Jo qeveri të Serbisë në Kosovë

Adriatik Kelmendi Adriatik Kelmendi 17 qershor 2017 09:14

NË SITUATËN kur askush nuk do të lëvizte nga pozicionet e veta aktuale, kjo do të mundë të ishte zgjidhja: PDK-AAK-NISMA marrin postin e kryetarit të Kuvendit me ndihmën e LVV-së dhe koalicionit rreth LDK-së, kurse këto të fundit formojnë qeverinë e re.

E gjitha kjo do të mundë të realizohej në një marrëveshje gjithëpërfshirëse kompromisi, p.sh. për shkuarje në zgjedhje të reja pas dy vjetësh dhe dakordim për përfundimin e “temave të mëdha”, si ushtria, liberalizimi i vizave, përmbyllja e dialogut me Serbinë, demarkacioni me Malin e Zi, reforma zgjedhore dhe Gjykata Speciale.

Kështu do t’i binte që zgjedhjet e reja të mbaheshin vetëm një vit pas përfundimit të mandatit të rregullt të qeverisë së kaluar dhe do të bënin që të gjitha subjektet politike të reflektonin dhe të përgatiteshin për zgjedhjet e vitit 2019, duke mos pasur barrën e temave të hapura.

Mirëpo, fatkeqësisht, me sinjalet e para nga të tria grupimet politike, gjasat janë të mëdha që të futemi edhe në një cikël të lodhshëm bllokade politike, gjë që do t’i shtynte edhe më shumë zgjidhjen e temave të rëndësishme dhe si rrjedhojë ta thellonte mjerimin e qytetarëve.

PDK-ja e KADRI Veselit bëri çmos që edhe në këto zgjedhje të mbesë në pushtet, duke ia dhënë deri edhe kandidaturën për kryeministër Ramush Haradinajt, kryetarit të partisë së katërt në Kosovë dhe njërit prej kundërshtarëve më të mëdhenj politikë të tij. Po ashtu, ai ktheu Fatmir Limajn me parti, njeriun i cili kishte dalë nga PDK-ja duke kritikuar pikërisht atë dhe Hashim Thaçin.

Hesapi nuk i doli siç e kishte menduar. Veseli tok me Haradinajn e Limajn, si dhe me mbi 10 parti, ia doli të merrte rreth 15 mijë vota më tepër sesa Thaçi në zgjedhjet e kaluara. Jo mjaftueshëm që ta bëjë qeverinë edhe me ndihmën e të gjithë deputetëve të pakicave.

LVV-ja dhe koalicioni i LAA-së e kanë bërë të qartë se më nuk bëjnë koalicion me PDK-në. Edhe LVV-ja, edhe LAA-ja, mes tjerash, e dinë se zgjedhjet lokale janë vetëm pas 3-4 muajsh dhe se një thyerje e parimit do t’i kushtonte shtrenjtë në rezultat. Haradinaj sakaq ka theksuar se nuk do të dalë nga koalicioni me PDK-në.

Synimi i mbetur i PAN-it: peshkimi i ndonjë deputeti nga dy subjektet e tjera.

Kjo sërish është situatë e cila jo vetëm se do të mund ta çonte edhe më thellë rënien e mbështetjes së partive të PAN-it në zgjedhjet lokale të vjeshtës, por edhe do ta rrezikonte drejtpërdrejt Kosovën nga Serbia.

Një koalicion i ardhshëm qeveritar do të duhej domosdo të kishte së paku 51 deputetë shqiptarë, në mënyrë që të mos bëhej i ndikuar nga komunitetet pakicë, veçanërisht nga Lista Serbe.

Nëse PAN-i në këtë rast, ose edhe hipotetikisht LVV-ja e LAA-ja, me ndihmën e deputetëve që do t’i bashkoheshin nga të tjerët për ta arritur numrin prej vetëm 41-42 deputetësh shqiptarë do të synonin ta krijonin shumicën parlamentare, atëherë kjo do të nënkuptonte kthimin e Serbisë në Kosovë, pa luftë, 18 vjet pas luftës.

Madje edhe data do të ishte ironikisht specifike - 12 Qershori, Dita e Çlirimit të Kosovës.

Një politikëbërje miope dhe tepër e rrezikshme kjo.

NË PAN DO TË duhej ta pranonin se eksperimenti nuk i ka funksionuar tërësisht. Vetë bashkimi i tyre në koalicion parazgjedhor është bërë në mënyrë që të sigurojnë vota të mjaftueshme për t’i themeluar vetë institucionet, me ndihmën e komuniteteve pakicë, dhe pa detyrime ndaj partive të tjera.

Vullneti i votuesve ishte që ata të jenë për dy deputetë më pak sesa do t’i duhej ta kishin shumicën minimale për ta bërë qeverinë. Në këtë mënyrë i bie se tri ish-parti parlamentare shqiptare ia kanë dalë të sigurojnë 39 mandate deputetësh, kurse dy ish-parti parlamentare shqiptare, LVV dhe LDK – 61.

Me 61 mandate deputetësh shqiptarë të një koalicioni eventual të LVV-së dhe LAA-së do të mundë të votohej një qeveri autonome, mirëpo sipas Gjykatës Kushtetuese, hera e parë i takon mandatarit të subjektit që del i pari në zgjedhje, gjë që nuk ia dolën asnjëra.

Në gjendjen e këtillë, kur nuk ka asnjë fitues e asnjë humbës absolut të zgjedhjeve, nëse subjektet politike shqiptare do t’ia donin më tepër të mirën Kosovës dhe qytetarëve të saj sesa akomodimit të liderëve të tyre – do të duhej të ishin të gatshëm për kompromis.

Një ide kompromisi u dha që në krye të këtij teksti.

Në të kundërtën, nëse shumica e ardhshme parlamentare do të varet nga votat e Listës Serbe, atëherë Beogradi do të bëhej faktor kyç në politikëbërjen e Kosovës. Një gafë të këtillë votuesit nuk do t’ia falnin kurrë asnjë subjekti politik shqiptar.

Koha e ndikimit të Qeverisë së Serbisë në punët e Kosovës ka marrë fund më 12 qershor ’99.

adriatik@kohavision.net

Twitter: @adriatikk

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

comments powered by Disqus
Tjera nga Adriatik Kelmendi