OpEd

Vjosa Osmani të jetë presidentja e fundit e zgjedhur në Kuvend

Nuk e di për Listën Srpska, por nuk besoj që në Kosovë në mesin e partive shqiptare dhe deputetëve të tyre të ketë vërtet antiamerikanë. Nuk ishte i tillë vitin e shkuar Albin Kurti e nuk janë të tillë as tash Adullah Hoti, Driton Selmanaj e Agim Veliu, apo Enver Hoxahj, a Ramush Haradinaj që nuk dëgjuan kërkesën miqësore të amerikanëve. Thjesht, ishte gjykim i tyre politik, shumë legjitim, ndërsa efektin do të mund ta shohin ndoshta që në zgjedhjet lokale në fund të këtij viti

Që nga e Premtja e madhe e deri tek e diela e Pashkëve, tri ditët më të rëndësishme të vitit për besimtarët e krishterë, Kosova kaloi një periudhë dramatike. Me apo pa nevojë, qytetarët e Kosovës, dhe ata që jemi mësuar t’i quajmë “miq ndërkombëtarë të Kosovës”, për tri ditë ishin në pritje për të marrë përgjigjen se a do të ketë Kosova presidente apo do të shkojë edhe në një palë zgjedhje.

Nuk po jetojmë në kohë normale. Pandemia na ka lëkundur shumë të gjithëve. As Pashkët e këtij viti nuk ishin normale, sikur edhe ato të vitit të shkuar. As muaji i shenjtë i Ramazanit që fillon së shpejti nuk do të jetë i zakonshëm, e as Bajrami që vjen në fund të atij muaji, vështirë se do ta gjejë botën, Evropën e Kosovën në një gjendje shumë më të mirë, saqë ta bëjë të mundur shkëmbimin e vizitave për t’ua uruar festën njëri-tjetrit pa frikë nga virusi. E as skena politike në Kosovë nuk është normale. Rolet kanë ndryshuar shumë dhe Kosova ka kaluar ndryshime dramatike në skenën e saj politike. Disa faktorë deri dje vendimtarë politikë kanë nisur të bëhen pothuajse irelevantë. Gjenerata të reja dhe figura të reja politike kanë nisur të dalin në sipërfaqe. Ata që nuk ia dolën të parandalojnë zgjedhjen e presidentes nuk vonuan as edhe një minutë për t’i akuzuar ata që siguruan votat për atë që bënë vetë në kohët kur në të kaluarën siguroheshin votat. Tash ndaj fituesit të zgjedhjeve drejtuan akuzat për “blerje votash”.

Gjatë këtyre tri ditëve shumë gjëra krijuan tensionime politike. E para ishte marrëveshja sipas së cilës LDK-ja, partia e tretë për nga votat në Kosovë, që pa ndryshime shkonte duke rënd drejt nivelit të pragut zgjedhor, do të merrte pjesë në votime në Kuvend për të mos marrë përgjegjësinë për krizën e re institucionale. E pas kësaj erdhi propozimi urgjent me procedurë, më shpejtësi të vetëtimës për ndryshimin e Ligjit zgjedhor nga ana e Vetëvendosjes. Ishte kjo edhe shenjë e mosbesimit se LDK-ja do ta mbajë fjalën, por edhe shenjë se nëse shkohet në zgjedhje, atëherë së paku të jetë më e lehtë që në ato zgjedhje të votojë diaspora. Nuk është më fshehtësi se diaspora në masë të madhe preferon Vetëvendosjen dhe po ashtu nuk është fshehtësi se partitë tjera nuk duan të kenë shumë vota të diasporës, sepse nuk shkojnë në favor të tyre. Me votime masive të Vetëvendosjes, disa parti dhe do të mund të mos e kalonin pragun. Por ngutia ishte e paarsyetueshme dhe e papranueshme. Megjithëse ishte e kuptueshme.

Presionet vendore, e ndoshta edhe ndërkombëtare, bënë që VV-ja ta tërheqë këtë ligj. Dhe kjo u dëshmua të jetë një veprim i duhur që nuk e dobësoi, por, përkundrazi, e forcoi fituesin e madh të zgjedhjeve.

Të shtunën u bë tentimi për të votuar presidenten. Votuan vetëm 79 veta, 1 më pak sesa që duhej dhe menjëherë kryeministrit Albin Kurti nisën t’i drejtoheshin kritikat se “nuk po bën asgjë për të siguruar votat” e madje edhe se “po e saboton me qëllim zgjedhjen e Vjosa Osmanit”.

Të njëjtët, kur ai i siguroi votat nisën ta kritikojnë se “po blen votat e deputetëve”.

Ishin tri subjekte politike që dolën publikisht me qëndrim se nuk do ta votojnë presidenten dhe nuk do të marrin pjesë në votime për ta siguruar kuorumin. PDK-ja, AAK-ja dhe Lista Srpska. Nuk mund të thuhet se ato kishin ndonjë koordinim. Por po ashtu ishte hera e parë që Lista Srpska nuk merrte pjesë në votimin e presidentit të Kosovës. Dhe në fund u bë hera e parë që presidenti u zgjodh pa votat e kësaj liste.

Sikur të gjithë deputetët e këtyre tri subjekteve politike që kanë vende në Kuvendin e Kosovës të kishin ndjekur qëndrimin e partisë, pasi edhe tre deputetë të LDK-së nuk votuan, atëherë Kosova nuk do të kishte sot president dhe vendi do të shkonte në zgjedhje.

Tre deputetët e LDK-së që nuk e votuan Vjosa Osmanin megjithatë bënë një gjë të mirë. Dëshmuan se sa të pamatura, të paarsyeshme dhe të pasakta ishin akuzat që i bënin ndaj Vetëvendosjes e Kurtit për “antiamerikanizëm”. Sepse, sipas njësisë matëse të tyre, “antiamerikanizëm” është kur nuk e dëgjon këshillën, kërkesën apo sugjerimin e ndonjë ambasadori amerikan.

Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, zëvendësi i tij Driton Selmanaj, ish-ministri Agim Veliu, PDK, AAK dhe Lista Srpska, nuk e përfillën sugjerimin amerikan se duhet të marrin pjesë në seancë dhe të votojnë në votimin për zgjedhjen e presidentit. Sipas logjikës që vetë këta e krijuan në pranverën e vitit të shkuar do të duhej të quheshin antiamerikanë.

Nuk e di për Listën Srpska, por nuk besoj që në Kosovë në mesin e partive shqiptare dhe deputetëve të tyre të ketë vërtet antiamerikanë. Nuk ishte i tillë vitin e shkuar Albin Kurti e nuk janë të tillë as tash Adullah Hoti, Driton Selmanaj apo Agim Veliu, apo Enver Hoxahj apo Ramush Haradinaj që nuk dëgjuan kërkesën miqësore të amerikanëve. Thjesht, ishte gjykim i tyre politik, shumë legjitim, ndërsa efektin do të mund ta shohin ndoshta që në zgjedhjet lokale në fund të këtij viti.

Kosova kishte nevojë për një pushim nga politika. Pushim nga debatet, nga pazaret, nga presionet e kundërpresionet. Aq sa u lodhën nga virusi, nga lajmet për sëmundjet e të afërmve e edhe vdekjet, nga vdekjet e shumë personave publikë dhe të dashur, ishin të lodhur edhe nga fushatat. Dhe që nga 14 shkurti, Kosova pati rastin të ndiejë pasojat e një fushate në rritjen e numrit të rasteve të infektimeve. Një palë zgjedhje të reja, në kohën kur praktikisht vaksinimi i vërtetë nuk ka filluar, kur edhe në Evropë, ku vaksinimi ka filluar para më shumë se tre muajsh nuk po shkon sipas planit, do të krijonin në situatë edhe më të rëndë.

Pa marrë parasysh dramën që ndodhi këto tri ditë, Kosova rrallë herë ka pasur qeveri dhe president me legjitimitet më të madh. Dhe kjo për ta është edhe përgjegjësi. Por nuk duhet harruar se Kosova vërtet ka nevojë për një reformë të thellë dhe të shpejtë zgjedhore. VV-ja nuk ka nevojë të nxitojë tash. Le të bëhet ajo reformë sa më shpejt për t’u përdorur, me gjasë pas katër vjetësh. Por nuk duhet pritur shumë. Sepse prej kur ekziston Kosova ekziston edhe nevoja për reformën zgjedhore. Dhe nuk ka raporte të BE-së, as të Komisionit e as të Parlamentit, që nuk e përmend nevojën për reformën zgjedhore. Pas së dielës, Kosova vërtet ka një “qartësi politike”. Kjo krijon mundësi edhe për PDK-në dhe AAK-në të reflektojnë dhe për një kohë të merren më shumë me vete sesa me kundërshtarët. Opinioni është marrë shumë me LDK-në si humbëse të madhe të zgjedhjeve, por LDK-ja bëri ndryshimet e veta. Tash e kanë radhën edhe PDK-ja dhe AAK-ja të cilat po ashtu ishin humbëse të zgjedhjeve, e besa edhe krijuan akuza brenda partive të tyre për vjedhje votash nga vetë anëtarë.

Por të gjithë duhet të përfshihen në reformën zgjedhore. Jo të mendojnë se si të pengohet një kategori e qytetarëve të votojë, apo t’i vështirësohet votimi, për shkak të preferencave. Por të mendojnë se sa më lehtë secili qytetar të votojë. E në këto reforma duhet ndryshuar edhe mënyrën e zgjedhjes së presidentit. Nuk ka logjikë që qeveria të bjerë për shkak se nuk mund të zgjidhet presidenti. Që për shkak se mund të mblidhen 41 deputetë për ta çuar vendin në zgjedhje duke e bllokuar votimin për president. Ani pse në anën tjetër mund të jenë 79.

Me këto kushte zgjedhja e presidentit të Kosovës do të jetë gjithmonë e panevojshme dhe mund të bëhet edhe e pamundur. PDK-ja, AAK-ja dhe Lista Srpska për pak sa nuk arritën ta kenë pakicën bllokuese të 41 deputetëve që nuk marrin pjesë në votim, për ta çuar vendin në zgjedhje të reja në kohë pandemie, rezultati i të cilave nuk do të ndryshonte shumë. Prandaj në reformat zgjedhore duhet të përfshihet edhe zgjedhja e presidentit në zgjedhje popullore me votat e qytetarëve. Vetëm kjo do t’i jep kuptim të plotë postit të presidentit si një figurë bashkimi.

Pas dramave me zgjedhjen e presidentëve Behgjet Pacolli, Atifete Jahjaga, pastaj Hashim Thaçi, e tash edhe Vjosa Osmani, duhet gjetur zgjidhje që dramat e tilla më të mos përsëriten. Çka nëse Vetëvendosje do të humbte zgjedhjet dhe të mbetej në vetëm 41 deputetë. Prapë ajo do të mund të krijonte “pakicën bllokuese” për të pamundësuar zgjedhjen e presidentit. Prandaj Vjosa Osmani duhet të jetë presidentja e fundit, e cila u zgjodh në Kuvendin e Kosovës, dhe pas kësaj, atë apo ndonjë tjetër, duhet ta zgjedhë populli në zgjedhje direkte.