OpEd

Serbët boshnjakëve në Kosovë ua bënë atë që boshnjakët ua bënë kroatëve në Bosnjë

Kosovës i duhet reformë e sistemit zgjedhor, sidomos për zgjedhjen e deputetëve të pakicave

Gjatë dhjetë vjetëve dialog në Bruksel, përfaqësuesit e Serbisë deklaronin se ata po bëjnë dialog “me përfaqësues të shqiptarëve të Kosovës” dhe bazoheshin në emër “të të gjithë joshqiptarëve në Kosovë e Metohi”.

Fushata e fundit zgjedhore në Kosovë, dhe rezultatet për të cilat përflitet se kanë dalë nga to në zgjedhjen e 20 deputetëve të komuniteteve joshumicë, mund të jenë edhe një hap i suksesshëm i Serbisë që të rrisë ndikimin e saj në Kosovë.

Sipas ankesave të disa kandidatëve nga komuniteti boshnjak në Kosovë, duket se 2 nga 3 përfaqësues të këtij komuniteti janë zgjedhur me votat e serbëve. Këtë e kanë argumentuar me një lloj anomalie zgjedhore, sipas së cilës shumicën e votave disa kandidatë që kanë fituar e kanë marrë kryesisht në vendet e banuara me serbë. Nëse kësaj i shtohen edhe vërejtjet se në veri të Kosovës ka pasur shumë parregullsi dhe se atje kësaj radhe zgjedhjet nuk janë monitoruar apo “lehtësuar” nga OSBE-ja, atëherë dyshimet për manipulim bëhen edhe më të mëdha.

Krahas kësaj, zgjedhjet në mesin e komunitetit serb në Kosovë kanë qenë shumë larg standardeve të larta demokratike që i ka arritur Kosova në përgjithësi. Ato nuk kanë qenë aspak demokratike dhe pluraliste. Të gjithë kandidatët të cilët nuk ishin nga Lista Serbe, e cila përfaqëson në Kosovë më shumë interesat e Beogradit sesa të serbëve të Kosovës, kanë qenë cak i sulmeve dhe frikësimeve, linçimeve në mediat e Beogradit.

Dhe në fund, përfaqësues të Beogradit kanë thënë se Lista Serbe i paska fituar 99% të votave të serbëve. Kjo duket pak e besueshme.

Nëse të gjitha këto dyshime dalin të vërteta, atëherë Serbia do të ketë në Kuvendin e Kosovës 12 deputetë, të cilët do t’i kontrollojë. Në këtë mënyrë mund të pengojë miratimin e shumicës së ligjeve të rëndësishme, përfshirë edhe ndryshimet kushtetuese, për të cilat kërkohet shumica e dyfishtë, pra pos shumicës në Kuvend edhe shumica e votave të pakicës. Kosova më nuk mund të llogarisë as në gjysmën e votave të komuniteteve joshumicë, që vijnë nga radhët e komuniteteve joserbe. Aq më tepër, Beogradi mund të rrisë argumentet për të pohuar në Bruksel se përfaqëson edhe komunitetet e tjera joshqiptare e jo vetëm serbët, si për shembull boshnjakët dhe goranët.

Kosova është ndër vendet e rralla, nëse jo të vetme në botën demokratike, ku as fituesi i mbi 50 për qind të votave nuk e ka të garantuar se mund ta krijojë qeverinë dhe të sigurojë mandatin. Pos këtij paradoksi, problematike për Kosovën po dëshmohet të jetë edhe zgjedhja e përfaqësuesve të pakicave. Serbët e Kosovës, nëse nuk dëgjojnë 100 për qind Beogradin, e kanë të pamundur të zgjedhin përfaqësuesit e tyre. Madje duke qenë të sigurt se i kanë 10 vendet e rezervuara për vete, Lista Serbe mund të rrezikojë që të thërrasë mbështetës të saj të votojnë për listat e pakicave të tjera.

Kjo nuk mund të dëshmohet, sepse vota është e fshehtë. Dhe nuk është e mundur që dikush ta zbulojë se kush ka votuar për kë. Kjo i ngjan shumë edhe procesit të zgjedhjes së 3 përfaqësuesve të Presidencës kolektive në Bosnjë-Hercegovinë. Askush nuk ka dyshim se me vota të boshnjakëve është zgjedhur Zheljko Komshiq si përfaqësues i kroatëve. Por kjo nuk është shkelje e ligjit zgjedhor. Sepse, sipas ligjit, nuk thuhet se kandidati duhet të jetë “përfaqësues i popullit kroat”, porse ai ”duhet të jetë kroat”. Pra, Komshiq është deklaruar si “kroat”, prandaj e ka përmbushur këtë kriter. Nga kush i ka marrë votat, nuk ka rëndësi sipas ligjit dhe formalisht nuk mund të dëshmohet, megjithëse të gjithë e dinë.

Kështu edhe në Kosovë nuk do të jetë e mundur që formalisht të dëshmohet se kush ka votuar për kë, ndonëse me probabilitet të madh mund të dihet. Pra nuk do të jetë e lehtë që, duke u bazuar në dyshime se “të tjerët na i kanë zgjedhur përfaqësuesit”, boshnjakët në Kosovë të sigurojnë mbrojtjen e së drejtës, që vetë të zgjedhin përfaqësuesit e tyre. Aq më tepër, po të kishte ndonjë plan. Shqiptarët kanë mundur t’i zgjedhin përfaqësuesit e Serbisë po të kishin votuar për ta.

Kroacia është edhe një shembull i shtetit ku ka vende të rezervuara për pakicat, ndonëse jo në atë masë si në Kosovë dhe jo me mundësi të bllokimit (nga 150 deputetë, 8 vende janë rezervuara për pakicat). Por në Kroaci përfaqësuesit e pakicave votohen në një listë të veçantë. Pra, një qytetar, kur shkon në vendvotim, mund të vendosë se a do të votojë për listën e përgjithshme apo për “listën e pakicave”.

Nuk mund të votojë për të dyja. E nëse vendos të votojë për listën e pakicave, atëherë mund të zgjedhë cilindo kandidat nga kjo listë, pa marrë parasysh se a vjen nga pakica e tij etnike apo jo. Një shqiptar mund të votojë për një hungarez apo një italian, për një boshnjak apo një serb në Kroaci.

Kroacia këtu mund të shërbejë si një shembull për Kosovën, por jo deri në fund. Edhe po të ishte ligji sikur në Kroaci, në Kosovë prapë serbët do të mund të votonin për kandidatin boshnjak.

Një zgjidhje mund të jetë që votuesit, kur të vijnë në vendvotim, të deklarojnë përkatësinë e tyre etnike dhe atëherë të mund të votojnë vetëm për kandidatët që kanë kandiduar si përfaqësues të asaj pakice. Vetëm atëherë mund të sigurohej përfaqësimi legjitim i të gjitha komuniteteve joshumicë në Kosovë.

Është për keqardhje se si edhe bashkësia ndërkombëtare, sidomos Bashkimi Evropian, qëllimisht toleron një atmosferë jodemokratike në zgjedhjet në Kosovë për kandidatë të komuniteteve joshumicë. Edhe pse në hollësi i dinë për problemet që u bëhen kandidatëve, që nuk janë në linjë me politikën zyrtare të Serbisë, në BE nuk duan të bëjnë asnjë hap për ta ndalur një praktikë të tillë. Vetëm e shënojnë në raporte, pasi kjo të ndodhë.

Krahas diasporës së Kosovës, që nuk po i lehtësohet votimi, e që duhet zgjidhur si problem me një reformë zgjedhore, një zgjidhje tjetër duhet gjetur edhe për të siguruar një proces fer, demokratik e pluralist edhe për pakicat.