OpEd

Europa zdaj, zotëri Jansha!

Ka pak rëndësi nëse z. Janez Jansha, kryetar i Qeverisë së Sllovenisë, është hartuesi i “non-paperit” famëkeq, për të cilin po gumëzhihet nëpër mediat rajonale apo është vetëm postieri që na sjell lajme shumë të shëmtuara ose, nëse krejt këtë, të mos e përjashtojmë edhe këtë si opsion, dikush tjetër ia ka imponuar... Përmbajtja e këtij “dokumenti që nuk është dokument” e paralajmëron një spirale të re të telasheve historike, shpërbërjeve dhe prapangecjeve civilizuese në territoret tona

Është vështirë, përnjëmend, t’i përmbahesh ndjenjës se “non-paperi” rreth ripërcaktimit të vijave kufitare, eliminimit apo krijimit të shteteve të reja në Ballkanin Perëndimor, përmbajtja autentike e të cilit, sipas të gjitha gjasave, është bërë e ditur para dy apo tri ditësh, paraqet përmbledhjen më të keqe të mundshme për të ardhmen e afërt të Ballkanit Perëndimor.

Ata që e konceptuan dhe e lansuan këtë dokument – dhe përshtypje jona është se kryeministri slloven, Janez Jansha, me apo pa qëllim, është aty njëfarë zyrtari i PR-it, i cili e njofton fqinjësinë ballkanase se çfarë mendohet për to në adresa zyrtarisht të panjohura, por pak a shumë të kuptueshme, njëra prej të cilave është në fqinjësinë tonë (për disa në fqinjësi të menjëhershme, për të tjerët në afërsi e për të tretët, vetëm afër) – nuk e çajnë fort kokën për asnjërin prej standardeve evropiane, vlerave, kushteve dhe procedurave për maratonën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Nuk ka aty asgjë prej asaj “shtegu në dritë të së ardhmes”. Forca brutale që duhet t’i shkelë edhe më brutalisht të gjitha agjendat, “regatat” dhe parimet e tjera të vjetra dhe të reja, strategjitë dhe teknikat, me të cilat në gjithë Ballkanin, por edhe tek ne, optimistët “evropianët dhe intelektualët” – me pak a shumë sinqeritet dhe shkathtësi – janë marrë gjatë gjithë këtyre viteve.

Recetë për kaos

Në vend të “stabilizimit dhe përbashkimit” dhe platformave apo projeksioneve të tjera afatgjate, të gjitha prej të cilave, pa përjashtim, kanë nënkuptuar që shtetet e krijuara apo që kanë përtërirë/rikthyer shtetësitë e tyre që pas shpërbërjes tragjike të Jugosllavisë të përfshihen në shoqërinë evropiane, si bashkësi multietnike dhe qytetare, e kemi fituar një recetë të re\të vjetër për edhe një shpërbërje dhe kaos ballkanik.

“Non-paperi” i eliminon vlerat dhe arsyet evropiane, pa fije dhembshurie. Vizatimi i kufijve të rinj që e ndjekin logjikën e përkatësisë etnike-fetare, nuk ka dhe nuk mund të ketë kuptim tjetër.

Mjerisht, nuk e teprojnë aspak ata, së cilëve kjo copëz letër pa nënshkrim, e për të cilën të paktën (besojmë se) e dimë se kush na e sjellë – u ka asociuar me luftë. Kanë të drejtë, pa marrë parasysh se prej cilës anë vijnë dhe cilado u qofshin motivimet, që publikisht ta shqiptojnë këtë fjalë. Luftë!

Nuk do të duhej të harronim – idetë dhe projektimet e tilla nuk janë të reja. Si rikujtim për to nuk do të duhej të gërmonim në të shkuarën e thellë ballkanike, nëpër të cilën, edhe ashtu, gjithçka mund të gjendet, kudo që të preknit me gisht.

Bisedimet në prapavijë

Qysh dy apo tre vjet më parë, shumëkush në Ballkanin Perëndimor, por edhe në qarqet analitike dhe diplomatike evropiane amerikane, po vrojtonte shqetësueshëm dhe po mundohej të zbërthente se për çfarë saktë dhe, në fakt, si po negocionin presidenti i dikurshëm i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe bashkëbiseduesi i tij nga Serbia, Aleksandar Vuçiq, me apo pa pjesëmarrjen dhe koordinimin e zonjës Federica Mogherini, përfaqësuese e dikurshme e lartë e BE-se për Politika të Jashtme dhe Siguri. Aty kanë mbetur mëdyshje të shumta dhe është shfaqur paralajmërimi shqetësues për “korrektimin e kufijve” dhe “shkëmbimin e drejt të territoreve”.

Largimi i administratës së Donald Trumpit – në emër të të cilit, ambasadori Richard Grenell, e kishte marrë rolin e “eminencës gri” për rregullimin e hesapeve ballkanase “duke i rënë trup”, gjë kjo që, as në rrafshin publik, nuk e përjashton opsionin e ndryshimit të kufijve, në atë që edhe mikun tonë të kahershëm, Miroslav Lajçak, e linte në plan të dytë dhe i margjinalizonte përpjekjet e tija për një dialog të dobishëm të Beogradit dhe Prishtinës – për një çast i qartësoi gjërat. Dukej sikur konceptet, të cilat i nënkuptojnë përcaktimet e reja territoriale, nuk mund më të jenë në rendin ballkanas të ditës.

Pasi që jemi kthyer në pikën, në të cilën përsëri po vizatohen hartat, duhet thënë qartë, derisa ka ende kohë: konflikti i ri ballkanas, tani i zgjeruar edhe në Shqipëri, do të mund të ishte një opsion i perceptueshëm po qe se niset me ndarjen dhe shkëmbimin e territoreve, gjë kjo që, sipas recetës që e sugjerojnë autorët apo porositësit e këtij dokumenti jozyrtar, i kënaq orekset e atyre që gjatë viteve të fundit, me projeksionet gjeopolitike Trump-Putin, i kanë ushqyer projektet shtetmadhore dhe revanshiste.

Dy viktima

Pra, letra që nuk është dokument zyrtar, gjë kjo që e bën edhe më të rrezikshme, i projekton – mes shteteve ekzistuese të rajonit tonë – dy viktima të menjëhershme.

E para, e shpallur krejt qartë dhe pa dredhi, është Bosnjë-Hercegovina. Kjo gjë edhe në vetë hartën e paraqitur është vizatuar qartësisht. Këtë “gjarpërisht” e kemi parë edhe më herët.

Korniza e jashtme e Marrëveshjes së Daytonit, e cila të gjithëve na ka lënë në fqinjësi një shtet të përçarë dhe jofunksional, ku janë lejuar që të mbizotërojnë dhe mbijetojnë ato forca politike dhe parti, ide dhe programe që nxisin lufte (le të mos ketë hamendësime: para së gjithash dhe dominueshëm, ajo që sot qendër ka Banjallukën, e shpinë Beogradin ndërsa është larg Moskës), dhe të cilin – kjo kornizë – e ka mbajtur, pak a shumë, të përmbledhur Bosnjë-Hercegovinën e munduar dhe të plagosur, tani duhet që të eliminohet.

Nuk duhet të ekzistojë BH-ja, pra, “ngase popujt nuk mund të bashkëjetojnë”. E nëse nuk munden në Bosnjë-Hercegovinë, pse do të duhej dhe si do mund të bashkëjetonin me njëri-tjetrin me nga pesëdhjetë apo qindra kilometra përtej vijës së kufirit të shtetit, që duhet edhe përfundimisht të shkatërrohet?

Pasi që përgjigjja edhe për këtë pyetje ishte retorikisht e qartë më 1995 në Deyton të Ohios, është kristal e qartë edhe sot: “nuk munden dhe nuk do të duhej!”. Modeli, të cilin Brukseli dhe Washingtoni e promovuan gjatë këtyre viteve dhe dekadave, nën presionin dhe tolerimin e Moskës, pas regresit gjatë administratës Trump, tani duhet që, sipas “non-paperit” të nënshkruar, të braktiset në mënyrë definitive. Në përkthim: disfatë për Ballkanin, por edhe për aleancën euroatlantike. Gjë kjo që trupthi na shpie drejt kurbanit të dytë të këtij projektimi antievropian.

Po, ashtu është: Mali i Zi është dobia logjike kolaterale për dy nacionalizma, të cilëve “non-paperi” ua jep hisenë e luanit të kësaj, deri më tani, festë nacionaliste ende në letër në Ballkan.

Deklarimi i përsëritur dhe i potencuar disa herë i presidentit serb, Vuçiq, derisa po vazhdonin bisedimet gjysmësekrete me homologun e tij kosovar, Thaçi – “që përfundimisht të përcaktohen kufijtë me shqiptarët” – tani po e fiton kuptimin e plotë. (Ju lutem vini re: pra, jo me Kosovën apo, akoma më keq, me Shqipërinë, sepse ky përcaktim ka marrë fund më 1913, por “me shqiptarët!”). Kjo nuk ka nënkuptuar, dhe as sot nuk nënkupton, siç rëndom është interpretuar, se duhet ndarë “përgjithmonë” vetëm Kosova – manastiret të mbeten në atë pjesë ku nuk ka minierë të ”Trepçës”, nëse na lejoni që t’ju rikujtojmë për ato fakte dhe krahasime gjeografiko-kulturore-ekonomike – porse duhet caktuar kufij edhe me të gjitha territoret ku jetojnë shqiptarët. Me këtë, meqë ra fjala, me gjithë shpërbërjen e Malit të Zi, po copëtohet edhe Maqedonia Veriore, e edhe Serbia jugore (pra, Lugina e Preshevës).

“Zhvendosjet humane”

Historia na mëson se bashkë me ndryshimin e kufijve dhe shkëmbimin e territoreve shkojnë edhe “zhvendosjet” masive dhe eksodet e banorëve, nga të gjitha anët, për “ndryshimin e vendeve të banimit” të të cilëve do të bëheshin të pashmangshëm (edhe) nja dy-tri gjenocide “ rastësore”.

Kjo ngase, siç veçse shkon kjo punë: ndërmarrjet e mëdha kriminale janë pasojë logjike e projektimeve nacionaliste.

Me këtë vijmë në fundin e këtij skenari të kobshëm, kthimin në realitetin e zymtë, në të cilin kryeministri i vendit anëtar, që është kryesues i radhës i BE-së, ka lidhje të çfarëdoshme me idetë që janë në bërthamën saj dhe kësisoj lehtësisht i supozojmë pasojat – thellësisht dhe përfundimisht antievropiane. (Të mos ketë dilema: Janez Jansha, edhe më tutje, mundet që krejt këto, thjesht dhe direkt, t’i mohojë e t’i dënojë. Ai ose, pa dyshim, është protagonist, ose është viktimë e diversionit diplomatik të dikujt. Që të dyja bashkë nuk mund të jenë).

Është kapitull më vete, në gjithë këtë muhabet, se çfarë ky dokument jozyrtar, i ndërlidhur me figurën dhe veprën e kryeministrit slloven, nënkupton për Slloveninë, me rastin e obligimit dhe përgjegjësisë së saj pasuese gjysmëvjeçare në BE, si kryesuese. Se me sa besim dhe entuziazëm – si Sllovenia ashtu edhe diplomacitë e vendeve anëtare – do të merret me Ballkanin Perëndimor që prej 1 korrikut e deri në fund të këtij viti, nëse kjo ngjarje nuk interpretohet, e “non-paperi” të mos refuzohet vendosmërisht? Dhe çfarë mund të presin të përmendurit dhe të papërmendurit në jehonën e këtij plani jozyrtar në Washington dhe Moskë – dhe prej atyre reagimeve zyrtare e atyre “pa elemente të publikut”?

Mbrojtje apo...

“Non-paperi”, në këtë aspekt, është para së gjithash, një tregues i krizës së thellë dhe mungesës së ideve në politikat evropiane dhe një fenomeni pothuajse të ligjshëm, siç gjatë këtyre ditëve ka vërejtur në mënyrë elegante ministri i dikurshëm i Punëve të Jashtme, kolegu ynë i nderuar, Dmitry Rupel, në tekstin “Non-non-paperi i Ballkanit”: “Natyrisht, nuk mund të përjashtojmë se ndonjëherë dhe aty-këtu – në moment dëshpërimi mbi realitetin ballkanas, d.m.th. mentalitetin – shfaqen mendime të pafytyra për ndryshim kufijsh apo vendesh”.

Konstatimi përfundimtar imponohet krye më vete: ose Brukseli zyrtar apo edhe Parisi dhe Berlini, individualisht, si edhe të gjitha diplomacitë e tjera në BE që na e duan të mirën, me mbështetjen e Washingtonit, dhe, madje (dhe pse jo?) Kremlinit, do të porosisin se ky “non-paper” as që vjen në konsideratë apo ndryshe na pason një spirale e re e historisë ballkanase, në të cilën për ne – në Mal të Zi, malazeztë jo vetëm si etni, por edhe në deklarimet e tyre qytetare dhe në aspektin multikulturor e kanë mendimin dhe idenë se duhet të ekzistojë dhe të mbijetojë si një shtet i përbashkët i gjithë atyre që jetojnë në të – nuk ekziston opsion tjetër pos asaj që, të paktën për ne, nuk ka nevojë për përkthim: “mbrojtja është e mbërthyer me jetën”.

Deri atëherë, do t’i shikojmë dhe do t’i durojmë edhe “diplomatët” tanë, të brendshëm e edhe “shefat e diplomacive” tek heshtin kundruall gjithë këtyre, përderisa i shqiptojnë diktimet uniforme për “të ardhmen e qartë evropiane”. Ata e mbrojnë Evropën prej evropianëve mes nesh, teksa kështu të kënaqur, tinëz i përcjellin shtrembërimet e kufijve të porsaideuar në Ballkan, të cilat e gjenerojnë logjikën dhe “justifikimin” e aktrimit të tyre se janë me orientim evropian dhe se brengosen për Evropën. (Ndërkohë, natyrisht, kanë probleme psikologjike dhe të tjera që, le të themi, të thonë: “Në Srebrenicë është kryer gjenocid”. Por jo edhe që, menjëherë pas kësaj, në mënyrë të përsëritur të betohen për orientimin e sinqertë evropian!).

Nëse këtyre dhe atyre forcave politike, jo vetëm në Mal të Zi, Evropa u beson apo thotë se u beson, atëherë nuk duhet befasuar se “non-paperi”, nga gjithë ky muhabet, është kësi çfarë është.

Pra, le ta përkthejmë: “Evropa tani!”, zotëri Jansha. Këtë e presim prej jush – që edhe neve të na thoni. E ne e dimë se si t’ia bëjmë me letrat dhe me hartat e luftës.

(Miodrag Vlahoviq, ish-ministër i Punëve të Jashtme i Malit të Zi, ambasador në Washington dhe në Selinë e Shenjtë, është kolumnist i të përditshmes “Pobjeda”)