OpEd

Një rrugë e tretë

Që nga nisja e dialogut me Serbinë, partitë politike e kanë trajtuar atë si prioriteti numër 1, duke lënë kështu interesat e qytetarëve anash. Kjo qasje na ka sjellë këtu ku jemi. Ndoshta është koha për ndryshim. Në mes kërkesës së qytetarëve për reforma dhe pritjeve të ndërkombëtarëve për dialog – ekziston një rrugë e tretë. Një rrugë jo “all in”. Në këtë rrugë Kosovës aksidentalisht mund t’i ketë ndihmuar një partner i papritur

Së fundmi në diskursin publik janë dy narracione të kundërta sa i përket dialogut me Serbinë nën Qeverinë Kurti 2.

I pari fillon nga kjo: ZERO. Kaq herë Lëvizja Vetëvendosje ka përmendur dialogun me Serbinë në ofertën e saj për qytetarët e Kosovës. Nga ana tjetër, PDK dhe LDK kanë identifikuar dialogun me Serbinë si prioritetet e tyre programore. Dhe tani qytetarët kanë dhënë verdiktin e tyre: oferta e Lëvizjes Vetëvendosje fitoi. Rrjedhimisht, argumenti është se LV tani duhet të fokusohet në realizimin e premtimeve për drejtësi dhe punë për të cilat edhe ka marrë mandatin demokratik.

I dyti narracion është ai i – le ta quajmë – “përgjegjësisë qeverisëse”. Thelbi i këtij narracioni është se ka shumë gjëra të cilat ndoshta nuk janë prioritet për qytetarët, por kjo nuk i bënë të parëndësishme. Një analogji mund të janë zhvillimet e ditëve të fundit në Teksas; për shumë qytetarët e Teksasit “ndryshimet klimatike” nuk janë prioritet, por siç treguan zhvillimet e fundit në Teksas lidershipi politik në SHBA duhet të fillojë të marrë masa radikale për të vënë nën kontroll efektet e ngrohjes globale.

Në këtë kontekst, konsideroj se duhet të çlirohemi nga ky narracion bipolar. Mendoj se ekziston një rrugë e tretë. Që nga nisja e dialogut me Serbinë procesi është parë në terma ekskluzivë, por konsideroj se nuk ka asnjë pengesë që qeveria e ardhshme e Kosovës të bëjë dy gjëra të njëjtën kohë – edhe të avancojë agjendën e brendshme reformuese, edhe të avancojë dialogun me Serbinë.

Po filloj nga e para.

Për së paku 10 vjetët e fundit, institucionet e Kosovës nuk kanë përfaqësuar legjitimitetin e plotë qytetar, por kanë qenë produkt i makinacioneve politike. Si të tilla agjendat e tyre qeverisëse nuk ka qenë të përcaktuara nga vullneti i qytetarëve, por nga interesat partiake.

Në këtë kontekst, Qeveria Kurti 2 do të jetë për herë të parë nga shpallja e pavarësisë, qeveri e cila do të ketë mandat plotësisht legjitim, i cili do të jetë i lidhur drejtpërdrejt me vullnetin e qytetarëve. Në këtë drejtim, z. Kurti nuk ka marrë mandat nga qytetarët për të kontrabanduar votën e tyre nga një mandat për drejtësi dhe ekonomi për qytetarët e Kosovës në një mandat dialogu me Serbinë.

Rrjedhimisht, konsideroj se Qeveria Kurti do të veprojë drejt nëse nuk shpenzon gjithë kapitalin e saj politik në dialogun me Serbinë. Dhe kjo në fakt është në përputhje të plot me brengat dhe pritjet e qytetarëve. Sipas studimit të PIPS-it “Politikat Ndërkombëtare dhe Dialogu me Serbinë” (dhjetor 2020) 63% të qytetarëve nuk besojnë se një marrëveshje me Serbinë do të ndikojë në përmirësimin e jetës së tyre. Nga ana tjetër vetëm 14.7% mendojnë që do të ndikojë. Njëkohësisht, 72% konsiderojnë se shtetësia e Kosovës nuk rrezikohet nga mosnjohja e Serbisë.

Edhe sondazhet e fundit në prag të zgjedhjeve të 14 shkurtit 2020 treguan që qytetarët e Kosovës nuk e shohin dialogun me Serbinë si çështje prioritare. Në sondazhin e Grupit KOHA dialogu me Serbinë zuri vendin e 9 për nga rëndësia. Nga ana tjetër, sondazhi identifikoi se 3 top-prioritete për qytetarët janë: krijimi i vendeve të reja punës, shëndetësia dhe lufta kundër korrupsionit. Në këtë frymë Pulsi Publik i UNDP-s për vitin 2020 gjeti se 76% të qytetarëve të Kosovës shohin prioritet luftën kundër korrupsionit dhe krijimin e vendeve të reja të punës.

Pra, ajo çfarë është më se e qartë është se për qytetarët e Kosovës krijimi i vendeve të reja punës, luftimi i korrupsionit dhe krimit të organizuar, shëndetësia dhe arsimi janë prioritetet kryesore – jo dialogu me Serbinë.

Duhet thënë po ashtu për hir të korrektësisë se ka edhe një vështirësi në leximin e këtyre sondazheve. “Dialogu me Serbinë” ka fituar një konotacion negativ në shoqërinë e Kosovës. Perceptohet me automatizëm si një gjë negative. Dhe për këtë përgjegjësinë e kanë partitë politike të cilat që nga fillimi i dialogut kanë përdorur atë si mjet për zgjatjen e pushtetit.

Nga ana tjetër, po ashtu duhet njohur faktin që është në interesin e Kosovës që të zgjidhë të gjitha çështjet e hapura me një fqinj të saj me të cilin do të jetojë në paqe në një hapësire të bashkuar evropiane dhe të sigurojë konsolidimin e plotë në skenën ndërkombëtare. Ky është po ashtu interesi dhe angazhimi i partnerëve tanë kyçë ndërkombëtarë. Në këtë drejtim, në reagimet e para, SHBA dhe BE kanë bërë të qartë se dialogu është një nga pritjet kryesore të tyre nga qeveria e re.

Në këtë kontekst, Qeveria Kurti 2 duhet të sigurojë pajtimin e këtyre dy realiteteve: interesat e qytetarëve dhe pritjet e partnerëve ndërkombëtarë. Dhe këtu unë them se ekziston një rrugë e tretë e cila mund t’ia lejojë qeverisë që të fokusojë energjinë e saja në këto dy drejtime paralelisht ose pothuaj paralelisht. Ironikisht, ndihmën më të madhe Qeverisë së Kosovës ia ka dhënë një partner i papritur – Presidenti Vuçiq.

Presidenti Vuçiq ka përjashtuar çfarëdo mundësie që të këtë marrëveshje me Kosovën deri në prill 2022 kur do të mbahen zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale të Serbisë. Kjo krijon një hapësirë kohore ku Qeveria Kurti 2 mund të fokusojë vëmendjen e saj gjatë vitit 2021/2022 në çështje të brendshme, duke zhvendosur vëmendjen më pastaj në vitin 2022/2023 në dialogun me Serbinë.

Kjo nuk do të thotë se për dy vjet dialogu me Serbinë do të pezullohet – ai do të zhvillohet nën radarin politik dhe brenda orbitës diplomatike. Një qasje e tillë do të kërkonte që përmes një pune intensive diplomatike të identifikohen disa skenarë të mundshëm që do të mund të ishin pjesë thelbësore e marrëveshjes së ardhshme Kosovë – Serbi dhe nga ana tjetër do t’i jepte kohë z. Kurti që të fillojë një proces konsultimi shoqëror rreth kompromisit para nesh.

Dhe në këtë drejtim konsideroj se debati publik nuk duhet të jetë se a mbështet një qeveri apo jo dialogun, kjo pasi që besoj se të gjitha qeveritë eventualisht do e mbështesin dialogun. Çështja besoj duhet shtruar në dy rrafshe më konkrete: (1) Cili është kompromisi për të fituar anëtarësimin në OKB? dhe (2) Kur duhet bërë ky kompromis?

Dhe përgjigjja në këto pyetje asnjëherë nuk duhet të jetë e një mazhorance, por rezultat i një konsensusi shoqëror që do të arrihet me anë të një procesi konsultativ dhe të parashikueshëm publik.

(Autori është drejtor ekzekutiv i Institutit EPIK)