i gazetarit gjerman me origjinë turke është se ka intervistuar një lider të kurdëve. «Edhe unë gjatë karrierës sime kam intervistuar terroristë të ekstremit të djathtë dhe të majtë apo të tillë, të cilët dyshoheshin si terroristë. Kush e bën këtë si gazetar, a është, sipas jush, terrorist apo përkrahës?», pyet kryeredaktori i «Die Zeit». Natyrisht se po, sipas Erdoganit.

Por siç u tha, intervista jeton nga pyetjet dhe shndërrohet në shou. «A besoni se gjykatat turke janë të pavarura?»; «Nuk jam zëdhënës i qeverisë gjermane, jam gazetar»; «Mos u bëni merak, gjithçka që keni thënë do të botohet»; «A i gjykoni njerëzit me origjinë turke, të cilët dorëzojnë pasaportën e tyre turke dhe e mbajnë vetëm atë gjermane? Siç ka bërë redaktorja jonë Özlem Topçu, të cilën sot me shumë dëshirë do ta kisha marrë me vete, por fatkeqësisht kjo nuk mu lejua?»; «Në Gjermani është totalisht e paparanueshme edhe për ne gazetarët, që të burgosen kolegët, të cilët dihet mirë se nuk janë terroristë, si Deniz Yüceli.

Erdogan thotë se gazetari Yücel ka zhvilluar një intervistë me një «terrorist» në malet e Kandilit, një zonë në Irakun verior në kufi me Iranin, ku e kanë bazën luftëtarët e Partisë së Punës të Kurdistanit (PKK). Sa absurde është kjo akuzë tregon ky fakt: Në kodrat e Kandilit kanë udhëtuar edhe gazetarë të agjencisë shtetërore të lajmeve “Anadolu”, por ata nuk janë arrestuar pas kthimit në Turqi.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Tjera nga Enver Robelli