OpEd

Faktet janë të kushtueshme, opinionet falas

Apo si mediat e përqendruara vetëm në opinion po dështojnë të mbajnë përgjegjës politikanët dhe të informojnë drejt publikun

E mbijetuam edhe një fushatë zgjedhore. Ishte fushata e parë zgjedhore, në të cilën nuk u interesova për asnjë premtim të partive politike. Refuzova në tërësi çdo thirrje të kolegëve gazetarë për të analizuar “programet” e partive dhe për të debatuar me përfaqësuesit e tyre. Ngase shumë herët në fushatë, që në ditët pas mocionit të mosbesimit ndaj qeverisë, u pa se mediat dhe shoqëria civile sërish do të binin në kurthin e politikanëve: ta harrojmë të kaluarën, hajde flasim për të ardhmen, ashtu siç kemi bërë në çdo fushatë deri më tani.

Në vend se mediat të mbajnë përgjegjësi për papërgjegjshmërinë e tyre gjatë qeverisjes së kaluar dhe premtimet e parealizuara, ato u shndërruan edhe një herë në platformë për promovim politikanësh. Të atyre politikanëve, të cilët gjatë tërë mandatit i iknin paraqitjes në media e përgjegjësisë para publikut. Të atyre që në dy mandatet e fundit nuk emëruan një zëdhënës të qeverisë, i cili punë primare do të kishte kontaktet me mediat dhe publikun.

Sot, politikanët mund të thonë çfarëdo në debate televizive dhe askush të mos i sfidojë ata për premtime të pabaza apo të deklarimeve të pavërteta. Verifikimi i fakteve nuk mund t'u lihet shikuesve, por kjo do të duhej të ishte detyrë e mediave dhe ekspertëve. Gjatë debatit të dytë presidencial në tetor 2012, kandidati republikan për president, Mitt Romney, akuzoi presidentin Obama se “iu deshën 14 ditë që ta klasifikojë si akt terrorist sulmin në Benghazi, ku humbi jetën edhe ambasadori amerikan”. Ishte ndërhyrja e moderatores së CNN-së Candy Crowley, e cila e cilësoi këtë si të pavërtetë. Ky verifikim i fakteve nga moderatorja ndikoi që Romney të humbë debatin e dytë të drejtpërdrejtë me Obaman. Andaj, një intervenim i tillë nga moderatorët duhet të jetë i domosdoshëm, me qëllim që media vërtet të mundë të konsiderohet si pushtet i katërt.

Formatet e debateve të adaptuara nga pothuajse të gjitha televizionet, ku ftohen disa opinionistë në njërën anë dhe anëtarët e partive në anën tjetër, kanë dështuar që të mbajnë përgjegjës politikanët për deklarimet dhe premtimet e tyre. Në këto formate, faktet mbesin nën hijen e opinioneve. Kjo si duket është zgjidhje më e lehtë edhe për mediat, edhe për gazetarët. Në vend të përgatitjes së gazetarëve dhe hulumtimit të fakteve, mediat heqin përgjegjësinë e tyre duke ua kaluar atë opinionistëve të jashtëm. Apo siç ka thënë para shumë kohësh C.P. Scott, redaktori i The Guardian, “faktet janë të kushtueshme, kurse opinionet janë falas”.

Në një debat të drejtpërdrejtë është e vështirë që të sfidohen politikanët dhe të prezantohen faktet, kur për secilën temë kërkohet që të diskutohet nga tre deri pesë minuta, para se të kalohet në temën tjetër, pa u ditur se çfarë u tha për temën paraprake. Siç e kanë potencuar edhe Bill Kovach dhe Tom Rosenstiel, në librin e tyre “Blur”, zakonisht intervistat dhe debatet e drejtpërdrejta më shumë janë rituale ceremoniale, sesa shpalosje të informacionit. Problem tjetër në këtë format debatesh del edhe tendenca për të komentuar lajme të paverifikuara mirë. Të shtyrë nga shpejtësia e informacionit, çdo postim në Facebook, apo çdo lajm në një portal të panjohur, kërkohet të komentohet drejtpërdrejt nga opinionistët në studio. Ditën e zgjedhjeve, moderatori i njërit debat televiziv filloi emisionin duke thënë se “sot do të komentojmë... nuk e di për çka do të komentojmë”! E kjo shpeshherë sjell edhe situata komike, të cilat në masë të madhe kanë dëmtuar kredibilitetin e shumë opinionistëve. Andaj, me të drejtë, publiku ka filluar të shfaqë averzion edhe ndaj opinionistëve, e jo vetëm ndaj politikanëve.

E për t’i bërë gjërat edhe më keq, në këto debate politike në shumë raste partitë politike dërgojnë në debat persona të cilët nuk shkojnë aty për të debatuar, por për të fyer e nënçmuar bashkëbiseduesit e tjerë. Të tillë ishin Rexhep Hoti e Arbana Xharra nga PDK-ja, Milaim Zeka nga Nisma, apo Ramiz Kelmendi nga LDK-ja, me të cilët mund të shkëmbesh fyerje e akuza, por assesi të debatosh për politika konkrete.

E edhe kjo fushatë zgjedhore, ashtu sikurse edhe pesë fushatat e kaluara për zgjedhjet parlamentare, kaloi pa debat në mes të kryetarëve të partive apo të nominuarve për kryeministër. Edhe pse debatet e drejtpërdrejta për të nominuarit për kryeministër nuk janë kusht për fushatë dhe zgjedhje të suksesshme, shumë vende demokratike kanë adaptuar një praktikë të tillë, e cila i vë përballë kundërshtarët kryesorë politikë dhe programet e tyre qeverisëse. Në mungesë të një debati të tillë, mbahen debate me anëtarë partish, të cilët nuk kanë asnjë pozitë në hierarkinë e partisë dhe nuk mbajnë përgjegjësi për asgjë.

Tani, më përfundimin e zgjedhjeve parlamentare dhe me konstituimin e kuvendit dhe të qeverisë, politikanët do të vazhdojnë të bëjnë atë që e kanë bërë gjithnjë deri më tani: do t’i ikin dhënies së përgjegjësisë. Përderisa gjatë fushatës zgjedhore paraqitja në media ishte mundësi për promovim, gjatë ushtrimit të funksionit politik media është diçka që duhet shmangur me çdo kusht. Ashtu sikurse mashtruesi serik Frank Abagnale, në filmin e Steven Spielberg “Catch me if you can”, edhe politikanët e partive në pushtet, si mashtrues serik politikë, e kaluan edhe këtë fushatë zgjedhore pa u sfiduar në debatet televizive.

Por, atë që nuk e bënë mediat dhe opinionistët, e bënë qytetarët me votën e 11 qershorit, duke ndëshkuar në masë të madhe koalicionet qeverisëse të këtyre 17 vjetëve të qeverisjes. Andaj, me qëllim të forcimit të rolit të tyre, mediat duhet më shumë të përqendrohen në grumbullimin e fakteve me të cilat i sfidojnë politikanët. Dhe, natyrisht, formatet e debateve me opinionistë nuk janë domosdo diçka e keqe. Tek e fundit, televizionet më të mëdha botërore kanë adaptuar shumë moti një format të tillë. Por, me qëllim të rritjes së përmbajtjes së debateve, duhet të ketë profilizim të opinionistëve, të cilët kanë një ekspertizë në një fushë të caktuar, e jo t’u kundërvihen politikanëve me të njëjtën gjuhë politike.