OpEd

Darka e Dubait dhe turistët nga Tirana

Ishte çështje ditësh kur në Dubai do të shihej duke shijuar jetën ndonjë politikan shqiptar. Tani kjo është dokumentuar me video: kësaj radhe në metropolin e Emirateve të Bashkuara Arabe bënin qejf ministra e zyrtarë të qeverisë «socialiste» të Tiranës, ndërsa pandemia si gati kudo dhe në Shqipëri bën kërdinë. Shqipëria është në prag të fushatës elektorale dhe gjasat që rrethanat e kësaj darke të sqarohen janë të vogla. Fundja, kanë ndodhur në Shqipëri skandale edhe më të mëdha dhe nuk kanë pasur asnjë konsekuencë ligjore.

Javën që po shkon gazeta britanike «Financial Times» botoi një tekst mbi Dubain në kohën e pandemisë. Thelbi i shkrimit ishte ky: ndërsa shumë metropole të botës po qëndrojnë të mbyllura, Dubai po shndërrohet në qytet të ndejave, drekave, darkave e «netëve të çmendura» të turistëve nga bota e jashtme, sidomos europianëve. Në Dubai pothuaj nuk ka kufizime. Aty-këtu distancë sociale, por përditshmëria ecën si para pandemisë. Pse jo një darkë në Dubai?

Ishte çështje ditësh kur në Dubai do të shihej duke shijuar jetën ndonjë politikan shqiptar. Nga mbrëmë kjo është dokumentuar me video: disa ministra e ministre të qeverisë «socialiste» të Tiranës, zyrtarë të qytetit të Tiranës dhe një biznesmen shihen në një restorant duke e marrë jetën me nge. Sipas mediave të Tiranës «delegacioni i copave të mishit» ia shtroi muhabetit në restorantin «Nusr-Et», i njohur edhe përtej Dubait pasi kuzhinieri kurd Nurset Gökçe në vitin 2017 shpërndau në Instagram një video ku shihet duke kripësuar dhe prerë një copë mish të quajtur «Ottoman Steak». Në mesin e politikanëve të estradës jo vetëm nga Tirana është bërë trend të shkohet për darkë «Te Nusreti» në Dubai. Në kohë pandemie aty vështirë do të gjeni ministra të shteteve funksionale, por do të gjeni ministra shtetesh në tranzicion të përhershëm, ku sundimtarët e vërtetë janë oligarkët dhe ky lëngata kryesore shtetërore është – korrupsioni i qeveritarëve.

Në çdo vend me drejtësi funksionale do të sqarohej deri në fund: pse shkuan ministrat shqiptarë në Dubai dhe cili ishte sebepi i asaj darke? Sa ka kushtuar dhe kush e ka paguar? Nëse ministrat paskan shkuar për «të sjellë investime», siç po përpiqet ta bind opinionin kryeministri i Shqipërisë, po zyrtarët e kabinetit të tij ç’punë patën në Dubai? Apo zyrtari i qytetit të Tiranës? I cili, përndryshe, dikur mbante ligjërata me zë të lartë kundër korrupsionit dhe e valëviste flamurin e antikorrupsionit duke bërtitur «Mjaft». Me sa duket për disa morali i angazhimit publik zgjat vetëm deri në çerekun e rrugës, pra derisa të gjejnë një kamion të pushtetit për të hipur. Pastaj nga kamioni me lehtësi pështyhet mbi ata që s’qenë të zot të hipin në kamionin e korrupsionit, sepse besuan në disa parime dhe në etikë profesionale dhe njerëzore.

Shqipëria është në prag të fushatës elektorale dhe gjasat që rrethanat e kësaj darke të sqarohen janë të vogla. Fundja, kanë ndodhur në Shqipëri skandale edhe më të mëdha dhe nuk kanë pasur asnjë konsekuencë ligjore. Kultura e pandëshkueshmërisë e shkatërron besimin e qytetarëve ndaj politikës, qeveritarëve, shtetit. Andaj Shqipëria renditet ndër vendet që po humb shumë njerëz, të cilët po kërkojnë një jetë më të mirë në Perëndim – me çdo kusht, madje edhe duke kërkuar azil.

Ndërsa ministrat e qeverisë «socialiste» bëjnë qejf në Dubai, pa njoftuar opinionin se me çfarë misioni shkuan atje, në Shqipëri ka ende njerëz që presin të kenë një kulm mbi kokë pas tërmetit të vitit 2019. Ka njerëz që këto ditë janë në rrezik për shkak të vërshimeve. Ka njerëz që nuk kanë mundësi financiare të trajtohen pas infektimit me virusin aktual. Ka njerëz që kriza që shkaktoi virusi ua ka zhdukur bazën e ekzistencës. Ka njerëz që kanë mbetur të papunë. Dhe ka njerëz që shërohen në Turqi. Dhe ka njerëz që shkojnë në Dubai për darkë. Janë pushtetarë dhe «gazetarë» të pushtetit.

Tragjedia e Shqipërisë është se nuk ka opozitë të fuqishme. Sepse opozita e sotme – kur ishte në pushtet - s’ka qenë shumë më ndryshe se pushteti i sotëm. Keqqeverisja shumëvjeçare dhe mosndëshkimi i të korruptuarve kanë ndikuar që shumë qytetarë të mos shohin kurrfarë kuptimi në angazhimin publik për të mirën publike. Kjo është edhe një tragjedi tjetër shqiptare. Me gjasë më e madhja. Sepse po të kishte rezistencë të madhe publike, pushteti do të frikësohej dhe disiplinohej dhe njëkohësisht do të lindte një opozitë e re, e efektshme, e cila merret me hallet e vërteta të Shqipërisë.