OpEd

Shanse për ndryshime në Kosovë dhe për reflektimin e madh të humbësve

Në vend që të tentojnë të formojnë “pakicën bllokuese” në Kuvendin e Kosovës, për ta çuar vendin përsëri në zgjedhje, humbësit duhet të reflektojnë dhe ta shohin veten në pasqyrë. Nëse vazhdojnë me zbulimin e “antiamerikanëve”, me lamentimet për “rrezikun nga komunizmi” dhe me nënçmimin e popullit duke thënë se “kanë rënë pre e manipulimeve të Vetëvendosjes”, mund t’i bëjnë dëm Kosovës por nuk do t’i bëjnë mirë vetes. E panë në këto zgjedhje se gjeneratat kanë ndryshuar dhe me këtë ndryshim duhet të pajtohen. Më së shumti populli i ka dhënë mësim LDK-së. Kjo parti më nuk mund të fitojë duke u thirrur në dr. Ibrahim Rugovën, kur pohimet më të shpeshta të përfaqësuesve të saj ishin “jemi lodhur”, “na keni lodhur” dhe “mos na lodhni”

Kosova është sui generis për shumë gjëra. Dhe mund të bëhet një prej shembujve të vetëm në botën demokratike ku fituesi, i cili ka marrë më shumë vota se të gjitha partitë e tjera së bashku, të mos jetë në gjendje ta ushtrojë pushtetin. Kjo, për shkak se në Kosovë, sipas Kushtetutës dhe ligjeve, pos nevojës së krijimit të shumicës qeverisëse, ekziston edhe mundësia e krijimit të asaj që njihet si “pakica bllokuese”. Krijimi i një të tille është edhe më i mundshëm pasi 20 prej 120 vendeve në Kuvend janë të rezervuara për deputetët nga radhët e komuniteteve joshumicë. Dhe 10 prej tyre për komunitetin serb. Në kushte normale, në vende normale, me politikanë që kanë sadopak përgjegjësi, deputetët e pakicës shkojnë me këdo që krijon koalicionin shumicë. Por në vendet ku bëhen pazaret politike, dhe jo vetëm politike, gjithçka është e mundur.

Në Kosovë asnjëherë deri më tash krijimin e qeverisë nuk e ka diktuar numri i votave të qytetarëve, por pazaret. Kjo ka bërë që LDK-ja, me liderin më të prirë për pazare Isa Mustafën, të ketë postin e kryeministrit pa i fituar asnjëherë zgjedhjet. Sikur ka ndodhur që të mos e ketë kryeministrin kur në kohën e Ibrahim Rugovës i kishte fituar zgjedhjet.

Këto pazare kanë ndodhur kur mes partive dallimi në vota dhe në vende në Kuvend nuk ka qenë shumë i madh. Dhe, po ashtu, kur Kosovën, pak a shumë, e kanë udhëhequr 5 a 6 burra. Pazaret bëheshin nëpër shtëpi private, nën hijen e pemëve në oborrin e ndonjërit apo nëpër kafene. Në ato pazare janë përfshirë, kohë pas kohe, edhe diplomatë të huaj.

Rezultati i këtyre zgjedhjeve është më se i qartë. Fitorja e Vetëvendosjes dhe e Vjosa Osmanit në gjuhën angleze quhet “landslide”. Varësisht nga rezultati final mund të dalë që fituesi të ketë marrë më shumë vota sesa të gjitha partitë e tjera shqiptare së bashku. Por prapë është i mundshëm krijimi i “pakicës bllokuese”. Për ta çuar vendin në zgjedhje mjafton një “pakicë bllokuse” prej 40 deputetëve. Pra, nëse do të bëhen bashkë humbësit, PDK, LDK dhe AAK, me mbështetjen e Listës Serbe, mund ta krijojnë atë “pakicën bllokuese” për të parandaluar zgjedhjen e presidentit dhe ta çojnë Kosovën në zgjedhje të reja.

Kemi parë në fushatë se kemi të bëjmë me njerëz tejet irracionalë, të cilët deri në momentin e fundit besonin se do të fitonin. Njerëz që nuk kanë treguar asnjë pikë përgjegjësie për vendin, që e kanë rrezuar Qeverinë midis pandemie, për çka edhe morën ndëshkimin e merituar, siç e morën edhe për shumë gjëra të tjera. Dhe goditja e rëndë që u është dhënë mund t’i bëjë edhe më irracionalë dhe të futen në eksperimente që të pengojnë normalizimin e jetës institucionale në Kosovë. Për këtë mund edhe ta përfitojnë Listën Serbe. Ani pse në zgjedhjet e ardhshme do të rrezikonin edhe kalimin e pragut, por do ta çonin vendin përsëri në zgjedhje.

Në vend që të tentojnë të formojnë “pakicën bllokuese” në Kuvendin e Kosovës, për ta çuar vendin përsëri në zgjedhje, humbësit duhet të reflektojnë dhe ta shohin veten në pasqyrë. Nëse vazhdojnë me zbulimin e “antiamerikanëve”, me lamentimet për “rrezikun nga komunizmi”, dhe me nënçmimin e popullit duke thënë se “kanë rënë pre e manipulimeve të Vetëvendosjes” mund t’i bëjnë dëm Kosovës, por nuk do t’i bëjnë mirë vetes. E panë në këto zgjedhje se gjeneratat kanë ndryshuar, dhe me këtë ndryshim duhet të pajtohen. Më së shumti populli i ka dhënë mësim LDK-së. Kjo parti më nuk mund të fitojë duke u thirrur në Ibrahim Rugovën, kur pohimet më të shpeshta të përfaqësuesve të saj ishin: “jemi lodhur”, “na keni lodhur” dhe “mos na lodhni”.

Duke njohur shumë njerëz nga kjo parti, njerëz të ngritur e të arsimuar, nuk dyshoj se shumë njerëzve nga LDK-ja do t’u vijë keq kur t’iu kujtohet se çfarë kanë thënë në fushatë dhe si janë sjellë deri tash. Me meritë e kanë fituar epitetin e “parisë së lodhtë” dhe tash brenda vetes duhet të gjejnë njerëz që janë të gatshëm të punojnë, të shohin tek vetvetja gabimet e jo t’i fajësojnë të tjerët. Nuk besoj se vërtet kanë besuar se Haki Rugova nga Istogu e Agim Veliu nga Podujeva janë më “proamerikanë” sesa Vjosa Osmani apo Mimoza Kusari-Lila. Nuk besoj, dhe nuk dua të besoj, se një doktor shkence si Avdullah Hoti mendon se “konservativizmi modern politik” është që djali ta pyesë babanë dhe nipi gjyshin se për kë duhet të votojë.

E njëjta vlen edhe për profesor Enver Hoxhajn, i cili me siguri nuk ka besuar në fjalët e veta kur ka thënë se pengesa kryesore në lobimin e tij për njohje të Kosovës ka qenë Albin Kurti. As nuk besoj se Ramiz Lladrovci beson se Fatmir Limaj na paska qenë dezertor në luftë dhe ka ikur, duke u shtirur se ishte helmuar me kafe apo kërkonte banjë. Aq sa besoj se Fatmir Limaj, pasi u refuzua nga Enver Hoxhaj për koalicion parazgjedhor, e ka ditur se Hoxhaj paska preferuar azil politik në Serbi më shumë sesa fitore të UÇK-së në luftë.

As nuk besoj se të gjithë “analistët”, të cilët e etiketonin Kurtin duke e krahasuar sa më Hugo Chavezin, sa me Hitlerin apo Mao ce Dungun, vërtet mendojnë ashtu.

Të gjitha këto gjëra që janë dëgjuar gjatë fushatës janë edhe një arsye tjetër për ta kursyer Kosovën nga aventura e shkuarjes në zgjedhje të tjera gjatë këtij viti.

Më së paku dua të besoj se humbësit e zgjedhjeve nuk e kanë kuptuar se ka ndodhur ndryshim i madh edhe në Kosovë, edhe në diasporë. Ky është edhe ndryshim gjeneratash. Si në Kosovë, ashtu edhe në diasporë u bashkuan njerëzit në fundvitet nëntëdhjetë për liri dhe barazi. Kësaj radhe u bashkuan për ndryshim. Dhe diaspora tash ka një nivel shumë më të lartë të emancipimit sesa që mendohet në Kosovë, edhe shoqëror, edhe arsimor, edhe politik e edhe ekonomik. Kush nuk e ka kuptuar këtë e ka humbur hapin me realitetin.

humbësit që duhet të reflektojnë, fitorja e madhe e obligon edhe më shumë Vetëvendosjen, parti e cila në të kaluarën ka ditur të jetë shumë konfliktuoze. Asaj gabimet nuk do t’ia falin jo vetëm kundërshtarët politikë, por as mbështetësit e shumtë të saj. Shumica e madhe e votave është sukses i madh për VV-në, por edhe barrë e madhe.