OpEd

Problemi me konvergjencën COVID

Përdorimi i efektshëm i burimeve të disponueshme dhe zbatimi efikas do të jenë tani më të rëndësishëm se kurrë më parë. Teksa të pasurit po bëhen më të varfër, të varfrit duhet t’i marrin punët në duart e tyre

Ekziston një pajtim i gjithmbarshëm se pandemia COVID-19 ka përshpejtuar pabarazinë përbrenda vendeve. Ajo që ceket pak më rrallë është ndikimi i pabarazisë përreth vendeve, i cili ka lëvizuar në drejtim të kundërt, falë efektit joproporcional që virusi ka pasur mbi ekonomitë e avancuara.

Në fillim të pandemisë, shumëkush ka pritur që vendet më të varfra do të goditen shumë më rëndë sesa vendet e kamura. Në një sondazh të majit të 2020-s kryer nga Paneli i Ekspertëve Ekonomikë të Iniciativës së Tregjeve Globale, shumica janë dakorduar se “dëmi ekonomik nga virusi dhe izolimet do të godasë disproporcionalisht rëndë vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme”. Dhe politikëbërësit kanë qëndrim të ngjashëm, me ç’rast drejtoresha menaxhuese e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Kristalina Georgieva, ka cekur gjatë prillit se, “njësoj sikurse kriza shëndetësore godet më së rëndi popujt e brishtë, kriza ekonomike godet më së rëndi vendet e brishta”.

Supozimi ishte se vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme mund të pësojnë nga mungesa e kapacitetit të shëndetit publik dhe burimeve fiskale. Por të dhënat e tregojnë një rrëfim ndryshe.

Në një letër të qershorit të 2020-s, Tristan Reed i Bankës Botërore dhe unë kemi gjetur se numri kulminativ i vdekjeve nga COVID-19 për një milion banorë ishte substancialisht më i lartë në vendet me të ardhura të larta sesa në ato me të ardhura të mesme dhe të ulëta, edhe atëherë kur nga ky mes përjashtohet Kina. Për më tepër, trajektoret pandemike ishin theksueshëm të ndryshme përreth vendeve me nivele të ndryshme të të ardhurave.

Siç kishim treguar në një raport të rishikuar në dhjetor, ky model ka vazhduar: ekziston një korrelacion i fuqishëm pozitiv midis të ardhurave për kokë banori dhe vdekjeve për një milion qytetar. Dhe ndonëse do të ishte joshëse që kjo gjetje t’i atribuohet një gabimi në përllogaritje (vdekjet mund të raportohen me më pak saktësi në vendet më të varfra), magnituda e dallimeve është thjeshtë tepër e madhe për t’u anashkaluar.

Për shembull, të dhënat e fundit kanë treguar se deri më 28 janar 2021, janë evidentuar 1.323 të vdekur për 1 milion banorë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe 1.496 vdekje për një milion banorë në Mbretërinë e Bashkuar, krahasuar me 712 në Afrikën Jugore (vend ky më i goditur në Afrikë), 111 në Indi, 107 në Indonezi, 14 në Angolë dhe 7 në Nigeri.

Ndërkohë, shumë prej vendeve me të ardhura të mesme në Amerikën Latine kanë shpërfaqur shkallë të ngjashme mortaliteti me ato të dokumentuara në Evropë dhe në SHBA.

Ende nuk e kemi një shpjegim të plotë për këtë shteg të papritur. Dëshmitë preliminare sugjerojnë se shumë vende me të ardhura të ulëta mund të kenë përfituar prej faktorëve demografikë (popullatat më të reja; shkalla më e ulët e obezitetit) dhe imuniteti i trajnuar (në të cilin sistemi i lindur imunitar e riprogramon veten kundr një sëmundje). Por edhe më befasues është “avantazhi” i paparashikueshëm që vendet e varfra kanë demonstruar në frontin ekonomik.

Siç ka sugjeruar një raport i laureatit të Nobelit për Ekonomi, Angus Deaton, pabarazia globale ka rënë si rezultat i pandemisë – të paktën në aspektin afatshkurtër. Gjatë viteve të fundit, të ardhurat për kokë banori kanë rënë më shumë në vendet më të pasura sesa që në fakt ka rënë në vendet më të varfra, duke rezultuar me një “konvergjencë” të papritur midis të pasurve dhe të varfërve. Më shumë vdekje për një milion banorë i nënkupton jo vetëm jetët e humbura, por edhe humbjet më të mëdha në të ardhura.

Po kaq me rëndësi është se ky model nuk është nxitur nga Kina. Përkundrazi, derisa masat e ndërlidhur me popullsinë do të sugjeronte se pabarazia globale është rritur paksa – shkaku se Kina (e cila më nuk është vend i varfër) ka tërhequr me vete edhe vendet e tjera vitin e shkuar – një masë e pandërlidhur me popullsinë që e përjashton Kinën e shpalos rënien e theksueshme në pabarazinë globale.

Pabarazia e tkurrur është rëndom një zhvillim i mirëseardhur, të paktën në cilësimet e karakterizuara nga pabarazitë e shumta në standardet jetësore përreth vendeve, në faza të ndryshmetë zhvillimit. Dhe deri më tani, përvoja e COVID-19 shërben si një rikujtues këndellës se “si-ja” vlen po aq sa “çfarë”.

Në këtë rast, pavarazia globale ka rënë jo për shkak se vendet më të varfra janë bërë më të pasura por për shkak se vendet më të pasura janë bërë më të varfra.

Kjo formë e konvergjencës ka implikacione shqetësuese politike. Derisa vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme kanë kaluar mirë në termat relativë, perspektiva e tyre është përherë më e zymtë në termat absolutë.

Shumica tani ballafaqohen me borxhin në rritje, ngritjen më të ngadaltë, burimet në rrënie në ekspertet e mallrave dhe në turizëm, si dhe remitencat në pakësim.

Për më tepër, ende duhet që t’i shohim pasojat afatgjate të një viti të humbur të të ardhurave dhe investimeve në kapitalin njerëzor. Me miliona fëmijë (sidomos vajza) e kanë humbur një vit shkollimi, njëjtë sikurse me miliona gra janë privuar nga përkujdesja e shëndetit amësor dhe miliona të tjerë janë zhytur sërish në varfëri.

Që gjërat të bëhen edhe më keq, natyra e kësaj konvergjence të papritur lë të kuptohet se ekonomitë e avancuara do të kenë pak oreks për t’i kanalizuar resurset karshi vendeve më të varfra, qoftë në formën e ndihmës direkte, hapjes karshi tregtisë ndërkombëtare dhe investimeve, apo faljes së borxhit.

Të preokupuara me pabarazinë e brendshme në rritje, vendet me të ardhura të larta do të vazhdojnë të kthehen kah vetja, duke i prioritizuar nevojat e qytetarëve të tyre kundruall atyre të të varfërve globalë,

Zmbrapsja e SHBA-së dhe Evropës nga bota në zhvillim do të krijojë një hapje për të tjerët, jo vetëm Kinës, e cila veçse i është kthyer rritjes. Nëse qasja në tregjet fitimprurëse perëndimroe bëhet e pambrojtur si rezultat i ndjenjës proteksioniste në rritje, shtysat alternative kino-centriste, si ai i porsanënshkruar për Partneritetin e Gjithmbarshëm Rajonal në Ekonomi, mund të bëhen gjithnjë e më joshëse për ekonomitë në zhillim dhe ngritje.

Në një rast më pozitiv, normat e ulëta të interesit në SHBA dhe Evropë mund të shpijnë drejt “një gjahu për rendiment” gjatë rrjedhës së kapitalit në vendet në zhvillim. Por, nëse ndodh kësisoj, këto ekonomi do të duhet që t’i fuqizojnë institucionet dhe të krijojnë politika më mirë të menduara që garantojnë se derdhja e kapitalit të ushqejë ngritjen e gjithmbarshme dhe reduktimit të varfërisë, në vend se vetëm të pasurojë një klasë të vogël më të lartë.

Ç’është më e rëndësishmja, të gjitha vendet do të duhet të vazhdojnë së investuari në kapitalet e tyre njerëzore dhe në përmirësimin e institucioneve të brendshme, me gjithë mungesën e burimeve. Shumë përmirësime janë çështje më shumë vullneti sesa buxheti. Për shembull, fuqizimi i shkollave është rëndom një çështje e garantimit që mësuesit të shfaqen në klasa, dhe që nxënësit të kenë qasje në tekstet adekuate shkollore.

Përdorimi i efektshëm i burimeve të disponueshme dhe zbatimi efikas do të jenë tani më të rëndësishëm se kurrë më parë.

Teksa të pasurit po bëhen më të varfër, të varfrit duhet t’i marrin punët në duart e tyre.

(Pinelopi Koujianou Goldberg, ish-kryeekonomist i Grupit të Bankës Botërore dhe kryeredaktor i “American Economic Review”, është profesor i Ekonomisë në Universitetin Yale. Ky vështrim është shkruar ekskluzivisht për rrjetin e gazetarisë ndërkombëtare “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”).