OpEd

1 Maji pandemik

Qeveria, pavarësisht nëse e mbërrin ose jo përfshirjen e opozitës në ndonjë trup koordinues për dialogun, nuk do të duhej të shkonte në Bruksel, siç u veprua në të kaluarën, me duar në xhepa. Ndërkohë, Evropa e edhe të gjithë ata që insistojnë se dialogu duhet të nisë menjëherë dhe pa kushte, duhet ta kenë parasysh se Kosova ballafaqohet me pandeminë më keq se cilido shtet i rajonit, për shkak se nuk ka vaksina. Ky është prioriteti numër një. Të tjerave u vjen radha.

Sot është 1 maji. Në krejt botën, po të mos ishte pandemia, njerëzit do të dilnin të protestonin për të drejtat e punëtorëve.

Në Kosovë, për shkak të pandemisë, mbase nuk do të lejohet grumbullimi masiv në Gërmi e besa edhe ndezja tradicionale (e nuk e di pse është bërë tradicionale) e gomave, ndotëse masive të ajrit. Kjo për shkak se në Kosovë ka minimum 20 vjet se nuk protestohet e as nuk marshohet për 1 Majin. Thuajse ky vend nuk ka as papunësi e as problem me të drejtat e punëtorëve.

Sidoqoftë, për mua, dita e sotme i shënon 35 vjet stazh pune. Po të ishte ligji i ish-shtetit ende në fuqi, do ta plotësoja kushtin opsional për pensionim qysh tash. Me këtë dinamikë pune e jete, po konstatoj se është herët për pensionim, pra edhe po vazhdoj tutje.

E për ta përfunduar me 1 Majin - kjo festë, e edhe ajo e nesërmja (Pashkët ortodokse) edhe njëherë e qesin në pah absurditetin e Ligjit për festat publike në Kosovë. E para, se kemi shumë festa zyrtare (11) dhe e dyta, se bartja e ditëve të pushimit po qe se këto bien në ditë fundjave nuk kanë ama bash kurrfarë kuptimi. Kështu, të hënën, më datën 3, do të kremtohet 1 Maji e të martën do të kremtohet 2 maji i Pashkëve të sivjetme ortodokse. Pa harruar të cekim se edhe me datën 10 do ta festojmë 9 Majin, Ditën e Evropës, që vetëm Kosova në të gjithë rruzullin e ka festë shtetërore.

Shembull tipik i një shoqërie dembele që prioritet të fundit e ka punën. Është e qartë, pra, se përse askush nuk proteston më 1 Maj.

* * *

Javën e shënuan dy ngjarje. E para, publikimi i një non-paper-i që kishte ardhur në adresë të KOHËS, për të cilin thuhej se kishte autorësi gjermano-franceze. KOHA nuk pati mundësinë të konfirmonte po qe se autorësia ishte e vërtetë ose jo. Të nesërmen pas publikimit, të dy ambasadat, gjermane dhe franceze, e mohuan autorësinë. E, megjithatë, përmbajtja e saj zgjoi shumë debat dhe reagime. Sepse ajo që parashihej në të, po qe se përfaqëson qëndrimin e ndonjë shteti perëndimor apo edhe të dikujt të afërt me vendimmarrësit në BE, paraqet një dokument të keq për Kosovën, që duhet diskualifikuar menjëherë.

Autonomia e veriut dhe eksterritorialiteti i Kishës Ortodokse Serbe janë vetëm dy elemente të këtij dokumenti që e cungojnë edhe më tej e edhe më thellë sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës. Dhe, siç do ta thoshte në analizën e tij të shkëlqyeshme, profesori gjerman Marc Weller: "Nëse dokumenti vjen nga diku tjetër, e jo Qeveria në Beograd, atëherë dukja e tij do të ishte njëmend shqetësuese. Arsyeja është e thjeshtë – duket sikur të ishte përgatitur nga kabineti i presidentit Aleksandar Vuçiq. Nëse kjo njëmend e përfaqëson qasjen e një prej sponzorizuesve kryesorë në procesin e dialogut, atëherë Kosova do të duhet të ketë kujdes. Natyrisht, dokumenti mund të mos jetë propozim serioz për pikat bazë të secilës negociatë midis Kosovës dhe Serbisë. Në vend të kësaj, mund të jetë synuar si mashtrim për ta nxitur të veprojë qeverinë e porsazgjedhur të kryeministrit Albin Kurti".

Fatmirësisht që Kosova ende ka miq që janë të gatshëm të ndihmojnë edhe me propozime të matura dhe të analizuara mirë. Pas këtij dokumenti, Welleri i përgatiti edhe dy të tjerë: një për atë se si do të duken parimet negociuese të palës kosovare dhe i dyti për atë se me çfarë do të mund të ballafaqohet ekipi kosovar i negociatave kur të rinisë procesi i normalizimit - ku në formë plastike, profesori i përshkruan edhe gabimet e bëra që kanë lënë pasoja dhe udhëzon se çfarë dhe si tutje. Më e rëndësishmja në këto dokumente është përfundimi se Kosova nuk ka më hapësirë për ta bërë asnjë koncesion. Pikë.

Se çfarë do të ndodhë me dialogun dhe si do të organizohet Kosova kësaj radhe, mbetet të shihet. Një vendim i Kushtetueses nuk lejon delegimin e kësaj çështjeje nga ana e kryeministrit, ndërkohë që Kosova aktualisht ka kryetare shteti me kompetenca në politikë të Jashtme; kryeministrin, me po kësi kompetenca; ministren e Jashtme, titulli i së cilës flet vetvetiu dhe një zëvendëskryeministër të ngarkuar me dialogun. Pra, përbrenda këtyre dy institucioneve fillimisht duhet bashkërenditje.

E më pas duhet edhe të koordinohen edhe me partitë opozitare, gjithsesi, jo sikurse ka ndodhur në të kaluarën. Nëse për asgjë tjetër, atëherë për t'i ndalur deklaratat e kota të stilit të Enver Hoxhajt, i cili e akuzon Kurtin se do ta negociojë autonominë e serbëve në veri, edhe pse ai e di shumë mirë se Marrëveshjen "historike" të Brukselit më 2013 e kishte nënshkruar ish-shefi i tij, Hashim Thaçi, kur Hoxhaj kishte qenë ministër i Jashtëm i Kosovës. Pra, njeriu që do të duhej ta kishte këshilluar që të mos e qiste nënshkrimin në atë dokument të dëmshëm.

E, në lidhje me çështjen e negociatave, lidhet edhe vizita e parë e Kurtit në BE gjatë javës që shkoi. Shumë takime dhe një refuzim: që të merrte pjesë në takim me Vuçiqin dikur në javën e dytë të majit që ishte caktuar, thuajse krye më vete, nga Borrelli. Kurti nuk e kishte konfirmuar pjesëmarrjen në atë takim para se të nisej në Bruksel dhe në kryeqytetin e Evropës u tha nikoqirëve se nuk do të vinte.

Dhe bëri mirë. E para, për t'u treguar atyre se takimet do të duheshin mbajtur mes palëve të barabarta që pyeten edhe për orare takimesh. E dyta, për shkak se dialogu nuk është send në të cilin duhet hyrë papërgatitur, siç është vepruar paraprakisht që nga viti 2011.

Kjo Qeveri, pavarësisht nëse e mbërrin ose jo përfshirjen e opozitës në ndonjë trup koordinues për dialogun, nuk do të duhej të shkonte në Bruksel, siç u veprua në të kaluarën, me duar në xhepa. Por, do të duhej të kishte edhe strategji, edhe – përfundimisht – vija të kuqe që nuk mund të lëvizin sa herë dikujt i bie ndërmend se mundet.

Edhe Evropa e edhe të gjithë ata që insistojnë se dialogu duhet të nisë menjëherë dhe pa kushte, duhet ta kenë parasysh se Kosova ballafaqohet me pandeminë më keq se cilido shtet i rajonit, për shkak se nuk ka vaksina.

* * *

E vaksinat janë duke u premtuar prej kohësh se do të vijnë në këtë apo atë datë, por përherë në numra të pamjaftueshëm.

Edhe fushatat e politikanëve të caktuar se kinse mund t'i sigurojnë me miliona vaksina e bartin një rrezik shumë të madh prapa vetes: Kosova mund të bjerë pre e mashtruesve, siç kishte ndodhur në Meksikë e Poloni. Në këto dy shtete, "vaksinat" dolën të ishin fals, madje në Poloni ishin material që përdorej për eliminimin e rrudhave të lëkurës.

Një raport më i mirë me publikun nga Ministria e Shëndetësisë do të duhej shpjeguar se vetëm shtetet/qeveritë mund të blejnë vaksina drejtpërdrejt nga prodhuesit, e jo tyxharët që tash e shohin rastin për të mashtruar dhe për t'u pasuruar në krah të një situate që paraqet rrezik për jetën e shumëkujt.

Ky raport me publikun do të duhej të tregonte edhe transparencën tjetër: lidhjen e kontratave (nëse janë bërë); sasinë e vaksinave të kontraktuara (çmimi mbetet konfidencial) dhe afatet e liferimit sipas premtimit të prodhuesit, e jo sipas listës sonë të dëshirave.

Kjo do t’u jepte shumë më tepër siguri gjithë atyre që – për dallim nga rreth 10 mijë profesionistë shëndetësorë në Kosovë që ngurruan të vaksinoheshin – duan ta marrin vaksinën e të mos kenë punë më me këtë virus.

Se sa me rëndësi është marrja e vaksinës, madje të kësaj të Astra Zenecas, është se në Britani vlerësohet se nga janari janë parandaluar 10 mijë vdekje. Kjo vaksinë dhe parandalimi i përhapjes së sëmundjes nëpërmjet saj bënë që pardje në Britani të regjistroheshin 2200 raste dhe 22 vdekje (Britania i ka 67 milionë banorë, vetëm sa për informatë).

Pra, të gjithë do të duhej të kuptonin se Kosova momentalisht i ka dy urgjenca: shëndetin dhe ekonominë. Tjerave u vjen rendi.

* * *

1 Maji të bën të mendosh edhe më shumë se sa nevojë të madhe ka ky vend ta tejkalojë pandeminë. Për shkak të saj janë humbur shumë vende pune dhe janë krijuar borxhe milionëshe të ndërsjella ndërmjet subjekteve që afarojnë në Kosovë dhe ndaj shtetit.

Sa më shumë të zgjasë pandemia, aq më shumë do të rritet edhe informaliteti në ekonomi. E kjo me automatizëm nënkupton edhe më shumë shkelje të të drejtave të punëtorëve, për shkak se të punësuarit pa kontrata nuk gëzojnë asnjë mbrojtje.

Dhe sa më shumë të zgjasë kjo pandemi, aq më të pamarrun vesh do të tregohemi, sepse e kemi zakon. Në mungesë masave më restriktive, e sidomos në mungesë të disiplinës për respektimin e masave, pas dy javësh do t'i shohim sërish pasojat e ngarendjes masive të qytetarëve tanë jashtë shtetit, vetëm për shkak se një Ligj i festave zyrtare ta mundëson të pushosh katër ditë varg, kot së koti. Dhe kjo në kohën kur Kosova shënon 105.188 raste të të infektuarve dhe 2.173 të vdekur. Javën e fundit, mesatarisht, nga 7 vdekje në ditë. Shumë.

flaka@koha.net