U nisën për në parajsë, përfunduan në ferr

Enver Robelli Enver Robelli 29 qershor 2017 08:12

Më 26 gusht 2015, afër qytezës hungareze Mórahalom, jo larg kufirit me Serbinë, 71 refugjatë u futën në një kamion. Trafikantët u premtuan këtyre të mjerëve se do t'i çonin në Gjermani. Pas pak ata vdiqën në rrethana të llahtarshme - pa ajër dhe pa shans për të dalë nga kamioni, i cili përndryshe transportonte mish pule. Që nga java e kaluar në Kecskemét të Hungarisë po zhvillohet procesi gjyqësor kundër trafikantëve.

Si duket parajsa? Fjalori i Gjuhës Shqipe jep këtë shpjegim: «vend shumë i bukur në qiell, ku gjoja jetojnë në lumturi shpirtrat e të vdekurve që nuk kanë bërë mëkate në të gjallë» dhe «vend i bukur dhe i begatë, vend ku mund të jetojë njeriu me të gjitha të mirat, i qetë dhe i lumtur; kushte jetese ose pune shumë të mira, pa asnjë shqetësim e mungesë».

Në vitin 2015, për shumë refugjatë nga Siria, Iraku, Afganistani, Pakistani dhe vende të tjera, parajsa kishte një emër: Gjermani. Brenda pak javësh rreth një milion refugjatë nga këto vende, më së shumti nga Siria, u nisën drejt Gjermanisë përmes asaj që do të hyjë në histori si rruga ballkanike - Turqi, Greqi, Maqedoni, Serbi, Hungari ose Kroaci dhe tutje drejt Austrisë dhe Gjermanisë.

Më 26 gusht 2015, afër qytezës hungareze Mórahalom, jo larg kufirit me Serbinë, 71 refugjatë u futën në një kamion. Trafikantët u premtuan këtyre të mjerëve se do t'i çonin në Gjermani, në parajsën tokësore. Pas pak ata vdiqën në rrethana të llahtarshme - pa ajër dhe pa shans për të dalë nga kamioni, i cili përndryshe transportonte mish pule. Që nga java e kaluar në Kecskemét po zhvillohet procesi gjyqësor kundër trafikantëve.

Si duket ferri? Fjalori i Gjuhës Shqipe jep këtë shpjegim: «vend ku gjoja shpirtrat e të vdekurve mundohen e vuajnë për mëkatet që kanë bërë në të gjallë; skëterrë» dhe «vend ku jetohet shumë keq, me vuajtje e me mundime të padurueshme; gjendja e dikujt që mundohet dhe vuan shumë shpirtërisht».

Çfarë përjetuan 71 refugjatët e ngujuar në kamion ishte ferri mbi tokë. Nga ky ferr ata s'arritën të dilnin. 59 burra, tetë gra dhe katër fëmijë - nga Siria, Iraku, Irani dhe Afganistani. «Nëse vdesin, shkarkoni në një mal në Gjermani», thotë një zë i një trafikanti. Ai këto fjalë ia thotë shoferit të kamionit, siç dëshmojnë protokollet e përgjimit nga policia hungareze, të cilat së fundi i kanë publikuar mediat gjermane. Dhjetë të dyshuar për kryerjen e këtij krimi gjenden në paraburgim, një është në arrati. Katër të akuzuarit kryesorë duhet të përgjigjen për vrasje.

Kecskeméti nuk është qytet aq i njohur i Hungarisë, por ky proces gjyqësor do ta bëjë atë të njohur, ndonëse jo në atë mënyrë siç do të dëshironin banorët e tij. Aktakuza prej 59 mijë faqesh me material tregon se ky proces gjyqësor trajton një rast të llahtarshëm nga bota gjithsesi e llahtarshme e trafikimit të qenieve njerëzore. Banda e prirë nga një afgan dhe disa bullgarë dyshohet se ka transportuar 1200 njerëz.

Më 26 gusht 2015, trafikantët i futën në kamion refugjatët dhe nisën të talleshin ose të flisnin me cinizëm mbi «mallin» që po transportonin. Kjo është një copëz e dialogut:

Metodi G.: «Çfarë ndodhi, Ivo?»

Ivajlo S.: «Pa shih njëherë çfarë po bëjnë. Thuaju t'i japin fund atij budallallëku».

Metodi G: «Po trokasin?»

Ivajlo S.: «Te pika e karburantit kanë trokitur shumë. Muta, o zot».

Metodi G: «Qelbësira».

Mjekët e forenzikës në Austri kanë konstatuar se refugjatët mund të kenë vdekur pas një ore e gjysmë deri dy orëve, së pari fëmijët, pastaj të rriturit. Sipas protokollit, Todorov B., njëri nga trafikantët, thotë: «Nuk e di ku mund të ndalemi për të marrë naftë. Çfarë të bëjmë? Këta janë qelbësira». Ndërsa trafikantët bullgarë mendojnë të ndalen diku, shefi i tyre afgan kundërshton me ngulm. Nëse ndalet kamioni, nëse hapen dyert e tij për t'u dhënë pastaj ujë refugjatëve, ata do të kërcejnë dhe do të dalin nga kamioni. 71 veta duke dalë nga një kamion - këtë mund ta vërejë edhe policia hungareze. Kamioni ndalet në një pushimore të autostradës, por trafikantët nuk i hapin dyert e kamionit. Qëllimi ishte që «malli» të sillej në Austri. Fjalët vulgare që trafikantët përdorin kundër refugjatëve nuk i duron as letra, me një gjuhë mizore trafikantët kalkulojnë edhe më të keqen - vdekjen e refugjatëve. Kreu i bandës vazhdimisht thotë se me asnjë kusht nuk duhet të hapen dyert e kamionit.

Për të shkuar në parajsë refugjatët kishin paguar shuma të ndryshme, të cilat pastaj ishin ndarë mes shoferëve të «mallit», trafikantëve dhe shefave të tyre. 1000 deri 1500 euro për shoferët, deri në 5000 për trafikantët. Njëri nga trafikantët thotë: «Nëse trokasin kështu edhe më tutje, do të dëgjohen në kufi (fjala është për kufirin mes Hungarisë dhe Austrisë, v.j.). Atje ka polici. Si t'ia bëjmë?» Në kufi nuk dëgjohet askush, me gjasë të gjithë refugjatët tashmë kanë vdekur pasi me orë të tëra kanë bërtitur, kanë klithur, janë përpjekur të hapnin ndonjë vrimë për të hyrë ajri. Në kufi kamioni nuk kontrollohet fare nga policia dhe vazhdon rrugën. Një trafikant, i cili me një “Audi” shoqëron kamionin e markës “Volvo”, ndalet në kilometrin e 41 të autostradës për në Vjenë. Pas pak aty ndalet edhe kamioni. Shoferi i kamionit zbret dhe bashkë me shoferin e veturës “Audi” ikin nga vendi i ngjarjes.

25 orë më vonë, më 27 gusht, në orën 10:50, kamioni u bie në sy punëtorëve të firmës austriake për mirëmbajtjen e autostradës, pastaj lajmi trondit botën. Pas tragjedisë trafikantët telefonojnë me njëri-tjetrin. Dikush pyet: e di çfarë bëri vaki me ‘Volvon”, gjysma e refugjatëve kanë vdekur. Trafikanti tjetër qesh. Dhe të gjithë së bashku fillojnë të përgatiten për transportin e radhës.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Tjera nga Enver Robelli