OpEd

Bashkëpunimi multilateral për rimëkëmbjen globale

Bota pas COVID-19 nuk do të jetë më e njëjta. Le t’i shfrytëzojmë momentin dhe mundësitë, siç është Forumi Paqësor i Parisit, për të punuar bashkërisht në drejtim të luftimit të këtyre sfidave me një vizion më të qartë. I ftojmë liderët politikë, ekonomikë, fetarë dhe ata të mendësisë së njëjtë që të kontribuojnë në të gjithë këtë muhabet global

Në shtatorin e 2000-s, 189 vende e nënshkruan “Deklaratën e Mileniumit”, duke u dhënë formë parimeve të bashkëpunimit ndërkombëtar për një epokë të re të përparimit drejt synimeve të përbashkëta.

Me të dalë nga Lufta e Ftohtë, ne ishim të bindur në kapacitetet tona për të ndërtuar një rend multilateral, të aftë për t’i luftuar sfidat e mëdha të kohës: urinë dhe varfërinë e skajshme, degradimin mjedisor, sëmundjet, dridhjet ekonomike dhe parandalimin e konflikteve. Në shtatorin e 2015-s, të gjitha vendet u zotuan përsëri për një agjendë ambicioze të luftimit të sfidave globale, bashkërisht: Agjendën e 2030-s të OKB-së për Zhvillim të Qëndrueshëm.

Bota jonë ka përjetuar trendë të ndryshueshëm, duke e hapur rrugën drejt rritjes së prosperitetit globalisht, derisa pabarazia ka mbetur apo edhe është rritur. Demokracitë janë zgjeruar në të njëjtën kohë që nacionalizmi dhe proteksionizmi kanë shënuar rishfaqje.

Gjatë dekadave të fundit, dy kriza të mëdha kanë trazuar shoqëritë tona dhe kanë dobësuar kornizat tona të përbashkëta politike, duke e vënë në dyshim kapacitetin tonë për t’i kapërcyer dridhjet, për t’i adresuar shkaqet e tyre rrënjësore dhe për t’u siguruar një të ardhme më të mirë gjeneratave të ardhshme. Ato na rikujtuan, po ashtu, se sa të ndërvarshëm të gjithë jemi.

Krizat prej më seriozeve kërkojnë vendime prej më ambiciozeve për formësimin e së ardhmes. Besojmë se kjo tani mund të jetë mundësia për rindërtimin e konsensusit rreth një rendi ndërkombëtar të bazuar në multilateralizëm dhe sundim të ligjit nëpërmjet bashkëpunimit efikas, solidaritetit dhe koordinimit. Në këtë frymë, ne jemi të vendosur që të punojmë së bashku, me dhe përbrenda Kombeve të Bashkuara, organizatave rajonale dhe trupave ndërkombëtarë, si G7-a dhe G20-a, si dhe koalicionet ad hoc për luftimin e sfidave globale me të cilat po përballemi tani dhe do të përballemi në të ardhmen.

Shëndeti është emergjenca e parë. Kriza e COVID-19 është sprova më e madhe e gjeneratës për solidaritetin global. Ajo na rikujtoi një fakt evident: përballë një pandemie, zinxhiri ynë i sigurisë shëndetësore është po aq i fortë sa sistemi më i dobët shëndetësor. Kudo, COVID-19 është një kërcënim për njerëzit dhe ekonomitë.

Pandemia bën thirrje për një përgjigje më të fortë dhe të koordinuar ndërkombëtare që e zgjeron me urgjencë qasjen në teste, trajtim dhe vaksina, duke e identifikuar imunimizimin gjithëpërfshirës si një të mirë publike globale që duhet të jetë e qasshme dhe e disponueshme për të gjithë. Në këtë aspekt, ne e mbështesim fuqimisht platformën unike globale “Qasja e Përshpejtuar në Mjetet e COVID-19” (ACT), të lansuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe partnerët e G20-s gjatë muajit prill.

Për ta jetësuar misionin e saj, ACT-ja ka nevojë urgjente për mbështetje politike dhe financiare. Ne e promovojmë gjithashtu ndarjen e pakufishme të të dhënave midis partnerëve, si dhe licencimin vullnetar të pronës intelektuale. Në aspektin afatgjatë, ne gjithashtu kemi nevojë për evoluim të pavarur dhe gjithëpërfshirës të përgjigjes sonë që i nxjerrë të gjitha mësimet e mundshme prej kësaj pandemie dhe mundëson përgatitje më të mirë për të ardhmen. OBSH-ja ka rol qendror për të luajtur në gjithë këtë proces.

Emergjenca është gjithashtu mjedisore. Në prag të Konferencës së OKB-së për Ndryshimet Klimatike (COP26) në Glasgow gjatë nëntorit, ne duhet që t’i përmirësojmë përpjekjet tona për luftimin e ndryshimeve klimatike dhe t’i bëjmë ekonomitë tona më të qëndrueshme. Deri në fillim të 2021-s, vendet që numërojnë më shumë se 65 përqindëshin e emetimit total të gazeve serrë kanë bërë zotime ambicioze në drejtim të neutralitetit të karbonit.

Të gjitha qeveritë, bizneset, qytetet dhe institucionet financiare tani duhet t’i bashkohen koalicionit global për reduktimin e emetimit të dyoksid karbonit në nivelin zero, siç parashihet në marrëveshjen klimatike të Parisit – dhe të fillojnë së zbatuari planet dhe politikat konkrete.

Pandemia e ka shkaktuar krizën më të rëndë ekonomike në botë që prej Luftës së Dytë Botërore. Rimëkëmbja për një ekonomi të fortë dhe stabile botërore është prioriteti themelor. Ç’është e vërteta, kriza aktuale kërcënon ta zhbëjë të gjithë përparimin e arritur gjatë dy dekadave të fundit në luftimin e varfërisë dhe pabarazisë gjinore. Pabarazitë po i kërcënojnë demokracitë, duke e minuar kohezionin e tyre shoqëror.

S’ka dyshim, globalizimi dhe bashkëpunimi ndërkombëtar kanë ndihmuar me miliarda njerëz që t’i shpëtojnë varfërisë; por pothuajse gjysma e popullatës mbarëbotërore ende përballet me vështirësi për t’i përmbushur nevojat bazike. Dhe përbrenda shumë shteteve, hendeku midis të pasurve dhe të varfërve është bërë i paqëndrueshëm, gratë ende nuk i gëzojnë mundësitë e barabarta derisa shumë njerëz duhet ende t’u binden përfitimeve të globalizimit.

Derisa ne i ndihmuam ekonomitë tona që ta kapërcejnë recesionin më të rëndë që nga viti 1945, prioritet ynë thelbësor mbetet që të garantojmë që tregtia e lirë, e bazuar në rregulla, të jetë motori i rëndësishëm i rritjes gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme. Andaj, ne duhet që ta fuqizojmë Organizatën Botërore të Tregtisë dhe ta shfrytëzojmë plotësisht potencialin e tregtisë ndërkombëtare për rimëkëmbjen tonë ekonomike. Në të njëjtën kohë, mbrojtja e mjedisit dhe shëndetit, si dhe standardeve tona shoqërore, duhet të vendoset në epiqendër të modeleve tona ekonomike për garantimin e kushteve të domosdoshme të inovacionit.

Duhet të garantojmë që rimëkëmbja globale ta prekë akëcilin. Kjo e nënkupton fuqizimin e mbështetjes sonë për vendet në zhvillim, veçmas në Afrikë, nëpërmjet ndërtimit dhe shkuarjes përtej partneriteteve ekzistuese, si Ujdia e G20-s me Afrikën dhe përpjekja e saj e përbashkët me Klubin e Parisit përbrenda Iniciativës së Pezullimit të Shërbimit të Borxhit. Është qenësore që këto vende të mbështeten edhe më tutje në reduktimin e barrës së tyre të borxhit dhe në garantimin e burimeve të qëndrueshme financiare për ekonomitë e tyre, me anë të përdorimit të kapacitetit të plotë të instrumenteve ndërkombëtare financiare, si rezervat e Fondit Monetar Ndërkombëtar.

Teknologjitë e reja kanë qenë një aset i çmuar për përparimin dhe gjithëpërfshirjen, duke i kontribuar hapjes dhe qëndrueshmërisë së shoqërive, ekonomive dhe shteteve, me t’u dëshmuar si mjet jetëshpëtues gjatë pandemisë. Megjithëkëtë, pothuajse gjysma e popullsisë së botës – dhe më shumë se gjysma e grave dhe vajzave të botës – vazhdon të mos ketë qasje në botën online dhe nuk mundet t’u qaset benefiteve të tyre.

Për më tepër, fuqia e konsiderueshme e teknologjive të reja mund të keqpërdoret për t’i kufizuar të drejtat dhe liritë e qytetarëve, për të përhapur urrejtje apo për të kryer krime serioze. Andaj duhet t’i fuqizojmë iniciativat ekzistuese dhe të përfshijmë hisedarë relevantë në rregullimin efikas të Internetit, me qëllim që të krijojmë një mjedis të sigurt, të lirë dhe të hapur digjital, ku garantohet qarkullim i të dhënave në një mjedis të besueshëm. Përfitimet duhet të rriten sidomos për ata që janë më në disavantazh, nëpërmjet adresimit të sfidave tatimore të digjitalizimit të ekonomisë dhe luftimit të garës së dëmshme tatimore.

Krejt në fund, kriza shëndetësore ka ndërprerë arsimimin për miliona fëmijë dhe studentë. Duhet ta mbajmë premtimin për të ofruar arsimim për të gjithë dhe për ta pajisur gjeneratën e ardhshme me njohuri bazike për shkathtësi dhe shkencë, si dhe me njohuri mbi kulturat e ndryshme, tolerancën dhe pranimin e pluralizmit, dhe respektimin e lirisë për bashkëjetesë. Fëmijët dhe të rinjtë janë e ardhmja jonë ndërsa arsimimi i tyre është çelësi.

Për t’i luftuar këto sfida, multilateralizmi nuk është vetëm një tjetër teknikë diplomatike. Ai e formëson rendin botëror dhe është një mënyrë tejet specifike e organizimit të marrëdhënieve ndërkombëtare bazuar në bashkëpunimin, sundimin e ligjit, veprimin kolektiv dhe parimet e përbashkëta. Në vend të vënies së civilizimit dhe vlerave përballë njëra-tjetrës, ne duhet ta ndërtojmë një multilateralizëm më gjithëpërfshirës, duke i respektuar dallimet tona po aq sa vlerat tona të përbashkëta të lartësuara me Deklaratën Universale të së Drejtave të Njeriut.

Bota pas COVID-19 nuk do të jetë më e njëjta. Le t’i shfrytëzojmë momentin dhe mundësitë, siç është Forumi Paqësor i Parisit, për të punuar bashkërisht në drejtim të luftimit të këtyre sfidave me një vizion më të qartë. I ftojmë liderët politikë, ekonomikë, fetarë dhe ata të mendësisë së njëjtë që të kontribuojnë në të gjithë këtë muhabet global.

(Emmanuel Macron është president i Francës. Angela Merkel është kancelare e Gjermanisë. Macky Sall është president i Senegalit. Antonio Guterres është sekretar i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara. Charles Michel është kryetar i Këshillit Evropian. Ursula von der Leyen është kryetare e Komisionit Evropian. Ky vështrim është shkruar ekskluzivisht për rrjetin e gazetarisë ndërkombëtare “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”).

  • Nga: Emmanuel Macron, Angela Merkel, Macky Sall, António Guterres, Charles Michel dhe Ursula von der Leyen

    Emmanuel Macron, Angela Merkel, Macky Sall, António Guterres, Charles Michel dhe Ursula von der Leyen
  • 4 shkurt 2021 07:07

  • Shpërndaje në: