OpEd

Një hile e madhe kundër mërgatës

Pse nuk ka transparencë KQZ lidhur me kërkesat e mërgimtarëve për të marrë pjesë në zgjedhjet e 14 shkurtit?

► Në vitet 80-të Lëvizja Popullore e Kosovës (LPK) i mbushte sallat dhe sheshet me mërgimtarë në Europën Perëndimore. Mijëra njerëz brohorisnin “Kosova Republikë” dhe mbanin gjallë, bashkë me qindra-mijëra njerëz në Kosovë, idenë e mëvetësisë kosovare. Pa këtë bashkëveprim shpirtëror dhe ideor mes mërgatës dhe pjesës më të madhe të popullatës në Kosovë, projekti për çlirim do të ishte ballafaquar me vështirësi edhe më të mëdha. Ka popuj që kanë paguar çmime më të larta për liri. Çmimi që pagoi Kosova ishte tepër i lartë, por ka mundur të jetë edhe më i llahtarshëm.

► Në vitet 90-të Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) i mbushte sallat dhe sheshet me mërgimtarë në Europën Perëndimore. Atëherë edhe në Kosovë mijëra njerëz brohorisnin hapur: “Kosova Republikë” (si më 1968 dhe 1981 në sheshet e qyteteve kosovare). Nga rrogat e tyre modeste mërgimtarët ndanë kontribute për të mbajtur gjallë Kosovën. Nga këto kontribute u tubuan disa qindra miliona marka e franga, të cilat përmes kanaleve të ndryshme arritën në Kosovë. Hisedarë në projektin për çlirimin e Kosovës janë pothuaj të gjithë shqiptarët e Kosovës (në Kosovë dhe në mërgatë), dhe jo vetëm ata, por edhe shumë shqiptarë nga Maqedonia shqiptare dhe nga Lugina e Preshevës e Mali i Zi. Hisedarë janë ata që lanë familjet në mërgim dhe u kyçën në luftë. Dhe ata që vazhduan betejën duke e përkrahur këtë luftë me para, informim dhe mobilizim të opinionit politik dhe medial botëror.

► Pas çlirimit të Kosovës sallat e sheshet në Perëndim nuk mbusheshin më me protestues, sepse s’kishte nevojë. Por mërgata kishte nevojë së paku të trajtohej si pjesë e pandashme e atdheut, sepse sidomos në vitet 90-të Kosova e ka parë mërgatën si pjesë të pandashme. Çfarë ndodhi? U instalua sistemi i plaçkitjes në kufi përmes të ashtuquajturit “sigurim për veturë”. Plaçkën e ndanë dhe e ndajnë klanet parapolitike. Pengesat për të marrë pjesë në zgjedhje nuk u hoqën asnjëherë. Pse? Me gjasë nga frika se shumë njerëz në mërgatë, të pavarur ekonomikisht dhe të pashantazhueshëm, mund të votojnë ndonjë opsion tjetër politik nga opsionet tashmë të mirënjohura në tregun politik.

► Nëse partitë politike apo të zemëruar të tjerë kujdestarë nuk duan që të votojnë mërgimtarët me shtetësi të Kosovës, puna është e lehtë: ndryshojeni ligjin zgjedhor dhe le t’u ndalohet votimi atyre që s’jetojnë në Kosovë. Kështu s’do të keni nevojë për fushata të pista kundër mërgatës sa herë që u kap paniku që njerëzit (kudo qofshin ata) duan të votojnë sipas vullnetit të lirë dhe jo siç kanë qejf partitë e vjetra. Ndalimi i votimit nuk është bash trend i integrimeve europiane. Në qytetin e Temishvarit në Rumani një gjerman i ardhur nga Gjermania ka kandiduar për kryetar të qytetit – dhe rumunët e kanë votuar.

► Para zgjedhjeve të 14 shkurtit duket se mijëra mërgimtarë kanë parashtruar kërkesë për të fituar të drejtën për të votuar. Ka mjaft ankesa nga mërgimtarët se nuk kanë marrë thirrje nga KQZ për verifikimin e identitetit (siç ka paralajmëruar vetë KQZ se do ta bëjë). Po raportohet se posta kosovare paskësh “probleme”, përmendet pandemia etj. KQZ nuk ka njoftuar ende sa kërkesa ka marrë, sa i ka shqyrtuar deri më tani, si po ecën procesi. Është i njëjti institucion që në vjeshtën e vitit 2019 shumë shpejt dinte të organizonte spektakël për të numëruar “votat me helm të ardhura nga Serbia” dhe këtë punë e kryenin disa njerëz të veshur si mjekët kinezë në Vuhan që pak muaj më vonë ballafaqoheshin me pandeminë. Spektakli elektoral i KQZ-së pati një rezultat: u fut në parlament një parti, e cila me gjasë nuk i kishte fituar votat.

► Ditëve të fundit poshtërsia e një partie të vjetër ka shkuar deri aty, saqë ka pasur përpjekje që në qarqet ndërkombëtare të plasohet alarmi se Kosovës i kërcënohet një tmerr nga diaspora: “Po vijnë këtu për të votuar dhe po e sjellin virusin”. Domethënë, sipas kësaj poshtërsie, virusin nuk po e përhapin ata që po mbajnë tubime elektorale me qindra njerëz, ata që po mblidhen në tenda dhe gju më gju po këndojnë këngë me çifteli nën krismat e armëve. Virusin po e sjell diaspora! A mund të bini më poshtë?

► Partitë e vjetra duhet të pyesin veten se përse kanë humbur përkrahjen (në Kosovë dhe në diasporë). Shumë politikanë të Kosovës me vite e dekada të tëra i kanë kaluar në Perëndim. Jo pak prej tyre janë marrë vetëm me punë patriotike, disa vetëm me “punë patriotike”. Thonjëzat janë të nevojshme me këtë rast. Dhe nuk kanë jetuar keq, sepse i ka mbajtur diaspora. I ka mbajtur Rexha që punonte në stacionin e trenit në Zürich (shumica e atyre që kanë ardhur nga Zvicra dhe e bëjnë politikën në Prishtinë e njohin shumë mirë Rexhën e stacionit të trenit në Zürich). Dhe në çdo vend, në çdo fshat, në çdo qytet ka ekzistuar një Rexhë, që s’kursente asgjë. Këta njerëz u harruan. Por këta njerëz nuk kanë harruar. Nuk kanë harruar sa i kanë strehuar dhe mbajtur me ushqim disa politikanë që sot janë burra me ndikim në PDK dhe parti të tjera. Nga ana tjetër: LDK, për shembull, mund të vajtojë sot ngase i ka rënë përkrahja në mërgatë, por kryesia e partisë duhet ta pyesë veten a ka një pikë përgjegjësi që degët dikur të fuqishme të LDK-së sot janë pikë e pesë dhe vetëm hija e vetvetes. Apo edhe për këtë fajin e bartin vetëm aktivistë e LDK-së dhe aspak udhëheqja?

► Shtetet serioze kanë politika serioze ndaj qytetarëve të tyre. Pa marrë parasysh ku jetojnë. Shtetet serioze e organizojnë administratën në atë mënyrë që ajo të jetë në shërbim të qytetarëve kudo ku gjenden. Shtetet serioze janë të sinqerta ndaj qytetarëve. Shtetet serioze ua garantojnë të drejtat shtetasve të tyre. Sepse shteti u takon të gjithëve, jo vetëm atyre që e shohin si mundësi për ta mjelë. Shtetet serioze hapin mundësi për investime. Por ato mundësi nuk krijohen kur edhe biznesmenë zviceranë kthehen nga Kosova të frustruar dhe me 100 rrëfime të tmerrshme se kush u ka kërkuar para, kush u ka kërkuar favore, kush u ka kërkuar kaq vende të punës për kushërinj si parakusht për hyrë në tregun e Kosovës. Investitorët s’kanë kohë për idiotizma të tilla. Gjejnë vende të tjera. Madje në fqinjësi të Kosovës. Por as mërgata nuk ka kohë për marrëzitë e përditshme të pushteteve kosovare, të cilat mërgatën e shohin vetëm si “prishëse të qetësisë”. Për ta plotësuar të vërtetën këtë qetësi mërgata e prish çdo vit me rreth 1 miliardë euro. Gati sa gjysma e buxhetit të Kosovës. Pa llogaritur paratë që hyjnë nëpër kanale private, jashtë sistemit bankar. “Po i mbani familjet tuaja”, mund të thonë dhe thonë kujdestarët e zhurmës dhe cinizmit. Po, por edhe paqen sociale po e mban në pjesën më të madhe mërgata, sepse pa këto para mjerimi e varfëria në Kosovë do të ishin edhe më të thella. Por atyre që vullnetarisht bëhen të verbër është vështirë t’u shpjegohet realiteti. Sepse jetojnë në një univers tjetër.