OpEd

E vërteta pas Trumpit

Normaliteti është rikthyer në Shtëpinë e Bardhë. Bideni do të përpiqet që të mos gënjejë, duke qenë, atëherë kur duhet, ekonomik me të vërtetën. Por ai po ashtu kurrë nuk do t’i zbardhë të vërtetat esenciale, sikurse ato që Trumpi herë pas here lejoi që t’i rrëshqitnin. E vërteta, kësisoj, do të mbetet nën rrethim të ekspertëve që shërbejnë në administratën e re dhe të trumpizmit – lëvizje kjo e pagëzuar sipas politikave toksike të mbështetura nga të vërtetat e rreme ekonomike të këtyre ekspertëve

Kundërshtarët e ish-presidentit amerikan, Donald Trump, e quajnë atë gënjeshtar. Por Trumpi është larg më keq se të qenit një gënjeshtar. Shumë politikanë gënjejnë për t’i mbuluar të vërtetat e papërshtatshme. Mirëpo Trumpi mund të shënojë sekuenca të gjata të rrenave sypërlotëse me vërtetësinë që asnjë president tjetër nuk do ta pranonte kurrë, nga hedhja poshtë e pikëpamjes dominuese të globalizimit si një dobi e pakontestueshme, e deri te pranimi se, po, ai po mundohet që ta shpërblejë Shërbimin Postar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për t’ua vështirësuar demokratëve votimin.

Shkencëtarët kanë goxha arsye për ta festuar largimin e Trumpit, gjykuar prej lehtësimit të tyre evident se tani mund t’i prezantojnë të dhënat epidemiologjike nga podiumi i Shtëpisë së Bardhë, pa iu frikësuar ndëshkimit. Por, për të përcaktuar nëse mund të presim ringjalljen e gjithmbarshme të së vërtetës nën presidentin Joe Biden, duhet që si pikë e parë të kujtojmë se si shoqëritë tona e dallojnë fare të vërtetën.

Liberalëve u pëlqen analogjia e tregut. Sikurse veglat, opinionet plluskohen në tregun gjigant të ideve, ku ato vlerësohen nëpërmjet një procesi të decentralizuar, që përfshin konsumatorët dhe prodhuesit e qëndrimeve e lajmeve. Opinionet e vërteta i tejkalojnë ato të rremet.

Mjerisht, tregu i ideve është në vetvete një gënjeshtër. Për dallim prej veglave apo dredhëzave, leverdia e ideve nuk mund të gjykohet në nivel individual. E vërteta e Darwinizmit, relativiteti i Einsteinit apo argumenti i Keynes se politikat monetare ndalojnë së funksionuari kur normat e interesit e prekin pikën zero, nuk janë të konstatueshme në përvojën personale të një Jill apo Jacku të thjeshtë. Kjo është arsyeja pse ne mbështetemi në institucionet top të rënda, trashëgueshëm jodemokratike për t’i testuar këto teori në emër tonin.

Universitetet dhe asociacionet shkencore e marrin përsipër detyrën e filtrimit të falsitetit.

Për dallim prej analogjisë me tregun, ato operojnë si një lloj lige me planifikim të vendosur në organizimin e procesit të rishikimeve të paanshme hierarkike për sa i përket problematikës falsifikuese.

Çdo shkencëtar ka një motiv për të parë se teoria e tij i mbijeton këtij procesi, por të paktën në shkencat natyrore, protokollet e vëzhguara në mënyrë rigoroze sigurojnë që teoritë e pambështetura empirike të shpërbëhen nën ditën e dëshmive. Procesi top i rëndë, jopersonal shkencor ka çliruar paraardhësit tanë nga injoranca dhe, bashkë me mallin, ka sjellë me vete nënën e të gjitha sistemeve nga lart-poshtë: feudalizmin.

Trumpi është shumë më i rrezikshëm sesa një gënjeshtar i thjeshtë, ngase e ka gjetur një mënyrë për ta shfrytëzuar mishërimin ekonomik të shkencës. Prapa çdo politike qeveritare që na prek fshihet njëfarë hipoteze ekonomike, autoriteti i së cilës fuqizohet nga një proces i rishikimit, që kur shikohet me sy të hapur mund të ngatërrohet për proces shkencor.

Ekonomia madje akordon edhe një çmim të vetin “Nobel”.

Kijini parasysh tri shtyllat e cilësdo teori popullore konspirative. Njëra ua ofron ithtarëve mendjelehtë ndjesinë se posedojnë njohuri superiore. Tjetra i fuqizon për t’i ekspozuar arsyet vetjake të ekspertëve për përhapjen e të pavërtetave. Dhe, e fundit, i përfshin në një kauzë që është më e madhe se vetë ata në kundërshtim të një armiku, i cili nuk do të ndalej me asgjë për ta shmangur daljen e së vërtetës në sipërfaqe.

Le të mos harrojmë, këto janë po ato shtylla të njëjta që e mbështetën revolucionin shkencor. Ajo që e dallon shkencën është procesi i falsifikimit. Ithtarët e teorive konspirative nuk u druajnë dëshmive empirike, për shkak se mund t’i shpjegojnë apo inkorporojnë në vetë këtë teori.

Krejt e kundërta, dëshmia empirike i ndihmon shkencëtarët që t’i mohojnë të pavërtetat, falë indiferencës së natyrës karshi teorive tona kundruall saj. Moti do ta bëjë atë që do, pavarësisht parashikimeve meteorologjike, andaj kur parashikimet meteorologjike dalin gabim, modeli i tij duhet të mbetet i fuqishëm.

A jeni pyetur ndonjëherë nëse dy ekonomistët laureatë të “Nobelit”, që nganjëherë e ndajnë çmimin e të njëjtit vit, mund ta kenë konsideruar sharlatan njëri-tjetrin? Kjo gjë kurrë nuk do të mund të ndodhte në mesin e laureatëve të “Nobelit” për fizikë apo biologji. Arsyeja pse ndodh kësisoj mes ekonomistëve është se tregjet dhe shoqëritë nuk janë aspak sikurse puna e motit.

Për dallim prej meteorologjisë, nëse një analist i nderuar financiar parashikon rënie të thuktë të bursave, atëherë kjo rënie do të ndodhë, edhe nëse analisti ka qenë i dehur kur ka bërë parashikimin.

Kjo është arsyeja pse asnjë sukses apo dështim empirik nuk e shkakton një teori ekonomike që mund të mohohet.

Sikurse ithtarët e teorive të konspiracionit dhe teologët, ekonomistë të shkollave të ndryshme – keynesiane, monetariste apo marksiste për shembull – mund të shpjegojnë çdo observim të mundshëm përbrenda kufijve të paradigmës së tyre të veçantë. Dhe, sikurse religjionet, rezultatet mbizotëruese nga betejat e pushtetit mes grupeve i fshehin interesat e tyre prapa dogmave të ndryshme.

Këtu fshihet hapja e Trumpit. Për dekada me radhë para zgjedhjes së tij, persona të pafuqishëm kanë dëgjuar ekspertët ekonomik tek u thonë se politikat që i shkatërrojnë jetët e tyre i kanë mbijetuar procesit shkencor të falsifikimit. Ishte një gënjeshtër monstruoze që e lejoi Trumpin ta shndërronte në armë zhgënjimin e tyre ndaj “establishmentit” – si dhe kundër një etosi shkencor të përkalbur nga ndërlidhja me ekonominë.

Trumpi ka ikur, fatmirësisht. Por qëndrimi ekonomik që ia ka dhënë Trumpit pozitën e tij politike mbetet i ngulitur, me ndikim edhe më të madh nën presidentin Joe Biden. Administrata e re është e rrethuar me po të njëjtit ekspertë, të cilët i promovuan profecitë e rreme që e rifuqizuan rendin e pabarabartë, eksploatues dhe irritues shoqëror e ekonomik që e lindi trumpizmin.

Kijeni parasysh shpikjen e tyre të nocionit mistik të papunësisë “së natyrshme” për ta shpjeguar dështimin e teorisë së tyre se ulja e pagave e mbështet punësimin. Apo kujtoni se si, kur çrregullimet që ata promovuan e shkaktuan krizën financiare, ata e fajësuan tejdepërtimin e shtetit në bizneset e hipotekave, duke u ushtruar presion qeverive për t’u ndarë pako shpëtimi kryepaguesve të tyre që nuk u ishin nënshtruar aspak rregullimeve.

Normaliteti është rikthyer në Shtëpinë e Bardhë. Bideni do të përpiqet që të mos gënjejë, duke qenë, atëherë kur duhet, ekonomik me të vërtetën. Por ai po ashtu kurrë nuk do t’i zbardhë të vërtetat esenciale, sikurse ato që Trumpi herë pas here lejoi që t’i rrëshqitnin.

E vërteta, kësisoj, do të mbetet nën rrethim të ekspertëve që shërbejnë në administratën e re dhe të trumpizmit – lëvizje kjo e pagëzuar sipas politikave toksike të mbështetura nga të vërtetat e rreme ekonomike të këtyre ekspertëve.

(Yanis Varoufakis, ish-ministër i Financave i Greqisë, është lideri i partisë MeRA25 dhe profesor i Ekonomisë në Universitetin e Athinës. Ky vështrim është shkruar ekskluzivisht për rrjetin e gazetarisë ndërkombëtare “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”)