Kthimi i besimit në votë

Valbona Mehmeti Valbona Mehmeti 18 qershor 2017 08:00

Fuqia e votës së 11 qershorit nuk ishte vetëm ndëshkim për një klasë të pamoralshme politike, por ishte edhe kthim i besimit të qytetarit se mund ta sjellë dhe ta rrëzojë vetë nga pushteti secilën parti dhe secilin politikan që luan me fatin e tij

Ka pothuajse dhjetë vjet që shumica e kolumneve të mia, por edhe të kolegëve e kolegeve, përmbyllen me konstatimet se ndryshimin e gjendjes së rëndë politike, ekonomike e sociale të Kosovës mund ta bëjë vetëm një klasë e re politike, e ndryshme nga kjo që e udhëhoqi gjithë këto vitet e pasluftës.

Ky konstatim i përsëritur aq shpesh mund t’i ketë tingëlluar lexuesit klishe, jokreativ dhe i mërzitshëm, por raportimet e çdoditshme në gazetë për afera korruptuese, skandale e krim të organizuar janë dëshmi se qeveritë e pasluftës në radhë të parë kishin interesat e veta e jo të shtetit të ri. Prandaj, edhe përgjegjësia për dështimet e ngecjet në të gjitha aspektet i bie asaj kaste qeveritarësh që e uzurpuan, e plaçkitën dhe e mbajtën në kthetra për afër dy dekada shtetin e krijuar me aq shumë mund e sakrifica të qytetarëve të tij.

Këta sundimtarë të Kosovës - të cilët nuk mund të quhen as politikanë, sepse politikën nuk e patën profesion - arritën në poste më të larta shtetërore me thirrjet në merita të luftës dhe me zhdërvjelltësinë për ndërskamca politike, mashtrime e manipulime me votën e qytetarit. Veç përfitimeve materiale në dobi të vetes e në kurriz të qytetarit, ky lloj “politikanësh” rrënjosi në institucionet dhe në mentalitetin e kosovarëve kulturën e ngritjes në pushtet nëpërmjet hajnisë, kompromiseve të dhimbshme politike në dëm të shtetit dhe nëpërkëmbjes së dinjitetit të qytetarit.

Duke e konsideruar pushtetin të përjetshëm, ky klan politikanësh i njohur si “pronto” e humbi sensin e realitetit në të cilin jetojnë shumica e kosovarëve, ngase ai jeton një realitet tjetër; atë të luksit të krijuar nga hajnia e keqpërdorimi i taksave të popullit.

Politikat e tyre dëshpëruese për gjoja zhvillim e prosperitet ekonomik, ngritje të cilësisë në arsim, shëndetësi e shërbime publike ishin produktive vetëm në rrënjosjen e tenderomanisë në ndërmarrje publike, në polici e sistemin gjyqësor e prokurorial. Politikat e tilla ia humbën qytetarit çdo besim në shtet e institucionet e tij.

Tamam kur u shua pothuajse çdo shpresë, konstatimet e kolumneve e opinionet e botuara në gazetë për domosdoshmërinë e një klase të re politikanësh, të emancipuar dhe me biografi të pastër, filluan të marrin kuptim. Fushata parazgjedhore nxori në pah politikanë të rinj, pragmatikë dhe me fjalime përmbajtjesore që nisën një trend të ri në politikën kosovare. Dhe pikërisht këta politikanë të rinj qytetari i shpërbleu me votë në zgjedhjet parlamentare të 11 qershorit, duke u dhënë grusht të fortë “politikanëve” të klanit “Pronto”.

Më 12 qershor 2017 qytetari festoi jo vetëm çlirimin e Kosovës nga regjimi i Serbisë, por edhe “çlirimin” nga zullumqarët e vet. Por, ngazëllimin më të madh ia solli kthimi i besimit në fuqinë e votës.

Ndryshimin vendimtar në këto zgjedhje e bëri votuesi i ri, ai i linduri pas vitit 1999, gjykimin real të të cilit nuk mund ta mjegullojnë as historitë për heroizma lufte të pronto politikanëve, as premtimet për liberalizim vizash, vende pune e zhvillim ekonomik e as refrenet e frazat “për miqësi të përhershme me aleatët perëndimorë të Kosovës”.

Votuesi i ri u besoi premtimeve dhe gjuhës politike të Albin Kurtit, Vjosa Osmanit, Lumir Abdixhikut e të tjerëve si këta, sepse ata i folën me gjuhën e ilaçit të tyre, e jo të “ilaçit” të klanit “Pronto”.

Gjuha e pasur dhe pa demagogji e politikanëve të rinj ishte freski për veshët e votuesit i mësuar të dëgjojë me vite gjuhën e vrazhdë plot frazeologji të thata, fyerje e sharje seksiste të prontistëve.

Qytetarin e uritur për jetë dinjitoze, për shërbime të mira publike, e përkujdesje të mirë mjekësore e intrigoi më shumë programi social i “Vetëvendosjes”, të cilin zyrtarët e saj ia shpalosën në një fushatë të mirëplanifikuar zgjedhore, të qetë dhe pa fanfare.

Ndëshkimi i zullumit 18-vjeçar të një klase politike nëpërmjet dyfishimit të votës së “Vetëvendosjes” nuk ishte edhe përkrahje automatike e elektoratit për një subjekt politik ende të pasprovuar në qeverinë qendrore.

Sipas sociologëve dhe politikologëve të intervistuar nga gazeta, verdikti i 11 qershorit ishte shprehje e frustrimit dhe revoltës qytetare. Votuesi e shprehu revoltën në tri mënyra: ndëshkoi klasën e vjetër politike duke votuar një subjekt që deri atëherë nuk e konsideronte aq të besueshëm, e bojkotoi procesin zgjedhor ose e prishi fletëvotimin. Që para ditës së votimit qytetarët e këshillonin njëri-tjetrin që të dalin në zgjedhje dhe nëse nuk kanë ndonjë subjekt të preferuar ta shkarravisin fletëvotimin vetëm që të mos ua lënë mundësinë keqpërdoruesve të manipulojnë me votën e tyre. Krejt kjo nga përvoja e zgjedhjeve paraprake, kur vota vidhej e keqpërdorej masivisht nga militantë të një klase të korruptuar politike për të cilën qytetarët kanë shpresuar se një ditë do të lodhet dhe do ta dorëzojë vetë pushtetin. Më 11 qershor u dëshmua se llojit të tyre pushtetin ua lëkundin vetëm kutitë e votimit.

Prandaj është e pamoralshme që edhe pas votës revoltuese të sovranit në krye të Kosovës të vijnë sërish njerëzit që ia dëmtuan rëndë interesat kombëtare dhe ndërkombëtare.

Qeveria që do të formohej nga koalicioni rreth klanit “Pronto” do të ishte fyerje për votuesin. Ajo nuk do të ishte qeveri e zgjedhur nga shumica e qytetarëve. Do të ishte kthim prapa, fundosje dhe shuarje e çdo shprese për një Kosovë shtet të fortë dhe me perspektivë.

Po qe se “Vetëvendosje” arrin ta marrë qeverinë, ashtu siç po deklarohet, duke lidhur koalicion me LDK-në dhe me deputetë të partive të tjera që duan t’i shërbejnë me nder vendit për ta nxjerrë nga gremina ku e ka futur klani “Pronto”, duhet ta ketë parasysh se e presin sfida të mëdha. Më e madhja do të jetë kthimi i besimit të qytetarit në institucione.

Është e kuptueshme që ndryshimet nuk mund t’i bëjnë brenda natës dhe se do t’u duhet shumë përkushtim. Nëse dëshmojnë angazhim të mirëfilltë për të përmbushur premtimet parazgjedhore, të cilat qytetari me votë i vlerësoi si reale dhe të dobishme, nuk ka dyshim se do ta kenë përkrahjen dhe mirëkuptimin e tij.

Por, nëse ndodh e kundërta, edhe Vetëvendosje, edhe cilado parti që e merr pushtetin duhet ta dijë se votuesi më nuk fal.

Fuqia e votës së 11 qershorit e ka bindur qytetarin kosovar se mund ta sjellë dhe ta rrëzojë vetë nga pushteti secilën parti dhe secilin politikan që luan me fatin e tij.

valbona@koha.net

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

comments powered by Disqus
Tjera nga Valbona Mehmeti