OpEd

COVID-19 dhe ora e kiametit

Nuk ka dilemë se e kemi kapacitetin për t’i zgjidhur sfidat kolektive, me të cilat përballemi. Por tani na duhen Bideni dhe liderët e tjerë globalë për ta kapur këtë mundësi dhe për t’iu përkushtuar tërësisht ruajtjes së bashkëpunimit multilateral. Tani, sikurse përherë, lëvizja e akrepave në orën e kiametit sa më larg mesnatës është një çështje e vullnetit politik

Oslo, 28 janar – Janarin e shkuar, eprorët e mi të respektuar Mary Robinson dhe Ban Ki-moon morën pjesë në zbulimin e orës së kiametit, një indikator ky vjetori i rrezikut katastrofal global, publikuar nga Buletini i Shkencëtarëve Atomik. Më 2020, akrepat e orës iu afruan më shumë “mesnatës” se kurrë më parë – për vetëm 100 sekonda larg – dhe do të qëndrojnë asisoj edhe më 2021. Vështirë se është për t’u lehtësuar që nuk iu afruam më tepër mesnatës këtë vit. Pandemia e COVID-19 ka shërbyer si një demonstrim i hidhur dhe vdekjeprurës i pasigurisë së mënyrës sonë të të jetuarit.

Kemi bërë përparim të jashtëzakonshëm me vaksina dhe administrata e re në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ndjell shpresën për rinisjen e bashkëpunimit multilateral. Por s’ka dyshim se e ardhmja do të jetë e mbushur me kërcënime ekzistenciale: pandemitë e reja, kriza klimatike, konflikti bërthamor dhe rreziqet tjera që nuk mund t’i anashkalojmë.

Udhëheqja politike post-pandemike do të përbëjë një sprovë vendimtare për aftësinë e botës që të ngrihet karshi këtyre sfidave. Shumë prej liderëve tanë janë gjetur në pozitën për të dëshiruar. Virusi ka marrë deri më tani rreth dy milionë jetë dhe ka sjellë shkatërrim ekonomik kudo në botë. Derisa vaksinimi masiv u ofron disa njerëzve një rreze shprese, pjesa më e madhe e popullsisë së botës do të mbetet e pambrojtur edhe për goxha kohë.

Sa për siguri, vendimi i presidentit amerikan Joe Biden për riangazhim në Organizatën Botërore të Shëndetësisë është një sinjal i mirëseardhur i zotimit të sërishëm amerikan kah multilateralizmi, siç është edhe nënshkrimi prej anës së tij i skemës COVAX për distribuimin e barabartë të vaksinave. Por drejtori i përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, ka paralajmëruar se për aq kohë sa nuk bëjmë më tepër për të garantuar që vaksinat kundër COVID-19 të prodhohen dhe distribuohen në përputhje me parimet e mbulimit universal shëndetësor (UHC), rezultati do të jetë “një dështim katastrofal moral”.

Siç ka treguar një raport i ri i eprorëve të mi, për kapërcimin e tërësishëm të COVID-19 dhe për pajisjen tonë adekuate për emergjencat e ardhshme shëndetësore nevojitet rimodelimi i politikave globale të shëndetit publik bazuar në tri shtylla kyç: përgatitja për pandemitë e ardhshme; garantimi i UHC-së në nivel kombëtar dhe global; dhe promovimi i shoqërive më të shëndosha nëpërmjet politikave holistike dhe zhvillimit social.

Asnjëra pjesë e kësaj agjende nuk është revolucionare apo tepër e komplikuar për t’u zbatuar shpejt dhe në shkallë të duhur. Disa vende që kanë pasur performancë të mirë gjatë pandemisë – përfshirë Tajlandën dhe Vietnamin që mezi se kanë pasur nga 100 vdekje prej COVID-19 – veçse janë duke e zbatuar një strategji të këtillë. Sfida, si përherë, është që fjalët të mbështeten me veprime, dhe të garantohet që përpjekjet tona të financohen dhe destinohen si duhet për të mos i anashkaluar nevojat e të varfërve dhe të margjinalizuarve.

Askund tjetër kjo gjë nuk është më jetike sesa në politikat e vaksinimit. Zhvillimi i shpejt jo i një, por i disa vaksinave në më pak se një vit është një e arritur e mahnitshme dhe një triumf i zgjuarsisë njerëzore, inovacionit dhe bashkëpunimit. Por do të ishte e pafalshme sikur këto vaksina të çmuara të mos distribuoheshin në mënyrë të barabartë nëpër botë. Në pandemi, nuk mund të shpresojmë se do të shërohemi plotësisht apo ta riparojmë materien tonë shoqërore po qe se nuk i afirmojmë dhe zbatojmë parimet e multilateralizimit dhe solidaritetit.

Një prej mësimeve më të rëndësishme të dala nga kriza e COVID-19 është se afatshkurtësia dhe nacionalizmi kanë dobësuar politikat globale shëndetësore. Tani është e qartë se veprimet kombëtare karshi UHC-së duhet të shkojmë dora dorës me përpjekjet multilaterale për fuqizimin e sistemeve të shëndetit publik, globalisht.

Për t’i pajisur këto sisteme për pandemitë e ardhshme, të gjithë hisedarët duhet që ta definojnë gatishmërinë dhe përgjigjen pandemike si një “të mirë globale publik” që e bën të domosdoshëm qasjen multilaterale, me ç’rast institucionet shtetërore dhe globale derdhin resurse, kapacitete dhe ekspertiza. Po kaq e rëndësishme është mbështetja (dhe respektimi) për punën e vazhdueshme të OBSH-së dhe agjencive të tjera të angazhuara specifikisht në përgatitjen pandemike, veçmas Bordi Global i Monitorimit të Gatishmërisë (bashkëthemelues i të cilit jam unë) dhe Paneli i Pavarur për Përgatitje dhe Përgjigje Pandemike.

Sipas termave ekonomikë, investimi në përgatitje dhe fuqizim të sigurisë shëndetësore ofron një vlerë të jashtëzakonshme për paranë. Në rastin e Bordit Global të Monitorimit të Gatishmërisë, një shpenzim vjetor global prej përafërsisht 5-dollarësh për person do të mund ta shmangte përsëritjen e katastrofës COVID-19, e cila veçse i ka kushtuar ekonomisë botërore më shumë se 11 trilionë dollarë. Dhe një shkallë ngjashëm e lartë e kthimit do të mund të derdhej në reformat e UHC-së, të cilat kanë qenë të ngadalta për t’u ofruar vendeve përfitime të shpejta shëndetësore, ekonomike dhe shoqërore, në të gjitha nivelet e të ardhurave.

Duhet të veprojmë bazuar në mësimet e dala nga kriza COVID-19 për të krijuar një “lëvizje Bretton Woods” të re në inovacion e kreativitet për sa i përket shërbimit të qeverisjes globale. Kjo është mënyra e vetme për ta mbrojtur planetin tonë të përbashkët dhe popullatën e saj në aspektin afatgjatë.

Nuk ka dilemë se e kemi kapacitetin për t’i zgjidhur sfidat kolektive, me të cilat përballemi. Por tani na duhen Bideni dhe liderët e tjerë globalë për ta kapur këtë mundësi dhe për t’iu përkushtuar tërësisht ruajtjes së bashkëpunimit multilateral. Tani, sikurse përherë, lëvizja e akrepave në Orën e Kiametit sa më larg mesnatës është një çështje e vullnetit politik.

(Gro Harlem Brundtland, ish-kryeministre e Norvegjisë dhe ish-drejtoreshë e përgjithshme e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, është anëtare e lëvizjes “The Elders”. Ky vështrim është shkruar ekskluzivisht për rrjetin e gazetarisë ndërkombëtare “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”)