OpEd

Pesë javë fushatë

Sikurse në rastin e lumenjve dhe pyjeve që vetë i kemi shkatërruar, edhe ne vetë i kemi sjellë e mbajtur në pushtet ata që na kanë keqsunduar qe dy dekada. Nejse, edhe te pyjet ka pasur hajna, sikurse te votat - porse fakti është se me pasivitetin tonë, i kemi hapur rrugë krijimit të një shteti që ka qenë i të gjithëve, veç jo i popullit

Si përherë kur kemi zgjedhje të parakohshme, fushata nis nja pesë javë më herët. Edhe kësaj radhe nuk ka përjashtim. Nuk ka ditë që nuk mbahen takime me "aktivistë partiakë", duke mos i respektuar as minimalisht masat anti-Covid, thuajse Covidi po shkon në pushim dimëror derisa t'i kryejmë ne zgjedhjet.

Po miratohen masa edhe financiare, e edhe të zgjatjes së orarit të gastronomisë, pa e pasur një arsyetim më të mirë sesa "gjendja në Kosovë është ndër më të mirat në Evropë". Ani që ka ditë që numri i testimeve ka rënë, përderisa numri i të infektuarve vazhdon të jetë i lartë sikurse vazhdon edhe të ketë vdekje. Gjendja dje tregoi se mbi 50 mijë njerëz janë sëmurë (kjo zyrtarisht) dhe se 1340 jetë janë shuar për shkak të virusit.

Skandali i javës gjithsesi ishte dhuratë e Qeverisë së Kosovës. Pas deklaratës triumfale javën paraprake se ishin siguruar 500 mijë vaksina anti-Covid, pardje doli informata se në fakt asnjë kontratë nuk është nënshkruar. Për pasojë as që janë porositur vaksinat, të cilat u premtuan se do të arrinin në shkurt. Po qe se duhet shkuar me procedura të rregullta tenderi, është punë që mund të marrë shumë kohë. Prandaj, marrë parasysh se është situatë emergjente, mund të shkohet me shmangie procedurash. Pra, edhe shpenzim më i madh parash, pa ndonjë kontroll të duhur financiar. Dhe, në kohë zgjedhjesh.

Po qe vaksinat nisen të vijnë, ende mbetet problem transportimi i vaksinave të “Pfizerit”, ngase nevojiten frigoriferë specialë, të cilët përfaqësuesja e OBSH-së këtu thotë se ekzistojnë. Të shpresojmë se ekzistojnë dhe se funksionojnë, kurdo që vaksinat të mbërrijnë. Sa më shpejt, aq më mirë, sepse do t'ua shohim sherrin shëndetësor këtyre zgjedhjeve.

* * *

Shiu që nisi të binte javën e shkuar vazhdoi me ditë të tëra duke shkaktuar vërshime që prej kohësh nuk i kishim përjetuar. Në shumicën e rasteve bëhej fjalë për daljen e lumenjve nga shtrati, por edhe për përmbytjen e parcelave ku është ndërtuar pa kontroll dhe shkel e shko.

Tronditëse qe pamja e një rruge asfalti nga Malisheva që ishte bërë copë e grimë, posi të ishte çokollatë e nxjerrë nga frigoriferi. Investimi prej 270 mijë eurosh u tha se ishte dëmtuar nga fuqia e ujit. Askush nuk u ndal së analizuari në mos dëmtimi është shkaktuar ngase puna nuk është kryer si duhet. Shumë para të kësaj shoqërie kanë shkuar nëpër asfalte të shtrenjta, pra edhe ky mund të jetë një nga shembujt se si janë shpenzuar paratë pa i respektuar standardet e ndërtimit.

E lumenjtë nuk kanë pasur si të mos dilnin nga shtretërit e tyre, kur 20 vjet me radhë i kemi shkatërruar duke e nxjerrë zhavorrin prej aty, duke ia ndërruar rrjedhën ujit dhe, për më keq, duke e mbushur me bërllok pa asnjë ngurrim. Për më tepër, kësaj situate i ka ndihmuar edhe prerja e, më mirë thënë, masakrimi i pyjeve që jo vetëm kanë shkaktuar erozion, porse ja, po shihet, edhe i vërshojnë tokat për shkak se s’ka çka ta ndalë rrëmbimin e ujit.

Fajin për gjendjen e këtillë e kanë në radhë të parë pushtetarët që u pasuruan me gurthyes e marrëveshje të tjera eksploatimi e më pas edhe qytetarët, që e konsideruam natyrën si një diçka të huaj, të cilën edhe duhet shkatërruar se nuk na e prek xhepin. Miopi kolektive që na ka sjellë këtu ku jemi.

* * *

E këto zgjedhje, sikur plot të tjera më parë, do të jenë përplot premtime - se Kosovën do ta bëjnë Zvicër, kushdo që e merr pushtetin. Zvicër munden të na bëjnë vetëm me photoshop, mbase këtë tashmë e kemi kuptuar që nga 2001-ta kur na është thënë për herë të parë.

Pra Zvicër jo se jo, por ndoshta nuk na dërrmojnë edhe më shumë për të na sjellë në derexhenë e Moldavisë, që thonë se i ka punët më keq se ne, ani që është shtet i pranuar në OKB, për shembull.

Nejse, kjo fushatë para fushate nisi. Kësaj radhe partitë iu kthyen përvojës së parë zgjedhore parlamentare, kur kishin garuar si subjekte pa bishta dhe pa koalicione. Për herë të parë ndodhi që koalicionet të lidheshin mes partive të vogla të pakicave, por jo edhe të atyre shqiptare. Për dallim nga herët e tjera, tash partitë iu qasën përfshirjes së listave të kandidatëve të subjekteve politike brenda një subjekti tjetër. E qartë, për t'ua amortizuar fuqinë kur të vijë koha për të ndarë poste a për të votuar ndonjë ligj, a kush e di çka - prej ç'situate përherë kanë përfituar partitë e vogla.

Secila parti doli me "prurje të reja", me premtime se po formohen ekipe të reja e të fuqishme që do ta çojnë agjendën e Kosovës para. Derisa në listën e LDK-së u fut xhokeri i përhershëm, AKR-ja me disa kandidatë për deputetë, duke e parë qartë se vetëm nuk e kalon pragun, VV-ja dhe Vjosa Osmani lidhën marrëveshje për të garuar së bashku. Osmani së bashku me mbase 9 të tjerë do të jenë pjesë e listës së VV-së pasi paraprakisht u morën vesh që Kurti të zgjidhej kryeministër e Osmani të garonte për kryetare të shtetit. Pa dyshim se kjo ka qenë zgjidhja më praktike për Osmanin, e cila nuk ka pasur kohë as që të krijojë listë a subjekt, e mbase as t'i motivojë personat që nuk kanë pasur përvojë paraprake partiake në LDK që të garojnë me të.

Nuk e besoj se duhet bërë sondazhe të mëdha për ta arritur përfundimin se votën e LDK-istëve të zhgënjyer me partinë e tyre Osmani do ta marrë me vete në VV. Pavarësisht a do të jenë pak apo shumë për qind, lëvizja e Osmanit në këtë drejtim gjithsesi se do ta dëmtojë LDK-në. Se sa, do të mbetet të shihet në ditën e zgjedhjeve.

E ajo që e dëmton LDK-në edhe më shumë është imazhi i shpërfaqur në vizitën që e bëri para disa ditësh në Bruksel. Përfaqësimi i saj duket të ketë qenë i mirë dhe deklarata më e fuqishme kishte të bënte me dialogun. E logjikshme, se nuk mund të ketë asnjë dialog, të asnjë lloji deri në zgjedhjen e Qeverisë së re.

* * *

Zgjedhjet e radhës do të jenë ato që do ta "pastrojnë" skenën nga partitë e vogla që kryesisht kanë dalë si fraksione të partive të mëdha. Fuqia politike e tyre e mbështetur mbi një interes financiar apo regjional duket se tashmë është konsumuar, dhe se ka pak gjasa për ta kaluar pragun. Mbase gradualisht, sikurse ka ndodhur edhe në Evropë para shumë vjetësh, ndodh tkurrja e numrit të subjekteve politike në disa që do ta dominojnë skenën për një etapë, dhe më pas dikur, do të shfaqen të pakënaqurit e rinj me partitë e tyre.

Situata do të ngecë te zgjedhja e kryetarit të shtetit.

Momentalisht i kemi dy kandidatura dhe që tash mund të supozohet se do të jetë shumë vështirë të sigurohet kuorumi prej 80 deputetësh në sallë në të tri rundet e mundshme për zgjedhjen e kryetarit. Duhet kujtuar se mosvotimi i kryetarit e çon shtetin në zgjedhje të reja - e Kosova, njëmend, nuk e ka luksin që t'i shpenzojë gjithë ata miliona për zgjedhje, vetëm pse dikujt iu ka bërë obsesion zgjedhja në postin e të parit të shtetit.

Kandidati i parë, Ramush Haradinaj, i intervistuar nga Haga, dhe potencialisht edhe i akuzuar i mundshëm. Kandidatja tjetër është Osmani, e cila duket të jetë akomoduar mirë në këtë post këta muajt e fundit. Pa dyshim me kapacitet intelektual dhe me përvojë jo të shkurtër politike - pra definitivisht jo dikush që Vuçiqin do ta konsideronte njëfarë dosti.

Pra, nëse këta dy politikanë dhe subjektet e tyre e shohin se ka rrezik nga zgjedhjet e reja, do të duhej të hiqnin dorë dhe ta gjenin krejt së bashku një kryetar konsensual. Sepse Kosova ka nevojë për një kryetar që është simbol i unitetit dhe që nuk e keqpërdor pozitën për t'ia zgjatur vetes jetën politike pa e dhënë asnjë përgjegjësi as ndaj Kuvendit që e zgjedh.

* * *

E shkrova javën e shkuar dhe po e shkruaj sërish: shumë do të isha e lumtur po të mundja ta kapërceja krejt edhe parafushatën e edhe fushatën - për shkak se e di se çka po na pret... fjalë, fjalë, fjalë... piskama, sondazhe e spekulime -- e të dilja drejt në ditën e zgjedhjeve.

Atë ditë do t'ia bëj si përherë - do të dal për të votuar.

Është e drejtë të cilën asnjëherë nuk e kemi shfrytëzuar as gjysma e votuesve (pos në zgjedhjet e para komunale më 2000) dhe përherë jemi ankuar me rezultatet e votimeve.

Sikurse në rastin e lumenjve dhe pyjeve që vetë i kemi shkatërruar, edhe ne vetë i kemi sjellë e mbajtur në pushtet ata që na kanë keqsunduar qe dy dekada. Nejse, edhe te pyjet ka pasur hajna, sikurse te votat - porse fakti është se me pasivitetin tonë i kemi hapur rrugë krijimit të një shteti që ka qenë i të gjithëve, veç jo i popullit.

Askush nuk na ka faj.

flaka@koha.net