OpEd

Udhëtimi i fundit i Helmut Kohlit

Kancelarit të bashkimit të Gjermanisë dhe njërit prej burrështetasve më të rëndësishëm të Evropës i është dhënë lamtumira me disa ceremoni dhe fjalime me simbolikë të fuqishme. Megjithatë, disa hije nga e kaluara e kanë errësuar pak atmosferën pas vdekjes së tij.

Ishte një amerikan që e bëri ceremoninë e ndarjes nga Helmut Kohli më madhështore, më njerëzore, më të ndritshme. Bill Clintoni, një talent i retorikës, ndonëse me zë të ngjirur, e përkujtoi kancelarin e bashkimit gjerman në ceremoninë e lamtumirës në Strassbourg me fjalët e duhura. Ish-presidenti amerikan, i cili kishte bashkëpunuar ngushtë me Kohlin në vitet ’90, e gjeti dozën e përshtatshme mes shout dhe pikëllimit. Së pari shou. Clinton tha se Helmut Kohli e kishte detyruar të hajë gjëra «që nuk do t’i kisha ngrënë kurrë». Me gjasë Clinton e kishte fjalën për «Pfälzer Saumagen» - një specialitet i krahinës gjermane të Pfalzit, prej nga rridhte Kohli. «Saumagen» (barku i derrit) është një grumbull mish (derri) me patate, pa hyrë në shpjegime më të thella. Pastaj Clinton përkujtoi se si Kohli, gjatë një vizite në Washington, e kishte dërguar presidentin amerikan në restorantin e preferuar të kancelarit gjerman. Dhe kjo, sipas Clinton, bëri vaki «në kryeqytetin tim». Kur ishte puna te ushqimi, Kohl nuk njihte kufi.

Në pjesën pikëlluese të fjalimit Clinton përkujtoi meritat e mëdha të Kohlit si burrështetas, si njeri që në kohën e tij politike u ballafaqua me çështjet më të mëdha dhe me degëzimet e tyre deri në ditët e sotme. Kohl, shtoi ish-presidenti amerikan, donte një botë ku bashkëpunimi është më i mirë se konflikti. «Ai e donte një botë, në të cilën nuk do të dominonte askush». Para pjesëmarrësve në ceremoninë e Strassbourgut Clinton përkujtoi se një ditë, herët apo vonë, të gjithë ne do të përfundojmë në një arkivol të tillë. Si pensionist politik Clinton përkujtoi edhe diçka tjetër: «Të gjitha karrierat tona janë kalimtare».

Kryetari i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, një mik shumëvjeçar i të vdekurit, tregoi se si Kohli kishte qarë nga gëzimi pas vendimit për zgjerimin e Bashkimit Evropian, i cili ishte marrë më 1997. Vazhdimisht u soll në kujtesë shtrëngimi i duarve mes Helmut Kohlit dhe presidentit francez François Miterrand në vitin 1984 në Verdun, para varrezave të atyre që humbën jetën në luftërat botërore, disa si agresorë, të tjerët si viktima. Ishte dëshirë eksplicite e Kohlit që në ceremoni të flasë edhe ish-kryeministri spanjoll Felipe Gonzalez, i cili kishte qenë i pari politikan evropian i nivelit të lartë që më 1989 i kishte telefonuar Kohlit dhe i kishte thënë se po e hapte një shishe verë për të festuar bashkimin e Gjermanisë. Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, i cili ishte në kopsht të fëmijëve kur Kohli u bë kancelar, foli për domosdoshmërinë e ndërtimit të së ardhmes europiane – duke u mbështetur në trashëgiminë e Kohlit dhe burrështetasve të tjerë evropianë. Për këtë synim, tha Macron, do të punojë ngushtë me kancelaren Angela Merkel. Në fjalimin e saj Merkel përveç meritave të Kohlit përkujtoi edhe fërkimet me të.

Hijet e së kaluarës e kanë errësuar pak atmosferën pas vdekjes së Kohlit. Pas humbjes së zgjedhjeve në vitin 1998 Kohl u ballafaqua me akuza se kishte krijuar arka ilegale për të financuar partinë. Ai refuzoi të tregojë se kush janë donatorët, duke dhënë një arsyetim jo aq të panjohur për shqiptarët: Kohl tha se ua kishte dhënë besën (fjalën e nderit, «Ehrenwort») donatorëve se nuk do t’ua përmendte emrat. Kjo sjellje e tij ishte e paligjshme dhe njollosi dukshëm biografinë e tij politike. Më 22 dhjetor 1999 Angela Merkel, atëbotë sekretare e përgjithshme e partisë konservatore CDU, të cilën Kohl e kishte drejtuar si patriark, botoi një tekst në «Frankfurter Allgemeine Zeitung», ku e akuzoi Kohlin se i ka shkaktuar dëm partisë dhe duke i kushtuar më shumë rëndësi fjalës së dhënë sesa ligjit ai ishte përpjekur të arsyetojë një veprim ilegal. Partia, shtoi Merkel, duhet të mësohet të ecën në të ardhmen edhe pa Helmut Kohlin. Mediat gjermane edhe sot shkruajnë se Merkel ishte ajo që e rrëzoi gjigantin. Ashtu siç ishte i pangopshëm në ushqim Kohl ishte i pangopshëm edhe në armiqësi, sidomos ndaj atyre që i akuzonte për mungesë besnikërie dhe për lojëra pas shpine. Kohl humbi postin e kryetarit të nderit të CDU-së dhe shumë ura mes tij dhe partisë u rrëzuan. Armiqësinë me Merkelin Kohl nuk e tejkaloi kurrë, ndonëse si kancelar i bashkimit e kishte futur në politikë fizikanen nga Gjermania lindore, komuniste. Edhe sot Merkel nga mediat gjermane quhet «çupa e Kohlit». Për shkak të raportit të tensionuar mes Kohlit dhe Merkelit e veja e Kohlit, Maike Kohl-Richter, me gjasë u përpoq ta përjashtojë kancelaren nga ceremonitë mortore. U tha nga rrethi i Kohlit se ka qenë dëshirë e kancelarit shumëvjeçar që ceremonia zyrtare mortore të mbahet në Strassbourg dhe jo në Gjermani. Kjo ishte një hakmarrje jo vetëm ndaj Merkelit, por edhe ndaj presidentit Frank-Walter Steinmeier, i cili si shef i kabinetit të kancelarit socialdemokrat Gerhard Schröder kishte dhënë urdhër të hetohet zhdukja e dokumenteve nga zyra e Kohlit pak para se ai të dorëzonte postin në vjeshtë të vitit 1998. Po të organizohej ceremonia mortore në Gjermani, atëherë për këtë do të ishte përgjegjës, sipas ligjit, presidenti i vendit. Kohl (dhe gruaja e tij e dytë, Maike Kohl-Richter) duket se ishin kujdesur që kjo të pengohet. Drama e ceremonisë mortore kishte edhe një komponentë të neveritshme familjare. Pas vdekjes së Kohlit, djali i tij Walteri shkoi në shtëpinë e babait të tij, por atij nuk ia hapi derën Maike Kohl-Richter. Djemtë e Kohlit nuk u panë as në ceremoninë mortore në Strassbourg, as në meshën e përshpirtshme në Speyer të Rajnës së Epërme (Oberrhein), ku u varros Kohli. Prej vitesh Maike Kohl-Richter në mediat gjermane përshkruhet si një grua arrogante, e cila e mbante nën kontroll absolut Kohlin, sidomos pas vitit 2008, kur Kohl pas një rrëzimi pësoi një traumë në tru dhe pothuaj nuk ishte në gjendje të artikulonte mendimin e tij. Edhe pas vdekjes së Kohlit ajo me gjasë synon të ruajë dhe administrojë trashëgiminë e tij. Në mediat gjermane spekulohet se në bodrumin e shtëpisë së familjes Kohl në Oggersheim mund të ketë shumë dokumente e materiale, të cilat janë tepër të rëndësishme për historinë bashkëkohore gjermane. «Der Spiegel» shkruan se në shtëpinë e Kohlit supozohet se gjendet letërkëmbimi mes tij dhe Franz Josef Straussit, elefantit të politikës së Bavarisë. Edhe korrespondenca me Mihail Gorbaçovin mendohet të jetë në sirtarët e bungalovit të familjes Kohl. Sipas «Der Spiegel» Kohl ishte një njeri mosbesues ndaj gjërave të shkruara. «Të keni kujdes çfarë shkruani, sepse shkrimit i dalin këmbë», u thoshte ai njerëzve të tij. Politikanët gjermanë u përpoqën të mos përzihen në ngatërresën e familjes Kohl, por kjo qe e pamundur. Kryetari i Parlamentit Norbert Lammert, njëri prej politikanëve më të mençur gjermanë, tha se ceremonitë mortore dhe përkujtimore për Kohlin nuk janë vetëm «çështje familjare». Ndërsa kancelarja Merkel në Strassbourg kujtoi edhe gruan e parë të Kohlit, Hannelore Kohl, e cila në vitin 2001 bëri vetëvrasje pasi vuante nga një alergji e dritës. Kjo ishte një shuplakë elegante kundër vejushës së vrazhdë Maike Kohl-Richter dhe ambicies së saj për të shkruar historinë e burrit të saj. Drama e familjes Kohl mbase më së miri përshkruhet nga fjalia e parë e romanit «Ana Karenina» të Lev Tolstoit: «Të gjitha familjet e lumtura i ngjajnë njëra-tjetrës, ndërsa çdo familje fatkeqe është fatkeqe në mënyrën e saj».