OpEd

E tash, nënshkrimi

Qytetarët e Kosovës nuk kanë pse t'u besojnë "fjalëve të burrave". Ai që do formimin e Qeverisë le t'i sjellë nënshkrimet e deputetëve

1.

Versioni i bukur i interpretimit se pse në listën e vlerave tona "burri i fjalës" është diku në krye, ka të bëjë me mbijetesën e normave kalorësiake të mesjetës. Të rritur me mitin e Skënderbeut e duke u shërbyer me kodin juridik të Lekë Dukagjinit, kemi ndër përshëndetjet më të bukura në të gjitha gjuhët për takim a përcjellje,"tungjatjeta" dhe ndër shprehjet më të bukura në të gjitha gjuhët për mirënjohje, "falëmnderit". "Burri i fjalës", rrjedhimisht, është pjesë e këtij konteksti socio-linguistik; mbajtja e fjalës shkalla më e lartë e besueshmërisë. E siç e dimë, besueshmëria dhe "besa" kanë rrënjë të njëjtë, deklarim i një përcaktimi që nuk ndryshon as në rrethanat më të skajshme, ato të rrezikimit ekzistencial.

Versioni që nuk është i bukur është praktik. Në listën e vlerave tona "burri i fjalës" zë vend më të lartë se në shoqëritë e tjera (ndonëse në çdo shoqëri pa dyshim çmohet virtyti i mbajtjes së fjalës) për shkak se jemi popull që kemi zbuluar shkrimin vetëm në njëqind vjetët e fundit. Ndër ne ka pasur të atillë që kanë shkruar latinisht e persisht, e arabisht e turqisht, por vetëm në shekullin e kaluar kemi filluar të shkruajmë që të gjithë në alfabetin tonë, dhe vetëm në gjysmën e dytë të shekullit të kaluar kemi dalë nga analfabetizmi.

Vënë në formë të thjeshtësuar, e kemi çmuar fjalën e shqiptuar, sepse nuk kemi ditur ta shkruajmë; kemi çmuar tej mase "burrin e fjalës", sepse nuk kemi pasur kontrata të nënshkruara, dhe rrjedhimisht institucione që do të përkujdesen për ligjshmërinë e zbatimit të atyre kontratave.

Ka pasur vlerë fjala e dhënë, sepse ka munguar nënshkrimi i kontratës.

Këtë e kanë kuptuar popujt e tjerë "kalorësiakë". Anglia, me numër gjithsesi më të madh bujarësh, feudalësh, princërish e mbretërish sesa shqiptarët, kishte vendosur që përtej fjalës së tyre më e rëndësishme ishte firma, andaj në Parlament kaloi ligji i parë që obligon nënshkrimet e kontratave, "Statute of Frauds" (Statuti i mashtrimeve) më 1677.

2.

Titulli i ligjit, Statuti i mashtrimeve, ndoshta mund të jetë një lloj nxitjeje për të kuptuar se kah do të shkojë politika e shqiptarëve në Kosovë. Ligji anglez u quajt ashtu, sepse konsiderohej që kontrata mes dy personave ishte e hapur për mashtrim, nëse nuk ekzistonte një obligim legal (i nënshkrimit të emrit) dhe një mekanizëm që do të sforconte obligimin legal. Pra, natyra njerëzore është lehtë e udhëzuar kah mashtrimi - duke kapërcyer kornizat morale, qoftë ato fetare kundër gënjeshtrës, qoftë ato kalorësiake të "fjalës së dhënë" - dhe nevojitet një digë që do ta ndalojë drejtimin mashtrues.

Partitë politike shqiptare dhe elektorati që ua dha votën në zgjedhjet parlamentare të Kosovës janë në një lloj dileme angleze të shekullit XVII. Dilema pak a shumë shkon kështu: pas zgjedhjeve nuk ka parti politike shqiptare që vetëm me votat e veta të krijojë Qeverinë, pra ta krijojë kontratën mes partisë dhe nesh, qytetarëve të Kosovës. Partitë duhet ta bindin njëra-tjetrën dhe në fund neve, qytetarët e Kosovës, se kanë votat e mjaftueshme për të qeverisur. Dhe dilema është se a do t'i besohet "burrërisë së fjalës" apo, sikur në Angli, duhet të ketë një "atatut" i cili do të pengojë mashtrimin?

3.

Në një demokraci parlamentare normale, presidenti i vendit (apo mbreti, si në rastin e Spanjës) do të vlerësonte, pas konsultave me krerët e partive a të koalicioneve, se cilës parti t'i jepej mandati për formimin e Qeverisë, duke marrë për bazë potencialin për të krijuar Qeveri. Kosova, një demokraci parlamentare që ende nuk është normale, ka një aktvendim të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës që e detyron kreun e vendit që t'ia japë mandatin partisë a koalicionit që në momentin e certifikimit të rezultateve del të ketë fituar më së shumti vota, pa marrë parasysh se ky numër nuk është i mjaftueshëm për të krijuar Qeverinë. Pra, presidenti i vendit duhet t'i besojë "fjalës burrnore" të koalicionit PAN se do të arrijë që t’i bindë partitë a koalicionet e tjera. Nëse brenda 15 ditësh nga marrja e mandatit PAN nuk thyhet "burrëria" e palës tjetër, pra të koalicionit LAA dhe VV dhe nuk mbërrihen numrat për qeverisje, presidenti i vendit ka mundësi të rimandatojë dikë nga PAN-i me besim se në një afat 10 ditësh do të ketë argumente shtesë për thyerje të "burrërisë" së palës tjetër. Presidenti i vendit ka, po ashtu, mundësi që t'ia japë mandatin Lëvizjes Vetëvendosje, por i tërë sistemi qe dizajnuar para tre vjetësh që çfarëdo që të jetë Qeveria ajo nuk mund të formohet pa PDK-në. Kosova mund ta ketë edhe një përsëritje të situatës në Maqedoni për disa javë, duke marrë shpjegime nga Hashim Thaçi pse Kosova ka nevojë për qeverisje të PDK-së. Dhe, mund të shkohet në zgjedhje të përsëritura. Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese në pikën 94 thotë se "pasi që, sipas Kushtetutës, presidenti i Republikës përfaqëson shtetin dhe unitetin e popullit, është përgjegjësi e presidentit të ruajë stabilitetin e vendit dhe të gjejë kritere mbizotëruese për formimin e qeverisë së re, në mënyrë që të shmangen zgjedhjet". Sipas tij, presidenti obligohet të përpiqet për të mos shkuar në zgjedhje të reja, por ky nuk është përshkrim Kushtetues, është pak a shumë "burrni".

4.

Ekzistojnë më shumë arsye pse duhet tejkaluar stadin e "burrnisë". Në jetën politike të Kosovës së pavarur u tregua (me përjashtim të veçuar të VV-së) se fjalët e burrnisë i merr era, dhe jo ndonjë e fortë, por cilado puhizë me premtime. Për më tepër, ka pasur dhe ka gra që kanë mbajtur fjalën e dhënë më shumë se shumica e burrave.

Por tej këtyre arsyeve kodi kalorësiak është krejtësisht i panevojshëm dhe i pamjaftueshëm sot. Funksionimi i shtetit nuk duhet të varet prej kontekstit analfabet; duhet kaluar prej stadit të fjalës së dhënë në stadin e "statutit të mashtrimeve", në obligimin e nënshkrimit.

Në rrethanat e krijuara që nga viti 2014, me Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Kosova nuk ka pse të përsërisë as zvarritjen në formimin e Qeverisë e as të krijojë krizë rreth kësaj çështjeje. Partitë politike kanë mundësi të krijojnë kontratë mes tyre dhe pastaj me ne si qytetarë, me shkrim. Në ditët në vijim koalicioni PAN, VV dhe ai LAA duhet të dëshmojnë me nënshkrimin e deputetëve të ardhshëm të Kuvendit të Kosovës se çfarë Qeverie kanë ndërmend të bëjnë. Koalicioni paszgjedhor i cili dëshmon me nënshkrime se ka shumicën e nevojshme për të formuar Qeverinë e shkurton tërë agoninë jodemokratike të cilën e imponoi modeli VMRO-PDK në zbërthimin e rezultateve paszgjedhore. Nëse VALA (Vetëvendosje-Alternativë-LDK-AKR), siç kanë paralajmëruar, nuk duan qeverisje me PDK-në, atëherë kanë kapacitet të krijojnë kontratën e ndërsjellë qeverisëse me 61 mandate të deputetëve shqiptarë. Kjo kontratë atëherë do të shndërrohej në kontratë qeverisëse me qytetarët e Kosovës. Nëse PAN i siguron 61 nënshkrime, përkundër "fjalëve të burrnisë" nga LAA se "kurrë me PDK-në", atëherë e ka të siguruar kontratën qeverisëse me qytetarët e Kosovës. Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, sikur bashkëmendimtari i tij në Maqedoni, Ivanov, do të detyrohej të respektonte kontratën, cilado të jetë ajo.

Dhe, qytetarët e Kosovës nuk do të kenë pse t'u besojnë më fjalëve të burrave. Ka kohë që kanë mësuar të lexojnë e shkruajnë.