Turizëm në qark të mbyllur

Elmaz Isufi Elmaz Isufi 25 qershor 2017 08:00

Vendimi për stacionin e fundit nuk është keq të merret para se të mbërrihet në Milot, aty ku ndahen rrugët - një që çon nga Durrësi deri në Sarandë, e tjetra nga Shëngjini, Velipoja e deri në Ulqin

Pushimet nuk janë më luks e as privilegj i një grupi të caktuar njerëzish. Tregu i hapur dhe komunikimi global kanë bërë që kostoja e të jetuarit për pak ditë jashtë vendit të mos dallojë shumë nga ajo që një individ apo familje shpenzon gjatë qëndrimit në shtëpi. Më shumë se aspekti financiar, sot brengë, edhe e kosovarëve, është mungesa e sigurisë dhe e perspektivës afatgjatë. Presioni i këtyre faktorëve dhe i të tjerëve, jo që po e pengojnë, por po e bëjnë edhe më të fortë nevojën për “terapi” të trupit e të trurit. Dhe, në këtë dramë kolektive, qytetarët e Kosovës mund të ndihen të “bekuar”. Dy vende me potenciale të mëdha turistike, sidomos për pushime të verës, Shqipëria dhe Mali i Zi, i gjenden pranë. Të dyja kanë standard dhe ekonomi që u përgjigjen mundësive reale të shumicës së turistëve. Dilema e vetme e tyre mbetet se cilën ta zgjedhin.

***

Fqinjësia me Shqipërinë dhe Malin e Zi e vërteton thënien e moçme, se një prone i dyfishohet vlera nëse i ka fqinjët e hairit, dhe e kundërta.

Fatkeqësisht, shqiptarët, jo vetëm të Kosovës, historikisht kanë përvoja të këqija me disa nga “komshinjtë”. Asnjëri nga popujt me të cilët rrethohet nuk mbahet mend për dashamirësi, hiç vitet e fundit, kur Kosovës ia kanë njohur Pavarësinë Mali i Zi dhe Maqedonia. Këtë nuk e ka bërë Serbia, që po ashtu na gjendet pranë, e as Greqia e Bosnja, me të cilat nuk kufizohemi, por që për të parën ruajmë kujtesën e bashkëjetesës në ish-Jugosllavi dhe të dytën që, nëse jo me Kosovën, kufizohet me pjesën tjetër të hapësirës shqiptare.

Sado që e dimë edhe ne, e edhe ata, se raportet nuk janë hiç fqinjësore, kemi insistuar dhe vazhdojmë të insistojmë për afërsi, mirëkuptim dhe bashkëpunim. Madje, një nga ambiciet është që në emër të tyre të harrojmë e të falim për çfarë na kanë bërë dhe sa e si i vuajmë ende pasojat.

Përveçse e kemi shumë të intensifikuar bashkëpunimin ekonomik me Serbinë, Maqedoninë, pjesërisht me Malin e Zi e Greqinë, ne kemi prirje edhe për të frekuentuar më shumë se çdo popull tjetër këto vende, për pushime, për shërbime e për tregti. E për çudi, asnjëra nga to nuk na përgjigjet më të njëjtën “monedhë”.

Meqë Serbia vazhdon të jetë e pasigurt për lëvizje të lirë, Maqedonia me ofertë të kufizuar e Greqia me regjim të vizave, kosovarët destinacionet kryesore për udhëtime e turizëm i kanë Shqipërinë, Malin e Zi e pjesërisht Turqinë. Nga kjo e fundit sado që është më larg, kemi përfituar nga marrëdhëniet e mira ndërshtetërore dhe nga heqja e plotë e barrierave kufitare.

Me këtë numër të vogël opsionesh, ky mund të përkufizohet si turizëm pa viza, apo lëvizje e lirë në një qark të vogël e të mbyllur.

* **

Pas zgjedhjeve parlamentare, pushimi veror është tema më e dominuar e fundit të qershorit. Nuk është se zgjedhjet dhe turizmi kanë të përbashkët vetëm aspektin kohor të organizimit të sivjetmë të tyre, por se të dyja bëhen sipas vullnetit e shijes së qytetarëve.

Ashtu si votën, edhe pushimin secili e bën në mënyrën e vet. Edhe preferencat dhe shfrytëzimi i së drejtës për të votuar, apo udhëtuar janë individuale.

Se si vendosën kosovarët më 11 qershor tashmë e dimë, e në diskrecion të secilit individ, familje apo grup shoqëror është edhe nëse ditët në vijim duan t’ia mësyjnë plazhit, malit apo të “trusin” në shtëpi. Prandaj do të ishte “cenim” i së drejtës për “vetëvendosje” po qe se u bëhemi avokat për zgjedhjet e tyre.

Megjithatë, shumicës nga mbi 1 milion turistë, që vendosin të lëvizin brenda apo jashtë vendit, u këshillohet të sillen në mënyrën se si jetojnë pjesën tjetër të vitit. Kjo u garanton më shumë rehati.

Pushimi nuk bëhet sipas ndonjë norme të caktuar. Çdo përpjekje për të imituar pikëpamjet “moderniste” e lëndojnë ndjesinë e të pushuarit pas një viti të lodhshëm dhe stresues. Edhe vendet që vizitohen nuk zgjidhen sipas preferencave apo ato që të “afirmojnë” në kategoritë sociale.

Vizita dhe pushimi, ta zëmë në det, mund të bëhen pranë plazhit duke qenë i strehuar në shtëpi private, mundet edhe në hotel, pse jo edhe në ambient të hapur, në tendë.

Ushqimi nuk duhet të jetë aspekti tjetër vendimtar i zgjedhjes së një vendi, është çështje shije, jo “emancipimi”. As preokupimi se si do të dukem në plazh apo në ndejat e mbrëmjes nuk ishte dashur të të vërë në siklet para dhe gjatë kohës së pushimit. Dikush shkon pranë detit me sandale të shtrenjta, dikush me të lira e që i tërheq zvarrë, e dikush zbathur.

Në plazh dikush e pi lëngun me “pip” e dikush e kthen me grykë të shishes.

Ka të tillë që në orët e para të mëngjesit e pushtojnë plazhin e të tjerë që me bregun e detit shihen veç në orët e pasdites. Ka edhe që shkojnë me vite në të njëjtin vend dhe nuk dinë asgjë për të, përveç emrit të pronarit të shtëpisë apo të hotelit.

Është e drejtë e tyre të jenë kureshtarë e të përfitojnë sa më shumë nga një udhëtim i largët, e po ashtu e drejtë edhe e atyre që duan të jenë shpërfillës dhe të mos e lodhin mendjen për të tilla detaje, si historia e qytetit, traditat e banorëve...

Pra, e rëndësishme është që turistët të ndihen mirë dhe të mos jenë bezdisës për pushues të tjerë. Ngase më shumë se të tjerat improvizime, pushimet i bën të bukura dëshira e atyre që shkojnë. Shije të mirë pushimit i jep edhe mënyra si e organizon dhe e menaxhon atë.

Ata që nuk kanë buxhet të rezervojnë hotele të shtrenjta të tipit të Turqisë, të kujdesen që të përballojnë koston e vendeve fqinje. Vendimi për stacionin e fundit nuk është keq të merret para se të mbërrihet në Milot, aty ku ndahen rrugët - një që të çon nga Durrësi e deri në Sarandë, e tjetra nga Shëngjini, Velipoja e deri në Ulqin.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Tjera nga Elmaz Isufi