OpEd

Fitueset dhe humbëset

Topi është te Thaçi dhe te bashkësia ndërkombëtare që kësaj radhe do të duhej të rrinte larg formimit të Qeverisë. Nëse vërtet duan të ndihmojnë, atëherë le të veprojnë si në Maqedoni – që qeverinë ta krijojë ai që mundet. Nëse vërtet e duan një Kosovë stabile dhe më ndryshe se kjo që është sot, atëherë do të duhej ta këshillonin Thaçin që të mos e ndërrojë mbiemrin në Ivanov

Në ditën kur u mbajtën zgjedhjet e parakohshme parlamentare, në Shkodër u luajt edhe ndeshja kualifikuese për Botëror ndërmjet Kosovës dhe Turqisë. Përfundimisht, stadiumi “Loro Boriçi” na doli të jetë ters: tri ndeshje, tri humbje dhe gol diferenca 2:12.

Turqit na mundën jo pse ishin më të mirë se ne. Na mundën se ne ishim aq të dobët, aq të kompleksuar, aq të paaftë për ta zhvilluar një aksion normal, sa në fund ua falëm të katër golat.

Një ekip që në formacionin startues e mban një portier të lënduar, një mesfushë që nuk ekzistonte dhe një qendërsulmues që nuk kishte çfarë të bënte pos të ndiqte miza nëpër fushë – tregon, e besoj, për një strategji të paqenë të dikujt që nuk do të duhej të ishte i ulur në stolin e përzgjedhësit të përfaqësueses. Nëse Bunjakit nuk do t’ia mohojmë aftësinë që pati për t’i identifikuar lojtarët, për t’i sjellë së bashku për të luajtur për Kosovën, nuk do t’ia pohojmë aftësinë që nuk e ka. Ta mbash golgeterin e Australisë 20 minuta në anësore duke u ngrohur për lojë e që ta ulësh më pas në stolin e rezervistëve nuk ka kurrfarë kuptimi. Është ofenduese dhe kjo vetëm mund të ngjallë pakënaqësi te ata që e kanë paramenduar ndryshe mbrojtjen e ngjyrave të Kosovës.

Përfundimisht, Bunjaki qe humbësi më i madh të dielën mbrëma – dhe seriozisht duhet të mendojë që t’ia lëshojë rrugën dikujt që di më mirë se ai.

Humbësja dhe fituesja 1

Po të njëjtin mendim do të duhej ta ndante “krahu i luftës”. Rezultatet preliminare të zgjedhjeve të përgjithshme dëshmuan një humbje të konsiderueshme të votave të të tri partive që u bënë bashkë, për t’i fituar zgjedhjet në emër të luftës. PDK-AAK-NISMA që gjatë gjithë fushatës zgjedhore i ngjanin një orkestre të çakorduar, ku secili bënte thirrje për vota të subjektit të cilit i përkiste, i mblodhi, në përqindje, rreth 34% të votave. Krahasuar me zgjedhjet e vitit 2014, kur të tri partitë së bashku i kishin mbledhur rreth 46% të votave – ky rezultat tregon për një humbje jo pak të thellë.

Nga ana tjetër, ky rezultat në fakt shënon fitoren më të madhe për Kosovën – pas shumë vjetësh dominimi (me dhe pa vjedhje të votave) të PDK-së që e solli Kosovën buzë shkatërrimit në këta dhjetë vjet e kusur qeverisjeje, mbase ka ardhur momenti në të cilin kjo parti së bashku me dy partitë e tjera “të luftës” të shkojnë në opozitë. Dhe të rrinë aty për një kohë derisa të mos reformohen apo të shuhen plotësisht.

Pra, po të kishte logjikë politike në veprimet e mëtejme institucionale, PDK-ja në rend të parë do të duhej t’ia lëshonte vendin një koalicioni paszgjedhor, në të cilin nuk do të jetë as kjo parti e as Lista Srpska, e që do të duhej të sillte një qeverisje të shëndoshë për të cilën po vuan ky vend. Po qe se do të ketë inate politike dhe blerje deputetësh, kjo do të thotë se do të zhytemi në krizë të gjatë që mund të përfundojë me zgjedhje të reja – që do të na kushtojnë shumë miliona euro, pa fije nevoje.

Humbësja dhe fituesja 2

Mendimin e Bunjakit do të duhej ta ndante edhe LDK-ja – humbësja më e madhe e këtyre zgjedhjeve. Prej partisë që dikur i afrohej 50- përqindëshit të deputetëve në Kuvend, formacioni më i vjetër politik në Kosovë ra në vend të tretë, me mezi 25% të votave të hedhura.

Në kushte të një demokracie normale, ky rezultat do të tërhiqte me vete dorëheqjen e menjëhershme të kryetarit dhe të gjithë Kryesisë së partisë, si dhe mbajtjen e kongresit të jashtëzakonshëm. Por në rrethanat në të cilat operon LDK-ja me këtë udhëheqje, do të rrezikonte tej mase shumë po qe se do të ndodhnin dorëheqjet – nuk do të ishte larg mendsh që Partia do të mundë të copëtohej fare. Sepse ka bërë aq shumë gabime në dhjetë vjetët e fundit, sa në fund askush nuk do të donte t’i pranonte gabimet, por do të donte t’ia vishte palës kundërshtare brenda në parti. Dhe, faji do të mbeste jetim.

Elektorati ia mësoi një mësim të mirë LDK-së: nuk ia fali koalicionin me të cilin ia zgjati jetën PDK-së edhe për tre vjet; nuk ia fali bllokadën politike, të cilën insistonte ta mbante Mustafa me kokëfortësinë e mbrojtjes së gabimeve të PDK-së; nuk ia fali mosreformimin e brendshëm që solli vendnumërimin dhe humbjen e udhës në oborr. E besoj se LDK-ja kurrë nuk do ta ketë imagjinuar se votuesit e saj tradicionalë do t’ia jepnin votën një partie tjetër, ose që shumë sish do të mbaronin në mesin e atyre 50 e kusur mijë votave të pavlefshme. Do të ketë menduar se njerëzit do të vazhdonin të votonin me inerci; që do të vazhdonin të votonin kandidatë që u bënë kandidatë vetëm pse babanë e kishin pasur lider; që do të vazhdonin të identifikoheshin me “filozofinë rugoviane” që askush nuk e kupton se çfarë domethënie ka.

Dhe në këtë kaos, fituesja më e madhe brenda LDK-së u bë Vjosa Osmani. Deputetja e cila u dëshmua të ishte më parimorja nga Grupi Parlamentar i LDK-së në legjislaturën e kaluar, për shkak se nuk e votoi as Asociacionin (më 2013); as Kadri Veselin; as Isa Mustafën; as Hashim Thaçin – sepse i konsideronte në kundërshtim me interesat e Kosovës – me gjasë do të jetë gruaja më e votuar në këto zgjedhje.

Për shkak të parimësisë së saj, LDK-ja e dënoi duke e vendosur në numrin 81 të listës së vet – duke ia ngushtuar mundësinë që të kalonte ndër dhjetë kandidatët e parë po qe se nuk mblidhte vota mjaft. Dhe çka ndodhi? Më 2014 i kishte marrë rreth 30 mijë vota. Më 2017 këto vota duket se janë dyfishuar, pra 60 mijë.

Elektorati ia çoi një porosi shumë të qartë LDK-së, e besa edhe partive të tjera: se më parë e voton një grua parimore, të mençur dhe me aftësinë që të përfaqësojë dinjitetshëm kudo dhe para kujtdo, sesa që e voton dikë që i ndërron fjalët sa herë që ia merr mendja – “sepse kjo na qenka në interes të Kosovës”. Nëse është e vërtetë ajo që dëgjohet, atëherë del se një numër i madh kandidatësh që i takojnë gardës së vjetër – pra përgjegjësit për gabimet e LDK-së në dekadën e fundit – nuk e kanë kaluar pragun për t’u zgjedhur deputetë.

Nëse kjo është e vërtetë – atëherë ky është shansi i LDK-së që të bëjë një pastrim të thellë në radhët e veta dhe të nisë reformimin nga brenda, ashtu që në zgjedhjet e ardhshme të jetë parti e konsoliduar me një program politik që mund ta shpjerë përpara. Madje me një grua në krye, Vjosa Osmanin – që mbase do të ishte përzgjedhja më e mirë që do të mund ta bënin.

Fituesja dhe humbësja 3

Fituesja absolute e këtyre zgjedhjeve, si formacion që garoi vetëm në këto zgjedhje, është pa dyshim Vetëvendosje. Partia e cila dëshmoi të kishte konsistencë (të pranuar apo të kontestuar) prejse është bërë pjesë e Kuvendit të Kosovës; deputetët e së cilës të vetmit lexonin ligjet që miratoheshin në Kuvend; të vetmit që zëshëm dhe me argumente (të pranuara apo të kontestuara) e kundërshtuan Demarkacionin dhe Asociacionin, ia dolën që t’i dyfishonin votat në krahasim me zgjedhjet e shkuara.

Çelësi i fitores së Vetëvendosjes pa dyshim ishte vota e të rinjve – në veçanti të atyre në zonat urbane, e më saktësisht në Prishtinë. 120 mijë votuesit e rinj, të ngopur tashmë nga pushteti PDK-ian, dhe megjithatë të impresionuar me udhëheqjen e VV-së në Prishtinë, votën ia dhanë këtij subjekti. Dhe porosia që vjen nga ta është e qartë: kjo është vota e ndryshimit e jo e ndëshkimit. Është vota e shpresës se Kosova mund të ketë udhëheqje më të mirë, po qe se i ofrohet rasti, pa paragjykim. Sepse VV-ja, edhe pse pa program të thukët politik, megjithatë doli me 40 pika të qeverisjes, të cilën gjë nuk e bënë subjektet e tjera. Të mira apo të këqija, të zbatueshme ose jo – kjo nuk mund të dihet përderisa qeverisja të mos bjerë në duart e Vetëvendosjes, në koalicion me ndonjë parti që nuk është PDK-ja.

Dhe me gjithë këtë rezultat që e ka sjellë VV-në në situatë të jashtëzakonshme për të negociuar mirë, mbi të rri hija e gogolit të quajtur Aktgjykim i Kushtetueses. Po qe se ky aktgjykim do të zbatohej me inate dhe pa interpretime të holla që mund t’i bëhen, humbësja më e madhe e këtyre zgjedhjeve do të ishte Kosova.

Interpretimi i keq dhe absurd i Kushtetueses, sipas së cilës mandati për herë të parë i ofrohet partisë apo koalicionit fitues me numra, pavarësisht a i ka apo s’i ka 61 vota për të kaluar; dhe interpretimi se mandati mund t’i jepet për së dyti po të njëjtës parti/koalicion, sipas diskrecionit të kryetarit të shtetit, do të mundë të sjellë një situatë të këtillë hipotetike: që PAN-i ta krijojë Qeverinë në koalicion me të gjitha minoritetet dhe me blerjen e nja tre a katër deputetëve të LDK-Alternativa-AKR – dhe të mos mundë ta marrë asnjë vendim strategjik, sepse mund ta humbë shumicën e brishtë në çdo moment. Për më tepër, që gjatë gjithë mandatit të varet nga dëshira e Beogradit nëpërmjet Lista Srpskas.

Situata e dytë hipotetike do të ishte që kryetari të vendosë t’ia japë për së dyti mandatin PAN-it me vetëdije të plotë (edhe pse Aktgjykimi i Kushtetueses këtë nuk ia preferon) se ky koalicion mund të dështojë dhe për pasojë do të duhej shkuar në zgjedhje të reja. Tash te kjo situatë hipotetike PAN-i do të duhej menduar mirë, për shkak se: një, mund të shpartallohet dhe të mos garojë më bashkë (përderisa askush nuk do të donte të bënte koalicion me cilindo prej tyre) dhe dy, që në zgjedhjet e ardhshme t’u vijë ndëshkimi edhe më i madh – mu për shkak se dëshmojnë që të vetmen gjë që duan janë pushteti e postet, e jo edhe mirëqenia e Kosovës.

Fituese do të dilte Kosova po qe se pas dhjetë vjetësh bëhet me një qeverisje të re, për të cilën nuk e dimë apriori nëse do të kishte sukses apo jo. Për shkak se bëhet fjalë për njerëz që kurrë nuk kanë mbajtur pushtet, e që duhet të lidhen me një parti që mban një pjesë shumë të madhe të përgjegjësisë për katandisjen e Kosovës në këtë derexhe dhe nga e cila lidhje do të duhej ta përjashtonin Lista Srpskan – për shkak se është eksponente e drejtpërdrejtë e Vuçiqit në Kosovë. Kjo do të ishte fitore për Kosovën, se më keq se kjo do të ishte imponimi i sundimit të “krahut të luftës” , së kumandantave që na e kanë nxjerrë luftën për hundësh.

* * *

Topi është te Thaçi dhe te bashkësia ndërkombëtare që kësaj radhe do të duhej të rrinte larg formimit të qeverisë. Nëse vërtet duan të ndihmojnë, atëherë le të veprojnë si në Maqedoni – le të tregojnë se parimi demokratik nënkupton se kur partia/koalicioni fitues nuk mund të krijojë qeveri, duhet t’ia lëshojë rrugën dhe radhën asaj partie/koalicioni që mundet. Nëse sërish duan të na e komplikojnë jetën, atëherë do të insistojnë në krijimin e “qeverisë së stabilitetit” si herën e shkuar, që krejt çfarë na solli në tre vjetët e fundit ishte bllokadë politike dhe ngecje edhe më të thellë ekonomike. Nëse vërtet e duan një Kosovë stabile dhe mbase me një perspektivë më ndryshe se kjo që kemi pasur deri tash, atëherë do të duhej ta këshillonin Thaçin që mos ta ndërrojë mbiemrin në Ivanov.

flaka@koha.net