OpEd

Argatët socialdemokratë të Vladimir Putinit në Gjermani

Pak gjeostrategji për partitë kosovare të dehura nga politikat lokale.

Tërë bota demokratike e ka dënuar helmimin e opozitarit rus Aleksej Navalni. Për këtë akt kriminal dyshohet shërbimi sekret i Kremlinit. Tërë bota demokratike po kërkon lirimin e Navalnit pas një procesi të montuar politik kundër tij nga «drejtësia» ruse. Por në shoqëritë demokratike ka shërbëtorë të pështirë të autokracisë ruse. Në Gjermani këto ditë po shquhen dy politikanë prorusë. Ish-kancelari socialdemokrat Gerhard Schröder, punëtor i një firme ruse të gazit, në një intervistë deklaroi paturpshëm se nuk e mbështet kërkesën e kancelares Angela Merkel për lirimin e menjëhershëm të Navalnit.

«Ky nuk është pozicioni im», tha Schröder. Sipas tij, interesi i Gjermanisë është ta ruajë Rusinë si partner. Schröder e sheh si partnere Rusinë, shërbimet e së cilës akuzohen se më 23 gusht 2019 në qendër të Berlinit vranë një çeçen. Schröder e sheh si partnere Rusinë, e cila dyshohet se ka kryer sulm kibernetik kundër Parlamentit gjerman (Bundestagut). Përveç qëndrimeve të tij ekstreme proruse, Schröder vazhdimisht shquhet edhe me deklarata antiamerikane.

Një argat tjetër i Rusisë në Gjermani është Matthias Platzeck, edhe ky politikan socialdemokrat, madje një kohë ka qenë edhe kryetar i SPD-së, partisë socialdemokrate. I pyetur se çka mendon për dënimin e Aleksej Navalnit, Platzeck përgjigjet: «Nuk mund ta vlerësoj këtë në aspektin juridik». Thua se duhet të jesh jurist për ta parë e kuptuar një padrejtësi. Por s’janë vetëm disa burra të SPD-së që i bëjnë temena Vladimir Putinit.

Njëra nga përkrahëset më të zjarrta të Vladimir Putinit është kryeministrja e landit Mecklenburg-Vorpommern, Manuela Schesëig. Ajo e përkrah ndërtimin e gazsjellësit «Nord Stream 2», një projekt i Kremlinit për të furnizuar Gjermaninë me gaz, duke anashkaluar gazsjellësit aktualë nëpër Ukrainë. Me këtë anashkalim Ukraina humb jo vetëm taksat që duhet të paguajë Rusia për transferin e gazit, por edhe rëndësinë gjeostrategjike – rrjedhimisht rritet rreziku që Vladimir Putini ta trajtojë Ukrainën si plaçkë që duhet pushtuar edhe më shumë. Disa shtete të Europës Lindore si Polonia dhe vendet baltike i kanë kërkuar Gjermanisë ta stopojë projektin «Nord Stream 2».

Tani edhe Franca ka kërkuar një gjë të tillë. Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë vendosur sanksione kundër firmave që po e ndërtojnë gazsjellësin «Nord Stream 2». Rusët po përpiqen të gjejnë mënyra për të financuar projektin. Kanë vendosur të themelojnë dhe financojnë një fondacion për mbrojtje të ambientit në landin Mecklenburg-Vorpommern, ku kryeministre është Manuela Schesëig.

Ajo e përkrah këtë projekt. Dyshohet se përmes këtij konstrukti rusët synojnë të ndërtojnë një kanal

për të financuar ndërtimin e gazsjellësit. Në Ministrinë e Jashtme gjermane të drejtuar nga socialdemokratët ende dominojnë tonet antiamerikane – sidomos për shkak të intervenimit të administratës së George Ë. Bushit kundër Irakut. Ky intervenim ka qenë gabim, për këtë s’ka

dyshim, këtë e pranojnë edhe shumë republikanë në SHBA. Por prapa antiamerikanizmit të disa socialdemokratëve gjermanë fshihet (ose po duket haptas) proputinizmi i tyre.

Ish-kancelari socialdemokrat Gerhard Schröder shkon në Beograd për të pirë verë me Aleksandar Vuçiqin. Kjo nuk është edhe aq befasi, prej Schröder-it nuk pritet më shumë. Por edhe në Ministrinë e Jashtme gjermane të dominuar nga socialdemokratët ka diplomate që nuk përtojnë të lavdërojnë zgjedhjet në Serbi dhe fitoren e Vuçiqit. Serbia është vendi i vetëm në Europë që ka parlament pa opozitë.

Për fat të keq SPD ka gjithnjë e më pak politikanë kompetentë sa i përket politikës së jashtme. Njëri ndër ta ka qenë Sigmar Gabriel, i cili tani si pensionist politik angazhohet për kultivimin e marrëdhënieve me SHBA-të. Në vitin 2018 Sigmar Gabriel vizitoi Kosovën. Nuk qëndroi vetëm në Prishtinë, por shkoi edhe në Mitrovicë.

Nga ura e atjeshme tha se dominimi i krimit të organizuar në veriun e Kosovës të populluar nga serbët duhet të luftohet. Pasardhësi i tij në post Heiko Maas me gjasë nuk e di ku gjendet Kosova.

Në vjeshtë në Gjermani do të mbahen zgjedhjet parlamentare. Kancelarja Angela Merkel do të braktisë skenën politike. Ende nuk dihet kush do të jetë pasardhës i saj si kancelar. Kryetari i sapozgjedhur i CDU-së, Armin Laschet, së fundi u kritikua po ashtu për disa deklarata thënë më së buti të çuditshme për

Vladimir Putinin dhe Bashar al-Asadin. Laschet është përpjekur të distancohet nga këto deklarata dhe t’i sqarojë ato.

Nga prizmi kosovar mbetet për të shpresuar se në qeverinë e re gjermane do të jenë partner koalicioni Të Gjelbrit, të cilët nuk shiten te firmat ruse dhe besojnë në vlera universale dhe në rëndësinë e të drejtave të njeriut.

Ndoshta këto shënime mund t’i shërbejnë partive në Kosovë për të pasur një pasqyrë më të qartë mbi disa devijime të politikës në Gjermani, vendin që ka bërë aq shumë për Kosovën dhe do të mbetet i rëndësishëm edhe në të ardhmen. (Për të majtën gjermane, Die Linke, siç quhet, dhe për partinë Alternativa për Gjermaninë, AfD, nuk duhet humbur shumë fjalë: qëndrimet e tyre ndaj Kosovës nuk dallojnë shumë nga gjuha e Vojisllav Sheshelit dhe Ivica Daçiqit).