OpEd

Ndërtimi i një Aleance demokratike të teknologjisë së lartë

Bideni tani mund ta zbatojë një logjikë të ngjashme për të siguruar që bota e lirë të shfaqet në krye të revolucionit të ardhshëm industrial. Por për një tango duhen dy veta, dhe nëse Evropa ia mbyll dyert bashkëpunimi teknologjik transatlantik, atëherë nuk do të duhej të anoheshim kur autokratët ta nisin përcaktimin e rregullave.

Njëra prej sfidave ekzistenciale, me të cilat ballafaqohet bota sot, është përçarja e saj lidhur me teknologjitë në zhvillim. Divergjenca midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian në këtë fushë ka ndihmuar Kinën dhe regjimet e tjera autokrate që ta shfrytëzojnë rastin për të ecur përpara në aspektin e zhvillimit të mjeteve të reja, si dhe përcaktimin e rregullave dhe normave që do t’i udhëzojnë shumë aspekte të jetëve tona, ekonomive dhe sigurisë për gjenerata me radhë.

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka krejtësisht të drejtë: “Kushdo që bëhet lider në këtë sferë (të inteligjencës artificiale), do të bëhet sundues i botës”.

Agjenda e presidentit amerikan, Joe Biden, për ta fuqizuar demokracinë në vend dhe gjetkë paraqet një mundësi për ta mbushur këtë hendek strategjik. Liderët në të dyja anët e Atlantikut duhet ta rrëmbejnë këtë rast dhe ta ndërtojnë një aleancë teknologjike të demokracive, e cila do ta fitojë garën digjitale dhe t’i përcaktojë rregullat globale të modelit tonë.

Në platformën e tyre zgjedhore, Bideni dhe nënpresidentja, Kamala Harris, janë zotuar të mbledhin një “Samit global për Demokracinë”, në fund të këtij viti. Është kjo një ide e mrekullueshme dhe e pasqyron Samitin Demokratik të Kopenhagës, të cilin Fondacioni e Aleancave për Demokracitë e kishte organizuar përvitshëm që nga viti 2018 – ku vetë Bideni e kishte mbajtur adresimin e parë kryesor. Por, mbesin pa përgjigje disa pyetje që kanë të bëjnë me formatin e samitit të Bidenit, nëse do të ftohen demokracitë më të pabindura dhe çfarë detyrash konkrete duhet të pajtohen që t’i përmbushin pjesëmarrësit para vetë takimit.

Për çështjen e fundit të paktën, Bideni tani ka hartuar një plan. Që nga fundi i 2018-s, Komisioni amerikan i Sigurisë Kombëtare për Inteligjencë Artificiale, një grup ky eminent i liderëve teknologjikë, i prirë nga ish-shefi ekzekutiv i Googles, Eric Schmidt, ka zhvilluar një sërë rekomandimesh që “e adresojnë në mënyrë të gjithmbarshme sigurinë kombëtare dhe nevojat e mbrojtjes për Shtetet e Bashkuara”, kur bëhet fjalë për IA-në.

Komisioni ka shpalosur kohë më parë raportin e tij përfundimtar para presidentit dhe Kongresit.

Evropianët dhe aleatët e tjerë demokratikë të Amerikës duhet ta lexojnë dhe të veprojnë gjithashtu sipas tij.

Kur kam folur në konferencën e Komisionit gjatë fundit të 2019-s, jam pajtuar se karta kryesore e Amerikës kundruall Kinës dhe Rusisë është aftësia e saj për të ndërtuar partneritete përreth botës. Andaj, jam i kënaqur se njëri prej rekomandimeve qendrore të raportit është që SHBA-ja ta ndërtojë një “Koalicion të Teknologjisë në Zhvillim” për krijimin e normave dhe vlerave demokratike, si dhe për koordinimin e politikave që e sfidojnë adoptimin e infrastrukturës digjitale të prodhuar në Kinë. Ky koalicion do ta lansonte gjithashtu një “Iniciativë Ndërkombëtare të Demokracisë Digjitale” për zhvillimin, promovimin dhe financimin e adoptimit të IA-së dhe teknologjive shoqëruese që përkojnë me vlerat demokratike dhe i avancojnë interesat e shoqërive tona të lira.

Kjo është ajo agjendë pozitive që na duhet. Por do të korë sukses vetëm nëse partnerët transatlantikë dhe në Paqësor fillojnë ta rirreshtojnë veten në disa çështje kritike që kanë të bëjnë me teknologjitë në zhvillim, veçmas për sa u përket dy produkteve që shumica i shohin si naftën e re: të dhënat dhe gjysmëpërçuesit. Duhet të zhvillojmë një konsensus të ri demokratik për që të dyja.

Për sa u përket veçmas të dhënave dhe mbrojtjes së të dhënave, është SHBA-ja ajo që është rritur jashtë pjesës së mbetur të botës së lirë. Japonia ka adoptuar standarde të ngjashme me të BE-së, andaj të dhënat mund të rrjedhin lirshëm dhe Mbretëria e Bashkuar i është përkushtuar të ngjashmit regjim pas-Brexit. Japonia e shfrytëzoi udhëheqjen e saj mbi G20-n më 2019 për t’iu qepur pas një marrëveshjeje globale të rrjedhës së të dhënave, por, me gjithë një lloj avancimi, kundërshtimi i Kinës ka frenuar përpjekjen. Rrjedhja e lirë e të dhënave përbrenda një kornize të rritjes së besimit do të ishte shtysa e vetme, më e madhe që do ta merrte zhvillimi i Inteligjencës Artificiale. Regjimet autoritare dhe gjendjet e tyre të vëzhgimit kanë qasje larg më të lehtë në meta-të dhënat, andaj kemi nevojë që të bashkëpunojmë për të konkurruar.

Po kështu, mungesa e kohëmëparshme globale e gjysmëpërçuesve dhe mbyllja pasuese e fabrikave të veturave përreth botës kanë demaskuar varshmërinë tonë nga fabrikat prodhuese në Tajvan dhe në Korenë Jugore. Ata veçse e kanë dijeninë e nevojshme dhe zinxhirët globalë të furnizimit, por ne megjithëkëtë duhet që ta vazhdojmë kërkimin e mënyrave përbrenda aleancës sonë demokratike për mbështetjen e tyre. Për më tepër, ne duhet që ta ndërtojmë një zonë preference demokratike si për gjysmëpërçuesit, ashtu edhe për lëndët e para kritike dhe për tokat e rralla që do t’i ndiznin revolucionet tona të gjelbra dhe teknologjike.

E dimë se Bideni është personalisht i përkushtuar në ndërtimin e zgjidhjeve transatlantike karshi sfidave teknologjike. E kam parë këtë me sytë e mi në 2018-n, kur e bashkëthemeluam Komisionin mbi Integritetin e Zgjedhjeve. Jemi pajtuar se nuk mjaftonte që SHBA-ja të kthejë kokën pas për sa i përket ndërhyrjes ruse në zgjedhjet presidenciale të 2016-s apo që Evropa të përgatitet për zgjedhjet e veta të shumëfishta në një kapan. Në vend të kësaj, synim yni është që t’i ndërlidhim përpjekjet e aleatëve tanë demokratikë dhe të përgatitemi për valët e ardhshme të ndërhyrjeve në zgjedhje, përfshirë ato që ngërthejnë metoda të Inteligjencës Artificiale, si videot e rreme.

Bideni tani mund ta zbatojë një logjikë të ngjashme për të siguruar që bota e lirë të shfaqet në krye të revolucionit të ardhshëm industrial. Por për një tango duhen dy veta, dhe nëse Evropa ia mbyllë dyert bashkëpunimi teknologjik transatlantik, atëherë nuk do të duhej të anoheshim kur autokratët ta nisin përcaktimin e rregullave.

(Anders Fogh Rasmussen, ish-sekretari i përgjithshëm i NATO-s (2009-2014) dhe ish-kryeministër i Danimarkës, është themelues i Aleancës së Fondacionit të Demokracive. Ky vështrim është shkruar ekskluzivisht për rrjetin e gazetarisë ndërkombëtare “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”)