OpEd

Ndëshkimi i politikës së “vendimeve të guximshme”

Kur PDK-ja i pati fituar zgjedhjet më 2007 u pati përgatitur të dilte e para. Pati krijuar paraprakisht qeverinë në hije, e ndërkohë i furnizonte gazetarët me dëshmi për dallavere që i siguronte nga njerëzit e saj “të pavarur” brenda Qeverisë LDK-AAK. Pati përpiluar një program tërheqës që do ta promovonte gjatë fushatës njëmujore. Shtyllat e programit i pati sistemuar ashtu që nuk dukeshin kaotike, por të renditura, të qarta dhe të këndshme për opinionin. Dukej e organizuar dhe e gatshme t’i merrte punët në dorë. Prej atëherë është shquar për poteza të mençur, nëse e shikon nga këndvështrimi i interesit të njerëzve të caktuar brenda partisë. Kryesisht të dëmshëm kanë dalë nëse i sheh me syrin e qytetarit.

Ka qenë ky qarku i saj dhjetëvjeçar kur ka lidhur koalicion me thuajse këdo që ka dashur, e ka rrëzuar qeveri sa herë që i ka konvenuar. Është dekada që e ka futur Kosovën më thellë në korrupsion, në pakënaqësi sociale e paqartësi politike. Jo që s’e ka përmbushur programin e saj të fushatës, por ka abuzuar me të. Me ngritjen e infrastrukturës e ka futur Kosovën në kontratat më të shtrenjta për ndërtimin e rrugëve. Privatizimi ka dalë të jetë procesi ku interesat e përfitimet janë ndërthurur në strukturat më komplekse kriminale nga njerëzit që mbajnë nën kontroll shtyllat kryesore të shtetit. Pozicionimi politik karshi Serbisë dhe BE-së ka bërë që Kosova të humbë subjektivitet e të kushtëzohet në format më nënçmuese për një shtet.

Edhe pse nuk ka nisur me PDK-në, ajo i ka avancuar format e keqpërdorimit, ndërkohë që ka përvetësuar edhe termin “vendim i guximshëm” për koncesionet e dëmshme politike, të cilat do t’i siguronin përkrahje ndërkombëtare që do të ndikonte që t’i zgjatej jeta në pushtet. Ka futur në funksion çdo mjet për të mbajtur primatin, ka akomoduar ose bërë për vete njerëz në çdo institucion e agjenci, në biznese, në universitete e spitale. Ka lëshuar rrënjët e një garniture interesi më shumë sesa të një partie. Ka manovruar në situata të komplikuara dhe ka përfituar deri më 16 maj, kur paniku ia mori situatën nga dora. Afër mesnatës dorëzoi në KQZ teposhtën e vet me “vendimin e guximshëm” të bashkimit në koalicion parazgjedhor me dy partitë, ndaj të cilave në elektoratin e vet ka ushqyer urrejtje me vite.

Derisa AAK-ja e Nisma, në krahasim me legjislaturën e kaluar, kanë marrë numër përafërsisht të njëjtë të ulëseve në Kuvend, numri i deputetëve të PDK-së gati është përgjysmuar. Për më tepër, koalicioni i “armiqve” s’ka thuajse fare gjasa t’i sigurojë numrat për të formuar Qeverinë.

Ajo që në fillim të vitit 2005 na u pati prezantuar si “vendim i guximshëm” i kryeministrit të atëhershëm Haradinaj për krijimin e komunave serbe me decentralizimin, pasuar më 2015 nga “vendimi i guximshëm” i kryeministrit Thaçit për bashkimin e këtyre komunave në asociacion, u përmbyll këtë vit me “vendimin e guximshëm” të koalicionit parazgjedhor të tyre. Është ky një qark tjetër që në zgjedhjet e qershorit të këtij viti natyrshëm ka çuar kah ndryshimi i hartës politike të Kosovës.

Derisa koalicioni PAN ka hyrë në zgjedhje me një bagazh keqqeverisjeje dhe një bashkim komandantësh, të cilët nuk mund të llogarisin më në letrën e luftës 18 vjet pas përfundimit të saj, koalicioni LAA ka mbledhur parti të devalvuara dhe disa njerëz të rinj të tretur në to. Dy subjekte këto, që gjithçka mund të thonë se përfaqësojnë, përveç shpresës për votuesin. Fakti që edhe sot flasin me mburrje për “votuesin besnik” tregon që nuk kanë vizion; që ende mbështeten në mentalitetin e përkrahjes të një të kaluare të lavdishme dhe jo të një potenciali për të ardhmen. Kur mbështetesh në letrën e luftës që ka përfunduar para 18 vjetësh, apo në politikën pasive të Rugovës të përfunduar madje edhe më herët, do të thotë se nuk ke çka tjetër të ofrosh. Ndërkohë që votuesit, të cilët ende manipulohen nga këto rrëfime, vetëm sa shkojnë duke u pakësuar, qoftë nga kalimi i viteve, qoftë nga ngushtimi i lakut.

Partitë e PAN-it në këto zgjedhje kanë humbur 90 mijë vota. Në zgjedhjet e vitit 2014 bashkërisht kanë marrë rreth 330 mijë vota, e në këto të fundit rreth 240 mijë. Partitë e LAA-së kanë humbur së paku 30 mijë vota. Më 2014, hiç “Alternativën”, kanë marrë rreth 220 mijë, e më 2017 rreth 180 mijë. Në zgjedhjet e kaluara lokale partitë e PAN-it kanë fituar 14 komuna, e në të përgjithshmet e këtij viti kanë dalë të parat në 13 komuna. LAA-ja udhëheq me 11 komuna, e në zgjedhjet e përgjithshme sivjet kanë prirë vetëm në 4.

Ndonëse ka faktorë që e bëjnë të pakrahasueshëm rezultatin e zgjedhjeve lokale me ato të përgjithshme në kuptimin e hartës politike, qershori i këtij viti, megjithatë, e përbën një tregues të ndryshimeve. Është alarm për partitë humbëse, të cilat, sipas të gjitha gjasave, nuk do të hyjnë në thellësinë e problemit brenda vetes për ta zgjidhur atë. Kanë katër muaj, por edhe po të kishin pasur katër vjet, me këtë mentalitet një gjë e tillë nuk do të ndodhte. Për 22 tetor do ta forcojnë retorikën historike për rikthimin e “votuesve besnikë”, do të nxjerrin ndonjë fytyrë të re për ata që kërkojnë alternativë, nuk do të marrin “vendime të guximshme” që do t’i dëmtonte dhe do të përgatisin programe komunale të sojit të atij të 2007-s të PDK-së. Se sa do të përfitojë qytetari pasi ta ketë dhënë votën dihet. Aq sa ka përfituar deri më tash.

Derisa partitë që e kanë shijuar pushtetin kanë dalë humbëse, Lëvizja Vetëvendosje ka dyfishuar votat. Nga afro 100 mijë më 2014, këtë vit ka marrë rreth 200 mijë. Nga një komunë të cilën e ka fituar para katër vjetësh, sivjet në zgjedhjet e përgjithshme ka dalë e para në 10 komuna. Ka dalë të jetë partia që ka mbledhur votat e “votuesve besnikë” të pakënaqur të PAN-it e LAA-së. Të atyre që nuk i kanë prishur votat e veta vetëm që të mos ia japin një partie tjetër. Është partia që ka mbledhur votat e gjeneratave të reja që llogaritet të jenë rreth 70 mijë. Është partia që sivjet, më 2017, dhjetë vjet nga 2007-a, ka përpiluar një program tërheqës që e ka promovuar gjatë fushatës dhjetëditëshe. Shtyllat e programit i ka sistemuar ashtu që nuk janë dukur kaotike, por të renditura, të qarta dhe të këndshme për opinionin.

Se si do të zhvillohen negociatat për krijimin e Qeverisë dhe nëse presidenti do t’ia japë mundësinë ndonjë subjekti tjetër përveç PAN-it të bëjë numrat, pritet të shihet. Por nëse partia fituese (jo subjekti, por partia) do të ngjitet në pushtet, eventualisht me LAA-në, janë dy pika që qytetarin nuk e lënë të jetë i entuziazmuar: përvojat e hidhura të deritashme me (mos)realizimin e zotimeve politike parazgjedhore e të programeve tërheqëse të fushatave, dhe mungesa e kapaciteteve që e pati shquar VV-në kur pati marrë Komunën e Prishtinës. Nëse subjekti fitues (jo partia, por subjekti) ia del që të bëjë për vete ndonjë deputet të LAA-së apo VV-së dhe t’u bëjë oferta të parezistueshme pakicave, do të krijohen institucione jofunksionale, të cilat do të shpërbëhen në momentin kur do t’i konvenojë PDK-së.

brikenda@koha.net