OpEd

Rapsodi i luftës, rapsodi i paqes

Faqet e historisë që shkroi Mujë Krasniqi dhe faqet e historisë që po shkruajnë Sokol Bashota e shumë bartës të tjerë të institucioneve publike

Një ndër luftëtarët e parë të luftës për çlirimin e Kosovës ishte edhe Mujë Krasniqi. Muja ishte ndër tre ushtarët e UÇK-së, të cilët bënë paraqitjen e parë publike më 28 nëntor 1997, në varrimin e mësuesit Halit Geci. Ai ishte komandant në zonën operative të Drenicës dhe ishte plagosur disa herë në konfrontim me policinë serbe. U vra më 14 dhjetor 1998 në kufi me Shqipërinë, së bashku me 36 luftëtarë të tjerë. Mujë Krasniqi së bashku me shumë bashkëluftëtarë të tij kanë shkruar një faqe të ndritur të historisë së Kosovës – kanë shkruar një “Libër të bardhë”.

Muja ishte një rapsod, i cili i argëtonte me këngë edhe bashkëluftëtarët. Në nderim të tij, Komuna e Klinës për çdo vit organizon festivalin “I këndojmë lirisë”, gjatë tri ditëve të të cilit organizohen aktivitete të ndryshme, të cilat kulmojnë me dhënien e çmimit “Mujë Krasniqi”. Festivali organizohet nën përkujdesjen e kryetarit të Komunës së Klinës, post të cilin tani e dhjetë vjet e mban Sokol Bashota, bashkëluftëtar i Mujë Krasniqit.

Por, përderisa juria profesionale e festivalit vlerëson rapsodët dhe artistët e tjerë të folklorit dhe ndan çmimin “Mujë Krasniqi”, Zyra e Auditorit të Përgjithshëm auditon financat e Komunës së Klinës, duke përfshirë edhe buxhetin e ndarë për organizimin e festivalit. Më 2014-n, raporti i Auditorit konstaton se 20 mijë eurot e ndara për organizimin e festivalit nuk ishin shpenzuar konform rregullave financiare. Me vendim të kryetarit Bashota, mjetet e festivalit u transferuan në një xhirollogari të veçantë, e cila menaxhohej nga vetë kryetari, kurse vozitësi i tij ishte autorizuar për tërheqjen e parave dhe kryerjen e pagesave. Pothuajse të gjitha shpenzimet ishin paguar me para në dorë dhe nuk ekzistonin dëshmi për pagesat. Për një drekë afër 4 mijë euro nuk kishte faturë fare, ishin shpenzuar mbi 660 litra derivate, kurse ato pak fatura që ishin siguruar datonin me javë apo muaj pas përfundimit të festivalit. Me gjithë vërejtjet e shumta të Auditorit, po ato keqpërdorime ishin përsëritur edhe më 2015-n. Në gusht të vitit 2016, duke u bazuar në gjetjet e Auditorit, Prokuroria e Kosovës ngriti aktakuzë ndaj Sokol Bashotes dhe tre zyrtarëve të tjerë të Komunës së Klinës për keqpërdorim të detyrës zyrtare. Sokol Bashota dhe shumë zyrtarë të tjerë publikë janë përgjegjës për shkrimin e faqeve të zeza të historisë institucionale të Kosovës – ata po shkruajnë një “Libër të zi”. Përderisa rapsodia e Mujë Krasniqit i kushtohej lirisë, rapsodia e zyrtarëve publikë i kushtohet përfitimit material, në dëm të interesit publik.

E këta “Libra të zi” janë në formë të raporteve të Auditorit të Përgjithshëm, të cilat nga viti 2003 na përsëriten në të njëjtën formë e me të njëjtën përmbajtje. Për 14 vjet, pak kush ka dhënë përgjegjësi për paranë publike të keqpërdorur. Ato 20 mijë eurot e keqpërdorura për çdo vit për festivalin “I këndojmë lirisë”, kur bëhen bashkë me keqpërdorimet e tjera në të gjitha institucionet, gjatë gjithë këtyre viteve, arrijnë në miliarda euro të keqpërdorura.

Pikërisht për t’ua vënë një vlerë të përgjithshme keqpërdorimeve totale që identifikohen nga raportet e Auditorit brenda një viti, Instituti GAP duke analizuar të gjitha shpenzimet e parregullta, në të gjitha raportet e auditimit për vitet 2013 dhe 2014, ka gjetur se vlera e shpenzimeve të parregullta arrinte deri në 115 milionë euro në 2013-n dhe deri në 119 milionë euro në 2014-n. Për shkak të kufizimeve buxhetore dhe profesionale, Auditori nuk arrin që të auditojë të gjitha organizatat buxhetore. Për shembull, nga 1.4 miliardë euro shpenzime të buxhetit të shtetit më 2014-n, Auditori i Përgjithshëm ka arritur të auditojë vetëm 869 milionë euro të shpenzuara. Në rast se Auditori do të arrinte që në vitin 2014 të Auditonte të gjitha shpenzimet, atëherë shuma totale e keqpërdorimeve të buxhetit do të ishte shumë më e madhe sesa 119 milionë euro.

Nëse së paku 115 milionë euro shpenzohen në mënyrë joligjore çdo vit, për 14 vjet me radhë, atëherë del se mbi një miliard e gjysmë euro janë shpenzuar në kundërshtim me ligjet në fuqi. Një pjesë e këtyre shpenzimeve është bërë nga mosdija e personave përgjegjës apo gabimet administrative të paqëllimshme. E një pjesë më e madhe e buxhetit keqpërdoret qëllimshëm, apo ajo që tashmë ka hyrë në fjalorin tonë të përditshëm - korrupsion.

Dy javët e fundit, që kur Zyra e Auditorit të Përgjithshëm ka filluar publikimin e raporteve për pasqyrat financiare të audituara për vitin 2016, dhjetëra shkrime e kronika të mediave kanë raportuar mbi gjetjet e auditorit. E keqpërdoruesit e parasë publike vazhdojnë të kryejnë punën që e dinë më së miri – keqpërdorimin, të patrazuar nga organet e gjyqësisë.

Me kalimin e viteve, keqpërdorimet nuk po zvogëlohen, ato vetëm po avancohen. Me kalimin e kohës, edhe toleranca e qytetarëve karshi keqpërdorimeve po rritet. Çdo raport i ri i auditorit, çdo reagim i shoqërisë civile e çdo kronikë e mediave për keqpërdorimin e parasë publike, është vetëm një lajm i zakonshëm, në një ditë të zakonshme në qeverisjen në Kosovë. E faqet e zeza në “Librin e zi” të historisë institucionale të Kosovës vetëm shtohen.