OpEd

Opozitë pa kreativitet

Dalja e LDK-së nga seanca, kinse në shenjë proteste se Arben Gashit nuk iu dha fjala për të mbajtur ligjërata rreth rregullave të procedurës, ishte një ikje ashiqare nga votimi i këtij vendimi. Dalja e PDK-së, pas ndërprerjes së seancës dhe një meç boksi në tentativë, s'është tjetër pos përpjekjes me kinse opozitarizëm ta fajësojë pushtetin e tashëm për krejt gabimet dhe dështimet e veta politike në 20 vjetët e fundit

Ta merr mendja se në Kosovë kanë nisur pushimet vjetore. Dy ditë të javës që shkoi qenë pushim i kotë, që të vetmet gjëra të mira që solli në Prishtinë qenë qetësia dhe më pak ndotje nga veturat që nuk dinë të ndalen.

Dy të tjerat që do të vijnë disi nuk kanë rënë të lidhura, porse si njerëz kreativë – në gjithë dembelinë që e shpërfaqim – do t'ia gjejnë çarenë: me siguri të gjithë masivisht do të sëmuren të premten, ashtu që do t'i lidhin katër ditë pushim, vetëm pse munden. Dhe vetëm pse nuk ka kush i ndal.

Kështu, ndërkohë dhe ndërmjet pushimeve, vazhdohet me vizita nëpër varreza dhe mbahet ndonjëherë ndonjë seancë e Kuvendit dhe mbledhja e Qeverisë e rregullt me javë, por me orare të ndryshme – herë paradite, herë pasdite, e herë në mbrëmje.

Lajmi i javës është që programi qeveritar më në fund u miratua. I ka 52 faqe dhe në të janë caktuar plane dhe prioritete në 18 fusha, prej të cilave dy detyra janë përkufizuar si prioritare: ardhja urgjente e vaksinave dhe vaksinimi i 60% të grupmoshave që duhen vaksinuar deri në fund të vitit 2021. Prioriteti i dytë është ringjallja ekonomike. Nga rimëkëmbja e dështuar dolëm te termi ringjallje – mbase më i sakti për ta përshkruar gjendjen përtokë a nëntokë të ekonomisë së Kosovës.

Sektori privat ende rri në pritje të ndonjë përkrahjeje që do të mund të vinte nga buxheti, duke funksionuar me frikën se nesër administrata tatimore do të mund t'ia bllokonte llogarinë kujtdo që nuk arrin t'i kryejë obligimet ndaj shtetit me kohë. Dhe, për hap të parë, Qeveria vendos për rritjen e pagës minimale si dhe të pragut të tatimit, ashtu që njerëzit me të ardhura të ulëta të kenë më shumë para për të shpenzuar.

Nuk e di ende se çfarë efekti do të ketë kjo, po qe se ka edhe pagesa të tjera të sistemit që lidhen për rrogën minimale – të cilën uroj ta kanë bërë një, pa bërë dallime në moshën e të punësuarit/punësuarës.

* * *

Para se të mbahej seanca e Kuvendit ku u miratua një vendim që autorizonte shpenzimin e 11 milionë eurove për ta mbuluar konsumin e rrymës në veri, Ministria e Drejtësisë e bëri një hap shumë të mirë me publikimin e shumave të të hollave që u janë ndarë avokatëve të huaj të angazhuar nga personat që mbahen nën arrest në Hagë.

Edhe pse vetëm në fillim të procedurave, tashmë dihet se nga buxheti i shtetit do të dalin 1.5 milionë euro për t'i paguar avokatët e të shtatë të akuzuarve që mbahen në Hagë që nga tetori, përkatësisht nëntori i vjetëm. Deri tash, më së shumti është paguar avokati i Gucatit, 300 mijë euro, e më së paku ai i Veselit, 30 mijë euro.

Nga shifrat e prezantuara nuk dihet në fakt po qe se ky është çmimi përfundimtar, edhe pse dyshoj se është. Avokatët e huaj punojnë me tarifa të larta ndërkombëtare dhe njëmend shtrohet pyetja po qe se shteti mund ta mbajë një ritëm të këtillë, posaçërisht duke e pasur parasysh situatën me pandeminë në Kosovë. Nga ana tjetër, shtrohet pyetja nëse kjo përkrahje financiare ndaj cilitdo të akuzuar ka logjikë të shkojë përtej një tavani që do të duhej caktuar, sidomos duke e pasur parasysh se të gjithë kanë të drejtë në angazhimin e avokatëve sipas detyrës zyrtare.

Sido që të jetë, ajo që mbetet e paqartë është se edhe sa para të tjera u shpenzuan për Hagën në kohën sa kryeministër ishte Haradinaj, ngase ka vendime që i ka nënshkruar ai, por që ende nuk janë deklasifikuar. E do të duhej deklasifikuar, sepse nuk ka përse të mbahen të fshehta detajet e lidhura për shpenzimin e parave të buxhetit.

* * *

Pra, duke iu kthyer buxhetit, të enjten u mor vendimi nga Kuvendi, me votat e Vetëvendosjes pa opozitën dhe pa pakicën serbe, që t'i miratohen 11 milionë KOSTT-it për t'i mbuluar kostot e harxhimit të rrymës në veri.

Opozita natyrisht se e kritikoi këtë vendim. Dhe në fakt ka shumë arsye që edhe popullata t'i kritikojë vendimet që i kanë marrë të gjitha qeveritë deri tash, që nga paratë tona të kompensohet furnizimi i veriut me rrymë. Pra, 20 e kusur vjet, një pjesë e popullsisë së Kosovës nuk e ka paguar asnjë cent për rrymën. Deri në vitin 2017 e kemi bërë ne qytetarët, që e kemi paguar rrymën me rregull për ta, e më pas e ka paguar shteti, nëpërmjet KOSTT-it.

Këta 11 milionë janë të mëdhenj dhe në parim nuk është dashur të paguheshin. Është dashur të procedohej tutje në zgjedhjen e anëtarëve të rinj të ZRRE-së, që obligimin për mbulimin e këtyre humbjeve do t'ia kthenin adresës së duhur: KEDS/KESCOS, distribucionit që u shit për 26.3 milionë, me gjithë faljen e katër hidrocentraleve dhe me një kontratë që nuk e mbaj mend të jetë bërë publike.

Nuk i kam të njohura çështjet e pagesës së rrymës tranzite, as të detyrimeve ndaj Rrjetit Evropian të Bartjes së Energjisë – prandaj nuk e di nëse nuk ka pasur opsion tjetër të zgjidhej ky problem akut. Atë që e di është se është trajtimi i qytetarëve karshi detyrimeve për ta paguar rrymën është diskriminues dhe do të duhej të shërbente si bazë e fuqishme për ta paditur shtetin dhe për të kërkuar dëmshpërblim. Kjo për shkak se me vite të sundimit PDK-LDK-AAK-partitë e vogla, na janë marrë paratë pa na treguar se po paguanim edhe për veriun. E edhe tash na u morën 11 milionë nga buxheti.

Pra, përderisa arsye për hidhërim kemi që të gjithë, posaçërisht qytetarët, janë për cirk reagimet e partive aktuale opozitare, që janë shkaktarët kryesorë të këtij problemi. Përderisa distribucioni është shitur në kohën e Thaçit, ZRRE-ja përherë ka qenë duke u udhëhequr nga një bord politik, ku anëtarët emëroheshin nga partitë në pushtet. Bordi i 2017-s, i përbërë nga njerëzit e PDK-së dhe LDK-së, e kishte detyruar me kushte të licencës KOSTT-in që ta merrte barrën e humbjeve në veri.

Pra, dalja e LDK-së nga seanca, kinse në shenjë proteste se Arben Gashit nuk iu dha fjala për të mbajtur ligjërata rreth rregullave të procedurës, ishte një ikje ashiqare nga votimi i këtij vendimi. Po të kishin mbetur në sallë, e nuk do të votonin, do të mund të akuzoheshin se nuk janë boll proamerikanë, e po qe se do të votonin nuk do të kishin pasur tash brumë për kritika. Po të abstenonin do ta shpërfaqnin një oportunizëm që nuk u është i huaj në veprimin e tyre politik.

Dalja e PDK-së, pas ndërprerjes së seancës dhe një meç boksi në tentativë, s'është tjetër pos përpjekjes me kinse opozitarizëm ta fajësojë pushtetin e tashëm për krejt gabimet dhe dështimet e veta politike në 20 vjetët e fundit. Madje, imitimi skajshmërisht i zbehtë i veprimeve të dikurshme të VV-së dëshmon mungesë absolute kreativiteti. Dhe pafuqie politike.

* * *

Rrëfimi i kësaj jave përfundon me sekuencën kush o' ma i forti në Kuvend, pas ndërprerjes së seancës së pardjeshme.

E tëra nisi me kritikat që deputetët e PDK-së ia bënë ministres së Jashtme, Donika Gërvalla, në lidhje me deklaratat që i kishte bërë më moti në lidhje me Specialen, ndaj të cilave kjo u përgjigj me një konstatim: "Gjykata Speciale nuk është e instaluar nga Serbia, Gjykata Speciale në Hagë është e instaluar nga ju. Pse është e instaluar nga ju, jo vetëm që nuk e keni luftuar, por nuk keni ndërmarrë asgjë për gjykimin e dënimin e krimeve. Gjykata Speciale nuk ka pikur nga qielli, ju e dini shumë mirë se si është krijuar Gjykata Speciale. Ju, pikërisht ju, jeni përgjegjës që prijësit tuaj ndodhen në Hagë". Pas kësaj deklarate, Abelard Tahiri e ofendoi Gërvallën dhe publikisht kërkoi shkarkimin e saj.

Në dalje e sipër nga salla e seancave, Memli Krasniqi u fjalos me Gërvallën, së cilës i doli në mbrojtje Faton Peci, ministri i Bujqësisë, për t'u krijuar një lëmsh se kush shtyhet më shumë edhe me fjalë, edhe me duar, mundësisht edhe me boksa.

Rolin e gjyqtares në ring e mori Saranda Bogujevci, së cilës i dolën në ndihmë Mimoza Kusari dhe Blerta Deliu, që përpiqeshin t'i përmbanin deputetët nga maskarallëqet dhe disi ia dolën të shpërndaheshin. Për turp.

Porse faktet tregojnë se PDK-ja, LDK-ja, plus minoritetet, e kanë votuar themelimin e Gjykatës Speciale. Procesverbali i votimit tregon se për Specialen kanë votuar, ndër të tjerë, edhe Enver Hoxhaj e edhe Hajdar Beqaj që e shkaktoi tollovinë më të madhe në Kuvend. Në këto kushte, e vetmja që edhe do të kishte të drejtë morale për të kritikuar është Ganimete Musliu – e cila atëherë kishte votuar kundër, me gjithë fushatën që e pati bërë vetë Thaçi për t'i bindur deputetët e vet që ta votonin Specialen.

Ajo që u pa të enjten qe një shfaqje e keqe, jokreative dhe e pambështetur në diçka të qëndrueshme. Mund të jetë bazë për vazhdimin e organizimit të vendosjes së posterave e madje edhe organizimin e protestave për çfarëdo arsye, porse një gjë PDK-ja do ta ketë shumë vështirë ta bëjë: ta heqë nga vetja njollën e madhe sa Kosova për krejt dështimet dhe keqqeverisjen që e ka bërë në këto dy dekada. E kjo njollë nuk hiqet me muskuj në Kuvend.

flaka@koha.net