OpEd

Shansi i Kosovës

Kosova nuk ka pasur kësi shansi që prej se është bërë e pavarur: që krahu i luftës së bashku me serbët të dalë në opozitë; që Qeveria të funksionojë me numër më të vogël njerëzish dhe që vendimet madhore të merren me konsensusin që e ka zhdukur Thaçi me autokracinë e vet në qeverisje - 10 vjetët e pushtetit të PDK-së na kanë shkatërruar gjithçka që është dashur të shkojë mbarë, sepse e nisëm nga e para

Nesër do të bëhen dy javë që nga mbajtja e zgjedhjeve në Kosovë, e ne ende nuk e dimë se kush do të jenë “përfaqësuesit e popullit”. Ende nuk e dimë as kush zyrtarisht i fitoi zgjedhjet dhe si do t’ia bëjë kryetari shëtitës i Kosovës për t’ia dhënë mandatin dikujt. Kujt, me gjasë po dihet – atyre që realisht dolën humbës sipas rezultateve preliminare, e që herë thonë se i kanë numrat, e herë jo, për ta formuar Qeverinë.

Sido që të jetë, Kosova sërish ngec, për të satën herë, në anën teknike të zgjedhjeve – vërtet po e kam shumë vështirë ta kuptoj se pse është kaq zor të numërohen 700 mijë vota. Po të ishim 7 milionë, sa do të duhej të prisnim? Përfundimisht ky vend ka nevojë edhe për një reformë të thellë zgjedhore, midis shumë reformave që i nevojiten, sepse i gjithë zelli i treguar në ditën e votimit, në fund do të kërcasë si një flluskë, për shkak se kemi dëshmuar edhe me zgjedhje se nuk dimë as të numërojmë.

Haradinaj

Dy javët e shkuara na kaluan duke dëgjuar rrëfimet e politikanëve se kush dhe si do ta formojë Qeverinë. Po fascinon me këmbënguljen e tij Ramush Haradinaj. Ose bëhet kryeministër ose rrotullohet dynjaja.

Atë që kemi tash nga rezultatet preliminare është se për t’u bërë kryeministër, koalicioni i tij patjetër duhet të bëjë koalicion paszgjedhor me ca deputetë të partive të krahut tjetër, si dhe me krejt minoritetet, përfshirë edhe Lista Srpskan – dhe me automatizëm t’u nënshtrohet shantazhit dhe kushteve të serbëve. Këta të fundit qysh tash nuk e mohojnë interesimin që të bëhen me kreun e Kuvendit të Kosovës – që sinqerisht do të ishte njëri nga absurdet më të mëdha që do të mundë të na ndodhte.

Nëse interesi i figurave të PAN-it do të dëshmohet më i madh se ai i Kosovës, do të kemi një qeveri krejt jostabile, që do të jetë afatshkurtër dhe do ta përjetojmë edhe një mocion të mosbesimit – që mbase do të bëjë që 22 tetori të jetë data e dy e jo një palë zgjedhjeve. E këtu fare nuk po e fus në kalkulim çështjen e Gjykatës Speciale.

Mbase edhe ky do të jetë mandati i dytë 100-ditësh i Haradinajt dhe me këtë mbase do të përfundonte karriera e tij politike jo vetëm kryeministrore.

Mustafa

Më në fund e dëgjuam Isa Mustafën. E përsëriti se koalicioni ku bën pjesë partia e tij nuk do të bëjë koalicion me PAN-in për krijimin e Qeverisë. Nuk tha nëse do të mundë t’i ndalte individët nga koalicioni i tij që individualisht ta votojnë Qeverinë eventuale Haradinaj, porse iu kthye zanatit të vjetër prej inatçiu dhe i kritikoi krejt ata që e kritikuan për udhëheqjen e partisë. Për më tepër, i kritikoi ata që guxuan të propozonin emra njerëzish që do të mundë ta merrnin kryesimin e partisë, e cila nën udhëheqjen e tij ka pësuar humbje pas humbjeje – e në zgjedhjet e fundit madje edhe debakël.

Natyrisht se çështja e zgjedhjeve të brendshme në LDK është punë e anëtarësisë së LDK-së. Porse në mungesë të një lideri të vërtetë, që e merr përgjegjësinë për humbjet dhe degradimin e partisë, edhe zgjedhjet e ardhshme që do të ndodhin do të jenë me gjasë kaotike.

Puna me inat i është kthyer Mustafës bumerang. E humbi Qeverinë, i humbi zgjedhjet dhe e afirmoi Vjosa Osmanin, si personin absolutisht më të preferuar të elektoratit të vet. Ajo nuk ka mundur ta marrë asnjë votë nga fletëvotimet që nuk kanë pasur numra kandidatësh të votuar, siç ka mundur t’u ndodhte pesë të parëve në listë. Ka gabuar që e ka izoluar; që nuk e ka lejuar ta kishte kundërkandidate; që e ka kritikuar publikisht – sepse votat për Vjosën treguan se elektorati më shumë i beson asaj sesa Mustafës.

Ky i fundit mund të vazhdojë të shkruajë në FB e të hidhërohet pse njerëzit shprehin mendimin me të cilin ai nuk pajtohet. Porse as postimet në FB e as situata paszgjedhore nuk i japin shumë hapësirë – pos për t’u tërhequr nga partia dhe për t’u lëshuar rrugë të rinjve pa bagazh gabimesh trashanike politike.

Veseli

Heshtja zgjedhore e Veselit zgjati jo 24 orë, por dy javë të plota. Në intervistën që ia dha një portali – e tha se Ramushi do të bëhet kryeministër dhe se koalicioni që do ta lidhë PAN-i do të jetë me parti e jo me individë. E pranoi se koalicioni me AAK-në dhe NISMA-n nuk doli mirë – dhe larg asaj që kishin shpresuar. Porse nuk heq dorë nga krijimi i Qeverisë nga koalicioni ku ka qenë bartës liste – për shkak se mund të shpresojë se do të rizgjidhet kryetar Kuvendi, që sipas targave të regjistrimit të veturave zyrtare e bën zyrtarin e dytë më të lartë në Kosovë. Apo siç do ta quante Nexhat Daci: dyshin.

Dysh, tresh a pesëqindësh, për Kosovën do të ishte shumë me rëndësi që Veseli të mos zgjidhej më kryetar Kuvendi, e edhe hiç se hiç shef Qeverie, nëse Haradinaj huq në rrethin e parë. Sepse logjikisht, sipas interpretimit që do të donte t’ia bënte kryetari Aktgjykimit të Kushtetueses, herën e dytë do të mundë t’ia ofronte mandatin sërish PAN-it, por me kandidat tjetër.

Sjelle kah ta sjellësh, cilido variant që do ta ketë PAN-in dhe Srpskan në Qeveri, është opsioni më i keq i mundur që mund ta ketë Kosova pas këtyre zgjedhjeve. Sepse asnjë gjë nuk do të ndryshojë. Për më tepër, gjithçka do të mundë të shkonte edhe më keq se deri tash.

Kurti

Njeriu më i votuar sipas rezultateve preliminare mund ta ketë shansin për formimin e Qeverisë së re - madje edhe duke e sakrifikuar postin e kryeministrit. Vetëvendosja e ka komoditetin që madje të mbetet në opozitë, si bllokuesja më e madhe e proceseve absurde që kishte nisur Thaçi para shtatë vjetësh. Dhe si e tillë, në zgjedhjet e ardhshme do të korrte fitore edhe më të madhe në numra.

Nga ana tjetër e ka shansin që ta marrë udhëheqjen e Qeverisë në koalicion me LAA-në dhe me minoritetet joserbe. Do të duhej të ishte më shumë çështje pragmatizmi, po qe se do të hiqte dorë nga posti i kryeministrit. I cili post do të mundë t’i takonte ndonjërit nga bashkëpunëtorët e tij të afërm. Kjo për ta siguruar mbështetjen pa hile të LAA-së.

Kurti gjithashtu e ka shansin, me gjasë unikal, që të krijojë jo qeveri teknike në kuptimin e plotë të fjalës. Një qeveri stabile, me numra stabilë në Kuvend, do të përfshinte në përbërje edhe njerëz jopartiakë, por me njohuri të gjerë të fushave përkatëse që do të mundnin seriozisht t’u qaseshin reformave. Natyrisht, do të kishte mundësi që ta zvogëlonte edhe numrin e dikastereve dhe jo domosdo t’i emëronte gjithë ata zëvendësministra, për shkak se duhet paguar dikujt një favor. Zvogëlimi i harmonikës në çfarë na ishte shndërruar Qeveria, do të përçonte një porosi shumë serioze te votuesi – që çështjen e reformës e ka përnjëmend dhe se ajo do të nisë pikërisht nga gjeneratori kryesor i problemeve në Kosovë – klientelizmi qeveritar.

Dhe, edhe nëse do të hiqte dorë, për ndonjë arsye, nga posti i kryeministrit, do të dëshmonte se nuk e ka ambicien e së paku njërit nga kundërkandidatët e tij dhe se dynjaja nuk rrotullohet nëse ai nuk është i pari i Qeverisë.

* * *

Kësi shansi Kosova nuk ka pasur që prej se është bërë e pavarur: që krahu i luftës së bashku me serbët të dalë në opozitë; që Qeveria të funksionojë me numër më të vogël njerëzish, dhe që vendimet madhore të merren me konsensusin që e ka zhdukur Thaçi me autokracinë e vet në qeverisje. Është shansi që prej kohësh e kërkon ky vend – sepse 10 vjetët e pushtetit të PDK-së na kanë shkatërruar gjithçka që është dashur të shkojë mbarë, sepse e nisëm nga e para. Është shansi për daljen në pah të vlerave profesionale që do të nisnin një rrugëtim të mbarë drejt rregullimit të problemeve në arsim, në kulturë, në shëndetësi, në sport, në mjedis, në telekomunikacion, në infrastrukturë e plot, e plot gjëra të tjera që na janë bërë barrë që nuk na lejojnë ta jetojmë një jetë normale. Për shkak se kështu e deshi PDK-ja me në krye Thaçin dhe me të gjithë klanin e tij.

E nëse kjo mundësi nuk do të realizohet, nuk do të jetë vështirë të identifikohen përgjegjësit: PAN-i dhe pushteti të cilin e kanë gllabëruar prej vitesh, me humbjen e të cilit humbin vetëm ata.

flaka@koha.net